|


Klikoni kėtu pėr t'iu bashkuar albanianpolitics

Nga
Forumi Albemigrant
Lajme
/ News
Warning: include(/home/content/a/l/b/albem/html/news/cutenews/show_news.php) [function.include]: failed to open stream: No such file or directory in /home/content/48/8527448/html/tribunashqiptare/dossier2.php on line 132
Warning: include() [function.include]: Failed opening '/home/content/a/l/b/albem/html/news/cutenews/show_news.php' for inclusion (include_path='.:/usr/local/php5/lib/php') in /home/content/48/8527448/html/tribunashqiptare/dossier2.php on line 132
|
Një
monument nën dhe
Pjesa
I | Pjesa II | Pjesa
III | Pjesa IV
Nga Fritz
Radovani - de Angelis
PJESA E II
Shënim
: Nga një lexues i "Tribuna Shqiptare" më është
bërë një vrejtje për një pasaktësi
në lidhje me një të afërmin e tij që i
përmendet emri në këtë pjesë të shkrimit
të Fritz Radovanit. U takon personave të përfshirë
në këtë cështje ta zgjidhin çështjen
mes tyre (autorit dhe personave të përmendur) por unë
duke menduar se gabime të tilla ndodhin dhe me qëllim
që askush të mos fyhet padashje, vendosa ta heq frazën
në fjalë duke rikujtuar dhe njëherë se shkrimet
e pasqyruara tek "Tribuna Shqiptare" kanë një
autor dhe është autori që mban përgjegjësi
për sa ai shkruan. Botimi i një materiali nuk do të
thotë se autori dhe stafi botues ndajnë të njëjtin
opinion.
Ajet Nuro,
administrator
Y J E T E K O M B I T
Nuk shuhën me ujë ....
e, as nuk mbulohën me baltë!
Kur vuejtja dhe sakrifica e një njeriu mërrijnë me
kalue edhe cakun e jetës e, kur këtë ai e ban për
Fé, Atdhé e Përparim, atëherë, ai ka
mërrijtë me ba atë që ndoshta nuk bajnë
gjenerata të tana të një populli.
Ata, atëherë, rreshtohën në Elterin e Atdhetarëve
të atij Kombi!
Nderimi dhe lavdia për tà asht e përjetshme, kur
vendosja në këtë piedestal asht e meritueme dhe e
pakundërshtueshme.
Nëse, sot duam me pyetë, a e meriton apo jo atë nderim
DON LAZËR SHANTOJA, unë po ju përgjigjem se kjo nuk
më përket me e thanë unë, mbasi për mue
asht ndër nderimet ma të mëdha të jetës
seme, që me ligjëratën teme me përkujtue 50
vjetorin e pushkatimit të tij.
E, ku të fillojmë? Tek lindja apo tek vrasja e këtij
demokrati, letrari, publicisti e vigani poliedrik të kulturës
shqiptare, që vdekja mizore prej katilëve komunistë,
tue la me gjakun e tij tokën shqiptare e ngriti meshtarin katolik
Don Lazër Shantoja, të parin në atë Elterë
të bekuem me datën 5 mars 1945, përkrah martirve
që dhanë jetën për një Shqipni të
lirë.
Yjet e Heronjve të Atdheut nuk shuhën me ujë e, as
nuk mbulohën me baltë. Ata qëndrojnë lart, fort
lart e gjitmonë mbas kthjellimit të kohës ata shndrisin
e vezullojnë, tue u ba udhërrëfyesit e brezave të
ardhshme për dashtni e sakrificë ndaj Atdheut.
Ai u pushkatue i çuem zvarrë (jo nga frika e vdekjës),
porse nuk ecte dot, mbasi kambët ia sharruen me sharrë
druvarësh, krahët ia thyen dhe nuk i banin asnjë
mjekim, deri atë ditë që e hodhën tek gropa,
vetëm se ishte meshtar i devoçëm, publicist i njoftun
dhe antikomunist i betuem. Këtë e vërteton fakti
se ato tortura makabre që komunistët kanë ba mbi
trupin e Don Lazrit, janë ndoshta ndër të rrallat
raste që njeh historia e dhimbëshme e të vujtunve
në Sigurimin famkeq komunist shqiptar.
Dihet se pushtuesit e këtij truelli përdorën forcën
e dhunën për me na mbajtë me shekuj në robni.
Turqit, jo vetëm na shndëruen, na përdhunuen e na
poshtnuen, por kur e lypte rasa, përdorën ëdhe shpatën
jo vetëm në fushat e betejës, në shtëpitë
e katolikëve, por edhe në qelat e priftënve, madje,
edhe i ngulnin ndër hunj, mbasi nuk kishin të ngimë
me kokat e tyne, por mos të harrojmë se, ata, ishin turq,
ishin edhe pushtues, prandej vepronin ashtu.
Ndër ditët e para të këtij shekulli fituam lirinë....Një
andërr!
Çdo ditë e ma shumë shohim me sy, se në shekullin
XX aq sa ecet përpara në shkencë e teknikë,
aq ecët mbrapa në formimin e ndërgjegjës së
njëriut, thotë një dijetarë.
Dikush kujton se historia mbyllët me dyert e furrave të
gazit, por jo, gaboni! Si thoni, do të kënaqeshin komunistët
me aq sa banë nazistët?
Çka do të thonte bota sot po të shihte një
dokumentar të përsekucionit komunist në Shqipni,
të bamë kundër atdhetarve, dijetarëve dhe klerit
katolik?
Po, sikur të xhiroheshin autorët e gjallë të
krimeve: Aranit Çela, Fadil Paçrami, Lilo Zeneli,
Xheudet Miloti, Xhemal Selimi, Toger Baba, Shyqyri Çoku,
Dhimitër Shkodrani, Asllan Lici, Hysni Ndoja etj. që vetëm
"zbatonin" ligjin? A mund të besonte kush në
botë se këto bisha gjindën të lira në Evropë
dhe kanë dalë nga një popull prej ma pak se një
miljon njerëzish (atë kohë)?
Cili evropian beson se:
Shkenctarët vetëm pse janë priftën i kanë
mbytë për së gjalli në gropë gjirizi....
At Serafin Kodës i nxjerrë hetuesi gabzherrin me thonjë....
Imzot Jul Bonatin e fusin në një manikomjo ku e shkyjnë
të çmendunit....
Papà Josif Papamihajlin e mbysin, tue e zhytë për
së gjalli, në baltat e kampit të shfarosjës
së Maliqit të Korçës....
Papà Pandin e gjejnë në pyll tek një cung
me kokë të këputun me spatë....
At Frano Kirin e lidhin tri ditë fëtyrë për
fëtyrë nën një të vdekun....
Don Mikel Beltojën në vitin 1974, para pushkatimit, Shyqyri
Çoku me shokët e tij katilë e shkyejnë për
gjymtyrësh vetëm se prifti thërriste: "Rrnoftë
Krishti!"
Po, sa e sa të tjerë që këta mizorë i hodhën
nga dritarët se, gjoja kanë vra vetën?!
Të gjitha këto që rreshtova nuk krahasohën me
atë që u ba mbi trupin e Shantojës, sepse, ky, i
mjeri u la me jetue si thotë populli: "Gjallë e për
gazep".
Sigurimi i Shtëtit vëpronte kështu, se, nën
pelerinën e kuqe të komunizmit për mish kishte të
ngjeshuna ndjesitë fondamentaliste që instruktoheshin
nga shovinistët sllavo-aziatikë. Torturat e mizoritë
e tyne nuk ishin tjetër veç shpërthimi i shfrenuem
i epshit shtazarak të kafshëve të egra, që ndryhej
ndër shekuj ndër këto qenje, që për fat
të zi edhe këto thirreshin "shqiptarë"
edhe pse nuk kanë një pikë gjak shqiptari. Për
kaun e Sigurimit të shtetit ishte kënaqësia ma e
madhe vërsulja mbi veladonin e zhgunin, tue e shkrrye e shkye
edhe pa jetë për tokë, mandej qetësohëj
e zgërdhihej kur duert e ndyta i lante në lamën e
gjakut të pastër të presë së tij.
Vetëm kështu shpjegohët ajo që u ba mbi Don
Lazër Shantojën të parin e, mbas tij, mbi të
gjithë klerin katolik shqiptar e të huej që ranë
në duart e këtyne kriminelëve trathtarë.
Çdo antikomunist për tà ishte atdhetar, prandej
duhej zhdukë, ky asht "ideali" i çdo komunisti.
Ky "ideal" ka shty komunistët me çvarrosë
edhe eshtnat e atdhetarëve për me i tretë, tue fillue
nga At Fishta, Don Ndre Mjeda, Xanoni dhe të gjithë klerikët
e varrosun në Kathedrale, në Kishën Françeskane,
ndër Jezuitë, në Kishën e Zojës tek Kalaja
etj.
Para vitëve1930 kur ende nuk kishte fillue me bijtë në
Shqipni fara e keqe e bolshevizmit, ishte At Fishta, Shantoja e
Don Kolec Prennushi që paralajmërojnë me shkrimet
e tyne rrezikun që po vinte edhe këtu. Fara e keqe po
binte e po rritëj shpejt e kudo!
Don Lazri shkruante në gazetën "Ora e Maleve"(me
siglën Y), nr. 48, viti 1924:
...."Ndodhjet politike të vjetve të fundit mund të
thomi përgjithsisht u kanë dhanë arsye fjalve të
publiçistit rus të mbytun nga bolshevikët".
Shpirti i Demokratit të madh i shprehun në këtë
gazetë si dhe në revista e fletore të tjera dhe qëndrimi
i tij në 1926 kundër Ahmet Zogut, (në kontradiktë
me vetvedin mbas 1940, ashtu si shumë të tjerë, ndoshta
për shansët e krijueme të Shqipnisë Etnike),
janë një fushë e gjanë për studjuesit e
ardhshëm mbasi na rreshtojmë faktet e vetëm ata të
çliruem nga pasioni, do të mundën me gjetë
vendin e merituem për këta dijetarë, tue fillue nga
Shantoja, hapsina kulturore e të cilit e ven atè përkrah
penës ma të fortë të Jugut, të madhin Faik
Konica, si për kah forca e stili por edhe karakteri modern
i shprehjës. Për këtë na Gegët duhët
të krenohemi!
Prof. Dr. Angjela Cirinçione shkruen: "Historia e Letërsisë
shqiptare pa emnin e Don Lazër Shantojës del e mangët
dhe e vorfën".
Jo, pa qëllim po i referohem shkrimit Z. Aurel Plasari në
gazetën "Drita", dt.15 gusht 1993, ku, citon Prof.
Dr. Ernest Koliqin që shkruen: "Shumë herë kam
pyetun pse komunistat janë sjellun kaq egërsisht, në
një mënyrë kaq rrënqethëse me të mjerin
poet, që mbas kthimit në Shqipni jetonte pa u impenjue
në lamshin e rrymave politike të ndryshme që turbullojshin
vendin, veçanërisht nga vjeti 1941 deri në 1944".
Prof. Isak Ahmeti shkruen: "Ai ka krijuar disa nga vargjet
ndër ma të bukurat në poezinë shqipe. Si poet
për shembull, ai dallohet për hov të vetvetishëm
frymëzimi dhe për ngrohtësi ndjenjash që bulzojnë
si shembëlltyra të shkëndijshme." ("Kleri
Katolik Shqiptar dhe letërsia" fq. 177), dhe vazhdon po
aty (fq.179): ".....letërsisë shqiptare me siguri
do t'i kthehët edhe Don Lazër Shantoja, që ishte
me të vërtetë si një prijës i popullit,
si një apostull dhe interpretues artistik i kohës kur
jetoi dhe vëproi".
E, tue lexue këta rreshta më epet me pyetë edhe mue:
......Kush ishte ky Don Lazër Shantoja, që në gazetën
"Ora e Maleve", në vitin 1924, me datën 28 nandor
shkruen: "Ligja ndalon cungimin e gjymtyrëve të trupit,
por politika e Evropës pranon cungimin e organizmëvet
të gjalla shoqnore që janë kombet".
Pra, njëzet vjet ma parë Shantoja shkruen:
"...Ligja ndalon cungimin e gjymtyrve të trupit..."
Mos ndoshta dikujt i kishte mbetë ndër mend kjo shprehje?!
E, mbas njëzet vjetësh, nana e tij u lutet gjymtuesve:
"Ma vritni, ju lutëm ma vritni, banje këtë mirsi....
mos e leni kështu djalin!".
Bota asht e madhe. Nuk kam ndigjue as lexue kund se ka pasë
Nanë që ka kërkue pushkatimin e djalit të vet,
di vetëm se një nanë shqiptare, nana e Don Lazër
Shantojës, po!
Ky asht komunizmi!
Nanat shkodrane janë të gdhenuna nga gurët e Rozafës.
Don Lazër Shantoja mbetët në Martirët e Krishtënimit
model i masakrës së Sigurimit komunist antiatdhetar.
Ja një parandjenjë e tij:
"Sod kshtu t'shpërblen ty bota! Po mizore
e padrejtë s' sundon der n' t' sosun t' motit!
Koh' ka për t' ardh', qi ty kjo tokë Arbnore
Dikur tash ka për t' njoftë, o njeri i Zotit !"
Edhe unë besoj se po!
5 mars 1995
PROFESOR FILIP NDOC FISHTA
"Uria asht ma e pashpirtë sesa hekuri!."
"Kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar"
Prof. Filip Fishta ishte i biri i Ndocit dhe i Çiles. Nana
ishte bijë nga familia Shiroka. Filipi ka lé në
Shkodër në vitin 1904. Mësimet e para i mori në
vendlindje, ndërsa të lartat i përfundoi në
Beograd, për gjuhësi. Ka kenë doktor i shkencave
filologjike dhe profesor në universitetin e Sobonne-s në
Francë. Qysh i ri bashkëpunon me Ndue Palucën, edhe
ky figurë e "harrueme".
Ishte mik i Prof. Gaspër Ugashit, Karl Gurakuqit, Ernest Koliqit
e në veçansi mik i etënve Justin Rrota, Donat Kurti
dhe Bernardin Palaj.
"E thrret Atdheu", si shumë atdhetarë të
tjerë që mbasi mbarojnë studimet jashtë vinë
me dhanë ndihmesën e tyne modeste në Shqipninë
e porsa rilindun. Në vitin 1933 emnohet në Elbasan, ndërsa
në vitin 1934-35 vjen në Shkodër dhe në 1938
asht në Tiranë, në Institutin "Nana Mbretneshë",
ku vazhdon me punue deri në mars të vitit 1944. Në
mars, emnohët në bibliotekën e Institutit të
Studimeve Shqiptare, deri në fillim të vitit 1945.
Me datën 19 janar 1945 arrestohët nga komunistët,
i akuzuem si kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar. Deri
këtu asgja e jashtëzakonshme. Fillon hetimet para një
komisioni hetimor të përbamë nga Frederik Nosi, Mynir
Tirana dhe Andrea Jakobini. Cilësohet prej tyne si njeri që
ka kontribue për ardhjen e fashizmit italian dhe, se, me artikujt
e tij ka shpërnda idetë fashiste anë e kand vendit.
Relacioni asht i shkurtë, por me përmbajtje që i
rrezikon kokën e profesorit.
