|


Klikoni kėtu pėr t'iu bashkuar albanianpolitics

Nga
Forumi Albemigrant
Lajme
/ News Albemigrant
Lajme nga HermesNews, postuar mė 07 Aug 2008 nga Admin Njoftim per Median Shqipetare, postuar mė 04 Aug 2008 nga Admin
|
Një
monument nën dhe
Pjesa
I | Pjesa II | Pjesa
III | Pjesa IV
Nga Fritz
Radovani - de Angelis
PJESA I
Një monument nën dhe
At Maté Prennushit O.F.M.
Në prag të 100 vjetorit të Meshtarisë,
që, me guxim e nderë iu kushtue Atij Ideali
për Fé e Atdhé e, pa i shkrepë qerpiku....
. VDIQ SI ME LÉ!....
Autori
Melbourne 2004, Janar 6
Parathanje
"As ma pak e as ma shumë
se ajo që kam dijtë me kohë, se,
komunistët janë veç trathtarë!..."
Don Lazër Shantoja
Shkodër, Sheldijë, 26 Janar
1945
Në sistemin komunist një
rrashtë e shprazun nga armët trofé e, në
ballë e shkrueme me gjakun e saj fjala "çlirim",
ka ma shumë vlerë,
se një kokë e skalitun,
me I d e a l i n:
F é, A t d h é, P ë r p a r i m.
Melbourne, 2002
Autori
PJESA I
NUK DUE ME E BESUE!
Nën rêtë e zymta
si futa të shoh vetëm Ty! .Mbajtë me dy pyka
që tokën e kanë plasë. Ujt' e zi rrëkajë
shkon n'për të thyemet e
gollëve të saja.
Prej majës së malit, atjé në kupë të
qiellit rrokullisën
gurë e, në tëposhtë nëpër kalldrame
përplasën tue sjellë me vedi
gjamë, ushtim' e rrënim, ashtu si lumi i rrëmbyeshëm
e i harlisun që
përmbytë pa mëshirë të pambrojtunit e shkretë...
As diell, as hanë nuk shoh, veç rrëfé që
shkrèp pa dá e natën
ditë ma ban...
... Sa me të pa Ty!...
... N' dy druj tërthuer që më shndritë ...
... Lavdi e thurun në ferra!...
Tèj për tèj ku eshtnat lidhën dy e, dhimbja
në shpirt të
piskatë ...
... Aty, të kanë mbërthye ...
A THUE EDHE TY TË KANË
GOZHDUE SHQIPTARËT!?
Padova, Tetor 1995.
Tiranë, 13 Tetor 1943,
Ora 13.13'.
SHTËPIA NR. 173, NË RRUGËN
E KAVAJËS.
Edhe pse isha vetëm 3 vjeç, e kujtoj si tashti.
Një zhurmë e mnershme, shurdhuese, vinte si gjamë
prej qiellit,
e dukej se po na merr me vedi bashkë me pullaze, oxhakë,
hatlla e
trena, tue rrënue e prishë murët prej qerpiqësh
bashkë me dyer e
dritare. Krizmat e xhamave të thyem përzihëshin me
uturimat e
avionëve anglezë, që pa pikë mëshire, hidhnin
bomba mbi krenat tonë,
që nuk merrnim vesh asgja se çka po bahej mbi né
e pranë nesh. Ashtu
si ishim në atë sofër të asaj të zezë
drekë, pa u çue mirë e me
kafshatë të fundit në gojë, u drejtuem nga shkalla
për me zbritë në
podrum.
Ajo ishte pamja e vetme e fundit e babës së gjallë,
kur u çue
në kambë me një vile rrushi që kishte në
dorë, më tërhoqi prej krahu.e
nuk di gja ma gjatë..veç, për pak çaste,
rá në fundin e shkallëve dhe,
i shtrimë ndër pllaka të korridorit, përballë
derës kryesore të
hymjes, u mbulue me gjak. Pizhamat ngjyrë banane, me polseta
e kolet
të zi, i tërhiqja me sa forcë kisha n'atë lamë
gjaku, tue
thirrë: "BABË , ÇOU!"
Prej skeçes së një bombës, që ra në
oborr dhe hyni nga
dritarja në gjysmën e shkallave dhe preku anën e
djathtë të ballit të
tij, tue përshkue trunin, e tue dalë mbas veshit të
majtë (si më
tregonte nana ma vonë), kishte marrë fund gjithshka.
Nana vërriste me një britëm kushtrimi: "Kuku,
Kolë,...shka të
gjeti...rrezikziu ti...!" E, nësa rrihte kryet me grushta,
tue kja,
thërriste: "Kolë...si më lé!". Unë
vetëm vështroja me trishtim e, pa
kuptue asgja ma gjatë, i strukun për fustan të nanës,
veç tue pritë
kur po pushonte zhurma, rrëbeshi e, po kalonte drama.
Nuk di sesi u hap dera, veç kujtoj një prift, me këmishë
të
bardhë dhe të shkurtë, që hyni mbrendë,
nëpër atë breshën bombash, me
një gju në gjak, u ul pranë babës, përshpëriti
diçka.! Unë mendova se
po e çon babën prej atij pellgu gjaku,.por kishte mbarue
gjithçka.
Prifti nuk iku për pak kohë, derisa nanës i erdhi
axha i saj At Mati
Prennushi, i cili kishte marrë vesht fatkeqësinë
e madhe që e kishte
gjetë shtëpinë tonë, e kishte vrapue edhe Ai
me kenë pranë nesh.
Prifti doli me vazhdue vojimet ndër rrugët e Tiranës,
të lame me gjak
nga qindra të vramë e të copëtuem. Rreth vitit
1962 pata marrë vesh
prej nanës, se prifti që i bani babës Shartët
e Fundit, ishte kenë At
Pjetër Meshkalla. Pikërisht atë vit u njoha afër
me té, mbasi pat dalë
prej burgut, mbas 15 vjetëve të para që kishte kalue
në burgun e
Burrelit.
Natën që baba vdiq, u nisëm për Shkodër
bashkë me nanën, At
Matinë, dajën Paulin dhe disa ushtarë që erdhën
për siguri rruge nga
plaçkitjet që baheshin tek ura e Zogut, (flitëj
nga çeta të vogla
partizanësh). Mërritëm vonë, aty nga ora 10.00
e natës. Kujtoj se të
nesërmen, baba ishte i veshun ushtarak me tesha ngjyre gri,
në një
shtrat të bardhë hekuri i rrëthuem me lule të
bardha. Shumë vetë
përrreth vajtonin. Vaji e gjamët me kishin topitë.
Di se dikush më çoi
hopa dhe unë i putha faqën. Ai ishte aq i ftohtë,
sa nuk mund ta
harroj kurrë atë akullinë që edhe sot ma përqeth
trupin.
Babën, nuk e pashë, as nuk e putha dhe, as e pëqafova
kurrma.!
Ai u varros në Rëmaj, me një funeral madhështor,
që
drejtohej nga Don Mikel Koliqi, famullitar i Shkodrës, pothuaj
gjithë
Kleri Katolik me murgesha e xhakoj, përsonalitete civile dhe
ushtarake, gjithë qytetaria e Shkodrës dhe mbarë
Shiroka, vendlindja e
tij.
Ndonse vdiq shumë i ri, 40 vjeç (datlindja 5 fruer
1903 ), pak ditë para gradimit me gradën nënkolonel,
një ushtarak i
lartë gjerman i gjendërmarisë, ndër varreza
ka thanë këto
fjalë: "Sikur Shqipnia të kishte 10 ushtarakë
të përkushtuem dhe
atdhetarë, si major Kolë Radovani, komunizmit nuk i kishte
bijtë as
fara tek ju!".
Nanën e kujtoj pothuej gjithmonë me tesha të zeza.
Kam
pas kujtue se koha asht kenë ma e shkurtë por isha gabue,
mbasi plot 1
vit mbrapa më 29 nandor 1944 u vesh gjithë Shqipnia me
të zeza,
pikërisht atë ditë kur patën hi "këta".
SHKAMBI I LATUEM
"Mbrojtja ma e madhe e nacionalizmit,
ishin gjoksët e shkodranëve".
GINO BERRI
"Rrethimi i
Shkodrës"
Tetor 1912 - Prill 1913
Thonë kur plasë një shkamb, i ka plasë zemra
njenit prej zotave...
Si vizë e hollë, sa fija e flokut duket ajo plasë
mjedis atyne
Alpeve, që thirren Bjeshkët e Nemuna, prej nga buron ai
lumë që edhe
emnin e ka të fshatit prej ku gurgullon. Asht Kiri, gurra e
të cilit
mjedis atyne krepave e gërxhave poshtë e përpjetë
të kujton hova-hovet
e xhubletës që ulën e çohen ndër ato
shpate malesh, ku, gjithkund,
duken se marrin një përrue gjaku me vete. Rrjedha e tij
gjarpnushë
gjithmonë e trazueme nga shkëmbejtë shekullorë
që shpesh e përpijnë në
gollet, zgavrrat e gomnat e veta e bajnë me shkumzue si kali
në vrap
e, të bardhat dallgë përzi me ngjyrë zafiri
mëshehën nën trungjet e
rrëzueme të pishave, që dalin porsi krye gjarpni
nga strofulla tue
thye qafën tëposhtë e nëpër zallishta.
Malësorët shalgjatë porsi azgaj ndjekin rrjedhën
e tij, me ra në
qytet. Aty-këtu për me i zbutë lodhjen vetes kalojnë
prej shkambit në
shkamb mbi një a dy trena çift, të latuem me spatën
a këmesën e tyne
shekullore. Këtyne trupave u kanë vu emnin ura ku kalohet
si mbi një
tra ekujlibri, veç se janë mësue se një rrëshqitje
kambe të ban mos me
u pa ma në këtë jetë... Rrugët mbi gurë
bajnë punën e vet. Dikund, nën
ndonjë pishë, gështenjë ose ah asht shenja e
pushimit: Një Kryq që u
përtrinë forcën e, sikur, u thotë: "Qëndro,
se mërritëm!". Dredhet një
cigare, ndërrohën kutitë e duhanit simbas zakonit,
dikush ha një
kafshate bukë kakini me shka ka falë Zoti i ulun mbi cung
apo gurë të
lmuet në atë fresk pranë zhumhurit të lumit,
që në fund të shpërlanë
edhe fytin. Si me komandë çohen e vazhdojnë rrugën.
Bukuria e lëvizjes
së çakçirve dhe e hedhjes së xhubletës
prej flladit të erës, murrlanit
ose veriut e bajnë aq të ambël egërsinë
e pejsazhit, sa sfondet e
përgjakuna nga ngjyra e shqemës apo errësina e gjelbërimit
plak,
lidhen me qiellin gri me një brez të bardhë, majet
e maleve që të
largojnë frikën, tue ndejë mbi to bash si të
ishin kësule malësori të
vumë nga vetë dora e Zotit. Janë malet që u
përkasin vetëm atyne,
sëpse, siç thonte Fan S. Noli: "Mbetnë Katholikë
vetëm Malësorët e
Veriut me armë në dorë".