Prof. Filipi deklaron: "....Nuk mund të cilësohem
si gazetar, përveç disa artikujve teknik-shkencorë,
p.sh. "Historia e lindjes së shtypit", etj. si letrar-artistik
po, por jo politik. Nga gazeta "Mesagero", kam përkthye
artikuj nga jeta e familjës italiane dhe pushimet verore. Nuk
kam pasë të baj me BRUFSHIN (Rinia Universitare Fashiste
Shqiptare) .... De Angelis-in e kam njoftë se i kam dhanë
mësim fëmijve të tij...."(Dosja 7842).
Rreshti i fundit i deklaratës ishte i mjaftueshëm me provue
lidhjet e ngushta të Filipit me fashizmin. Dëshira e italianëve
me botue një revistë "Jeta Shqiptare" në
Firencë, nën kujdesin e Prof. Filip Fishtës, që
nuk u hap atje por në Tiranë, ku ka shkrue prof. Kol Prela,
Rebi Alikaj, Injac Ndoja etj. e rreshton Prof. Filip Fishtën
në bankën e të akuzuemve, para Trupit Gjykues me
datën 11 qershor 1945, për dënim si "kriminel
lufte dhe armik i popullit shqiptar".
Trupi Gjykues i përbamë nga: Kryetar, nën/kol. Bilbil
Klosi, antarë Argjir Lipivani dhe Gjylhani Shehu (oficera),
prokuror Ismail Çaushi dhe sekretar Mustafa Zaja, i japin
dënimin e "merituar", 30 vjet burg me heqje lirie
dhe konfiskim "pasurie".
Cila ishte "pasuria" e Profesorit?
"Një raft me libra, një shtrat, një dyshek dhe
dy batania. Një lagen, një tavolinë me dy karriga.
Një sahat xhepi dhe një stilograf." (simbas proçes-verbalit
të ruejtun ne arkiv). Komisioni i shtetizimit të "pasurisë"
shkoi tek shtëpia ku banonte me qera profesori me një
kamion te madh, por nuk pat me çka me u mbushë, përveç
policve që solli me vedi dhe i këthej prap në Sigurim.
Ku bazohej akuza?
Prof. Filip Fishta ka shkrue tek: "Tomori i vogël",
"Hylli i Dritës", "Shkëndija", "Shkolla
Kombëtare", "Balli i Rinisë", "Drini"
dhe "Fashizmi".
Prokurori thekson: "Vetë juve Z. Kryetar, i patë
artikujt e tij sa të ndyrë ishin!..."
"Faji" i profesorit ishte se ai qysh i ri rreshtohej me
Justin Rrotën, Eqrem Çabejn, Aleksandër Xhuvanin
etj. ndonse vepra e Prof. Filip Fishtës u zhduk menjëherë
mbasi vdiq. Prof. Androkli Kostallari e ndihmoi profesorin kur doli
nga burgu, i premtoi se do të riabilitohej dhe se, do të
i jepej e drejta e botimit të shkrimeve, por deri sot punimet
e tija "prehën në paqë të pafund",
mbasi nuk i dihët ende "vorri".
Arsyeja që më ka shty me kujtue prof. Filip Fishtën
nuk asht njohja personale, as vlera e tij si dijetar apo shkenctar,
mbasi kjo asht detyrë e atyne që do të nxjerrin në
dritë veprën e tij, ose që e kanë atë (në
kjoftë se ndodhë ndonjëherë), por më ka
shtangue guximi i madh i avokatit të tij, Z. Kol Dhimitri,
i ruejtun në dosje. Një çudi e vërtetë!
Kundërshtimi i akuzave, mënyra sesi ai nxjerr në
pah vlerat letrare dhe shkencore dhe, ndoshta, edhe tue u vetsakrifikue
për një atdhetar që si të gjithë të
tjerët kërcnohej nga vdekja prej trathëtarëve
të paditun dhe barbar, që mendonin dhe vepronin për
gjithçka që shkatrron kulturën dhe shkencën,
ose ma keq, kërkonin labirintët e shmangëjes nga
rruga e qytetnimit evropian.
Avokati i nderuem në mbrojtjen e tij me datën 13 qershor
1945, thotë: "Filip Fishta ka kryer studimet e veta në
Beograd, duke u diplomuar në fakultetin e Letërsisë,
dhe ka vazhduar mësimet edhe në Sobonné të
Francës për disa vite. Është një person
me kulturë të lartë, gjë që e bën
të besueshme se nuk mund të bëhet vegël e okupatorit
në vendin e tij...
Edukoi rininë shqiptare dhe këtë qëllim të
tij, me krenari duhet të pohojmë se e ka arritur, sepse,
sa e sa breza që i drejtoi, e kujtojnë me mirënjohje
e dashuri të sinqertë.
... Por, nuk mund të akuzohen nëpunësit e asaj kohe,
si vegla të okupatorit, sepse ata nuk kanë pasë një
qëllim të tillë, dhe nuk kanë bërë
ndonjë veprim kundër popullit shqiptar, ashtu si edhe
Filip Fishta, ka kryer vepra kundër shqiptarëve, duke
pranuar një revistë kulturore dhe për më tepër
shqiptare....
Po të ishte me të vërtetë një vegël,
sigurisht do të ngarkohej me ofice politike ose të paktën
administrative të larta, mbasi ishte me kulturë dhe me
zotësi të rrallë, pra, mospërfitimi nga italianët
në kohën e pushtimit të tyre është prova
më e gjallë se ky nuk ka qenë vegël e tyre.
... Profesori nuk ka propaganduar për fashizmin, por ka vënë
në dispozicion të idealeve të Kombit tonë të
gjitha fuqitë e veta, kur rraca e jonë shqiptare shuhësh
nga shkrimtarë të paskrupull, si artikulli në "Rivista
d'Albania", kundër Cordignanos me 1941. Artikulli titullohet
"Shqipnia jonë"...
Ka mbrojtë në programe mositalianizimin e shkollës
sonë kombëtare.
Filip Fishta ka pasuruar kulturën shqiptare me shkrimet e tija
të cilat janë aq të vlefëshme dhe të çmueshme,
sa është e madhe vobegsia e jonë letrare.
Nga ana tjetër, si mund të bëhët vëgël
informator një shkenctar, që gjithë jetën e
tij e ka dedikuar në librat e kulturës, në mbrojtje
të idealeve kombëtare.
Kërkoj që të merrën si shkaqe lehtësuese
veprimet kombëtare."
Avokat Kol Dhimitri d.v.
Duhet me thanë "shyqyr" që nuk e mori vesht
kush këtë mbrojtje, mbasi mund të kthehej vendimi
edhe "me pushkatim"...
Prof. Filip Fishtën e pata njohtë mbasi pat dalë
prej burgut, mbasi atë kohë erdhi në Shkodër.
Punonte në podrumet e Muzeut Popullor të qytetit. Ishte
i thjeshtë dhe i veshun keq. Kur fliste e bante disi të
veçantë shqiptimi i një "thëje"
në maje të gjuhës. Na atëherë nuk mujshim
me kuptue se kush mund të ishte ky burrë që me një
leckë në dorë, fshinte pluhunin e kopertinave të
librave që ishin të hullun për tokë. Ai i fshinte
me kujdes dhe i sistemonte mbi një tavolinë. Ata ishin
librat e sekuestruem në bibliotekat e Françeskanëve
dhe të Jezuitve. Prof. Filipi dhe Prof. Izet Bebeziqi ishin
ngarkue me atë punë aq të rëndomtë, vetëm
me hangër një kafshatë bukë të thatë
me emnin "pastrues", pikërisht ata, që ndër
ata libra kishin edhe artikujt e tyne. Librat e ndamë prej
tyne, mandej zënin vend në "bibliotekat" përsonale
të "Prof. Doktorave" Jup Kastrati me shokë,
libra e materiale që i kanë edhe sot ndër shtëpitë
e tyne. Duhet plotsue fraza, mbasi volumet e mangta i plotsuen me
"Revolucionin Kultural" në vitin 1967, me bibliotekën
e Argjipeshkvisë dhe të njerëzve që u arrestuen
me atë rasë.
Prof. Kol Alimhilli thonte: "Në sistemin komunist, profesorët
e vërtetë përfundojnë në burg, kur dalin
nga burgu, po dolën, shkojnë hamaj e fshesaxhijë,
ndërsa, hamajt e fshesaxhijtë e vërtetë drejtojnë
shtetin."
PARTIA DEMOKRISTJANE
ISHTE VETËM NJË IDE
Shpesh, flitej se asht mendue për një Parti Demokristjane.
Shpesh, bisedohej se ka kenë formue kjo parti në Shqipni.
Kishte nga ata që e thonin të sigurt ekzistencën
e kësaj partie; por, nga shumë burime që për
mue kanë kenë burime të sigurta, edhe pse ishin burime
gojore, si bie fjala Prof. Gaspër Ugashi, Mark Gjon Shllaku,
At Meshkalla, Don Mark Hasi, At Gegë Luma, At Dioniz Maka,
Prof. Nush Radovani, Don Nikoll Mazrreku, At Gardini, Monsinjor
Mikel Koliqi, etj. me të cilët kur unë kam bisedue
për këtë çështje, e thonin pa ma të
voglin dyshim, "...se kjo parti nuk ka ekzistue kurrë
në Shqipni," por, asht kenë një çpikje
e komunistëve për me shkatrrue klerin katolik, inteligjencën
dhe rininë entuziaste për ndryshime politike demokratike.
Asnjë organizatë antikomuniste prej vitit 1943 nuk ka
pasë në emnin e saj një sigël demokristjane.
Asnjë përson nuk merr përsipër një detyrë
nga kjo parti. Ende sot nuk gjindet një dokument ku shkruhet
një pikë e statutit të kësaj partie. Arkivet
sot kanë edhe detaje të programit të "Besëlidhjes
së Veriut", që u formue në vitin 1943.
Kjo përputhet edhe me thanjet e At Gjolajt, në librin
"Çinarët". Ky libër u ba shkak që
në vitin 1998 me u bisedue kjo temë edhe njëherë
me Z. Nino Kurti. Ai kishte lexue librin dhe ishte i kënaqun,
që At Gjolaj, kishte shkrue një fakt që njihej edhe
prej Z. Nino, tue fillue nga loja e Sejfullah Malëshovës
e deri tek laboratorët e Sigurimit të Shtetit, në
lidhje me këtë parti fantazëm, e çpikun e
gjithmonë e pakenun që hangri sa koka njerëzish të
pafajshëm.
Z. Nino Kurti tregon, se në muejn maji të vitit 1945,
kishte shkue në shtëpinë e Mark Gjon Shllakut (Gjon
Mark Pyka i Rusit), mbasi ishin shumë shokë. Aty kishte
gjetë Mark Lulashin dhe Paulin Kel Palin, që sapo kishin
shkundë mandin e po hanin në oborr. Ka shkue pak ma vonë
edhe njëfarë Mark Palit nga Laçi, që Nino
kishte kohë që nuk e kishte takue. I fundit ka mërrijtë
Pjetër Berisha edhe ky krejt rastësisht. Asht bisedue
për zgjedhjet që do të zhvilloheshin në dhetor.
Asht bisedue idea e ardhun nga Tirana prej Mark Palit dhe dyshimi
që kishin të gjithë këta përsona se mos
kjo ide asht lojë e Sigurimit. Ndoshta, dy-tre nga këta
përsona, ndonjëherë kishin bisedue për këtë
parti, por sëbashku nuk e kishin bisedue kurrë. Atëditë,
i kujtohej mirë se ishte kenë i pari Pjetër Berisha
që ka hapë bisedën për këtë parti.
Si parime, për të gjithë nuk kishte të panjoftuna,
kuptohet pa hy ndër detaje, por debati ka fillue tek mënyra
se si do të reagojë pjesa myslimane dhe a do të mërrijë
ajo pjesë e kulturueme e myslimanëve me ba për vedi
shumicën tjetër. Njëkohësisht a do të pranojnë
ata me u drejtue kjo parti nga përsona që përfaqësojnë
pakicën e popullsisë?
Problemi i dytë ishte kenë lidhja me klerin, për
me pa a pranohet prej tyne si parim. Këtë e ka marrë
përsipër Paulin K. Pali e Mark Shllaku, me e bisedue me
At Gjon Shllakun. Kur asht ba fjalë se kush mund të ishte
kryetari, Mark Lulashi ka propozue emnin e Andro Petroviq, i cili
nuk ishte aty dhe as nuk dinte gja për këtë bisedë.
Të gjithë ishin dakord për Andron mbasi njihej si
njeri i aftë, i prëgatitun mirë si intelektual dhe
shumë besnik.
Mbas pak ditësh Mark Shllaku kishte njoftue Ninon se At Gjon
Shllaku, nuk ishte dakord që të formohet një parti
e tillë, mbasi largimi i Delegatit Apostolik të Vatikanit,
Imzot Leone Nigris nga Shqipnia prej qeverisë së Tiranës,
më 5 maji 1945, asht tregues shumë i keq për problemet
e katolikëve në Shqipni. At Gjoni u kishte tregue se një
çështje si kjo, as nuk mund të bisedohet me Provinçialin,
At Mati Prennushin, e, as me Imzot Thaçin, mbasi asnjeni
nuk janë dakord. Mendimin e tyne, sigurisht ai e dinte nga
takimi me Sejfullah Maleshovën, ku, At Gjoni asht kenë
prezent. At Gjoni kishte shtue se propozimi i Tiranës asht
lojë e komunistëve, prandej si përfundim kleri nuk
përzihet në çështje partishë politike,
mbasi mund ta pësojë si At Lekë Luli prej zogistave.
Nino dinte se asht ba edhe një përpjekje tjetër prej
Prof. Gjelosh Lulashit me At Çiprian Nikën, Guardian
i Françeskanëve, por, edhe kjo pa asnjë rezultat.
At Çipriani, përveç shkaqeve të paraqituna
nga At Gjoni, kishte shtue se ishte njoftue se edhe shkollat fetare
po mbyllen. Gjendja sa vjen e randohet mbasi kishte sinjalizime
se ka xhakoj të përzimë me Sigurimin. Ai madje, kishte
porositë Prof. Gjelosh Lulashin që mos të përzihen
asnjë në këtë çështje mbasi si po
shifej, anglo-amerikanët, Shqipninë e kanë lanë
në dorë të jugosllavëve dhe "nuk dijmë
si do të bahet halli i jonë". At Mati Prennushi me
një letër porositë në mënyrë të
preme të gjithë françeskanët, që mos
të përzihen në politikë.
Nino, shtonte, se nuk ishte dakord që në fillim që
kjo parti të formohej në lidhje me klerin. Kur Mark Shllaku
i ka tregue se po formohet një organizatë pa pjesmarrjen
e klerit dhe asht Mark Çuni që do t'a drejtojë,
Nino ishte kenë dakord dhe i kënaqun për tè.
Me Ninon janë kenë të gjithë papërjashtim
shka ishin për formimin e Partisë Demokristjane. Kjo ishte
edhe arsyeja, që as nuk asht bisedue ma për atë parti
që mbeti vetëm një IDE. Mbas tyne nuk asht mendue
ma as si ide. Ai e kishte njohtë ma parë Mark Çunin
si djalë shumë inteligjent, trim, i vendosun dhe besnik.
Ai e formoi Organizatën "Bashkimi Shqiptar" dhe dha
edhe jetën për tè. Anëtarët e asaj organizatë
edhe sot e kanë për nderë që kanë ba pjesë
në té dhe janë drejtue nga atdhetari i flaktë
Mark Çuni.
Nino e lente ide edhe për faktin se përsonat që janë
kenë në shtëpi të Mark Shllakut, madje, edhe
Andro Petroviq që nuk ishte aty, të gjithë janë
arrestue vetëm për organizatën "Bashkimi Shqiptar"
dhe as që asht tregue prej ndonjenit se asht mendue për
parti demokristjane, as gjatë torturave, as gjatë proçesit
gjyqësor, madje, as kur ishin ndër kampe e burgje. Ata
nuk e kanë zanë në gojë atë ide mbasi mund
të ridënoheshin edhe mbas njëzet vjetësh. Ata
vetëm kanë porositë njeni tjetrin që mos me
zanë me gojë emnin e Andro Petroviq, mbasi mund të
baheshin shkak për zhdukjen dhe pushkatimin e tij kurdoherë
nga komunistët.
Nino e përfundoi bisedën e tij me këto fjalë:
"Hipotezat, provokimet e bame në hetuesi, në gjyqe
etj. janë kenë vetëm trillime dhe çpifje,
mbasi vetëm po të dihej idea, asnjeni nuk do të shpëtonte
me kokë. Kjo ide asht kërkue për 50 vjetë rresht
nga Sigurimi, por asnjëherë nuk asht ra në gjurmët
e vërteta të saj, mbasi kryesore kemi pasë besën.
Unë jam edhe sot për një Parti Demokristjane të
vërtetë, mbasi ajo do të ndikonte shumë për
hymjen në Evropë, po ku me e gjetë sot një Andro
Petroviq apo Mark Çunin, me e drejtue këtë parti?".
Mbas asaj bisedë nuk u pashë ma me Ninon, mbasi ai vdiq
ndër ato ditë.
Ka pasë edhe një variant tjetër që flitej sikur
Mark Pali i Laçit të Kurbinit, kur ka ardhë në
Shkodër tek shtëpia e Mark Shllakut, asht kenë i
dërguem për partinë demokristjane nga Imzot Vinçenc
Prennushi. Edhe ky variant nuk qëndron mbasi as nuk asht folë
në atë shtëpi për Imzot Prennushin. Njëkohësisht,
si mujte Imzot Prennushi me dërgue Mark Palin për një
detyrë kaq të rëndsishme, krejt në kundërshtim
me Argjipeshkvin Metropolitan të Shkodrës, Imzot Gaspër
Thaçin apo kushrinin e tij, Provinçialin e Françeskanëve
At Mati Prennushin?
At Meshkalla thonte: "Asnjëherë Shqipnia nuk asht
kenë e pregatitun për një parti demokristjane, mbasi
kleri nuk duhet me u përzi ndër parti politike, ndërsa
brezi i inteligjencës ishte ende në formim. Partia nuk
bahet me aq pak njerëz të pregatitun sa kishte ajo kohë.
Duheshin edhe pak vite, por komunizmi kje një shkatrrim për
të gjitha fushat, sepse, as që mund të bahej ma fjalë
për qeverisje demokratike. Shkollat marksiste-leniniste kanë
me e pengue demokracinë e qeverisjen demokratike edhe mbas
përmbysjes së komunizmit. Shkaqet dihen!"
At Gegë Luma deklaron në gjyq, në vitin 1968: "Shqipnia
ka dy krahina të ndame, Veriu dhe Jugu, ka tre besime të
ndame, myslimanë, orthodoks dhe ma pak se të gjithë
katolikë. Sikur të kishte edhe dy parti, një në
pushtet dhe një opozitë, popullsia do të ndahej në
shtatë pjesë, që asht vështirë me u kuptue
njena me tjetrën vetëm dy pjesë të sajat, jo
ma shtatë. Atëherë, ku mbetë vend për Parti
Demokristjane?".
Vetëm më 16 nandor 1990, Don Simon Jubani, mbas meshës
së parë më 11 nandor, ka ba përpjekje zyrtare
me formue Partinë Demokristjane, tue ngarkue Prof. Nush Radovanin,
me këtë detyrë. Ramiz Alia u frigue nga ky veprim
dhe në fillim të dhetorit shpallë të formueme
Partinë Demokratike. Kaluan mashumë se gjasht muej me
zvarrisje burokratike dhe demokristjania nuk aprovohej nga Ministria
e Drejtësisë. Kur Nushi takohet në vitin 1991 me
demokristjanin Pikoli, në Ambasadën Italiane, në
Tiranë, Pikoli i thotë: "Na nuk merremi me ju, na
do të përkrahim shumicën!". Nushi mbyllë
kapitullin tue u largue përfundimisht nga Shqipnia. Si të
gjitha partitë tjera.... formohet edhe "demokristjanja"
që asht sot. Kjo asht arsyeja që u vuna me ditë diçka
për Organizatën e parë antikomuniste "Bashkimi
Shqiptar".
ORGANIZATA "B A S H K I M I S H Q I P T A R"
".... Kallxon nji zojë, e cila aso kohe bante punën
si përkthyese në shërbim personal të Sekretarit
të Partisë Enver Hoxhes, në marrëdhanje diplomatike
me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji
ditë, me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasatorit titist
e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue
përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue:
"E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi
plagosë për vdekje Klerin Katolik!...." Simbas rrëfimit
të grues, ambasatori diplomat i vjetër pan-serbian, i
paska pasë përgjegjë: "Po, po! Po keni ende
gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë",
duhet - vazhdoi ai " si mbas porosisë që kam prej
qeverisë seme, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni
kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër,
me në krye Françeskanët!" (At Daniel Gjeçaj
"Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare" fq. 36.).
Me datën 28 janar 1946, ora 09.00, në Kinema "Rozafat"
të qytetit të Shkodrës, hapet gjyqi kundër Organizatës
antikomuniste "Bashkimi Shqiptar" nga Gjykata Ushtarake
e Qarkut e përbame nga ky trup gjykues: Kryetar: Mustafa Iljazi,
Antarë: Namik Qemali e Tonin Miloti dhe prokuror: Aranit Çela.
Në bankën e të akuzuemve ishin:
1. At Giovani Antonio Fausti S.J. vjeç 46, nga Breshia, Itali.
2. At Daniel Llesh Dajani S.J. vjeç 43, nga Blinishti, Zadrimë.
3. Mark Ndoc Çuni vjeç 26, nga Bushati, Shkodër.
4. At Gjon Loro Shllaku O.F.M. vjeç 38, nga Shkodra.
5. Gjergj Vat Bici vjeç 26, nga Gurzi, Milot.
6. Gjon Prenk Shllaku vjeç 22, nga Shkodra.
7. Ndoc Gjelosh Vata vjeç 24, nga Gurzi, Milot.
8. Preng Llesh Lezaj vjeç 24, nga Bulger, Lezhë.
9. Pjetër Gjok Ejlli vjeç 20, nga Beltoja, Shkodër.
10. Andro Lubo Petroviq vjeç 32, nga Shkodra.
11. Ernest Gjok Dema vjeç 26, nga Shkodra.
12. Gjelosh Lulash Bajraktari vjeç 20, nga Ndreaj-Shosh,
Dukagjin.
13. Luigj Ndoc Kçira vjeç 20, nga Shkodra.
14. Prof. Gjelosh Lul Marku vjeç 32, nga Kastrati, Shkodër.
15. Zef Gjin Mirdita (Buka) vjeç 19, nga Shkodra.
16. Gjovalin Kol Zezaj vjeç 17, nga Shkodra.
17. Nino Zef Kurti vjeç 30, nga Shkodra, ish oficer.
18. Myfit Qamil Bushati vjeç 18, nga Shkodra.
19. Qerim Sadik Myftari vjeç 27, nga Vuthaj, Guci.
20. Luigj Sokol Shoshi vjeç 32, shegërt i Kaçulinit
në Shkodër.
21. Frano Pjetër Mark Mirakaj vjeç 29, nga Iballe, Pukë.
22. Pjetër Palok Berisha vjeç 30, nga Shkodra, ish oficer.
23. Osman Brahim Plaka vjeç 25, nga Tirana, ish oficer.
24. Pjetër Sali Pjetërnikaj vjeç 33, nga Mërturi,
Dukagjin.
25. Pjetër Mark Delija vjeç 18, nga Shoshi, Dukagjin.
26. Dedë Mëhill Deda vjeç 30, nga Palaj, Dukagjin.
27. Jakë Vas Çunaj vjeç 23, nga Bushati, Shkodër.
28. Pashuk Kol Matia vjeç 22, nga Bërdica, Shkodër.
29. Pjetër Kokërr Gjoka vjeç 27, nga Toplana, Dukagjin.
30. Nik Deli Lekbibaj vjeç 30, nga Nikaj, Dukagjin.
31. Rrok Martin Lacaj vjeç 22, nga Bushati, Shkodër.
32. Çesk Zef Gjeluci vjeç 20, nga Shkodra, punëtor
në
Shtypshkronjën Françeskane.
33. Ndoc Rrok Jaku vjeç 44, nga Jubani, Shkodër.
34. Tonin Nush Bianku vjeç 18, nga Shkodra, punëtor
në
Shtypshkronjën Françeskane.
35. Lazër Simon Kodheli vjeç 17, nga Shkodra, punëtor
në
Shtypshkronjën Françeskane.
36. Ndue Bib Doda vjeç 31, nga Kaçinari, Mirditë.
Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake
në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen
kjo përgjigje:
Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946
(Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë):
"Aprovohet ndëshkimi me vdekje për:
1. P. Giovani Fausti nga Breschia Itali,
2. P. Daniel Dajani nga Shkodra,
3. P. Gjon Shllaku nga Shkodra,
4. Mark Ndoc Çuni nga Bushati,
5. Qerim Sadik Myftari nga Vuthaj, Guci,
6. Gjelosh Lulash Bajraktari nga Dukagjini.
Na lajmëroni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre
të fundit.
Ndëshkimi me vdekje i Gjergj Vat Bicaj, kthëhet në
burgim të përjetëshëm.
Aktet e fajtorisë të Frano Pjetër Mark Mirakaj, kanë
për tu shqyrtuar më vonë dhe vendimi do t'ju komunikohet
mbas shqyrtimit.
Ministri i Luftës dhe i Mbrojtjes Kombëtare
Gjeneral Kolonel Enver Hoxha d.v.
"Sot ditën e hënë, datë 4-3- 1946 ora 05.00,
në vendin e caktuar u ekzekutuan armiqtë e popullit, dhe
vullneti i tyre i fundit ishte:
1. Gjelosh Lulashi: Thoni babës të më falin se e
kam trazue. Të më falin shokët, se ndonji shpifje
e kam ba prej zorit qi kam pasë. Nanës të fala dhe
të mi puthin vllaznit. Borxhet që kam mbetë të
mi paguejn prindët. I fali me zemër të gjithë
ata që më kanë ba keq. Rrnoftë Shqipnia!
2. Patër Danjel Dajani: I fali ata qi më kanë ba
keq. Jam kondend se po vdes i pafajshëm, ma mirë se fajtor.
T'i japin prindët (far'e fisi), P. Zef Shllakut me pasë
me më thanë dy meshë.
3. Patër Giovani Fausti: Jam kondend se vdekja po më vjen
tue krye detyrën teme. Dërgoni shëndet Jezuitve,
xhakojve, Apostolikve dhe Argjipeshkvit. Rrnoftë Krishti Mbret!
4. Patër Gjon Shllaku: Lamtumirë mi thoni shokve Françeskanë
dhe të gjithë të njoftunve. Rrnoftë Krishti
Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!
5. Mark Çuni: I fali të gjithë ata qi më kanë
gjykue, dënue, si edhe ata që do të më ekzekutojnë.
I thoni nanës që i kam Ludovik Rashës 15 napolona
borxh dhe t'ja paguejnë. Rrnoftë Krishti Mbret dhe Rrnoftë
Shqipnija!
6. Qerim Sadiku: I fali ata qi në çdo kohë mund
të më kenë ba keq. I fali edhe ata që më
kanë dënue me vdekje, dhe ata që do të më
ekzekutojne. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Shqipnija!
Prokurori Ushtarak (Tonin Miloti) d.v.
Shënim:
Në ligjëratën e drejtë gjithënjë i
jam përmbajtë origjinalit edhe në ortografi. (autori).
Me datën 3 korrik 1946, Gjykata Ushtarake e Shkodrës njoftohet:
"....Aprovohet ndëshkimi me vdekje i Frano P. Mark Mirakës.
Njoftoni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tij të fundit.
Frederik Nosi d.v.
Porosia e qeverisë jugosllave u zbatue shumë shpejt nga
Enver Hoxha, prandej edhe ata e dekoruen më 1 korrik 1946,
"Hero i Popujve të Jugosllavisë", dekoratë
që e "gëzon edhe sot" atje ku asht!...
Ndonse materiali që kam pasë në dorë asht mjaft
i pakët asht i mjaftueshëm për me nxjerrë në
dritë organizatorët, pjesmarrësit, si dhe të
pafajshmit e kësaj organizatë.
Mark Çuni:
"Unë dhe Prof. Gjelosh Lul Marku kemi drejtue punën
e kësaj organizate. At Fausti ka kenë në Tiranë
deri në maji të '45, pra, nuk ka dijtë gja kur kemi
formue organizatën. Fausti e Dajani nuk na kanë folë
për politikë... Me At Gjon Shllakun nuk kam pasë
asnjë lidhje për këtë punë... Nuk dij se
asht bisedue për "dorën e zezë" ndonjëherë.
Unë kam veprue në kundërshtim me rregullat e seminarit,
por këtë e kam ba në kokën teme, e dij se asht
gabim, por unë e kam ba... Për traktin e dërguem
prej xhakonit Gjon Shllaku tek Tuk Jakova, unë nuk dij gja.
As për atentat nuk dij se asht bisedue... Klerikët nuk
kanë ba pjesë në organizata politike mbasi e kanë
të ndalueme, dhe as na nuk e kemi kërkue një gja
të tillë. Faji bie mbi mue...
Prof. Gjelosh Lul Marku:
Unë si profesor në seminar jam lidhë me Mark Çunin;
me té kemi organizue dhe kemi shtypë trakte kundër
mënyrës së zgjedhjeve të 2 dhetorit, mbasi në
këto zgjedhje nuk kemi pa asgja demokratike. Këto zgjedhje
forcojnë vetëm qeverisjen e komunistëve dhe të
asnjë force tjetër politike, kjoftë demokristjane
ose social-demokrate... Unë nuk kam bisedue asnjëherë
me Dajanin e Faustin për këtë punë, mbasi ata
e kanë të ndalueme me marrë pjesë në organizata
politike... Dij se At Gjon Shllaku ka pasë parime antifashiste
dhe pro nacional-çlirimtare, dhe se i ka çfaqë
me mjaft intelektual që shkonin në Kuvendin e Fretënve,
por nuk dij se ka formue parti e organizata...