Aq sa të shuejnë etjen e të kënaqin shpirtin
me atë ujë të kulluem
brilant e të freskët, të gjithë përrojet
e lumejtë e atyne zonave të
shtijnë mnerën në kohë pranvere e vjeshte me
pabesinë e vërshimit
tyne. Mbushen e shprazen për pak minuta tue rroposë çka
u del përpara
si bisha të tërbueme. Mjer ai që e provon zemrimin
e këtij lumi që
shkrep si rrëfeja kur përplaset për Stom të
Golemit e zbret nëpër atë
ultësinë në verilindje të Shkodrës, që
ka emnin e tij: ZALLI I KIRIT
e, që, kur shkapetët për pendë të duket
si të kishte dreqnit mbrendë.
Gurët e vumë njeni mbi tjetrin, shpesh të rrethuem
me rrjeta teli,
janë vendosë për me i ba ballë rrëbeshit
e me i pritë hovin përmbytjes
së pamëshirëshme të tij. Penda e Kirit jo vetëm
asht mburojë e Fushës
së Rëmajit por e krejt qytetit të Shkodrës,
që, si për çudi, rrëthohet
prej një patkoni ujnash që asnjëherë nuk e kanë
rrënue. Kiri derdhët
në Drinazë, Drinazi në dalje të Bunës i
shtërnguem nga pesha e randë e
Taraboshit që shpërthen Liqenin e Shkodrës. Shpesh,
kur shtohen ujnat
e Drinazit i zanë grykën liqenit tue përmbytë
krejt bregun e Bunës
deri në Velipojë prej ku shprazen në det. Pra, qyteti
i Shkodrës, prej
verilindjes e deri në veriperëndim gjithkah rrethue me
ujna, merr
pamjen e një luani të shtrimë pertoke me kokë
përpjetë, Kështjellën
Rozafat, gjithmonë në vështrim. Rreth e rrotull asht
me male të
çveshuna, ranë e zallishtë e zbritun poshtë
prej këtyne lumejve që
shinat e shumtë shpesh i kanë mbushë shtretnit e
tyne, tue përmbytë
përreth dhe tue u ndrrue drejtim. Nga veriu Cukali e Maranaj
deri ku
nxjerr synin dielli në lindje, në mal të Sheldisë,
venë cakun e Alpeve
e poshtë Taraboshi mburret: "Dielli flenë mbas meje!".
Ndonjëherë Kiri ka kërcënue qytetin, tue ba
pré një pjesë të tij.
Vërshimet e befasishme nga kallamat e Kol Xhuxhës, tue
zbritë çka merr
Arra e Madhe e Perashi bashkë me Pazarin e vjetër, për
pak minuta janë
gjetë të zhytuna nën ujë, pa harrue me lanë
në kopshtije e hajate të
shtëpive të kësaj zone, nga një pëllambë
lym e lagështinë të
përhershme ndër thëmele. Dallgët e liqenit përplaseshin
për kodrat e
Tepës e deri në Luguçesme, tek vorri i Sheh Shamisë.
Shtëpijat e
dyqanet e vjetra të qytetit të dikurshëm dukeshin
si plaçka të mbetuna
mbi ujë.
Mjedis Pendes dhe murit të vorreve ishin gjurmët e lumit
të
dikurshëm, një zonë me zall e kaçuba mrinash,
murrizash e ferrash, ku
nuk ndihej tjetër veç zane fëmijësh, gardalinash,
babilash e
trumcakësh. Trapola të vendosuna aty-këtu me kapakë
të hapun, ndërsa
djelmoçat e të gjitha moshave mësheheshin ndër
kaçuba, në pritje të
përplasjes së kapakëve prej zogjve fatzez që
mbyllin jetën e tyne ndër
kafaza. Si duket, zogjët e rinjë të kapun e të
mbuluem me shamia për
me ia largue dëshirën e përplasjes për me dalë
prej kafazit, por,
njëkohësisht, tue i ndalue lirinë dhe dritën
e diellit, ndillshin
diçka që nuk ishte fort larg....
Në mbramje binte qetësia. Shihej vetëm ndonjë
çoban tue fishkullue
mbas dy a tri delesh, ose ndonjë çobaneshë, që
bante rrugën e
përnatëshme të saj e shoqnueme prej furkës tue
tjerrë lesh për xhupat
e dimnit të egër, me akull e borë të pandame.
Kalonin kah toka e Zef
Sylës e shkonin në drejtim të lagjes "Skenderbeg",
të bame bardh prej
pluhunit. Nata i xente ndër ato baraka të ngrata nën
dritën e mekun të
kandilit me voj-gurit. Kah e vona mbështetnin shpatullat për
dyshekët
e mbushun me sânë të shtruem përtokë.
Grupe-grupe njerëzish këthenin për të gjatë
Zallit tue këndue:" Po
vjen prendimi!", "Në liqe të Shkodrës",
"Loredan, Loredan" ose "Nëpër
terr që lëshonte nata".... Ishin të gëzuem
prej shëtitjes së asaj dite
në Bardhej, një fshat andej Kirit i mbuluem me pemë
frutore, vneshta e
ullinj. Mendohej edhe për pleqtë tek shtëpia. Ushtorët
ua mbushnin
shportat plot e përplot me fiq e rrush, për me ua lagë
gojën edhe të
pamujtunve me shkue atje. Flladi i erës e hidhte zanin dikund
atje
larg por që vinte e ulej në shenj respekti, kur ata i
afroheshin murit
të vorreve. Në ditët e verës për djelmtë
nuk mungonte edhe kënaqësia e
ujit të freskët, garat e kërcimit nga stomi, stilet
e notimit dhe në
fund me gur rrasikë baheshin "petulla" në ujë.
Me të vërtetë një
kënaqësi!....
Zalli atëherë ishte i bardhë e vezullues gja që
tregonte se
mbretnonte pastërtia që sillte stina e vjeshtës dhe
e dimnit, që i
lante ata gurë një nga një me kujdesin ma të
madh e që në atë hapsinë
të pafund prej shkëlqimit të rrezeve të diellit,
dukeshin si badema
nusjet.
Mbi stomin e Fushës së Rëmajit ngrihën dy çinarë
shekullorë.
Madhështia e tyne frikën e vdekjes e ka kthye shpesh në
përjetësi.
Ishte i pari Don Gjon Gazulli, që provoi tmerin dhe madhshtinë
e
vdekjes nën ata dy çinarë.
Nën degët e tyne, kufizohen vorret e Rëmajit të
popullatës katolike
të qytetit, që zunë vend aty nga viti 1895. Pamja
e tyne me ato selvi
karakteristike ishte pasqyrë e kësaj popullsie që
edhe pse e pakët në
numër punoi shumë për me sjellë qytetnimin evropian
në Shqipni. Prof.
Sami Repishti shkruen: "Shqiptarët katolikë janë
përpjekë për shekuj
me radhë të sjellin në Shqipni frymën civilizuese
të Evropës, mendjet
e ndrituna të kontinentit, arritjet e pakrahasueshme në
fushën e
mendimit njerëzor, të krijimtarisë letrare artistike,
të shkencës dhe
të teknologjisë dhe të organizimit politik të
shtetit modern, që
siguron zhvillimin e përparimin e njeriut të lirë"(përshëndetje
në
përurimin e kishës shqiptare në Harstdale, New York,
më 25 prill
1999). Deri vonë mendohej nga komunistët me i shkatrrue
ato vorre,
mbasi kenja e Kryqave aty u dukej se i ka zanë rrugën
e nisun.
Nga Kisha Kathedrale drejt veriut asht rruga e Ballabanës.
Kjo rrugë
rrahët ma shumë se asnjëherë në fillimin
e nandorit, javën e të
Shuemve, kur ajo merr pamjen e pjacave tona por me një ndryshim,
se
fëtyrat e kalimtarëve janë të vrajtuna dhe ndër
duer kanë tuba lulesh
ku janë ma të bukrat dhe ma të fresktat e oborreve
të shtëpive
shkodrane, që nuk u kanë mungue në asnjë stinë
të vitit. Ato ditë
secili mendon për një kunorë shemshirësh, të
gërshetueme me lule
korclla e drandofille. Uratët, lutjet e lotët nuk prajnë
pranë atyne
që pushojnë në atë paqë të përjetshme,
nën tingujt e përmortshëm të
kumbonës që rrah në njenën anë, tue na
grishë: "Eni, eni e lutuni për
né, se të gjithë për këtë rrugë
jeni!".
E tham me bindje se çka përfshin syni prej Majës
së Zabelit e deri
në Kep të Paganës e, ku ka gurë e dhé,
zall e ranë të trojeve
shqiptare, të tana janë të lame në gjak.
E, pse kështu?
Vetëm që Shkodra të zgjohej nga shprazjet e automatikëve
e
mitralozëve mbi gjokset e Atdhetarëve dhe ta merrte vesh
njëherë e
mirë, se, komunizmi nuk asht tjetër gja, veç kob,
terror, vëllavrasje
e mjerim!
Shpesh, më kujtohet një Nanë e kapun për dru,
me faqe mbështetë për
kambë të përgjakuna, kah i plaste zemra. Me duert
e Saja lëmonte
gozhdën e ftohtë si akulli...
Futa e zezë nuk më lente me ia pa fëtyrën...
AJO ISHTE NANA SHQIPNI, që edhe sot ecë e marrakotun.
Kot kërkon në
tokën Arbnore të njomun me lot e tamth të birin,
që, dikur, e pat
fashue për djep me duert e Saja.
Me atë brez që e shtrëngonte Nana asht edhe sot i
lidhun brryl në
brryl me tjerë Fatosa, ndër duer me dryj e vargoj, pa
asnjë shenj tek
kryet!....
¢ Lotët e Saj rrjedhin thellë në tokë,
e mbushin dy zgavrra pa dritë
atë botë. Ajo i fal dritën e syve të Saj nëpër
gjurmët e lotëve që
derdhen rrëkajë ndër gurë e ferra, pikërisht,
aty, ku edhe sot Ajo
ndigjon tik-takun e zemrës së shporueme, që vazhdon
me rrahë ma fort
se zemra e Saj e thame, e zharitun dhe e plasun.
Kërkon nëpër zhavor e gjen dhé e baltë,
kërkon nëpër dhé e baltë e
gjen zhavor, ashtu si kërkova edhe unë me duert e mija
e gjeta ZALLIN
E KIRIT, të mbrujtun.... të ngjeshun... të fortë
e të bamë SHKAMB.
AI SHKAMB SOT ASHT NJË MONUMENT.
Ai asht nën dhé ......
Ai, edhe pse sot asht nën dhé, njëditë do
të ngrihët
lart!
Po, po, do të ngrihët shumë lart.... madje, edhe
ma lart
se vendi prej ku Kiri solli zhavorin e guralecat e tij në këtë
Zallë!....
Ai, do të ngrihët fort lart, se Ai,.... asht i mbrujtun
me gjakun e Martirëve të Kombit Shqiptar!
S H K O D R A N Ë 1 9 4 6
"Shprehja ma e egër e dhunës
ndaj popujve, asht me i vorfnue!"
Mohandas K. Gandhi
Flas për atë Shkodër
që në fillim të vitit 1900 kishte 28 pianoforta
në shtëpitë katolike të qytetit. Ky ishte vetëm
njeni prej treguesve
të qytetnimit evropian që kishte fillue me zanë vend
në qytetin e
lashtë brij Rozafës. Kanga dhe muzika nuk janë cilësi
të vorfnisë, ato
u përkasin atyne njerëzve që u këndon zemra.