Unë, kam pranue se kam mendue vetëm unë për
"dorën e zezë", por, për këtë
nuk kam bisedue me klerikë, por vetëm me shokët e
mij... Forca të tjera politike nuk e dij se ka këtu...
Gjergj Vat Bici:
Kryetar ka kenë Prof. Gjelosh Luli, dhe ka drejtue me Mark
Çunin. Nuk dij se kemi pasë në organizatë
Faustin e Dajanin. Mark Çuni më ka thanë se At
Dajani nuk di gja në këtë punë...
Andro Petroviq:
Unë kam pasë shoqni me Paulin K. Palin e Mark Shllakun,
me të cilët kemi bisedue për një organizatë,
por nuk kam kenë kur asht formue... Nuk kam ndigjue prej askujt
se At Gjon Shllaku, asht i përzimë në këtë
punë... Nuk dij se në Shqipni ka pasë ndonjiherë
parti demokristjane!
Mark Gjon Shllaku:
Unë kam shkue tek At Gjon Shllaku me i rregullue një radio,
por nuk kemi bisedue për organizata e parti. Ai ka drejtue
Shoqninë "Antonjane", dhe nuk dij se ajo shoqni ka
kenë politike.
Pjetër Gjoka:
E vetmja bisedë politike që më ka ba mue At Fausti,
ka kenë kjo: "Pa Kosovën, nuk ka Shqipni Etnike!".
Luigj Kçira:
At Fausti e At Dajani, nuk dijnë kurrgja se unë kam hjellë
trakte. Ata mi ka dhanë Mark Çuni e Gjergj Bicaj. Unë
i kam lanë në shtëpi të Gjovalin Zezaj, dhe
bashkë me té kemi dalë me i shpërnda. Këtë
e ka dijtë edhe xhakoni Gjon Shllaku e Zef Kuqi. Tue i shpërnda
na ka kapë Kol Shytani e Gjon Prennushi, dhe jemi arrestue
atë natë, më 27 nandor 1945. Kush na paditi s'e dij...
Xhakoni Gjon Shllaku:
Kam propagandue kundër komunizmit ateist dhe i kam dhanë
raport P. Dajanit. Kur u kapën hjellsit e trakteve na u trembëm
shumë, deshtëm me u arratisë, por nuk na ka lanë
P. Dajani, i cili asht këshillue me Argjipeshkvin. Mark Çuni
asht takue me Jup Kazazin në shkurt të 1945....Jezuitët
i kanë mbajtë lidhjet me reaksionin nëpërmjet
Qerim Sadikut e Gjelosh Lulashit.
... Më 26 nandor 1945, Mark Çuni e Gjergj Bicaj, më
kanë dhanë mue nga 200 copë trakte, të cilat
neve ia kemi dhanë djelmoshave Zef Mirdita e Luigj Kçira
për me i shpërnda...
....Ndërhynë prokurori Aranit Çela:
Thuaj i pandehur, çfarë ke thënë në hetuesi
për Klerin Katolik dhe kryesisht për mënyrën,
se si këta klerikë që janë këtu në
bankën e të akuzuarve me juve, mbanin lidhje me të
arratisurit dhe si mendonin me organizuar kryengritjen e armatosur,
për të rrëzuar Pushtetin Popullor?
Xhakoni Gjon Shllaku i përgjigjet:
Në se doni, unë edhe e çveshi këmishën,
dhe shifni si e kam trupin e nximë kur i kam thanë ato
fjalë, nuk asht e vërtetë, që këtë
organizatë e ka formue At Fausti e At Dajani... Për poezinë
e Tuk Jakovës më ka shty delegati Nigris, se e kishte
pritë keq Tuk Jakova... Për rektorin, asht e vërtetë
se e ka shkye gazetën "Koha e re"... Dij se ata që
ndanin trakte duhet të ishin të armatosun.
Gjelosh Lul Marku:
Nuk asht e vërtetë se u kemi thanë shpërndarsve
të trakteve me kenë të armatosun, ...nuk asht e vërtetë
se kemi pasë lidhje me të arratisun....
Mark Çuni:
Asnjë person nuk ka pasë armë. Unë nuk i dij
lidhjet e xhakonit Gjon Shllaku me delegatin Nigris... Nuk kam pasë
asnjë dijeni për poezinë e dërgueme tek Tuk
Jakova. Gjoni ndoshta, i thotë këto, se don me shpëtue
vedin.
At Giovani Fausti S.J.:
Unë nuk dij sepse e zaptoi Italia Shqipninë, se nuk na
ka lypë lejen tonë e, as nuk e kemi ftue që të
vinte... Kur kanë ikë gjermanët nga Tirana, unë
jam plagosë...
Për lëvizjen Nacional-çlirimtare nuk e kam dijtë
se ç'parime ka pasë. Derisa lëvizja Nacional-çlirimtare
nuk përket Fenë, jemi në pajtim të plotë
me këtë lëvizje. Ballin e Legalitetin i kam quejt
si lëvizje nacionaliste dhe kundra Italisë fashiste, por
nga krenët e tyne nuk njof, vetëm Don Zef Shestanin, por
unë me té nuk jam takue asnjëherë. Jam largue
për shkak se ky merrte pjesë në politikë...
Të gjitha sendet janë ba pa dijeninë teme. Françeskanët
dhe Jezuitët nuk kanë ardhë në Shqipni për
qëllime politike por për qëllime fetare, dhe jena
mundue gjithmonë me u largue nga politika....Unë i nënshtrohem
gjykimit por nuk kam punue kundër Pushtetit. Kundër qeverisë
nuk kam folë, veç kundër Partisë Komuniste,
të cilën e kemi konsiderue ateiste dhe imorale...
Mora vesht, kur erdha nga Tirana, se Mark Çuni asht marrë
me trakte dhe se ishte udhëheqës i atij grupi. Deshtme
ta qitnim jashtë prej Seminarit, por atëherë ishte
kot, prandej e mbajtëm... Në atë kohë ka ardhë
edhe xhakoni Gjon Shllaku, që donte t'ikte po ne e mbajtëm.
Kisha nuk duhet të përzihet në politikë. Zogu
vërtetë i ka mbyllë shkollat, por në punë
të tjera nuk asht përzi. Kisha kjoftë edhe një
qeveri t i r a n i k e, e nderon për mos me shkaktue rëndime
ma të mëdha, dhe shkakton salvimin e Kishës. Padër
Anton Harapi, ka hy në qeveri për me shpëtue Shqipninë,
por ka ba gabim se qeveria ishte kuislinge, dhe qëndrimi i
em ka kenë negativ.
Xhakojt nuk mund të marrin pjesë aktive në ndonji
parti. Unë kam njoftë mjaft Katolik intelektual, që
mund të punojshin mirë në punët e qeverisë
por, për fat të keq, Katolikët janë m i n o
r a n c ë...
Ndërhynë prokurori A. Çela:
Juve kështu keni kërkuar me përçarë popullin
shqiptarë, duke e konsideruar pjesën Katolike gjithënjë
një m i n o r i t e t !
At Giovani Fausti, përgjigjet:
"Jo, jo, e keni gabim, jo minoritet, por m i n o r a n c ë
, e kam fjalën për PAKICË..."
At Daniel Dajani S.J.:
Unë përsëris, nuk dij gja se ka pasë organizatë
terroriste. Nuk kam marrë vesht se asht formue organizatë
për me luftue kundër Pushtetit... Unë kam predikue
kundër komunizmit ateist dhe i kam thanë xhakojve, me
e luftue ateizmin ku të iu nepët rasa... Nuk dij që
P. Fausti ka shprehë ndonjëherë ide fashiste... Pohoj,
se nuk jam marrë me politikë mbasi këtë na e
ndalojnë rregullat e Institucionit tonë... Jezuitët
në asnji mënyrë dhe asnjiherë, mos me u marrë
me politikë... Nuk dij se ka pasë ndonji Jezuit që
ka shty xhakojt me u marrë me politikë.
Asnjiherë nuk kemi kenë kundër çlirimit të
Shqipnisë, madje, e kemi dashtë këtë, prandej
edhe nuk e kemi pengue. Mbas ikjes së gjermanve nuk më
ka pëlqye që qeveria ra në duert e komunistave. Komunizmin
e kam urrye gjithmonë, se asht ateist dhe se lufton Fenë.
Persëris, se as nuk dij se egziston organizatë terroriste
dhe as nuk kam ba pjesë ndër to.
At Gjon Shllaku O.F.M.:
Jam kenë dhe jam kundër çdo lloj diktature. Për
këtë jam kenë i keq edhe me italjanët, mbasi
ardhjen e tyne e kam quejtë pushtim. Për këtë
edhe Sejfullah Malëshova më ka kërkue me formue nji
parti Demokristjane, por nuk më kanë lejue eprorët,
për mos me u përzi Kleri në politikë...
Me datën 28. 01. 1946, i kam thanë edhe z. Prokurorit
se Kisha lejon pjesëmarrjen në politikë të anëtarëve
të saj, mjaft që politika të përdorët për
të mirën e shoqnisë dhe të popullit.
Unë nuk kam ba pjesë në këtë organizatë
dhe as nuk kam sjellë njeri në këtë organizatë,
mbasi po e përsëris, nuk më asht lejue me u përzi
në politikë... Arsyeja kryesore asht se drejtimin e shtetit
e morën komunistët ateista... Kur asht inaugurue Shtëpia
e Kulturës në Shkodër, unë kam shprehë
bindjen teme, se asht e para herë që Shqipnia çlirohet
me gjakun e bijve të vet.
Indipendenca e Shqipnisë sot nuk asht nji dhanti, por asht
fryt i përpjekjeve të popullit shqiptar... Për organizatën
"Bashkimi Shqiptar", e kam marrë vesh kur asht arrestue
At Fausti e Dajani. Ma përpara nuk kam dijtë kurrgja.
Me datën 08. 02. 1946, kur po fillonte seanca e mbas drekës,
porsa del para trupit gjykues Z. Myfit Q. Bushati, ish student i
gjimnazit të Jezuitve, i arrestuem edhe ky si anëtar i
kësaj organizate, ndërpritet seanca nga ndërhymja
e prokurorit A. Çela, i cili i drejtohet kryetarit të
trupit gjykues me këto fjalë: "Me qenë se avokat
Muzafer Pipa, implikohet në këtë proçes, se
ka pasë dijeni dhe se ka kënduar trakte të këtyre
organizatave, apo ka qenë pjestar, kërkoj që të
përjashtohet si përfaqsues mbrojtjeje i të pandehurit
Patër Gjon Shllaku me shokë".
Av. Muzafer Pipa tha: Në lidhje me kërkimin e z Prokuror,
unë nuk kam ndonjë kundërshtim por, në këtë
rast unë nuk përfaqsoj Myfit Q. Bushatin.
Kryetari i trupit gjykues lexon vendimin:
"Vëndim: Me qenë se Muzafer Pipa, mbi egzistencën
e organizatës së ashtuquajtur Demokristjane, ka patur
dijeni dhe i atribohet faji që pretendohet që organizator
është Patër Gjon Shllaku, në anë tjetër,
që të pandehurit që ky përfaqson kanë qenë
pjestarë të organizatës "Bashkimi Shqiptar",
që do të bashkohej me Demokristjanën, sipas parimit
juridik, nuk duhet të përfaqsojë, për derisa
i atribohet faji i dijenisë ose i pjesëmarrjes, prandaj,
Trupi Gjykues, konform kërkesës z. Prokuror, Vëndosë
përjashtimin e tij si përfaqësues Mbrojtjeje i të
pandehurve: Patër Gjon Shllaku, Rrok Martini, Çesk Gjeluci,
Ndoc Rrok Jaku dhe emron Ranko Çerankoviq.".
Avokat Muzafer Pipa doli nga salla e gjyqit. (po aty Dosja nr. 1068).
Nuk shkoi gjatë dhe Aranit Çela e mbajti fjalën
që i pat thanë në bar "Impero": "Hë...
Muzafer Pipa, e kemi ruajtur një gjysëm leku edhe për
ty! (Dëshmi e Prof. Gaspër Ugashit).
Don Luigj Pici, edhe ky ato ditë kryen një akt tjetër
burrnor. Predikon para besimtarëve në Kishën e Reçit,
se Klerikët e akuzuem për Organizatën "Bashkimi
Shqiptar" janë të pafajshëm. Edhe ky prift vritet
pa gjyq edhe pse ishte antarë i Kryesisë së Frontit
të Qarkut të Shkodrës.
Po, avokat Paulin Pali, që guxoi me i shtërngue dorën
avokat Muzafer Pipës për qëndrimin e tij burrnor,
si përfundoi ? Edhe këtë do ta lexoni !
Populli i Shkodrës ruen në kujtesën e tij përjetë
veprën heroike të Prof. Kol Prelës, Deputet i Kuvendit
Popullor në zgjedhjet e 2 dhetorit, i cili si burrat paraqet
para gjyqit:
DEKLARATË:
Unë i nënshkruemi Kol Prela, profesor në Liceun e
Shtetit Shkodër, dhe Përfaqsues i Dekretuem në Asamblenë
Kushtetuese, përsa i përket të pandehurit Patër
Gjon Shllaku, Françeskan nga Shkodra, deklaroi sa ma poshtë
vijon:
P. Gjon Shllakun e kam njoftë për herë të parë
në verën e vjetit 1940, kur u ktheva prej Italijet, mbasi
mbarova studimet universitare. Qyshë në takimet e para
që kam pasë me té kam muejtë me konstatue,
se ai ishte nji element anti-italian dhe anti-fashist. Kudo qi kishte
rastin dhe mundësinë demaskonte dhe disaprovonte ardhjen
e Italisë këtu dhe veprimet që Italia me trathtarët
bante vazhdimisht këtu, në dam të tonë. Në
rast konkret, dij, se, ai propagandonte kundër njollosjes së
Flamurit tonë Kombëtar me fashjot e Liktorit e, kundër
artikullit denigrues për Popullin Shqiptar që P. Fulv
Cordignano pat botue në revistën "Albania".
Madje, në këtë rasën e fundit nuk u kondenue
vetëm me disaprovue por, edhe punoi për përpilimin
e broshurës: "Cordignano në gjyq përpara botës",
tue gjetë gadi të gjithë bibliografinë, tue
përkthye të gjithë copat e autorve gjerman që
nëvojiteshin për atë përgjigje. Nuk e vuni emnin
në fund, mbasi broshura delte n'emnin e grupit të profesorëve
të Liceut të Shtetit të Shkodrës e, me vue emnin
edhe ky, do të dukej se profesorët e nji instituti shqiptar,
mos të ishin në gjendje me shkrue nji artikull pa kërkue
ndihmën edhe jashta rrethit të tyne. Këtë, mund
t'a dishmojnë edhe Prof. Mark Ndoja e Prof. Simon Deda, të
cilët, në këtë kohë janë kenë
në kontakt vazhdimisht me të pandehurin. Këtë
qëndrim anifashist ka vazhdue t'a mbajë gjatë gjithë
kohës që kam kenë në kontakt me té, d.m.th.
deri në qershor 1943, datë në të cilën
jam ilegalizue, mbas së cilës nuk kam pasë ma rasë
me ra në përpjekje me té derisa asht shlirue Shqipnia.
Mbas shlirimit dihet prej të gjithve, se P. Gjoni, ka dhanë
kontribut në lamën që ishte ma i pregaditun d.m.th.
në atë të kulturës. Ka ba konferencën për
inaugurimin e Shtëpisë së Kulturës në Shkodër,
në të cilën ka thanë ndër tjera edhe këto
fjalë:
"Asht e para herë që Shqipnia shlirohet me gjakun
e bijve të vet. Indipendenca e Shqipnisë sot nuk asht
nji dhanti, por asht fryt i përpjekjeve të Popullit Shqiptar".
Përmbajtjen e kësaj deklarate, jam gadi me e vërtetue
edhe para Gjyqit të Popullit, po mos të jemi i nxanun
në shkollë me mësime.
V.F.L.P.
Deklaruesi
Shkoder, 14. 02. 1946. Prof. Kol Prela d.v.
Shënim i emi: Edhe Prof. Simon Deda në Durres, mbytet
në Sigurim dhe hidhet nga dritarët i vdekun. Mos, ndoshta,
edhe Ai kishte pregatitë ndonjë deklaratë si kjo
e Prof. Kol Prelës!?... Aspak çudi!...
E, pra, qé! Me fakte vritën profesorë, filozofë,
avoketën, antifashistë, atdhetarë, klerikë,
njerëz të thjeshtë, të pastrehë, vritën
e vritën pikërisht ata, që me trutë e tyne tue
dashtë me i shërbye Atdheut, stërklatën murin
e vorrëve të Rëmajit, më 4-mars-1946, sëpse,
guxuan e thanë:"Komunistët kanë vorrue Shtetin
në gropën e gjakderdhjeve, të grindjeve, të
përqarjës, të ngatrresave, të plaçkitjës,
të vëllavrasjës dhe spijunlleqëve!..."
Kishte kohë që e kishte thanë At Gjon Shllaku:
"Tjetër kund njerzit e idealit në se i mbysin për
së gjalli, i nderojnë për së vdekuni. Ndër
né, ata mbyten dy herë... edhe harrohën!"
.
DERA QË PO HAPET ..
"..Si mbas parimit komunist:
Sytë që kanë pa duhën verbue; e, duhën
shurdhue veshët që kanë ndigjue, e, pré gjuhët
që mund të flasin, e, shkurtue krenat që mendojnë!"
Engjulli i birucave
Shumë vjetë ma parë më çonte nana tek
një rrugicë qorre në Gjuhadol, që thirrej rruga
e Murgeshave këtu në Shkodër, jo larg prej shtëpisë
seme. Aty ishte kuvendi i Motrave Stigmatine, shkolla e tyne e Kisha.
Kjo Kishë e vogël ishte shumë joshëse, gjithmonë
mbushej plot! Në Elterin kryesor kishte një bazoreliev
të bukur të Shën Bonaventurës (Shna Bafti),
që ishte edhe Pajtori i këtij Urdhni. Flitëj se ishte
vepër e fratel Salës. Para Kishës ishte kuvendi.
Ecësha në heshtje vetëm e me krye ulët. Kur
afrohesha tek rrugica, kontrollojshe me sy gjithkah apo më
sheh kush, mandej, me dorën e vogël temen, mbasi atëherë
isha gjashtë vjeç, trokitshe tek dera e madhe me hark.
Dera kishte një vrimë të rrumbullakët me një
teneqe me bira prej ku shihej nga mbrendë se kush troket. Shpesh
trokitshe me një gur të vogël, mbasi nuk mërrijshe
tek rezja e derës. Motrat ishin mësue me dorën teme,
hapshin derën me një buzqëshje të ambël,
më futnin në korridor, më lëmonin kokën
e më thonin: "Prit, po ta thërrasim hallën!".
Gati çdo ditë shkojshe me pyet hallën Gjyzepinë,
si jeni?... Atë përgjigje unë nuk duhej me ia tregue
askujt... sigurisht, aty diçka mëshefej! Edhe sot ato
motra që kanë mbetë, kur më shohin të thinjun
mashumë prej kohës se sa prej moshës, më thonë:
"Ai Fritzi i vogël je ti?", unë me mburrje u
përgjigjem: po, po. Sigurisht me njëfarë krenarije,
sëpse parulla që më jepej mbeti gjithmonë sekret.
Kurrë nuk ia kam tregue njeriu të gjallë..."jemi
mirë"..., ose "kanë kapë mbramë edhe
një prift", "nuk na kanë thanë gja";
por, ajo që pritej e që shumë shpejt ndodhi ishte:
"Mund të vij shpejt, se po na nxjerrin jashtë...".
Ashtu ndodhi, halla erdhi shumë shpejt me lot në sy e
veshun me zhgunin e saj që e bajti me nderë deri në
vdekje, ashtusi të gjitha motrat e të gjitha kuvendëve
të Shqipnisë, që nuk u kthyen kurrma aty. Kuptohet,
u duheshin komunistëve. Duheshin prishë çerdhët
e edukimit të rinisë, prandej ishte mbyllë edhe shkolla.
Kështu u veprue edhe me Motrat Servite... madje, aty u vendos
qendra e Sigurimit të Shtetit, prej ku drejtohej spijunazhi
komunist që ka vazhdue deri tashti.
U shpërndanë të shkretat pa asgja mbas shpirtit,
me përjashtim të rruzarëve që mujtën me
futë ndër xhepa, të Kryqit që bajtën gjithë
jetën, të ndonjë figurje në parzëm, së
cilës ishin kushtue dhe ia mbajtën gjithmonë premtimin:
"Zojën e Shkodrës", ose "Zojën e Papërlyeme".
Ndër mangë kishin ndonjë shami hundësh, ndërsa
në dorë një shami me ndrresat përsonale. Ushtarët
e Mbrojtjës ua kishin kontrollue plaçkat dhe mbas kontrollit
i kishin nxjerrë jashtë me fjalorin e tyne komunist.
Morën rrugët, kush tek motra, kush tek vëllai, kush
tek nipi, kush tek mbesa, kush në fshat e kush në malësi,
u shpërndan të shkretat, për një kafshatë
bukë të thatë, ashtu si e kishte edhe dera së
cilës ia mësynë. Kudo ku i shkeli kamba atij praku
ia kanë shpërblye atë pritje që i zoti i shtëpisë
me zemër, u tha: "Eja... mirëse të ka pru Zoti,
një kafshatë bukë si ta kemi, do ta ndajmë bashkë!...".
Kudo gjetën strehë. Në çdo shtëpi ku
ranë kishte të paktën një fidan, që ato
kishin rritë e edukue në fidanishtën e mrekullueshme
të tyne. Shkollat e motrave ishin të hapuna katër
kapakësh për vajzat e të gjitha besimeve. Aty vinin
nga çdo krahinë e Shqipnisë. Të gjitha hynë
në punë me fitue jetesën. Disa qëndisnin, ndonjena
mbante fëmijët e të afërmve, dikush shkonte
me la rroba, dikush punonte në bujqësi, në malësi
kujdesej për bagëtitë, pra, secila do të mundohej
e lodhej shumë vetëm e vetëm pse kishte veshë
zhgunin dhe i ishte kushtue Kryqit!
Motër Luigja mue më mësoi bukurshkrim. Unë këtë
nuk duhët t'ia tregoja as mësuesës, as shokëve,
mbasi atëherë përdorej në shkolla shkrimi skript.
Nuk duhët të bija në sy për shkrimin e bukur,
mbasi çdo gja e bukur ishte në kundërshtim me mësimet
komuniste që përhapte shkolla e re.
Një ndër arsyet që komunistët hapën shkolla
në çdo skaj të vendit, ka kenë pikërisht
kjo, me përhapë vetëm ideologjinë komuniste.
Me shkatrrue parimet e edukimit atdhetar dhe fetar. U ba një
rrugë e dy punë. Edhe u hapën këto çerdhe
të ideologjisë marksiste-leniniste dhe, në të
njajtën kohë komunistët morën shtëpijat
të gjithë tregtarëve për me i këthye në
lokale shkollore. Pasuninë që kishin ua shtetizuan dhe
paisën shtëpijat e tyne. Magazinat i boshatisën me
ndihmue Jugosllavinë dhe, mbasi i futën ndër biruca
iu morën edhe arin e argjëndin që nuk e mori vesh
askush nga iku. Që në ditët e para u fillue puna
me programet e diktueme nga jugosllavët dhe, u punue që
rinia me u marrakotë me internacionalizmin proletar dhe ateizmin
materialist. Asgja ma shumë se kjo edukatë nuk i ka shërbye,
siç, thonte Fishta, klyshve të Rusisë. Ky helm
ka hy në gjakun e të gjithë shqiptarëve, mbasi
po të vërehët sot rezultati, secili prej atyne që
ka mbarue këto shkolla as nuk don me dijtë ku bie Shqipnia,
tue fillue nga "unë".
Disa nga këto motra shkuan me punue në spital. Aty gjetën
kënaqësi se uniforma e spitalit në ballë kishte
"Kryqin e Kuq", madje, në kohën e Revolucionit
Kultural u patën ba përpjekje me e heqë, por kje
kërcënimi për përjashtim nga ajo organizatë
ndërkombëtare që mbeti në disa objekte. Edhe
sot kujtohën motrat Luçia, Kjara, Ludovika, Marta, Çeçilia,
Gjystina etj. Gjithmonë me buzë në gaz. Motër
Bernardina e Marta punonin vetëm sanitare; e kush mund të
harroje motër Juditën e Virgjinën për bamirësitë
e tyne? Cila merrte shpërblim për ndihmën që
jepte? - Askush nuk i ka shpërblye ndonjëherë këto
motra, përveç shpifjeve, përbuzjes, apo pushimeve
nga puna prej Xhyhere Mushanit me shoqët e saja partizane.
Aty punoi edhe halla, Motër Gjyzepina, që shpesh shërbente
edhe në spitalin e burgut. Për këtë të
burgosunit i kishin vu emnin e nderuem "Engjulli i birucave",
sëpse, kur shihnin fëtyrën e saj ata ishin të
sigurt se do të shëroheshin. Ajo nuk bante mrekulli, por
buzëqeshja e saj u ringjallte shpresën e jetës dhe
të lirisë. Gjithmonë u thonte: "Sot je ma mirë,
ço mendjen tek Zoti, se, Ai të jep shndetin por edhe
lirinë, mos u mërzitni, i gjalli e ka dermanin!".
Shumë prej tyne punonin ndër punët ma të ndyta,
ndër repartët ma të vështira, si Motër
Gjystina Çoba, që punonte gjithmonë natën
në kirurgji, e çfarë kirurgjie? Ajo punonte natën
vetëm mos me lanë spitalin asnjë çast pa një
MOTËR, vetëm me u ndodhë kurdoherë pranë
të sëmurëve në çastet e fundit të
jetës. Shumë herë ajo me shumë kujdes e sakrificë
ka thirrë natën ndonjë prift të "panjohtun",
për me ngushllue ndonjë të sëmurë të
dispruem, ose me i ba Shartët e Fundit të jetës.
Ato gjithmonë simbolizonin humanizmin, sepse katolikë
e myslimanë e dinin se ato kishin vetsakrifikue gjithë
jetën për Kryqin që kishin në ballë dhe
për atë që mbanin në parzëm. Ato mbetën
të paharrueme dhe u respektuan jo vetëm nga populli, por
edhe nga mjekët e ardhun nga të gjitha viset e vendit,
tue fillue nga doktorët: Karagjozi, Todi, Basria, Dhimitër
Lluka etj. Dr. Shiroka e Prela ishin ma shumë se vëllaznit
e tyne, mbasi motrat ishin të vetmët me të cilat
mujtën me komunikue nën za me ndonjë italishte nëpër
dhambë, në lidhje me gjendjen politike dhe a do të
vazhdonin gjatë "këta"?
Ato fluturuan nga gëzimi kur ndigjuan Papën Gjoni XXXIII
tue përshëndetë popullin shqiptar për herë
të parë në gjuhën shqipe: "Për shumë
mot Pashkët!"
Ishin të lumtuna kur në fundin e korridorit të spitalit,
silueta e ndonjë polici të mirë i thirrte: "Ec
shpejtë, se ka ardhë një i sëmurë rëndë!..."
Aty, ai podrum i dukej vendi ma i lumtun, mbasi ai ishte vendi me
ndihmue të ftofunit ndër çimentot e birucave ose
të zhytunit në ujë në pikën e dimnit, apo
të thyemit kockash e kafkash nga levat e hujtë e kriminelëve
të sjellun pandjenja. Aty ato u mjekonin plagët e kambëve
të djeguna nga pezhgvja e vlueme që u hidhnin hetuesit
për me i ba me folë. Kishte njerëz që trupin
e kishin të veshun me plagë që vetëm kullonin
qelb dhe shpesh i sillnin aty vetëm me vdekë. Ato i rikthenin
në jetë por, viktimat e shkreta pa u shërue mirë
i merrnin ndër shkalca plehu, mbasi nuk njihëj barela
ndër ato vende e i çonin me vazhdue prap torturën
deri në vdekje. Torturuesit kishin një ide: "Nuk
iu lejojmë me vdekë edhe pse doni ju, do të ju sjellim
prap në jetë, mbasi nuk ngopemi duke iu torturuar!..."
Ishin motrat ato që ia lagnin buzën e rreshkun me ujë,
ishin motrat ato që u rrinin tek koka tue u thanë uratë,
ishin motrat ato që i ngopnin me dromca buke, ishin motrat
ato që në vesh i përshpërisnin: "Qëndro
edhe pak se, nuk e kanë të gjatë..." e, kjo
e fundit ishte ma shumë se uji, buka e gjumi, me të cilat
nuk ngopeshin kurrë.
Tregonte i ndjeri Zef Nika: "Numuri i të vdekunve në
tortura as nuk ka me u dijtë kurrë. I vetmi burim mund
të jenë raportët e Ministrisë së Mbrendshme
që i janë dërgue Byrosë Politike të K.Q.
të P.P.Sh. Të gjithë toturoheshim njësoj, veç
ndryshonte zgjatja, sa mujte me durue viktima. Të gjithë
hetuesit kanë një difiçencë mendore, të
etëshëm për gjak...".
"Njeriu pa zemër asht një makinë pa pasion mendimi
që nuk ka as familje, as miq, as Atdhé; zemra përmban
bazën e mbrekullueshme e të pandame të zhvillimit
shpirtnor", thotë, A. I. Hercën.
Pikërisht për këtë, Motrat mbetën të
paharrueme, sëpse shumë të burgosun të masakruem
ato i shëruen me fjalën e ambël, dashtninë për
jetën dhe shpresën e lirisë.
Ato u plakën... dhe koha e bani të vetën. Edhe pse
të moshueme, të kërrusuna, të lodhuna nga puna,
mundi dhe pesha e randë e vitëve dërmuese, ato u
gjetën tek telat me gjemba, ndër dyert e burgjeve dhe
të kampëve me çue sado pak një ndihmë
që mujtën me mbledhë, tue trokitë ndër
dyert e këtij populli fukara për ata fatzezë që
nuk kishte mundësi me iu shkue kush, ose tek ata klerikë
që prej frike nuk i afrohej kush atij vendi të mnershëm.