Pra, këta janë shkodranët.
Deri tashti vonë një kuadrat çimentoje në
lulishten e kafes
rrumbullake përballë Kafes se Madhe, ishte dëshmi
e qëndrimit të
bandës së Bashkisë së qytetit aty që drejtohej
prej Zef Kurtit dhe
shoqnonte shëtitjet e qytetarëve në mbasdreket e
së dielës. Shëtitja
në Pjacë fillonte nga Dugajtë e Reja dhe vazhdonte
lumi i njerëzve
deri tek Foto Marubi, që dukeshin si një grumbull bletësh
kur dalin
nga zgjoni. Kjo thirrej Fusha e Çelës, sepse, dikur,
tek sheshi
qendror shtrihej një fushë ku ishte një qelë
prifti, pikërisht aty ku
sot asht Xhamija.
Shëtitja vazhdonte deri në orët e vona të mbramjes
në të gjitha
stinët. As dielli i fortë i zhegut përvlues, as shiu
që bie mjaft në
stinët e vjeshtës dhe të dimnit, as bora që
kur fillon nuk din me
pushue, as morlani që pret Pjacën prej rrugës së
Re e as shiroku i
fortë që të merr mendët e të shpupurishë
flokët nuk e prishnin
traditën...xhirot vazhdonin.
Në orën 11.00 të ditës së dielë në
Kishën Françeskane të Gjuhadolit
thohej një meshë solemne që shoqnohej nga kori i
xhakojve, ku, dikur,
spikati basi Luk Kaçaj nën drejtimin e At Martin Gjokës
dhe ma vonë At
Filip Mazrekut. At Martini, përveç tjerash ka një
meritë të madhe se
krejt brezi i muzikantëve dhe i kompozitorëve prej Prenkë
Jakovës e
deri tek ma i riu, janë frut i veprës së tij. Ai
ka vue thëmelin e
muzikës moderne në Shqipni. Kisha mbushej plot e përplot
me popull nga
të gjitha moshat. Dikur zgjidhej edhe predikuesi që fliste
në këtë
meshë. Mbas meshës populli grumbullohej nën çinarin
para Kishës.
Grumbujt e qytetarëve përshëndeteshin dhe ndaheshin
tue marrë
drejtimin nga Pjaca. Aty-këtu, ndonjë sy tinzar vështronte
për kohën e
ardhshme..., sigurisht ndonjë vajzë që binte në
sy kjoftë për
thjeshtësinë e saj, kjoftë për modelin e flokëve,
për buklehat apo
bishtalecat e gjatë, ose për bukurinë që Zoti
nuk e ka kursye kurrë
për vajzat shkodrane. Djelmtë ma në za pushtonin
Fushën e Çelës, si
Alfred Ashiku, Prenkë Kaçinari e Qemal Draçini
me shokë, të rrethuem
nga zonjushat bukuroshe që me profumet e tyne kundërmonin
Pjacën e,
me erën e tyne sollën ma mirë me thanë një
epokë që për ata që e
kujtojnë, zor se përsëritet ma në qytetin plak.
Secila rrugë, kishë apo shtëpi kishte bukurinë
e saj artistike. Ndër
to ishte dora e piktorit e arkitektit të pavdekshëm Kol
Idromeno, të
pasuem nga Ndoc Martini, Simon Rrota, Zef Kolombi e Vladimir Jani.
Në
vitin 1923 në Shkodër, hapet ekspozita e parë e pikturës
ku merr pjesë
edhe një Zonjë e nderueme piktore, Lajde Muzhani. Prej
derës së
oborrit, fillonte kalldrami e deri tek shkallat e gurit ishte dalta,
një mjeshtri e madhe dhe shumë e përhapun ndër
të gjitha harqet e
strehët e këtyne shtëpive. Pusi i famshëm i
gurit të grishte për një
gotë ujë të freskët mbas zhurmës së
çekerkut që rrotullohej disa metra
në thellësi. Aty afër lugu i gurit ku gratë
punëtore lanin rrobat e
zbardhuna me fi ndër vozgat e drunit që në fund i
mbushnin me ujë, për
me ujitë lulët e bukra rreth oborrit në të katër
anët. Në një anë
shermasheku, në anën tjetër lule vilja, se leni karajfilat,
lulemustakun e drandofillet që të kënaqnin shpirtin
me erën e kandshme
të tyne. Çardaku, një mrekulli me ato trena të
latuem nalt e poshtë
deri ndër podrume. Rreth e rrotull çardakut rreshtoheshin
parmakët e
dyert edhe ato me drunin special të çamit, ku kornizat
e mjediset e
tyne të shtangnin me bukurinë e vizatimeve të daltueme.
Dyshemët e
verdha nga ngjyra që hidhej mbas lamjes të kënaqnin
synin.
"Urdhno, mirëse të ka prue Zoti!", hapej dera
e njeriu asht vështirë
me përshkrue bukurinë e dhomës së pritjes. Mjedis
atij tavani artistik
edhe ky i daltuem, një lampadar i madh i varun me qindra vite,
pëshqesh i kumbarës së martesës së stërgjyshit.
Për nderë të mikut
ndizej edhe poçi i fundit i porcelanit të kacavarun
ndër vargojt e
artë, që shkodranet e vjetra i lanin me farën e pjekun
fort të
mollatartave ose të pjepnave. Ato shkëlqenin bashkë
me enët e bakrit
të vëndosuna ndër serxhia. Në ballë të
dhomës oxhaku i bardhë i
derdhun në çimento speciale ose gjeso që përzihej
me të bardhin e
vezës para derdhjes, për me forcue landën e hollë
e të bukur, ku
mjeshtri kishte shkri krejt talentin e tij. Nuk mungonin anash armët
e
vjetra të varuna në mure me dorëza argjenti. Aty
afër shkëlqente
tangari i bakrit me prushin e mbuluem me hi e sipër masha në
pritje të
mikut.
Një dhomë aq madhe rreth 8x7 ml. krejt e shtrueme me qylyma
e anash
me cerga, të sjelluna nga Kosova, mbasi njihej mjeshtria e
tyne për
punimin e cergës me lesh dhije. Këto kanë pasë
gjyren kafe dhe
rrethonin qylymin e kuq e të madh mjedis dhomës, tue formue
një
kornizë shumë të bukur rreth atij qylymi që
dukej si një kuadër
pikture i shtruem në dysheme. Në një kand ishte edhe
arka e grues ma
të vjetër që ruhej për bukurinë e njoftun
të ngjyrave të vizatueme
jashtë e mbrendë në kapakun që ndrynte pajën,
me sofrabeza e mësalla
që shtroheshin ndër sofrat e paharrueshme të këtyne
shtëpive me raste
festash. Të gjitha të punueme me tezgjah gjatë kohës
së vajznisë.
Krejt afër murit ishin minderët e mbuluem me qarqafa të
kuq dhe me
jastekë të bukur për mbështetje të trupit,
si e si, miku me e ndie
vedin rahat gjatë vizitës. Nuk do të flas për
pritjen e përcjelljen,
mbasi atë Shkodra edhe pa bukë, ujë e dritë,
nuk e harron,..... janë
të sajat.
Arkitektura e shtëpive të fillimit të Pjacës,
Dugajtë e Reja,
Gjuhadoli, Serreqi i vjetër e shumë shtëpi të
Parrucës e Zdralejve që
edhe sot janë ma të bukrat në qytet, janë vepra
të Kol Idromenos.
Njerëzit ecnin tue bisedue me za të ultë, me t'u
dukë se po flasin në
vesh. Çdo bisedë me masë rreth artit, kulturës,
muzikës, shkencës,
sportit, etj. Flitej për idhujt e shkodranëve, si: At
Fishta, Luigj
Gurakuqi, At Anton Harapi, Don Ndre Mjedja, Don Lazër Shantoja,
për
mjekët, Saraqi, Shiroka, Radoja, Pogu, Prela e Dr. farmacistet
Pjerin
Bushati e Elez Troshani. Për muzikantët Palok Kurti, Kol
Mati Tukja,
Prenkë Jakova, Tonin Harapi etj. Për figurat e njohtuna
Kel Marubi,
Gjon Kamsi, Imzot Mjedja, Serreqi, Thaçi, Bumçi etj.
Avokatët e
njohtun Benussi, Kol Dhimitri, Tedeschini, Pipa, Paulin Pali, etj.
Kishin vendin e vet Pjetër Gjini, Zef Hila, Kol Tivari, Filip
Daija,
që pasunonin pjacën me ndonjë të qeshun të
fortë të grupeve rinore që
përsërisnin humorin e pavdekshëm të këtyne
njerëzve, që qeshnin se nuk
kanë mujtë me ndejë tue kja, mbasi e shihnin mirë
ku po shkonte
puna....
Etnit Françeskanë pa asnjë përjashtim ishin
epiqendra e asaj
përiudhe historike për trimninë e tyne dhe atdhetarizmin
e flaktë, që
me plot gojën mund të konsiderohën jo vetëm
për Shkodrën, por për
gjithë Shqipninë, NJË RILINDJE KOMBËTARE. Aty,
në atë Kuvend shtrohej
sofra per bukë e rrinin me bujtë (me fjetë): Luigj
Gurakuqi, Ismail
Qemali, Çerçiz Topulli, Mustafa Qulli, Hasan Prishtina,
Bajram Curri,
Isa Boletini, Avni Rrustemi, Mehdi Frashëri, Kristo Floqi,
Lef Nosi,
dhe nën zhgunin e At Pal Dodës shpëtoi kokën
Mbreti Ahmet Zogu. Deri
vonë aty asht ruejtë dhoma ku flente miku i posaçëm
i Kuvendit, Ded
Gjo' Luli, i vetmi njeri laik që asht varrosë në
Kishën e tyne.
Nuk do të zgjatem me intelektualët e profesorët,
mbasi kenja e katër
gjimnazëve dhe dy seminarëve teologjike, tregojnë
ma së miri nivelin
kulturor të këtyne banorëve që janë edukue
pa dallim Feje ndër ato
banka të atyne shkollave. Ngjarjet që do të shtjellohën
ma vonë do të
tregojnë ma shumë se një listë emnore e tyne
se kush jetonte, mësonte
e punonte këtu.
Kjo ishte Shkodra!
Shteti, jeta, kultura, arti dhe sporti, zanafillën e tyne deri
në
ditët tona e kanë nga burimet dhe gurrat e pashterrëshme
të Shkodrës.
Një Shpirt i pajisun me atë edukatë, kulturë
e art që merrej në
gjimnazet fetare dhe laike të Shkodrës, përsonifikonte
até, që bota
moderne sot e thrret vetëm me një emën: NJERI.
E thom me bindje të plotë se natyrën e shkodranit
dhe të malësorit
trim të Veriut, nuk e ka njohtë askush ma mirë se
malazezët e serbët.
Jo, kot, tash një shekull ata vazhdojnë me gjuejtë
me TOP Kathedralën
e Shkodrës; jo, kot, ata mbyllën çerdhet e edukimit
fetar e atdhetar;
jo, kot, ata e dëbuen Fishtën nga vorri e bankat e shkollës;
jo, kot,
ata plaçkitën bibliotekat e muzeumet e tyne; jo, kot,
ata të parët
pushkatuen Prenkë Calin me shokë; jo, kot, ata dogjën
male e shpella,
ku, strukej ndër shekuj Shqipja; jo, kot, ata vollën vnerë
kundër
Fishtës, Gjeçovit, Harapit, Shantojës, Prenushit,
Palajt, Donat
Kurtit, Konicës, Pipës e deri tek Qemal Draçini,
që e mbytën në hu,
vetëm pse At Fishta, me gishtin shënues drejtue kah ai,
tha: "Qé, një
talent i ri!".
Pse morën malët Gjelosh Luli me shokë? - Jo, kot,
se
ishte "Besëlidhja e Veriut, Rranxave dhe Postribës",
kockë në fytin e
serbit.
Pse duhej zhdukë inteligjenca? - Jo, kot, por ajo nuk përulej
dhe
nuk e thente majën e penës para shërbëtorëve
të Titos.
Pse u rrënuen Kishat e Xhamitë? - Jo, kot, por duhej
shpallë "Shqipnia Socialiste Ateiste".
Pse "vrau vetën" Prenkë Jakova? - Jo kot, por
ishte Prenka i birucës
nr. 6, në Sigurimin e Shkodrës të vitit 1946, që
jo vetëm ishte i
vëllai i Ndocit, por, ky ishte atdhetar, ishte artist antikomunist,
ishte edhe katolik i mirë. Ai nuk e la asnjë çast
Shkodrën; se, tue
kalue nëpër Serreq frymëzohej; se, tue u zgjue nën
tingujt e kumbonëve
të Kathedralës i vinte muza; se, tue përshëndetë
gratë shkodrane me
jepanxhe e degërmia, i kujtohej vuejtja dhe sakrifica e një
populli,
që deri dje, i veshun në çakqirë e xhubletë
me Ded Gjo'Lulin, Luigj
Gurakuqin, Ismail Qemalin e Isa Boletinin, valvitën Shqipën
dykrenare
në qiellin shqiptar. Ishte pikërisht ai që i thuri
lavdi Gjergj
Kastriotit - Skëndrbeut në operën e tij!
Përgjigja asht vetëm një: Kjo qendër antishoveniste
sllave që
thirret SHKODËR, duhej shue, duhej rrënue, duhej rrafshue,
duhej qitë
fare!......dhe, shihe sot si ka vojtë halli i saj!...
Shkodra, deri dje djepi i Fatosave të Atdheut duhej kthye në
vorr të
qytetnimit evropian!
Djelmtë shkodranë pa dallim Feje, studentë, intelektualë,
artistë,
politikanë e jo politikanë, tregëtarë e zejtarë,
puntorë e shegertë e
vigaj për kah pamja, vetëm se u thonin "shkodranë",
shumë shpejt mbas
vitit 1944 do të boshatisnin pjacat, shkollat, rrugicat, shtëpitë,
kinematë, fushat e sportit dhe do të mbushnin birucat
e Sigurimit të
Shtetit komunist. Bashkë me këta azgaj do të jenë
edhe mjaft vajza ku
ishin ma të mirat e familjeve atdhetare shkodrane për
kah pamja e
ndera.
Ministria e Punëve të Mbrendshme me Seksionet e Mbrojtjes
së
Popullit, në çdo skutë të krijueme që
në qershor të vitit 1943 nga
jugosllavët dhe të drejtueme gjithënjë prej
tyne dhe veglave qorre,
kryesisht vëlleh (shif indeksin e drejtorëve të drejtorive
të kësaj
Ministrie), vëmendjen e kanë pasë gjithmonë
në Shkodër. Fillon me
Gjush Dedën e Ndrekë Nallbanin, Ali Qorrin (Bushatin),
Cuf Lohën, Lilo
Zenelin, Hysni Ndojën, Qamil Gavoçin, Jonuz Dinin, Kasëm
Troshanin,
Pjerin Kçirën, Ylvi Dibrën, Rasim Deden, Filip
Pemen, Pjetër Ballaten,
Xheudet Milotin, Vehbi Fishtën, Hys Zajen dhe vazhdon me Zoi
Themelin,
Vaskë Kolecin, Kolec Ilinë, Hilmi Seitin, Feqorr Shehun,
Rexhep Kollin
etj. që të gjithë së bashku i kanë shërbye
një qëllimi: TRATHTARË E
ANTISHQIPTARË.
Për këtë arsye këta kriminelë të pashpirtë,
terroristë e gjakatarë,
kanë krye në qytetin e Shkodrës veprat ma të
shëmtueme tue torturue në
mënyrën ma mizore atdhetarët, gja që dokumentohet
vetëm me kenjen e
këtyne qendrave të torturave, spijunazhi, hetuesie, vrasjesh,
zhdukje,
burgje dhe shtëpi strehimi për të parainternuem që
kishte qyteti i
Shkodrës në vitin 1946:
1. Seksioni i Mbrendshëm ose Dega e Punëve te Mbrendshme.
2. Hetuesia (Shtëpia e Pjetër Çiurçisë).
3. Burgu i Prefekturës (Kati përdhé).
4. Konvikti "Malet tona".
5. Burgu i Madh pranë Prefekturës.
6. Burgu i Kishës së Fretënve (Kuvendi) në Gjuhadol.
7. Burgu i vjetër i Gestapos pranë shtëpisë
së Zef Shirokës.
8. Shtëpia e Ulqinakut.
9. Kuvendi i Motrave Servite.
10. Kisha e Motrave Servite.
11. Shkolla e Çelës.
12. Podrumi i shtëpisë së Fasli Ademit, (nën
farmaci).
13. Burgu i Çekës (sot Instituti "Nanë Tereza").
14. Toga e Ndjekjes së Sigurimit (tek Sanatoriumi i sotëm).
15. Burgu i Postës tek harku kundrejt Xhamisë së
Kuqe në Perash.
16. Shtëpia e Rrojëjve (pranë Maternitetit të
vjetër).
17. Shtëpia e Guljelm Lukës, në krye të rrugës
Jezuitëve (ku
internonin).
18. Shtëpia e Dr. Karamitrit.
19. Shtëpia e Lec Shkrelit, tek Dugajt e Reja.
20. Hoteli i Bepit të Mishiqit (ishte përballë Institutit
Pedagogjik).
21. Shtëpia e Guljelm Sumës.
22. Shtëpia e Sandër Saraçit.
23. Shtëpia përdhese e Vuksanëve, mbas shtëpisë
së Shkrelit.
24. Spitali i burgut përballë Shtëpisë së
Kulturës.
25. Spitali i burgut tek Spitali Civil sot.
26. Burgu i ushtrisë tek rekrutimi.
Gjyqet janë zhvillue në kinema "Rozafat", kinema
"Republika", Teatri
i Jezuitëve, në shtëpi të Kadukut, Pogut, Dr.
Prelës etj.
Gjyqet e mbylluna janë zhvillue kryesisht tek Burgu i Kishës
ose
Kuvendi i Fretënve në Gjuhadol (në mensë), ndër
dhomat e Shtëpisë së
Çiurçisë, ku, shpesh, vriteshin, hudheshin nga
dritaret dhe zhdukeshin
kufomat me proces-verbale false të gjyqeve gjoja të zhvillueme
aty.
Qendrat e masakrave ma të mëdha janë kenë: Shtëpia
e Çiurçisë, Burgu
i Kishës së Fretënve, Konvikti "Malet tona",
Dega e Punëve të
Mbrendshme, Shtëpia e Lec Shkrelit, podrumi i shtëpisë
së Fasli
Ademit, shtëpia e Ulqinakut, etj.
Të vetmit dëshmitarë sikur të "flisnin"
do të ishin: Pema e blinit
në oborrin e Kuvendit të fretënve, ullinjtë
e pemët e shtëpisë së
Çiurçisë, pemët e konviktit "Malet
tona", etj. që, edhe sot ndër
rrajtë e kalbuna të tyne ruajnë britmat e virrmat
e njerëzve të lidhun
dhe të varun, që kanë derdhë gjakun e shenjtë
e kanë dhanë Shpirtin
nën degët e tyne.
Po, sa ishte popullsia e këtij qyteti martir me 26 burgje e
ndoshta,
ma shumë që nuk i dij unë? - Kurrë, asnjëherë,
nuk do të tregohet sa
mijë vetë ishin ata që mendoheshin me u zhdukë!....
Ka me kalue një kohë e gjatë e ma e gjatë se
ajo që kujtojmë na, për
me dalë në dritë vepra terroriste e kriminale e Partisë
Komuniste (së
Punës dhe e asaj "Socialiste") të Shqipnisë,
e kryeme nga dora e
Sigurimit të Shtetit gjakatar, shërbëtore besnike
e Partisë Komuniste
të Jugosllavisë që nga thëmelimi i saj.
Ndër krimet e shëmtueme kujtohen: Në shtëpinë
e Çiurçisë: Simon
Darragjati e Kolec Deda, mbasi u torturuen për një kohë
të gjatë dhe
nuk pranonin akuzat, u hodhën nga dritarët prej hetuesve
Fadil
Kapisyzi, Lilo Zeneli e Zoi Themeli. Pal Thanin e ka mbytë
në torture
me duart e tija krimineli Fadil Kapisyzi.
Avokat Muzafer Pipën e kanë mbytë në torturë
Zoi Themeli e Vaskë
Koleci. Mbasi e kanë lidhë për karrigë të
palëvizëshme me duer mbrapa,
tue dashtë me i futë ndër muskujt e krahve një
hekur të skuqun, i kanë
prekë me hekur shtyllën kurrizore, tue i shkaktue vdekjen
në çast.
Mandej, kanë çue Elez Mesin me ble një pulë,
e kanë therë pulën dhe
kanë shpërnda gjakun e saj nëpër oborr. Kanë
fillue me shtij me armë,
gjoja se u vra Muzaferi tue dashtë me ikë nga hetuesia.
Ma sakt e din
Aranit Çela që i premtoi Muzaferit "gjysmën
e lekut", kur u takuen tek
dera e Bar "Impero" (Kafja e Hardallit), kohë në
të cilën Muzaferi,
mbronte At Gjon Shllakun në gjyq.
¢ Don Mark Hasit i ka mbërthye me thikë gjuhën
për tavolinë hetuesi
kriminel Nesti Kopali, derisa të japin shenjë se do të
flasin. Kishte
humbë ndjenjat nga hemoragjia. E kanë mjekue vetëm
me krypë, tregonte
fatziu Don Mark.
Në konviktin "Malet tona", At Gjon Shllaku asht lanë
deri në bel në
ujë të qelbun në dhomën e mjedisit të ndërtesës,
pa dritare dhe me
zbritje 4-5 kambë shkallë, ku, dikur, ruheshin të
freskëta ushqimet.
Gjatë proçesit gjyqësor asht lanë aty për
me thanë se kam formue
Partinë Demokristjane në Shqipni. Asht pushkatue me plagë
të hapuna,
me mish të dërmishun e varrë që i kullonin qelb.
At Bernardin Palaj i ka mbetë në dorë Dul Rrjollit
e Fadil
Kapisyzit, mbasi nuk i besonin fjalës së tij se asht i
sëmurë me zemër
dhe e torturonin me rrymë elektrike, ashtusi Simon Kraja e
sa të
tjerë.