Motrat u gjetën në Beden, Maliq, Tepelenë, Burrel,
Vlashuk, Tërbuf, Rinas, Levan- Fier, Gocë-Kavajë,
Rreps, Ballsh, Spaç, Vlonë, Sarandë, Urë-Vajgurore,
Qafëbari e anë e kand Shqipnisë, sëpse anë
e kand kishte vetëm kampe e burgje e nuk kishte asnjë
kamp e burg pa një klerik katolik deri në vitin 1989.
Ka fillue At Gegë Luma e At Dioniz Maka në janar 1945
e kanë mbyllë burgjët Don Mikel Koliqi, Don Simon
Jubani, Don Nikoll Mazrreku, At Zef Pëllumbi etj. në vitin
1989. Jam i sigurt se Motër Dava duhët t'i kenë njoftë
rrugët e gjithë Shqipnisë, mbasi edhe ajo deri në
vitin 1989, ka shkue në të gjitha burgjët e kampët
me strajcën e saj të arnueme. Ato prisnin në pishën
e diellit apo në shullanin e erës, kur po i mbushët
mendja një polici injorant me i thanë, "silli këtu
ato plaçka!", shpesh "merri me vehte se nuk pranohën,
mbasi nuk ka zënë mend...", ose ma shpesh se kurrë
përsëritej nga goja e tyne e ndytë: "Mos eja
më, se ka ngordhur....".
Kur Shkodra mbeti pa klerikë, Motër Luçi Koliqi
solli nga kampi Bagmin për Vojime dhe në mungesë
prifti, u autorizue me krye edhe shërbime të lejueshme
fetare.
Mbas "Revolucionit Kultural" vendi mbeti pothuej pa asnjë
klerik. Ishte e frigëshme për të gjithë me u
shkue prifti tek shtëpia. Klerikët u detyruen mos me shkue
as ndër të afërmit e tyne mbasi njerëzit rrezikonin
punën. Shumë nga fshatrat nuk kishin asnjë shërbim
fetar sado të vogël. Pushkatimi i Don Shtjefën Kurtit
për Pagëzimin që i bani një fëmije shtoi
edhe ma shumë frikën në popull. Prifti ishte e pamujtun
me qarkullue në qytet, jo ma ndër fshatra, shkuemja e
tij atje binte në sy përnjëherë. Ishin motrat
ato që shkonin ndër famullitë e mbetuna shkret, ku
priteshin me dashtni ndër sofrat tejèt të vorfnueme
të fshatarëve, mbasi Kishat e qelat as nuk diheshin ku
kanë kenë, shumica ishin rrafshue, një pjesë
ishin ndërtesat e kryesisë së koopërativës,
ose vatrat e antikulturës. Ato shkonin atje të unëshme,
të zbathuna dhe ma të vobegta se mund të mendohën,
se ishin të palëkundshme dhe të vëndosuna me
ruejt Fenë e ndezun ndër zemra, aty ku po fikej.
Shtëpia merrte dritë e fiset shtoheshin aty ku shkelte
kamba e motrave me Pagëzue fëmijë.
Në vitin 1974, halla ishte plot 74 vjeç. Kur Pagëzova
vajzën, ajo më tregoi këtë histori: E kishin
thirrë me shkue në fshatin Pllanë për me Pagëzue
tre fëmijë të një fisi. Rrugës, në
makinë, e kishte pyetë një burrë: "A je
motër Gjyzepina, ti?" - Po, unë jam, ishte përgjigjë
kjo. Ai prap e kishte pyetë: -"A kujtohesh, kush jam?".
Kjo nuk e kishte njohtë. Ai i kishte kujtue kësaj se ishte
ai djali i ri që e kishin pru tue vdekë prej hunit, nga
hetuesia e konviktit "Malet tona", tek spitali aty afër
dhe kishte vazhdue: "Kur erdhe ti tek dhoma ku isha unë,
t'u luta: Motër, më beko, se po vdes! Ti më the,
se - unë po lutëm në Fenë teme, se në Fenë
tande nuk di. Unë atëherë të thashë: -Motër,
ti lutu, se myslimanë e katolikë të gjithë bashkë
NJË ZOT BESOJMË! Ty t'u ba qejfi kur unë të
thashë ashtu dhe çove sytë kah qielli e the: -Zot
në doren tande këtë djalë, ndigjoje lutjen teme!
Dhe dole për dere. Mbas gati një ore që po u rrapatësha
në shtrat nga dhimbjet, erdhën dy ushtarë me ty,
më more dhe më fute në operacion, aty nga ora 11.00
e natës. Mbasi më doli narkoza u bana mirë dhe qe
tek jam sot gjallë. Të gjithëve u kam tregue sësi
ti u lute për mue dhe unë shpëtova."
Unë, tha halla, i ndërpreva fjalën dhe i thashë:
"Jo, jo, ishte lutja jote e fortë dhe besimi që ke
pasë në Zotin që të ka shpëtue, jo unë!"
Prof. Arshi Pipa thonte: "Unë i besoj efektit të
lutjës, kur lutja bahët me intensitet të fortë,
kur ajo nuk asht një përsëritje mekanike formulash,
kur jetohët prej njeriut.".
Po, sa volume mund të shkruhën për Motrat e tokës
shqiptare?
"I HUMBUNI." DON ALFONS TRACKI
"I humbun.", vetëm kaq shënohej ndër rregjistrat
e klerikëve që ishin mbrenda "perdës së
hekurt", e ndoshta, përgjithmonë mbetëj ashtu.
Nuk asht e meritueshme që shumë figura të ndrituna
të historisë sonë kombëtare të mbulohën
nga pluhuni i harresës. Jo ma pak përgjegjësi historike
dhe morale kemi edhe përpara veprës së misionareve
të fesë, të cilët në rininë e tyne,
me punë vetmohuese provuan me fakte se toka shqiptare për
ta ishte Atdheu i dytë i tyne. Kjo asht arësyeja kryesore
që më shtyn me u ndalue tek "i humbuni" Don
Alfons Tracki, i ardhun misionar nga Breslau.
Don Alfonsi ka lind nga prindët Jozef e Marta Tracki, në
vitin 1896 në Breslau. I ati ishte oficer i gardës mbretnore.
Don Alfonsi kishte edhe dy vëllazën të tjerë,
Hansin dhe Gjergjin, që u vranë në Luftën e
Dytë Botnore, ndërsa motra e tij Kordola, mbas vitit 1944
nuk dihet ku ka përfundue. Alfonsi i ri, pa mbushë 17
vjet, vjen ushtar në Shqipni me forcat Austro-Hungareze. Mbas
luftës vendos me qëndrue këtu, pikërisht, kur,
Breslau i kalon Polonisë. Në natyrën e tij dallohet
kjartë gërshetimi i karakterit të vendosun gjerman
me besimtarin katolik polak. Lé në një anë
armët e hekurta dhe rrokë armën ma të fuqishme
të njerzimit, tue u ba përjetësisht ushtar i Krishtit
në armatën shqiptare. Ai e admiroi këtë armatë
sepse asht pikërisht ai kler që një vit maparë,
bashkë me të gjithë atdhetarët shqiptarë,
kishte ngritë lart edhe njëherë flamurin e Gjergj
Kastriotit, tue i ba të ditun botës se shqiptarët
janë këtu. Edhe pse kishin kalue pesë shekuj robni
të dhunëshme fara e krishtënimit jo vetëm nuk
ishte shue, por kishte marrë aq hov, sa me shumë frikë
e thom, "drue se nuk përsëritet kurrma!...."
E, ku i kanë vorret? - Kurrkund!...
Imzot Mikel Koliqi më tregonte se veprimtaria e Trackit, ishte
baza e Veprimit Katolik në Shqipni. Krahas veprimtarive sportive
e zejtare, vendin kryesor e zente aktiviteti atdhetar. Vazhdon edhe
ai vetë Seminarin Papnuer të Jezuitve dhe i përfundon
studimet teologjike në Bosnje. Në vitin 1926 shugurohët
meshtar. Formon lidhje të ngushta miqësore me meshtarët
Kolec Prennushi, Pjetër Meshkalla, vëllaznit Gazulli,
të cilët simpatizojnë Lëvizjen e malësorëve
të Veriut kundër Zogut. Don Gjoni u var nga Zogu, ndërsa
Don Nikolli u dënue me katër vjet burg në Gjinokastër.
Për këtë lidhje edhe Tracki u nxuer jashtë nga
Shqipnia nëpërmjet të Musa Jukës, i cili nuk
e shihte me sy të mirë grumbullimin e rinisë shkodrane
rreth Trackit. Ndërhymja e Bajraktarit të Shkrelit, Vat
Marashi tek Zogu, e rikëthen Trackin në Shqipni, por me
kusht mos me qëndrue në Shkodër. Shkoi në qendrën
malarike të Velipojës sepse banohej nga malësorë
të ramë nga Alpet.
Zotnonte mirë gjuhën shqipe gja e cila bani me u hy në
zemër fshatarëve. Njohja e zakonëve të malësisë
e vëndoste në krye të vendit, mbasi shumë shpesh
malësorët kishin nevojë për mendimin e priftit,
ndër kuvendët e tyne. Merrej me pajtim gjaqësh dhe
ishte kudo ku lypej me u shmangë vëllavrasja. Kjo arsye
e shtyni shpesh me ndërhy edhe pranë organëve qeveritare
për me shpëtue ndonjë që binte në duert
e gjermanve. Po cili kje shpërblimi që mori prej nesh?
Në vitin 1944 Hausdingu i shpjegoi Trackit, se në Shqipni
ka shumë ngatrresa të mbrendshme dhe se mundësia
e ardhjes në pushtet asht e komunistëve, mbasi ata i ndihmojnë
edhe anglezët, prandej eja me né, se do të kenë
edhe ndryshim sistemesh dhe ti do të konsiderohësh edhe
gjerman. Pavarësisht se ti i ke ndihmue shumë shqiptarët,
nuk ka me ta dijtë kush për nderë, pra, mos e rreziko
jetën me qëndrue këtu!
Tracki iu përgjigj: "Jo, nuk vi me ju, mbasi nuk kam ardhë
në Shqipni për qëllime politike, as ushtarake dhe
as si pushtues. Këtu unë kam Atdheun e dytë, Shqipninë,
të cilit i kam shërbye si meshtar dhe këtu due të
vdes si shqiptar!".
Ata ikën, ndërsa Tracki qëndroi këtu.
Për me evitue përpjekjet me partizanë në ditët
e para të 1945 ai shkoi në malësi tek priftnit Nikoll
Gazulli, Luigj Pici, Ndre Zadeja dhe se fundit tek Don Injac Gjoka.
Aty e njoftuen se kërkohet nga disa partizan, që në
Velipojë e kanë shpallë armik. Ato ditë edhe
Ndoc Jakova ikë nga ushtria mbasi fillojnë përshpëritjet
se Ndoci asht i lidhun me klerin katolik. Edhe Ndoci shkon tek Don
Injaci, ku takohet me Trackin, dhe të dy bashkë shkojnë
në Shpellë të Mëri Kokës në Stenë.
Po kalonte vitin me grupin e Gjergj Vatës, Martin Sheldisë,
Gjelosh Lulit, Mark Malës, Nikoll Prenk Dedës, Pjetër
Gjokës etj. Jeta e malit dihet. Tracki nga Breslau në
shpella të Veriut. E, pse? Për ata që njohin zonën
e Shllakut asht e kjartë vuejtja dhe sakrifica që ka ba
Tracki.
Zoji Themeli kryetar i Seksionit Mbrendshëm të Shkodrës,
më 31 dhetor 1945 njofton Drejtorinë e Mbrojtjës
së Popullit në Tiranë: "Ju njoftoj se përveç
Dom Alfons Trackit që gjindet në këtë qark,
nuk ka elementa fetarë me kombësi gjermane." (Dosja
1885).
Në mes të natës së 12-13 shkurtit 1946, kur
forcat e Ndjekjës nisën për në Dushman mbasi
ishte ba një vrasje atje, gabojnë rrugë. Koha e keqe
me shi kishte vështirësue kalimin. Prrojet kishin shpërthye.
Brigada merr drejtimin kah shtegu i shpellës, jashtë së
cilës atë natë bante roje Ndoc Jakova. Në shpellë
ndigjohen krizma armësh që u shuan shpejt. I pari i ndigjoi
Gjergj Vata, i cili i zgjoi shokët nga gjumi dhe po prisnin
sinjalin prej Ndocit, për me veprue. Nuk ndihej asgja. Mendojnë
pse Ndoci nuk po i ban me dijte, çka ndodhi!?... Vrojtojnë
me kujdes jashtë dhe vërejnë se aty afër ndigjohen
ecje këpucësh ushtarake, që ushtojnë pak prej
natës e pak prej gurve të kalldramit të rrugës.
Pregatitën me ça rrethimin nga një shteg që
nuk njihëj nga Ndjekja. I pari prinë Gjergji, mbasi dinte
shtigjet, të tjerët u nisën mbas tij. Don Alfonsi
nuk pranoi me marrë atë drejtim pa shkue deri tek vendi
ku ishte Ndoci. Gjergji ka kundërshtue tue parashikue pritën.
Don Alfonsi ishte i vendosun me shkue kah Ndoci, parandjente diçka
të keqe dhe u nis. Kur mërrinë tek vendi, gjenë
Ndocin e plagosun randë... ishte i lamë me gjak. Ndoci
e njeh... Don Alfonsi i jep të zgjidhun, e kungon dhe e vojon,
i çon kokën nga balta e pellgu i gjakut, e mbështetë
për parzëm, i ban Kryq dhe qëndron me té derisa
Ndoci jep Shpirt... Si një babë i mirë që shtërngon
fort djalin e vet.
Afrohën forcat e Ndjekjës. Don Alfonsi nuk lëvizë
nga vendi, madje, u thotë: "Afronju, mos kini frikë,
nuk kam armë, tashti ejani kur të doni se unë e kreva
detyrën teme!..." E lidhën dhe e sollën në
Seksionin e Mbrendshëm të Shkodrës. Aty ra në
duert e një krimineli fanatik, i pa ngopun me gjak klerikësh,
tek katili Fadil Kapisyzi që për pesë muej nuk la
gja pa ba në trupin e Trackit. Përpilohët, si gjithënjë,
një proçes fals, ku nuk mungojnë as shpifsit, as
trilluesit kundër misionarit të pafaj që kishte shpëtue
sa jetë të rinjësh nga duert e nazistëve si:
Çesk Kabashi, Zef Kol Preka, që me paturpësi e
akuzon Trackin, se i kishte kërkue 200 napolona me i shpëtue
djalin, apo një vagabond si Gjovalin Mazrreku, që e quan
"fashisti i poshtër Don Alfons Tracki". Debili Rustem
Sykja e akuzon për propagandë naziste etj. Shpërblimi
i veprës së misionarit të palodhun ndaj atyne të
rinjve që i kishte ndihmue pa dallim feje dhe, që ndodheshin
në sallën e kinemasë "Rozafat", ishin thirrjet
e tyne mizore: "Plumbin ballit ... kriminelët në
litar!..."