Pandi Kristo pohon në burg se: "Ato Lleshrat e Prengrat
i kemi vrarë
faj e pafaj vetëm sëpse kanë qenë katolikë!..."
Kur, në Shkodër Françeskani At Martin Gjoka, u
fliste studentëve për
muzikën e Bethovën, Moxart e Verdi, në Moskë,
Lenini thonte: "Britmat
e të burgosunve nuk i ndrroj as me Sinfoninë IX-të
Bethoven-it"...
O SHQYPE, O ZOGJËT E MALËVET,
KALLXONI !
"Kultura asht shpirti i qytetnimit"
Dy çinarë shekullor mbi një stom me emnin çinarët
e Zef Zorbës,
brij lumit Kir, që vazhdon rrugën e tij derisa derdhet
në Drinazë
brijë Kalasë Rozafat, aty ku janë ledhet e qytetit
të vjetër që pjesa
ma e madhe janë nën shtratin e këtyne lumenjve, më
kanë shtye me pyetë:
"Kush ishte Ai burrë, që vuni gurët e qytetnimit
mbi këtë stom me
emnin Rëmaji?"....
Një fushë mbi këtë stom që ma shumë
ishte zallishtë me ferra e
mrina kishte tërhjekë prej kohësh djelmoçat
e rinj për me u argëtue,
tue gjuejtë në shenj objektet e mbështetuna në
trungjët e këtyne
çinarëve. Këta dy trungje janë koleksionerët
ma të vjetër të predhave
që janë përdorë në armët e mbajtuna
në brezat e qytetarëve të
Shkodrës. Një predhë e kalueme andej Zallit të
Kirit aty rreth vitin
1840, pat plagosë një ushtar turk i cili mbas pak ditësh
pat vdekë.
Gjuejtësi i shenjës nuk asht kenë djalë i fisit
Ejllori ose Radovani
prej Shiroke, por, kjo vrasje padashje i mbet se asht ba prej Pjetër
Pal Ejllorit dhe i kushtoi aq shumë këtij fisi, sa prej
asaj kohe
pasunia, të hollat e tokët e pagueme si damshpërblim
nuk u zëvendsuen
kurrma në këtë shtëpi. Kjo ngjarje u pat ba
shkak me u rrallue ky
argëtim në atë vend. Në 10-vjeçarin e
fundit të shekullit XIX-të, aty
nga 1895, u vendosën disa rrethime mbrenda të cilave ishte
një faltore
e vogël shumë e vjetër, rreth së cilës
filluen me u varrosë qytetarët
të cilët nuk kishin tokë ndër vorret e vjetra
në fund të rrugës së
Badrave, emni i së cilës ka mbetë nga kjo lule që
rritët ndër vorre.
Hapsina e atij vendi filloi me joshë dëshirën për
vendosje të vorreve
të reja që janë edhe sot.
Mendja e një shkodrani me emnin Ludovik Zojzi, vendosi përjetësisht
mbi atë stom nën ata dy çinarë ato vepra arti
që janë sot aty dhe, që
thirrën Vorret e Rëmajit. Kapela e atyne vorrezave u projektue
dhe u
zbatue nga vetë ky ingjenjer. Planimetria e bame prej tij ruhët
edhe
sot në familjën Zojzi.
Ludovik Zojzi ka lé në Shkodër, më 23 nandor
1910, në familjën e
vjetër të Zojzakëve. Kjo shtëpi njihet për
intelektualët e mirëfilltë
që i ka dhanë qytetit. Keli ka përfundue shkollën
tregetare dhe ishte
një kangëtar i njoftun si tenor në grupet e muzikantëve
të At Martin
Gjokës. Zefi, ishte dr. avokat i lauruem në Itali. Rroku,
ishte një
ndër etnografët ma të mirë të Shqipnisë,
për mos me thanë ma i miri
dhe ma i zoti. Ludoviku, mbasi përfundoi Liceun "Illyricum",
më 27
qershor 1928, dhe doli me rezultate të shkëlqyeshme spikati
me
sjelljen e tij shumë të mirë dhe bani për vedi
personelin e shkollës
Françeskane, i cili e dërgoi për studime në
Padova, Itali. Atje, ai
nderoi brezninë shqiptare për zellin dhe vullnetin me
studjue. Më 10
nandor 1933, u laurue me doktoratën e ingjenjerit elektrik,
pikërisht,
atëherë, kur Shqipnia po bante hapat e para me dalë
nga errësina
shekullore. Erdhi në Shkodër si profesor në Liceun
e Shtetit, deri më
1 tetor 1937. Në dy vitet e fundit të qëndrimit në
vendlindje ishte
edhe ingjenjer këshillues pranë Bashkisë së
qytetit. Në vitin 1937,
emnohet Drejtor teknik i Drejtorisë së Përgjitheshme
të PTT në Tiranë,
punë të cilën e vazhdoi deri më 15 shtator 1943,
ditë në të cilën sapo
delte nga shtëpia me shkue në punë, u vra pabesisht
nga komunistët e
Tiranës. Kuptohet thjeshtë arsyeja, një ingjenjer
shkodran, katolik, i
lauruem në Padova, familje intelektuale që nuk ishte pajtue
me
komunizmin, indiferente ndaj lëvizjes nacional-çlirimtare
ashtu si
pjesa ma e madhe e Shkodrës që etiketohet shpejt nga grupet
komuniste: "..agjent, fashist, bashkëpunëtor i okupatorit
e i klerit,
spijun e trathtar .."
Këtë fat të zi pat edhe Dr. Ingj. Ludovik Zojzi në
moshën 33-
vjeçare, i formuem dhe i paisun me kulturën e shëndoshtë
bashkohore.
Ingj. Ndoc Naraçi, i cili e ka njohtë afër Ludovikun,
mbasi ka punue
me té në Tiranë, më tregonte aty nga viti
1989 se arsyeja e vërtetë e
vrasjës së tij asht kenë kërkesa e komunistëve
që ai me bashkëpunue me
ta, gja të cilën Ludoviku nuk e ka pranue.
PTT e Tiranës ishte një ndër qendrat ma aktive të
grupeve komuniste,
prandej ata që nuk ishin të lidhun me këta grupe,
mendoheshin të
rrezikshëm për punën e tyne, duheshin "çëruar".
Kjo dokumentohet nga
gazeta "Zëri i Popullit", datë 3 dhetor 1959,
në artikullin e Qeverim
Çelit, ish anëtar i grupit komunist të PTT-së,
i cili
shkruen: "...Suksesi që arritën grevistët e
Drejtorisë së
Përgjithëshme të PTT-së, bëri që edhe
punonjësve të tjerë t'u shtohej
besimi në Partinë Komuniste dhe në udhëheqjen
e drejtë të saj. Nga
radhët e këtyre grevistëve u organizuan më vonë
guerilet, që përlanë
spiunin dhe armikun e popullit Ludovik Zojzi." Ma poshtë
shënohën edhe
autorët e këtyne veprave të "suksesëshme",
organizatorët dhe
kriminelët gjakatarë. Ja si vazhdon artikulli: "...Në
atë kohë në
Drejtorinë e Përgjithëshme të PTT-së, punonin
shokët: Adil Çarcani,
Fiqrete Shehu, Nikolla Profi, Mustafa Qilimi, Ilo Panduku dhe të
tjerët që ishin organizatorët...". Cili nga
këta kriminelë analfabetë
mund të duronte mbi kokë një ingjenjer të lauruem
në Padova të
Italisë? Kush nga këta fanatikë mund të shihte
me sy një ish student
të gjimnazit të Fretënve, apo ish nxanësin e
shkollës së Jezuitëve të
Shkodrës, kur detyra e këtyne grupe vagabondësh ishte
shkatrrimi e
shqymja nga faqja e dheut e bazave të kulturës Evropiane?
Çfarë
menduan për 50 vjet kokat e mykuna me idetë marksiste-leniste
e
stalinjane, të edukuem antishqiptarë ndër çerdhët
e imoralitetit të
komunistëve jugosllavë që vetëm dinin me vra,
dhe përshëndetëshin çdo
mëngjez me parullat "plumbin ballit Atdhetarëve!?"
Çka i sollën
Shqipnisë përveç vorrezave këta kriminelë
të drejtuem nga një masu i
flligtë, i dalun prej katakombëve të kabareve të
Parisit, siç ishte
Enver Hoxha? Çka do të mësonin nga Mugosha e Popoviqi
vëllavrasësit
Fiqrete Shehu, Adil Çarçani, e Mustafa Qilimi me shokë?
- Vetëm me vra
trathtisht mbas shpine, si vranë edhe njeni-tjetrin!
Atentati i bamë kundër Ludovik Zojzit, ishte fillimi i
terrorit
komunist kundër inteligjencës shqiptare që ishte
formue në shkollat
Perëndimore, ishte atentat kundër Evropës së
kulturueme, ishte zbatim
detyre ndaj mësuesit jugosllav, ishte betim për trathtinë
e madhe
kombëtare që po bante Partia vëllavrasëse Komuniste
e Shqipnisë,
kundrejt Popullit të vet Shqiptar!
Kryqat e Vorrëve të Rëmajit ishin ngacmues për
nervat e fanatikëve
antikatolikë komunistë. Shumë herë u projektuen
plane e platforma
mashtruese gjoja për ndërtime të reja, vetëm
si me i shkatrrue ato
vepra arti që kishte projektue dhe zbatue shkodrani Dr. Ingj.
Ludovik
Zojzi. Sa herë kalonin udhëheqësit e Partisë
së Punës andej pari
përshpërisnin nën za: "Akoma, këta këtu?!"...
Ishte gjoksi i
atdhetarit Gjon Kamsi, ishte Gjikami, vëllai i gjakut të
Luigj
Gurakuqit që nuk i tutej syni para askujt, veç, shtërngonte
nofullat e
i thonte hasmit: " JO! Nuk guxoni me prekë këtë
tokë se asht e bekueme
me gjakun e Atdhetarëve që kanë punue dhe vdekë
për Shqipni! Nuk
guxoni me luejtë eshtnat e lyeme me Bagmin Shenjtë të
Filip Shirokës,
Kol Idromenos, Simon Rrotës, Hil Mosit, Kel Marubit, Don Ndre
Zadejës,
Dr. Federik Shirokës, Dr. Gjon Saraçit, Prenkë
Jakovës, të Kakarriqit,
Muzhanit, Topallit, Serreqit, Dedejve, Prelejve, Prennushve etj.
që
janë kenë gurët e thëmeleve të qytetit!".
E dogjën një natë at Kapelë vorrezash të
mbetun shkret...
E dogjën një natë çatinë nën të
cilën ishin Bekue sa e sa shqiptarë
qyshë në rrethimin e Shkodrës, të vramë
nga gjylet e malazezëve... me
mauzerrët ruse...
E dogjën një natë bashkë me tavolinën ku
dora e Bekueme e Meshtarëve
freskonte Shpirtnat e sa vetëve që nuk vdisnin, por, plasnin,
se mbas
atij muri rrethues të atyne vorrëve ata kishin të
tretun nën pleh, pa
një shenj tek kryet, Loçkat e zemrës të varruem
nga plumbat e
komunistëve gjaksorë!
E dogjën një natë, se, mendonin se nën atë
çati, ruhën vizaret e
kulturës kombëtare!
E dogjën një natë, se, mendonin se ashtu bahët
pluhun e hi fara e
qytetnimit shqiptar!
E dogjën një natë, se, kujtuen se do të rrëzohën
edhe shtyllat,
simbol i martirizimit!...
E dogjën një natë ashtu si librat e bibliotekave
të Françeskanëve
dhe të Jezuitëve!....
E dogjën një natë ashtu si shkollën ku mësonte
Fishta, Harapi,
Zadeja, Prennushi, Kurti, Nika....
E dogjën një natë se vrasësit kanë frikë
vetëm nga vdekja!
E dogjën një natë se shumë larg u dukej se nëpër
zhuri të Zallit të
Kirit, përplaseshin tingujt e një kumbone që binte
në një anë edhe nën
dhé... e do të lajmëronte ringjalljen!
E dogjën një natë, por, harruen se, thëmelet
e Krishtënimit nuk
prishen dhe as nuk digjen!
E dogjën një natë, por, harruen se mbi ato shtylla
asht ende tymi i
kemit, djegë në Lavdi të Zotit!
E dogjën një natë, por, harruen fjalët e Meshkallës,
se ka dymijë
vjetë që digjni Ungjillin!
E dogjën një natë, por, harruen se nën atë
tokë vlon gjaku i Ded
Gjo' Lulit me shokë!
E dogjën një natë, por, harruen "me djegë"
edhe Don Simon Jubanin!...
NGA NA ERDHËN KËTA PARTIZANË?
"Të ngjeshuna dhe të
papushueshme ndiheshin qitjet e mauzerrëve
rusë, me të cilat ishte paisë ushtria malazeze."
Gino Berri, 1913.
Ma shqip: KUSH DREQI NA I SOLLI?
Në vitin 1951 ishim një grup fëmijësh që
ndihmonim meshë në Kishën
Françeskane të Gjuhadolit, me Nikolin Lekën, Tonin
e Bepin Ljarën,
Kolec Ljarën, Karlo Marlekën, Tish Serreqin etj. Me datën
13 qershor
ditën e Shna Ndout, që për atë Kishë ishte
ditë e veçantë se besimi në
këtë Shenjt në Shkodër asht shumë i madh,
At Marjan Prela, që
kishte "mbetë" si administrator na mori të gjithëve
dhe na hypi në
kompanjel. Ngjitja ndër ato shkallë thik ishte pak e frikshme.
Kur
mërrijtëm tek balkoni u mahnitëm me atë bukuri
që të përfshinte syni.
Për né ishte hera e parë që shikonim nga nalt
krejt Shkodrën në të
katër anët, me lumenj, fusha, kodra e male që e rrethojnë.
Liqeni
dukej i pafund si një tepsi e kallaisun prej rrezeve të
diellit.
Pullazët e shtëpive karakteristike me tjegulla dukeshin
si kuadrate të
kuqe si ufulla mjedis gjelbërimit që mizotnonte, sidoemos
zonën e
banueme nga myslimanët. Aty-këtu ngrihej ndonjë bajonetë
e mbrojtjës
së fesë së këtij qyteti besimtar; ishin minarët
e xhamive dhe
kompanjelat e kishave të tjera. Secili prej nesh kërkonte
me sy rrugën
dhe pullazin e shtëpisë së vet. At Marjani me durimin
e tij
karakteristik na shpjegoi se të gjithë këta gur e
parmakë të këtij
kompanjeli janë daltue me dorë nga mjeshtrat shqiptarë,
madje, edhe
kupola e vogël që kishim mbi kokë mbi të cilën
ishte vendosë Kryqi,
ishte punue prej mjeshtërve të drunit, mandej e kishin
veshë sipër me
fletë metalike. Nën balkue ishin katër sahatët
me një mekanizëm të
thjeshtë, në të cilin varej një kovë shumë
e randë e mbushun me hekra
që shërbente për kurdisje. Njëherë kishte
ra poshtë tue thy krejt
shkallën. Mbas asaj herë ishte sigurue mjaft mirë
lidhja e saj me
mekanizmin. Prej atij balkoni At Fishta kishte lidhë kandilat
e
dritave të vumë në varg me minarën e Xhamisë
së Fushës së Çelës, një
minare shumë e bukur edhe ajo me gurë të daltuem
dhe e ngritun me
derdhje plumbi. Kjo lidhje me kandila isht kenë ba natën
e Festës së
Flamurit si shenjë vllaznimi. Pika e vendosjes së këtij
kompanjeli
tregonte qendrën ku asht vendosë kompasi kur asht vizatue
qyteti i
Shkodrës. Ai sahat shihej në çdo kand të qytetit
mbasi i tillë ishte
mendue ndërtimi i tij.
Edhe kompanjeli i Kathedralës kishte pamje madhështore
kur pata hypë
ma vonë, madje, ma i naltë, por zona e Kirit zbehte gjallninë,
atë që
nuk i mungonte pejsazhit nga kompanjeli i Fretënve.
Në anën përendimore të balkonit ku ishim na,
nën parmakët e gurit
lidhej me derdhje plumbi ndër gur një shufër hekuri,
në kokën e të
cilit kishte një unazë. Në atë unazë Françeskanët
vendosnin Flamurin
Kombëtar në ditën e Festës së tij. Valëvitja
e tij kje kërcnue me topa
nga turqit e Flamuri vazhdoi me qëndrue prapë atje nalt.
Nën za At
Mariani këndonte: "Porsi fleta e Engjllit të Zotit"!.
Partizanët më 29 nandor 1944, aty vendosën një
flamur të
zhgarravitun me yllin e kuq. Shumë prej atyne që e kujtojnë
atë ditë
morti kanë mendue: "Ma mirë të ishte rrëzue
me top flamuri bashkë me
kompanjel, se kështu si po e shofim sot!". Më duket,
se nuk e kishin
pasë gabim, të paktën marrja u mbetej turqve e jo
"shqiptarëve", nëse
i thërrasim kështu. Tue mos i njohtë për shqiptarë
gjithmonë populli
thonte: "Kur kanë hi këta...!", pra, "këta",
të pa emën dhe të pa
atdhe. Pikërisht ishin "këta" që për
demagogji në shumë prej këtyne
Kishave e Xhamive ngjitën nga një copë teneqe, ku
shkruhej: "Monument
Kulture, mbrohet nga Shteti" dhe nuk zgjati shumë, fjala
"mbrohet", u
zëvendsue me fjalën "shkatërrohet". E,
kush i shkatërroi? Mbas 50
vjetësh këtë e tregon me gojën e vet Ramiz Alia,
kur thotë: "Ne nuk
jemi as Lindje as Perëndim..." , po çka jemi, kur
nuk jemi as mish, as
peshk? Simbas tij na nuk jemi kurrkushi. Ai kur flet për vehte,
nuk e
ka gabim, por besoj, nuk ka turp ma të madh për një
"president" se me
mohue identitetin e vet. Këtë e ban një "president"
që ka ardhë në
pushtet kur kanë hi "këta".
Shfarosja e atdhetarëve, lufta kundër besimeve, zhbimja
e
intelektualëve në fillimet e vëndosjes kulturës
evropiane perëndimore,
e pasueme me grabitjet e florinit dhe të pasunive private,
futja e
frikës, skamit dhe terrorit në popull ishte rruga që
i hapej
shkatërrimit kombëtar të filluem me aq vështirësi
në Shqipni.
Ky shkatërrim kujt i interesonte? Vetëm shovenistëve
sllavë dhe
fanatikëve aziatikë të mbetun nga regjimi anadollak,
me mentalitet
antiperëndimor, me përvetësue pasuninë e tjetrit
me grykën e pushkës
edhe pse ai kishte derdhë shumë djersë me e fitue.
Gjaja e yte asht e
jona, me pikësynimin, nesër do të jetë e emja.
Fjalët "çlirim,
plaçkitje dhe vorfnim" fillojnë në njëditë,
ky asht tipari i parë i
pushtetit komunist.
Askush nuk llogariti se kujt po i shërbenin!
Më tregonte njëditë në Tiranë Luigj Filipi,
shkodran i vjetër, rreth
84 vjeç, komunist ndër të parët me Zef Malën.
Kishte shkue në Kishën e
Jezuitëve aty nga viti 1938 sa ishte ndërtue Kisha e re.
Mbasi kishte
predikue At Meshkalla, i ishte drejtue Luigjit, që mbas Meshe
me u
takue pak për një problem personal. Luigji kishte pranue
tue ulë
kokën. Kishte shkue në sakristi dhe ishin ulë në
dy karriga. At
Meshkalla e kishte pyetë, Luigj, ti je komunist? -Luigji kishte
pohue
se po, mbasi nuk kishte frikë nga At Meshkalla. Ai i ishte
drejtue
Luigjit me këto fjalë: "A e din ti Luigj se kujt
i shërben me këtë
ideologji? Komunizmi asht vetëm utopi. Ai nuk ka me u realizue
kurrë,
por për fat të keq ju të rinjtë tue mos e njohtë
jeni futë në një
rrugë shumë të rrezikëshme për kombin,
mbasi nesër keni me e pa vedin
ushtarë të Titos dhe të Stalinit. Ti vepro si të
duash por me më
ndigjue mue largohesh nga ajo rrugë antishqiptare!". Pa
kërkue
përgjigje, i kishte dhanë dorën dhe ishin nda. Biseda
kishte mbetë për
60 vjet e pahapun. Në vitin 1998 Luigji ma tregoi, që
në rasën e parë
që të paraqitej mundësia, unë me e botue. Në
fund të bisedës, më
tha: "Të lutem, ke me shënue edhe kete, se unë
jam një ndër ata
komunistë që kam dashtë me dalë ma i mendshëm
se At Meshkalla!".
Për komunistët ishte "nderë e lavdi" me
vdekë tue brohoritë "Rroftë
Stalini", "Rroftë Bashkimi Sovjetik", "Druzhe
Tito, rrofsh sa..."
Vendimet e Jaltës janë kenë vëndimet ma fatzeza
për popullin
shqiptar.
¢ Shumë gjermanë para largimit nga Shqipnia, u treguen
miqve të tyne
se do të kishte ndryshim sistemesh në Shqipni, këtu
do të vinin në
pushtet komunistët, se kjo zonë i asht lanë Rusisë
stalinjane nën
influencë. Shqipnia do të mbetët për 50 vjet
nën kontrollin e Rusisë.
Ikni, se komunistët do të iu zhdukin nga faqja e dheut!
Po anglezët e amerikanët çka u thanë miqve
të tyne?
"Mos ikni, edhe pse njëherë do të drejtojnë
komunistët, na do të
vijmë prapë. Këtu do të vëndoset shtet
demokratik, do të bahën
zgjedhje të lira, pushteti i ardhshëm do të jetë
i të gjithëve".
Pak vetë u besuen gjermanëve, shumica u trathtuen nga
Aleatët. Sot
ruhen në arkivat e tyne letrat e Muharrem Bajraktarit, Ahmet
Zogut dhe
të Klerit Katolik Shqiptar, që u kanë dërgue
atyne pikërisht për
problemin kombëtar deri në vitin 1946, nëpërmjet
të ambasadave dhe
misioneve të tyne këtu. Përgjigjën e din edhe
populli: "Pritni
gjethin!", me siguri ishte fjala se nuk asht larg koha kur
shqiptarët
do të mbulohen me gjeth fiku.... Dhe me të vërtetë
ajo kohë erdhi!...