Tracki deklaron në gjyq (Dosja nr. 1885): "Për doktrinën
fashiste kishe me thanë se kjo ka gjetë njeriun, dhe njeriu
kokën. Sa për nazizmin, unë jam gjerman, por nuk
jam nacional-socialist. Nuk jam as nuk due me kenë, mbasi si
doktrinë asht e gabueme. Na kurrfarë ndihmet nuk i kemi
dhanë. Tham se fashizmi dhe nazizmi janë njilloj, e duhet
me kenë kundër... Unë me politikë nuk jam marrë,
pyetni ata që kam ndejë me ta. Prifti po të merret
me politikë sharron, prandej edhe kam ndejë larg... tek
Oberlajn dhe Dr. Hotnik nuk kam shkue, kishin zyre të tjera,
se merrëshin me hetime politike... Në rrethin "Veprimi
Katolik" flitej për fenë... Propagandë kundër
Bashkimit Sovjetik nuk kam ba, por si gjerman kam dashtë me
fitue Gjermania në luftë kundër Rusisë... Kam
kenë tek Hausdingu, por kjo nuk don me thanë se jam nazist.
Fillimi i luftës ka kenë i padrejtë...Për Gjrmaninë
naziste jam gëzue që ka mbarue. Nazizmi nuk asht potencë
që ka dalë nga populli, por me dhunë. Nuk e lente
kush fitorën e nazizmit, se ishte çue gjithë bota
kundër... Delegati Apostolik nuk ka shkue te Hausdingu, por
më ka çue mue për disa dezertor italian... për
pilotët, po, kam ndërhy dhe u asht falë jeta... Mos
me ndigjue me ba përkthime në Gestapo nuk e queja gja
të mirë, mbasi unë punoja në interes të
popullit shqiptar...Unë dola në mal se partizanët
nuk ishin ushtri e rregullt, vepron kushdo në kokën e
tij, të vrasin dhe të përsekutojnë... Me Ndoc
Jakovën kemi nda bukën dhe sende të tjera, që
na nepshin katundarët, por, edhe kemi ble... Partizanët
kur na kanë rrethue në luftë, unë jam diftue
ushtar! Nuk kam dijeni se Papa ka bekue armët..Unë këtu
kam kenë në atdheun tem."
Disa mendime politike të Trackit: "Krotnik më ka
thanë, se na po shkojmë, por ky popull asht në grindje
në mes të shoqi-shoqit e mund të fitojnë komunistat,
se i ndihmojnë anglezët. Për majorin Nil, ishte dy
ftyrash, ndryshej me Sali Myftine, e ndryshej me Nik Sokolin. Gjermanët
donin me lanë oficera në Dukagjin por në tetor ky
urdhën u prapsua. Zef Mirashi e Gjergj Vata më kanë
tregue se Muharrem Bajraktari asht Komandant i Përgjithshëm...
Anglia e Gjermania e luftojnë shoqi-shojnë për jetë
a për dekë e në Shqipni, të thuesh bashkë-veprojnë.
Këto të pohueme janë fakte, por si spjegohën?
- Unë nuk dij me dhanë përgjigje. Por, një fakt
asht, se, që Anglia si e ka pasë ma përpara edhe
tash don me pasë konceptin e sundimit. Sundimin e Evropës
e don! Historia e vërteton se ekujlibrin ndërmjet shtetëve
të Evropës don ekskluzivisht me e rregullue Anglia. Shembujt
janë: (Holanda, Spanja, Franca - lufta e njiqindvjetve, Lufta
e I-rë dhe e II-të Botnore), e tash? - Mue më duket
se në hesapë të vet Anglia nuk ka shti një Rusi
të evolucionarizueme e, prandej, tash mbas Luftës së
II-të Botnore, nuk i del besoj hesapi si ka mendue e dashtë.
Shtetet e ndryshme të Evropës edhe të vogla tue përdorë
të drejtat e veta të fitueme me gjak nuk po këcejnë
ma simbas vishkëllimit e taktit të Anglisë, e nuk
po pvesin atë për trajtimin e qeverimit të vet, me
një fjalë, i kanë dalë dorët Anglisë.
Rregullimi i Evropës nuk asht ma në dorën e saj si
dikur.
Ardhjën e Gjermanisë në Shqipni nuk mund ta konsideroj,
as mirë as keq mbasi jam gjerman, por mbas principit tem -
lum i forti -, por, edhe kjo, prap asht ide e gabueme! Ndoshta për
problemet kombëtare të Shqipnisë, gjermanët
kanë punue mirë, mbasi Kosova me tokat tjera që i
përkasin truellit shqiptar, e ja kanë marrë, kam
frikë se nuk i kthehën ma.
Populli më ka pyet: "A të shkruhemi fashista?"
- Unë i kam thanë se edhe po të shkruheni nuk asht
ndonje dam, se merrni harxh, por nuk i kam thanë, se po mos
të jesh fashist - nuk je katolik, për milici i kam thanë
mos u shkrueni! (dorëshkrim i Trackit, fq. 9,10.).
Kam kenë në Meshkallë (Shllak) më 31 dhetor
1945, dhe jam nisë te Don Injac Gjoka në Mazrrek, ku kam
pritë anmisti prej Don Luigj Picit e Luigj Mjedës. Më
12 janar kam shkue në shpellë tek Gjergj Vata e Nik Sokoli.
Më 13 shkurt 1946, më kapën partizanët."
Me datën 17 korrik 1946, ora 17.00 Trupi Gjykues i përbamë
nga: Kryetari Mustafa Iljazi, antarë, Zyhdi Shehu e Anastas
Koroveshi dhe prokuror Aranit Çela (akti nr. 249), vëndosi:
1. Llesh Marashi, me varje në litar. 2. Kol Ashiku, 3. Nikoll
Preng Dedaj dhe 4. Don Alfons Tracki , dënohën me vdekje,
me pushkatim.
Me datën 17 korrik, pra, atë natë bahët kërkesa
për falje jete nga avoketnit e secilit të dënuem
me vdekje.
Më datën 18 korrik 1946, bahet shqyrtimi i akteve në
Gjykatën e Lartë në Tiranë, nga: Krytari, major
Frederik Nosi, antarë kap.Veladin Zejneli dhe kap. Nexhat Hyseni,
prokuror Nevzat Haznedari dhe vëndosi:..
Me datën 18 korrik 1946 njoftohët Drejtoria e Sigurimit
të Shtetit në Tiranë, me shkresën nr. 902/7
se: "...në bazë të vendimit të dhënë
me datën 17 korrik 1946, u ekzekutuan kriminelët :
Llesh Marashi, Kol Ashiku, Nikoll Preng Dedaj dhe Don Alfons Tracki.
I pari në litar. Dënimi i tyre në përgjithësi
është konsideruar me vend nga i gjithë opinjoni.
Vetëm për priftin Don Alfons Tracki, propaganda e klerit
bëri që të kishte më tepër diskutime, kështu
që u fol se si Don Alfonsi nuk e meritonte dënimin me
vdekje, mbasi s'ishte kriminel, por u dënua si klerikal. Në
anën katolike është ndjerë dhëmshuri për
këtë.
Shef i Seksionit Shkodër(Zoji Themeli) d.v.
Ekzekutimi u krye në orën 5.00 të datës 18 korrik...
po kërkesat e të dënuemve kur janë shqyrtue
nga Gjykata e Naltë dhe Kuvendi Popullor?
Pse në shkresën e Zoji Themelit nuk asht emni i të
ndjerit Kel Abati, që u pushkatue me këtë grup pa
pasë asnjë lidhje me ta?
Pse asnjëherë nuk doli në dritë vrasja misterioze
e Kel Abatit, mos edhe ky ishte "kriminel"? A duhët
besue se me të vërtetë Kel Abatit iu fal jeta mbas
ekzekutimit?
Ndoshta ma vonë e drejta do të dalin, por kam frikë
se jo!
Vrasësit gjithmonë punojnë me mbulue krimet e veta,
mjeti ma i mirë i tyne asht harresa!
"Tracki ishte modeli ma i përkryem i meshtarit Katolik",
shkruen At Konrrad Gjolaj O.F.M.
PËR NJË SHQIPNI TË ARDHSHME .
"Duhët të kërkojmë bashkimin e Kosovës
me një Shqipni të ardhshme, e, jo me të sotmen!"
Maria Shllaku
Shkodra nuk i harron kurrë ata që vdesin për Fé,
Atdhé e Përparim!
Neroni që pat djegë Romën, po të shihte çka
bahëj në Shqipni mbas vitit 1944, me zili do të thonte:
"Shqiptarë, ma keni kalue edhe mue!..."
Në nandorin e 1944, na dukëj se vazhdonin me u shkrepë
armët e fitorës, kujtonim se mbaroi lufta, por, po përsërisë,
kishte fillue një tjetër luftë që për né
shqiptarët asht kenë ma e përgjakshme, ma shfarosëse
dhe ma shkatrruese, se Lufta e Dytë Botnore.
Ishte lufta vëllavrasëse 50 vjeçare e "fitorës"
së komunizmit.
Kur pritej çlirimi nga okupatorët dhe dalja e Shqipnisë
në dritën e demokracisë së vërtetë,
forcat nacionaliste e përparimtare morën malet, tue mbetë
vendi nën thundrën gjakatare komuniste.
Shqipnia u la nën kujdesin e Titos, me mbikqyrjen nga Bashkimi
i "lavdishëm" Sovjetik, ku të drejtat dhe liritë
e njeriut për "vetvëndosje", "mbroheshin"
nga Stalini i "Madh".
Në "Demokracitë Popullore" mbizotnonte frika,
terrori, pushkatimet pa gjyqe e me gjyqe, internimet dhe propaganda
komuniste: "Shpif e shpif... se diçka mbetë!"
Burrnisë e besës, ndër shumë votra ia zuni vendin
trathtia. Jemi në atë kohë të historisë
kur Tivari e Ulqini laheshin me gjak kosovarësh të premë
në besë. Ishin sjellë si karvan mbi 12000 vetë,
burra të çarmatosun, gjoja me u organizue në Shqipni
për me çlirue Kosovën dhe, kur mërrijtën
në Tivar nuk ishin as 2000 vetë. Të gjithë u
zhdukën rrugës gjoja si dëzertor. Ata që mbetën
gjallë tue kujtue se vrasjet i ban Tito, filluen me ikë,
tue kalue Bunën në pikën e dimnit, me mendimin me
shpëtue kokat në tokën nanë. Pa dijtë ku
vunë kambën, ranë në kurthën e komunistëve
shqiptarë që ishin veglat ma besnike të "druzhe"
Titos. Ikën nga shiu dhe ranë në breshën.
Tue lexue librin "50 vjet kujtime" të Z. Lekë
Harapit, në faqën 108, Dan Hasani tregon: "Riza Dani
(aso kohë Kryetari i Komitetit të Shkodrës), i kërkon
mendim dr. Omer Nishanit, si President për me shpëtue
ata kosovarë që kanë kalue në tokat tona, tue
i angazhue me partizanët që shëtisnin nga një
katund në tjetrin si "çlirimtarë". Dr.
Omer Nishani, mbasi konsultohët me Enver Hoxhën dhe Koçi
Xoxen, i përgjigjet: - Ata janë të gjithë kriminela
dhe duhët t'ia kthejmë sa ma parë Jugosllavisë
që të mos na zemrohet Tito". Këto ishin fjalët
e Presidentit dr. Omer Nishanit që u dekorue në vitin
1993 nga Tirana "demokratike".
Si mendoni ju, të lëshonin karrigat e tyne udhëheqësit
tonë për hirë të disa mijra kosovarëve?
Këtë, nuk besoj se e kërkonin as kosovarët,
për derisa shumë nga bijtë e atyne kosovarëve
që ushqyen ushujzat e kënetave të Velipojës,
për vite me radhë në dhomat e tyne në Kosovë,
mbanin fotografinë e terroristit Enver Hoxha. Një mëkat
që nuk rrëfehet as në ditën e vdekjes!
Asgja nuk ishte e papritun, madje, ishte vazhdim i asaj vepre të
fillueme nga serbët me At Paliq e Gjeçovin, me At Lorenc
Mitroviq e Leonard Targaj, asht krimi i shëmtuem mbi fratel
Gjon Pantalinë e pavdekshëm, asht dëshmia e shfarosjës
ndër burgjet komuniste e At Pal Dodës, asht krimi i pashoq
i bamë mbi Don Shtjefën Kurtin, që, "për
një Pagëzim fëmije" u ba masakra ma e madhe
që njeh historia moderne e, që, do të shtrihet në
trojet shqiptare; pra, asht "komunizmi".
Vetëm ndër Alpe kishte ndonjë çerdhe shqipesh
ku kishin zanë vend bijtë e saj.
Krahas atyne trimave që nuk duronin dhunën komuniste në
të dy anët e asaj ndarje të turpshme të 1913,
që thirret kufi, dy vajza shkodrane luftojnë për
liri. Ndër rrethina të Shkodrës asht Maria Zojzi,
e ndër malët e Kosovës asht Maria Shllaku. Historia
përsëritet, ndër ato male asht edhe sot gjaku i plagve
të Norës Ded Gjo'Lulit, e prap ma ndejë vazhdon me
vlue gjaku i Shote Galicës e Maria Tucit me shoqe. Prandej
toka shqiptare asht thirrë e paprekshme nga armiqtë shekullor.
"Unë, MARIA SHLLAKU, e lindun më 22 tetor 1922, në
Shkodër, jam bija e Mark Simon Shllakut dhe e Dila Shllakut.
Jam shqiptare, me nënshtetësi shqiptare, e pamartueme,
studenteshë e filozofisë në Romë, flas dhe shkruaj
shqip, latinisht, italisht, frengjisht, gjermanisht, greqishtën
e vjetër dhe pak serbisht....." Kështu fillon deklarata
për biografinë e bame në hetuesi të Prizrenit.
Vetëm njohja e disa gjuhve tregon horizontin e kulturës
së saj!
Fillon hetimet me spijunin serb Nazmi Kursani dhe i vazhdon me Mazllom
Nimanin dhe Misho Popoviq, nga data 19 dhetor 1945 e deri nga mesi
i qershorit 1946.
Muhamet Vokshi në librin "Shqipëria e Marije Shllakut",
me autorë Ramiz Kelmendin dhe Viktor Gashin, botue në
Pejë në 1995, libër i cili më ka dhanë
shtysën me dijtë për rezistencën që asht
ba në trojet shqiptare të Kosovës kundër komunizmit,
ka një përshkrim të bukur të portretit të
kësaj luftare trimneshë: "...Edhe pse e zbetë
dhe e dërmuar nga shumë plagë, ajo kish një
fytyrë shumë të këndshme, kish flokë të
gjatë, të lëshuar, një hundë të mprehtë,
me buzë e faqe të skuqura. Ishte inteligjente, impresive,
e bindshme." (fq. 90).
Maria në vitin 1943 shkon me punë në Kosovë
si arkëtare në një degë finance. Në fund
të vitit 1944, kur komunistët marrin pushtetin pak ditë
para 9 nandorit, ajo merr malët me luftue për liri. Qëndroi
disa ditë në shtëpi të Zefit të Fanës,
në fshatin Polec, i cili ma vonë aty nga gjysa e dhetorit
1944 për arsye të mungesës së sigurisë,
e përcolli tek shtëpia e Dan Pjetrit (Berisha), në
Dobërdol. Aty u mirprit nga gjithë rrethi i Danit, Pjetri,
Pjetri i axhës Tomë, Martini etj. Në gjysë të
qershorit të vitit 1945, forcat e OZN-ës, rrethojnë
kullën e Dan Pjetrit dhe Maria e shoqnueme nga njerëzit
e Danit, Martin Pjetri e Pjetër Toma mundën me ça
rrëthimin e të gjithë bashkë dalin në mal.