Po Atdhetarët shqiptarë çka banë?
ATA SHKRUEN ME GJAKUN E TYNE HISTORINË E LAVDISHME TË
REZISTENCËS
ANTIKOMUNISTE NË TROJET SHQIPTARE.
24 shtator 1943: "Besëlidhja e Veriut" e Malësisë
së Madhe,
Rranxave dhe të Postribës, në pikën e parë
të së cilës
shkruhet: "Mbrojtja e kufijve të sotçëm të
Tokës Shqiptare".
17 nandor 1943: Bahet Program-Veprimi i "Besëlidhjes së
Veriut" dhe
Betimi. Me "Besëlidhjen e Veriut" asht organizator
edhe Muharrem
Bajraktari për krahinën e tij çka përfshinë
Dibër etj.
12-13 janar 1945: Kryengritja e Kelmendit nga Prenk Cali.
13-14 janar 1945: Kryengritja e Koplikut nga Llesh Marashi.
Vetëm në këto dy kryengritje u pushkatuen 118 burra
të Malësisë së
Madhe pa gjyq.
Shkurt 1945: Lufta e Bërdices dhe Anës së Malit nga
Jup Kazazi dhe
Abaz Ermenji.
Maj 1945: Përpjekja e parë për formimin e Partisë
Demokristjane
Shqiptare, me kryetar Andro Petroviq, në shtëpinë
e Mark Gjon
Shllakut, në Rus, Shkodër.
Maj 1945: Formohet Organizata "Bashkimi Shqiptar" nga
Mark Çuni.
26 maj 1946: Demostrata e Parë Antikomuniste e Rinisë
Shkodrane, me
rastin e vorrimit të Imzot Gaspër Thaçit, Argjipeshkëv
Metropolitan i
Dioçezit të Shkodrës.
9 shtator 1946: Kryengritja e Postribës.
1944-1948: Ndër male në Dukagjin janë mbi 400 burra
të armatosun
ndër shpella të organizuem nga Gjergj Vata, Pal Thani,
Mark Mala, Nik
Sokoli, Ndue Pali, Gjon Destanisha, Martin Sheldija etj.
1944-1954: Në Mirditë, Mark Gjon Marku organizon rezistencën,
të
cilën mbas vrasjes së tij në vitin 1946, e vazhdoi
i vëllai Lleshi,
që, edhe ky vritët më 10 gusht 1947. Lufta vazhdon
në këtë krahinë ma
vonë se kudo tjetër, deri në vitin 1954.
1944-1950: Në rrethin e Tiranës shquhet për qëndresë
"Çeta e Hekurt"
e Sul Selimes.
1944-1947: Në Shqipninë e Mesme, Prof. Alush Lushanaku
organizon
çetat e malëve, një tmerr i vërtetë për
komunistët dhe brigadat e
Ndjekjes. Në vitin 1950, Mark Zef Pali, Alush Lushanaku dhe
Gjon Mark
Ndoj formojnë "Frontin e Bashkuem të Rezistencës
Shqiptare", që
përfshinë edhe malët e Dukagjinit, Mirditës,
Pukës, të Matit, rrethit
të Tiranës dhe Elbasanit. Kryetari ishte H. Frashëri.
1945-1950: Grupet antikomuniste të studentëve të
Gjimnazit të
Shtetit në Shkodër deri në vrasjen e studentit Bardhosh
Dani.
1944-1950: Nuk pushojnë asnjëherë shkrepjet e armëve
nga Atdhetarët
e Kosovës që vdesin për liri, si: Maria Shllaku,
At Bernardin Llupi,
Prof. Kol Parubi dhe mësuesi Gjergj Martini, të ekzekutuem
në Prizren,
më 15 nandor 1946.
Korrik 1947: Kryengritja e Myzeqesë me burrin e lindun me "këmishë",
Hamid Matjanin, i kapun trathtisht nga komunistët, të
njoftuem për
zbritjen e tij me parashutë në Shqipni nga spijuni anglez,
kolonel Kim
Filbi, në Londër.
"Shumica e tyne ecin zdathë, kështu, që, atij
që i sheh nëpër ata
shkambij i dukën dhi të egra", kështu shkruen
Mariano Bolica, në vitin
1614, në "Relacione", fq. 277, Vëllimi I. Historia
e rezistencës
antikomuniste në Shqipni fillon pa mbarue Lufta e Dytë
Botnore.
Atdhetarët e vërtetë nuk u pajtuan kurrë me
komunizmin gjakatar.
Volume të tana nuk mund të plotësojnë qëndresën
shqiptare të Pjetër
Dedës me gruen e tij, Maria (Zojzi), të Angjelina Markut,
të Ludovik
Saraçit, të Jup e Seit Kazazit, të Pashuk e Pal
Bibë Mirakajt, të
Frano Mirit, të Gjon Dodanit, të Hasan Isufit, të
Dod Nikollës, të
Marash Ndue Mirit, të Pashko Zef Hotit, të Hysen Lepenicës,
të Zagoll
Shenos, të Sami Lepenicës etj. Tue vue në fletën
e parë të këtyne
volumeve Gjelosh Lulin, që nuk e ban ma nana.
Secili gur mali në tokën shqiptare ka të daltuem
një emën heroji, që
kohëve të ardhshme do tu ngjasojnë me shkronjat e
sarkofagëve, por mos
harroni kurrë, po e përsëris, kurrë, se atë
çka serbët i banë Kosovës
në vitët e fundit, 50 vjet ma parë ia kanë ba
Shkodrës, tue rrafshue
për toke kulturën, tue zhdukë inteligjencën,
tue pushkatue e mbytë me
hu mbi 120 meshtarë, tue grabitë bibliotekat e thesaret
e tyne, tue
plaçkitë e vjedhë shtëpi e magazinë tregtari,
tue grumbullue dupa e
flori me arka nga gratë shkodrane mbasi i lanë të
veja, tue angazhue
vllaznit tanë spijuj të Sigurimit, me paditë vëllan
tue i torturue si
kafshët dhe në fund, sot, na rrimë tue kërkue
eshtnat e këtyne
Martirëve dhe çka asht ma keq se nuk dimë edhe
ku janë!
Sot, dimë vetëm një fakt se pothuej të gjitha
përpjekjet e
shqiptarëve për liri u shtypën me gjak, hekur dhe
trathti. Koçi Xoxe
deklaron: "Për vrasjet pa gjyq kam qenë këshilluar
dhe janë bërë me
urdhër të shokut Komandant. Ka pasur edhe vendim Byroje
për
këtë!"(Dosja 1623).
Torturuesit dhe kriminelët Zoi Themeli, Vaskë Koleci,
Lefter
Lakrori, Muço Saliu, Siri Çarçani etj. tregojnë
se kur ishin në
Shkodër, në janar të 1945, ishte në dijeni edhe
Mehmet Shehu për
operacionin e Veriut, ".......që kishim urdhër me
vra dhe me i tretë
në proskë njerëzit e dyshimtë dhe Parinë
e vendit......." (po aty,
Dosja 1623)
Asht e shkrueme e nuk e lot topi:
"Më 23 prill 1913, mbaroi lufta. -Shkodra ra!"...
"PO SHPELLAT A M'I PRET KUSH?"
DED GJO' LULI
Nuk kishte përfundue së
kënduemi kanga e Gjeto Basho Mujit:
"A p'e marrim malin për me tretë?
A po biem ma mirë në lumë me u mytë?
A po hypim n'curr teposhtë me u rrxue?
A po him n' at kullë për me u ngujue ?"
E, jemi në 1945! Nuk kanë
kalue as njëzet vjet që edhe njëherë po
ndihen gjamët e paharrueshme, kur ndër ata male të
egra si bishat që
jetojnë ndër to e, kur, ende nuk ishin rritë ato
lule të freskëta të
Alpeve, ku, mendja ndalon për një çast mendimin;
kah sheh vigajë të
rreshtuem përreth asaj kunore që s'njihte marre.
Janë dukagjinasit po, rreshtue përbrij atyne currave,
përrojeve,
gurrave e lumit që zbret rrëmbyeshëm, harlisë
tue marrë me vete ma
shumë njerëz se cingla, cokla e trungje pishe, për
me ushqye ushujzat
e Velipojës, të pangopuna me gjak shqiptarësh të
Kosovës, për të gjatë
atyne brigjeve, në Ulqin e deri në Tivar.
Janë po, djelmët e Lokes, që shputat sëpari
zdathë, shkelën mbi
shqeme, e therë në murriz e kujza pishe, e ça ndër
tehe gurësh, nën të
cilët ende gurgullon në rrjedhje rrëkajë nëpër
vizatje të ballit të
Shqipes: GJAKU I GEGËVE.
Janë po, djelmët e Lekës, që para se me u mbathë
ne opinga janë
regjë ndër shekë e vozga të mëdha me shëllinë,
për mos me i ça e shkye
shpata e bajoneta e hasmit.
Janë po, ata, që mbas nanës e babës nuk njohin
tjetër fëtyre veç atë
të dhisë e brinat e saj gëdhenë në lahutë...
me i këndue të Madhit
Gjergj.
Shpatullat, e vetmja shpnesë e kallximit, tregojnë cuba
me shenjë
gjaku në ballë.
Huta e martina janë strukë ndër golle e shpella se
veglat e serbit i
kanë ba batall.
Burrat kanë marrë malet. Gratë kanë shkepë
postavë e sermt, për me i
grahë kaut kularit. Nata i zen në përpjetë të
malit ngarkue me hebe e
buljera për me u çue bukë trimave ndër shpella.
Sigurimi i Shtetit ka marrë përsipër me shburrnue
Bjeshkët e Nemuna,
si për qejfë të serbit.
Janë e mbi 400 burra dukagjinas ndër male, çka
merr në Qafë të Agrit
tue zbritë në Urë të Shtrejtë, që
nuk dorëzojnë as armët, as vedin, as
shpellat. Janë lidhë njëbesë me u vra dhe në
dorë komunistëve mos me u
ra. Kërcnohen me vrasje, plaçkitje, djegëje kullash
e kësollash,
zhdukje të djelmëve të mbetun tek shtëpia, pa
gjyqe, shfarosje fisi,
grabitje bereqeti e buke, therje bagtish, me skam e vorfni, e prapë
se
prapë nuk shtrohen.
Asht fakt që shumë krahina kanë qendrue me armë
në dorë për mos me u
shkelë nga komunistët, kanë luftue deri ndër
skutat ma jugore, por
krahina e Dukagjinit do të zajë vend të veçantë
në fletët e asaj
historie të lavdishme. Rezistenca e popullit aty ishte shumë
aktive, e
gjatë, me vorfni të pashoqe, heroike dhe gjithmonë
e papajtueshme me
pushtetin komunist, sidoemos deri në vitin 1948. Çdo
pëllambë e asaj
toke asht la me gjak. Bajraktarët, vojvodët, shtëpitë
ma në za për kah
ndera, burrnia, besa e trimnia e gishtit kanë qëndrue
me shekuj
mburojë.
Nuk përjashtohet ndikimi e roli i madh i Klerit Katolik kryesisht
atij Françeskan, në formimin e shpirtit atdhetar. Ata
e kishin ba të
padiskutueshme e të palëkundshme ndaj çdo fortune
formulën Fé-Atdhé,
me të cilën lindte dhe vdiste malësori. Kjo dhe vetëm
kjo ishte
arsyeja që ai malësuer nuk mund të pajtohej me komunizmin.
Kjo dihej
edhe nga komunistët. Disa herë Enver Hoxha ka folë
e shkrue, madje,
edhe ndër "vepra" ai vé theksin në qëndrimin
antikomunist të
katolikëve. Në të vërtetë asht e vetmja
gja ku nuk ka rrejtë asnjë
rresht, mbasi aty bahet fjalë pikërisht për këto
malësi që e kanë
faktue qëndrimin kundër tij, përderisa për 40
vjet ai udhëheqësi "i
dashtun dhe i shtrenjtë", që rrinte "gju më
gju me popullin", nuk e ka
shkelë asnjëherë me kambët e tij tokën
e Dukagjinit, madje, edhe
ai "trimi legjendar i luftës" krimineli Mehmet Shehu,
që ishte
komandant i Operacionit të Veriut, nuk pati as burrni as trimni
me
shkue me luftue kundër anmiqëve shaljanë, pra, megjithëse
kishte
pushtetin dhe armët me të cilat krenohej, por gjithmonë
të përdoruna
mbas shpine si me Prenkë Calin, ose kur Atdhetarët ishin
të lidhun
duersh e kambësh, të çarmatosun, ose rob, e, gjithmonë
të kapun
trathtisht si Llesh Marashi me shokë.
Për këto arsye duhej fillue me njerëzit që kishin
influencë në ato
krahina. Vëprimet komunistët i filluen kundër Parisë
së Malësisë dhe
Klerit Katolik (ndonëse i pakët në numër, por
shumë i fuqishëm),
veprime të shpejta, të doemosdoshme dhe shumë kriminale
për me u ba
shembull për gjithë Shqipninë kundërshtare,
si në kohën e luftës aty
ku i shkeli kamba tue vra e plaçkitë, kryesisht në
krahinat jugore,
mbasi largohej gjermani. Instruktorët ishin jugosllavë,
pikërisht
anmiqtë shekullorë të atyne Alpeve aq të lakmueme
prej tyne. Mbas
rezistencës së Prenkë Calit e Llesh Marashit filloi
terrori ndër male.
Qé, pra, i erdhi dita! Më 17 janar 1945 të parët
arrestohen At Gegë
Luma dhe At Dioniz Maka, dy klerikë atdhetarë. Ata në
malësi zakonisht
mbanin armë të lejueme, mbasi në kohën e turqve
ata luftonin përkrah
malësorëve, ashtusi kundër malazezve dhe serbëve.
Armët i kishin edhe
për vetmbrojtje nga plaçkitësit. Asht i njoftun
rasti i Don Nikoll
Kaçorrit, kur një natë për fat nuk u ndodh
në qelë kur i pati shkue
krimineli Haxhi Qamili me bandën e tij, i plaçkiti të
hollat, i vrau
shërbëtorin, tue i pre kokën dhe i dogji qelën
bashkë me bibliotekën e
pasun të tij. Ndoshta kjo asht edhe arsyeja që Enver Hoxha
këtë shok
të tij kriminel e cub malesh, e pat ba "hero"....
Një arsye tjetër ishte edhe qarkullimi ndër zona
të rrezikueme nga
kafshët e egra kohë pa kohë për shërbime
fetare. Asht e kuptueshme se
atëherë nuk njiheshin bishat komuniste, tue i kujtue si
"shqiptarë"
prej shumëkujt. Këta klerikë shpëtuen vetëm
se nuk kishte dalë ende
ligji i dorëzimit të armëve. Dënimet nuk u dhanë
të randa mbasi ndikoi
shumë fjala e fundit e At Gegë Lumës, siç
më ka tregue At Dioniz Maka
i lidhun përdorë me tè.
Ndër të parët pushkatohet Syl Martini, pa gjyq, para
Kishës në Kodër
Shën Gjergj, mbasi nuk pranon me dorëzue armët, i
njoftun për burrni
ndër kuvende malësoësh. Ai u tha para pushkatimit:
"Çka i duhet jeta
shqiptarit maleve pa armë? Nuk ua jap!". Pra, filluan
vrasjet!
Në Palç të Nikaj-Merturit porsa At Mëhillë
Miraj mbaron meshën, tue
dalë njerëzit prej kishe, partizanët e Ndjekjes kërkojnë
prej Fet
Sadikut, burrë afër të 70-tave me dorëzue armët.
Feta nuk i dorëzon,
atëherë, ndihen krisma armësh në afërsi
mbas një kodrës. Partizanët i
thonë Fetës, se me që ti nuk pranon me na dhanë
armët na të kemi
pushkatue djalin 30 vjeç, Marashin dhe vëllain, Ademin,
(kjo nuk ishte
e vërtetë, por kishin shkrepë armët për
me ligshtue Fetën që ai me
tregue armët), atëherë Feta iu përgjijget: "Mo'
brè, ju kishe dhanë
edhe djalin tjetër, por vllain jo!", e prapë armët
nuk i dorëzoi. Tue
pa vendosmëninë e Fetës, partizanët shtien mbi
trupin e tij dhe ashtu
të lamë me gjak dhe të shtrimë përdhé
e lanë aty me e pa katundi.
Kështu fshati u njoh me ata që thirreshin "çlirimtarë".
Gjatë kësaj kohe nga mesi i 1945, në Pult kërkohej
At Anton Harapi,
mbasi ishin sigurue se nuk ishte me Cafo Beg Ulqinin ndër krahinat
e
tij, ku Cafi u ruajt me besnikëri nga bashkëfshatarët
e vet derisa u
shpall amnistia. Siç më ka tregue vetë i ndjeri
Cafo Beg, me të
vërtetë e kishte ftue me shkue bashkë me Lef Nosin,
por këta të dy nuk
kishin pranue për mos me rrezikue fare e fisin e Cafo Begut,
mandej,
thonte, Cafo Begu, u dukej, se po dalin jashtë kufijve e po
vriten nga
malazezët a serbët. E pranonin vdekjen me kënaqësi
prej shqiptarëve.
Cafo Begu e vërtetonte këtë me takimin e At Antonit
në Podgoricë me
gjermanët që po largoheshin nga Shqipnia. Edhe atje At
Antoni, nuk
kishte pranue me shkue me ta në Gjermani, ose në ndonjë
vend tjetër,
ku të dishronte ai, i mbrojtun nga forcat gjermane. Cafo Begu
ishte
shumë i sigurt se At Antonin e ka tregue në Sigurim një
shirokas,
kushrini i tij (L.B.), mbasi ai ishte thirrë nga ndjekja e
mbajtë 2-3
ditë tue u torturue, se mos i kishte kalue me lundër nëpër
liqenin e
Shkodrës dhe mos e kishte dorëzue At Antonin bashkë
me Lefin ndër
miqtë e Cafo Begut. Tue u nisë nga siguria e kenjes së
At Antonit në
Dukagjin, Ndjekja fillon masakrat. Marrin 10 djelmoça të
rinjë, gjoja
me i angazhue me brigadën, por, meqë, ata kundërshtojnë
me iu
kundërvue bashkëfshatarëve të vet, në fshatin
Xhan i pushkatojnë pa
gjyq.
Fillojnë edhe arrestimet. Në Shalë arrestohet bajraktari
Kol Ndou,
pak ditë mbasi në Breg-Lumi sekretari i frontit të
Qarkut të Shkodrës,
Spiro Pano (organizatë nën të cilën mëshehej
Partia Komuniste),
organizon një mbledhje ku Sigurimi futë me vra Mark Sadikun,
i
shtëpisë së bajraktarit të Shalës. Vrasësi
Ndok Pëllumbi vritet po aty
prej Bal Markut, kështu fillon pushka... Për me ndalue
gjakmarrjen dhe
përçamjen e krahinës bajraktari Kol Ndou, hyp mbi
një shkamb dhe
thërret: "Në emën të Zotit burra, me prâ
pushka!", dhe pushkët
pushuan. Sigurisht një burrë me kaq influencë që
ndalon vëllavrasjen,
nuk kishte si me u lanë pa pranga. Nipi i tij Prel Marku, ikë
ndër
shpella dhe një ditë bashkë me familje arratiset
dhe nuk këthehët ma
në atdhé, si shumë të tjerë ndër
ato krahina.
E njajta gja kërkohet me u ba me bajraktarin e Shoshit, Lulash
Gjeloshin, por ndodhë çka nuk e pret Ndjekja! Fshatarët
lidhin besën
mos me pranue thirrjen e frontit (ose të partisë). Kur
forcat e
Ndjekjes shkuan atje krisi pushka dhe vriten tre vetë të
Ndjekjes.
Bajraktari del në mal. Bashkë me të janë edhe
gjashtë djelm sokola
mali që syni s'u ban vék. Koha e gjatë bani që
shpesh këta trima me u
përpjekë me Ndjekjen dhe gjatë përpjekjeve u
vranë pesë djelmë nga
çeta e bajraktarit. Në Shkodër pushkatohet edhe
prof. Gjelosh Lulashi
me Organizatën "Bashkimi Shqiptar", kështu bahën
gjashtë vetë të një
oxhaku. Me Lulashin mbeti vetëm një djalë që
për mos me dalë faret
fisi, e detyron Lulashin me u dorëzue. I shtymë në
moshë dhe i vramë
në shpirt nga fatkeqësitë nuk e pushkatojnë,
por e lanë me plasë në
burg tue e dënue 101 vjet. Gjatë kohës së burgut
tregojnë se rrinte i
vetmuem, nuk fliste, veç kalonte kohën tue dredhë
duhan ose tue mbushë
llullën. I vinin miqë në takim dhe nuk e lenin me
vuajtë nga ana
materiale, ndërsa shpirtit të brengosun nuk kishte kurrkush
çka me i
ba. Ai nuk shërohej kurrma.
Rreziku i daljes farët të fisit asht kenë ba shkak
që shumë burra
janë detyrue me u dorëzue. Kështu si Lulash Gjeloshit
i ka ngja edhe
Llesh Marashit e Prenkë Calit që dij unë, po kushedi
sa të tjerë që jo
vetëm janë dorëzue por edhe ua kanë pushkatue
djelmoçat e fundit ashtu
si Prenkë Calit. Ashtu i pat ndodhë edhe një burri
tek ura e Breg-
Lumit që i çuan fjalë në shpellë: "Eja,
se, për një orë po nuk u
dorëzove të pushkatojmë djalin 14 vjeç!".
Ai erdhi ma shpejtë. Aty
ishte krimineli Xhemal Selimi tue thye arra me revolver mbi kokën
e
një të pushkatuemit. Porsa u dorëzue burri i malit
Xhemali, ma parë i
vrau djalin, mbasandej atë. Trupat e tyne u hodhën në
Lumin e Shalës.
Kur në Tiranë mendohej se rezistenca e malëve po
dobësohej, ndër
male ndodhë e kundërta. Më tregonte Ejëll Gërdani,
shpell |