Më 3 gusht 1945, në Dobërdol, në vendin e thirrun
Lluga e Madhe e Dan Pjetrit, u mblodhën mbi 200 luftarë
në Kuvendin e Dobërdolit. Alush Smajli i Llazicës
i bante roje Flamurit me shqiponjën dykrenare, që valvitej
mbi kokat e luftarëve të lirisë. Kuvendi kryesohej
nga burri i njoftun Prof. Ymer Berisha, ndërsa, proçes-verbali
mbahej nga luftaria e vetme Maria Shllaku.
Më 12 shtator 1945, forcat partizane mërrijnë me
ra ndër gjurmët e luftarëve dhe mbas një përpjekje
të fortë e të rrebtë, ku Maria u dallue për
trimninë e saj, çanë rrëthimin me vështirsi,
mbasi kishte marrë shumë plagë, por, edhe kishte
humbë njeriun besnik Pjetër Tomën, i cili iu gjet
kudo ku rreziku i jetës për Marijen kje i madh. Kur hyni
ndër fushat e misrit të fshatit Açarevë nuk
mujti me vazhdue rrugën nga hemoragjia e madhe, prej plagve
që kishte marrë. Nga mungesa e mjekimit humbi ndjenjat.
Njëfarë Rexhep Selimi, spiju serb ia dorzoi OZN-ës.
Në dhetorin e 1945, në Prizren u formue Komiteti i NDSH
(Nacional Demokratike Shqiptare), për Kosovën me kryetar
Hajdar Pllaneja, prof. në Gjimnazin e Prizrenit, mik i Mit-hat
Frashërit, Kol Parubit, Gjergj Martinit, Muhamet Vokshit etj.
Marsel Vuçaj vepronte në Pejë. Kjo organizatë
ka një veprimtari shumë të gjanë mbasi ishte
e organizueme mirë, por për fatin e keq të trojëve
shqiptare që nuk u ndihmuan nga asnjë fuqi e jashtme,
përfundoi me humbjen e bijve të saj, që shumica u
vranë në luftë për liri ndër male. Disa
nga këta u arrestuan dhe kështu filloi proçesi
në të cilin pa diskutim përfshihej edhe Maria Shllaku,
edhe pse nuk ishte kur u krijue Komiteti.
"Gjyqi i Popullit" filloi më 29 qershor 1946 dhe
vazhdoi deri me 11 korrik 1946, në Prizren. Trupi gjykues përbahej
nga: Kryetari i gjyqit të Qarkut Dragutin Janjiqin, antarë:
Ismet Mula dhe Selajdin Ahmeti, prokuror Ali Shukriu dhe sekretar
Branisllav Kijariq. Mbrojtës i të akuzuemve Bozhidar Zyleviq,
si ndihmës sekretar, ndërsa i vetmi avokat ishte rusi
Vlladimir Znamenski, nga Gjakova. Në bankën e të
akuzuemve ndodhëshin 27 "anëtarë të Organizatës"
NDSH- Nacional Demokratike Shqiptare: MARIA SHLLAKU, AT BERNARD
LLUPI, KOL PARUBI, GJERGJ MARTINI, MARSEL VUÇAJ, ISA CAVOLLI,
MASAR BEGOLLI, HAMZA BEGOLLI, JUSUF HAXHIYMERI, MUHAMET VOKSHI,
VIKTOR GASHI, FRANO CIVLAKU, JAK KRASNIQI, OSMAN BASHA, SKËNDER
RIZAJ, ENGJËLL BERISHA, SHEFQET KELMENDI, RAMIZ KELMENDI, KAMBER
PAJAZITI, SEBË MATEJA, JAK SHAHINI, GITA MJEDA, LUÇIJE
LEKA, SEBË KOLA, MIFTAR BALA, BINAK DEMA dhe GJERGJ DEDA.
Nga këta persona unë kam njohtë përsonalisht
Zotni Shefqet Kelmendin, i cili arratisët nga Kosova dhe arrestohët
prap nga Sigurimi i Enver Hoxhës, në Shqipni. Mbasi doli
nga burgu rreth vitit 1990, kam pasë fatin me bashkpunue me
të, në lidhje me "Katër Martirët Shkodranë"
në vitin 1996, në kumtesën e mbajtun në Teatrin
"Migjeni" në Shkodër, për 50 vjetorin e
pushkatimit të Maria Shllakut. Me këtë rasë
njohta dhe autorët e librit Z. Kelmendin dhe Gashin në
Shkodër.
Edhe sot mbas 50 vjetësh kujtonin me respekt heroinën
e palëkundun para gjyqit serb.
Maria në seancën e parë të gjyqit mohon proçesin
e hetuesisë, mbasi kur asht ba ai, asht rrah dhe torturue.
Të vërteta ajo quen vetëm deklarimet para gjyqit.
Ajo pranon se dishronte një Shqipni të lirë e demokratike:
"Deri në vitin 1944 kam kenë për Lëvizjen
N. Çl., mirpo kur erdhën partizanët në 1944
me flamurin e tyne që kishte drapnin me çekan, u bana
kundër tyne.". Kur pyetët nga Kryetari i gjyqit se
a ka kenë për Shqipninë e Enver Hoxhës, ajo
përgjigjet: "Unë nuk dij çka don Enver Hoxha,
po na duam që Kosova t'i bashkohët Shqipnisë. Unë
nuk jam për Shqipninë e Enver Hoxhës. Unë jam
kundër gjermanëve, por, dua që Kosova t'u takojë
shqiptarëve të Shqipnisë së vjetër... ne
kemi luftue kundër partizanëve, që t'i rrëzojmë
nga pushteti. ...Unë kam kenë antifashiste e përbetueme,
i tillë ka kenë edhe Luan Gashi.... Propaganda e jonë
në popull ka kenë që populli të qëndrojnë
si burrat dhe të kërkojnë bashkimin e Kosovës
me një Shqipni të ardhshme e, jo, me të sotmen!"
Maria flet me respekt për Prof. Ymer Berishën, i cili
kishte lind në Gjurgjevik të Madh të Klinës
në vitin 1912, kishte krye Normalën e Elbasanit. Kishte
vazhdue studimet për Shkenca Natyrore në Romë e,
mandej edhe Akademinë Ushtarake po aty. Kishte punue si mësues
në Krujë, Kukës, Peshkopi, Lushnje, Berat dhe me
hapjen e shkollave shqipe në Kosovë, në vitin 1941,
kishte shkue profesor i Gjimnazit dhe i Normalës "Sami
Frashëri" në Prishtinë. Në vitin 1944 kishte
dalë në mal me atdhetarët tjerë me luftue kundër
pushtuesvë të rinjë. Asht njoftë si ideolog
i platformës politike për mbrojtjën e kufijve Etnike
të trojeve shqiptare të Kosovës dhe bashkimin e saj
me Shqipninë. Ka formue Organizatën atdhetare shqiptare
"Besa Kombëtare". Ka luftue kundër forcave komuniste
serbe në Kosovë. Asht vra burrnisht në korrik të
vitit 1946, në malët e Hereçit të Gjakovës.
AT BERNARD LLUPI O.F.M.
Ka lé në Shkodër me 7 shkurt 1886, prej prindve
Filip e Luçia Llupi. Asht pagëzue me emnin Mati, asht
vëllai i pestë i Cinit, Zefit, Ejllit e Franos. Vjen prej
një familjes së vjetër me tradita qytetare shkodrane.
Studimet i ka krye në Insbruk të Austrisë, ku mori
medalje nderi si student i shkëlqyeshëm. Shugurohët
meshtar në Romë, dhe shërben në Palç
(Mërturë), Hot, Grudë, Bizë të Durrsit,
Vlonë dhe Shkodër.
Kur Kuvendi Françeskan ndodhët keq ekonomikisht në
atë kohë lufte e zije për bukë, në vitin
1942 dërgohet në Pejë famullitar, mbasi njihej si
ekonomat i përkryem. Prej andej ban të mujtun mos shpërndamjen
e xhakojve në Shkodër, tue i dërgue vazhdimisht ushqime.
Për këtë ndihmë të madhë ekonomike
ban fjalë në procesin e tij edhe At Çiprian Nika,
rektori i Fretënve në Shkodër.
Asht bashkohës i Etënve Harapi, Doda, Prennushi, Cani
dhe mik i Don Nikoll Ashtës. Asht ndër misionarët
e njohtun që me dinjitet ka bajtë zhgunin e Sh'Françeskut.
Autoritar në fjalë dhe i palodhun në pajtime gjaqësh
e ngatrresash që kishin kapërthye malët tona. Edhe
pse në 1939 asht operue në Padova, ku ka heq një
eshkë, asnjëherë nuk i shmangët misionit të
tij, madje, shkon me qejfë malësh për me ndihmue
çështjen kombëtare dhe niset për Kosovë.
Atje ka shërbye në famullitë e Zllakuçanit,
Zym'të Hasit dhe Pejë. Ndihmon shqiptarët që
kanë marrë malët për liri nga fashizmi dhe komunizmi,
me ushqime dhe medikamente mjeksore. Mban afër Prof. Kol Parubin,
Marije Shllakun, Marsel Vuçën, Prof. Ymer Berishën
dhe të tjerë luftarë shqiptarë. Porositë
fshatarët "me e ruejtë dhe me e ndihmue këtë
vajzë atdhetare!". Theksova fjalët e ti ndër
thojza, mbasi me dashtni dhe burrni vlerson virtytet e femnës
shqiptare, ashtu si ma parë vëllaznit e tij, Norën
e Kelmendit. At Llupi asht "ATI I DYTË" i Marijes.
Maria tek Ati i saj i dytë sheh shpresën dhe të mirën,
tue i kërkue si vajza e tij: "Lutju Zotit për mue!"
Ai lutej për të gjithë shqiptarët pa dallim
feje. Kjo asht arsyja që të gjithë e donin dhe e
ndigjonin misionarin e përvujtë. Ai njihej si misionar
i Atdhetarizmit prandej qela e tij ishte vatra ku delnin shkëndijat
e lirisë. Shovenistët serb, shërbëtorët
e tyne komunistë dhe trathtarët e shitun të Atdheut
nuk e duronin zhgunin e Françeskanit në Pejë, prandej,
në marsin e 1946 e arrestojnë si një organizator
i "Katoliçeskaja Banda", organizatë që
nuk ka kenë kurrë. Krijuesi i këtyne bandave, organizatave,
grupeve terroriste, duerve të zeza, të futjes së
armëve ndër Kisha etj, asht një për të
gjithë Shqiptarët: Komunistët e shovenistët
jugosllavë me qendër Moskën.
Edhe para trupit gjykues At Llupi asht kryenaltë, trim dhe
i pathyeshëm ashtusi në tortura të mnershme që
i bahën në hetuesi. Nuk pranon asnjë akuzë.
Nuk i trembet vdekjes fare, aq sa edhe tallet me prokurorin Ali
Shukriu, gjatë procesit gjyqsor kur ai e pyet, se ç'ke
menduar kur ke thënë: "Ishalla e pështon Zoti
Kosovën!"? - At Llupi përgjigjet: "Kam mendue
që të shpëtojë nga sëmundjet dhe hallet
e ndryshme!" Kur prokurori e pyet se a i ke dërgue djath
në mal, At Llupi nuk i përgjigjet, mbasi nuk kam ardhë
këtu për djath. Kur pyetët Maria, edhe ajo përsëritë:
"Nuk përgjigjem, nuk kemi ardhë për djath këtu!".
Kur flitët për njerzit e vramë ndër male, At
Llupi thotë: "Ata kanë vdekë si trima, si burrat,
prandej, duhët të jenë shembull për né
të gjithë!".
Z. Muhamet Vokshi shkruen për At Llupin: "...Fliste anglisht,
italisht, gjermanisht, spanjisht, serbisht, latinisht. Ishte komunikativ,
modest, shakaxhi. Fishtën e adhuronte... Italianët nuk
i donte aspak... i quante "bretkocarë"... e ka dashur
vendin dhe popullin e vet pa urrejtur kurrkend tjetër.
E deshti dhe dha jetën për Shqipërinë brenda
kufijve të saj etnikë"
Fjala e fundit e At Llupit para pushkatimit ishte:
"Vdekja si kjo, vdekja për shqiptarizëm, asht kupë
e artë!"...
Mbas të shtimeve të automatikve At Llupi, kishte mbetë
në kambë edhe pse zhguni i panjollë ishte la me gjakun
e këtij martiri... Ai thirri edhe njëherë: "Rrnoftë
Shqipnia!", xhullinjtë iu afruen tue shti mbi tè,
derisa Frati 60 vjeçar u shtri mbi tokën shqiptare për
të cilën dha jetën.
PROF. KOL PARUBAJ:
Ka lé në Pentar të Dajçit të Bregut
të Bunës në Shkodër, më 5 dhetor 1905,
prej prindve Tomë e Tone Parubaj. Fshati dallohet për
banorët e tij me cilësi squtsie. Kola nuk asht indiferent
ndaj kësaj cilësie, prandej, mbasi kryen studimet e larta
vjen dhe hapë shkollën e Pentarit, ku jep kontribut fetar
e atdhetar. Paisë një klasë modeste me banka, libra
e fletore, tue ruejtë kontakte me misionarin Don Alfons Tracki
dhe priftën tjerë përparimtarë të asaj
zone. Asht i paisun me kulturë Përendimore dhe punon që
në fillim përveç mësimeve të shqipës,
katër blejt e parë të gjuhës italiane dhe njohuni
të para të frengjishtës. Asht dallue si njeri i paisun
me enfazi konferencieri. Në vitin 1939 tue mos gjetë mundësinë
e marrëveshjes me klerin e Shkodrës për me kalue
në rritin greko - latin, i këshilluem nga Tracki kalon
në tokat e Jugosllavisë, andej Bunës. Ndihmohët
nga Kuvendi i rrethit të Uzhicës e Bihaçit. Mbas
shumë "peripecishë", në vitin 1942 emnohet
profesor në Gjimnazin e Prishtinës e ma vonë në
Pejë. Gjatë kësaj kohe njihët me Riza Drinin
nga Shkodra, me At Llupin, tek i cili flenë një natë.
Mban lidhje miqësore me H. Pllanejën, Ymer Berishën,
Enver Sudin etj. me të cilët edhe punon dhe lufton për
çështjen e Kosovës së lirë.
Asht njeriu nga i cili hetuesia kërkon shumë, arrestohët
në mars të 1946, dhe me 21 të ati moji fillon hetimet
i akuzuem si "agjent i fashizmit", tue e dijtë mirë
se ishte antifashist. Ai ishte edhe antizogist, gja që e dëshmon
edhe ish nxanësi i tij Gjergj Laca. Përveç kujtimeve
të mira që ruen për mësuesin e parë ashtusi
Maksut Shehu në Kosovë etj. Gjergji edhe sot mban ndër
mend kangën: "Kur sorra bori skjepin", të cilën
ia ka mësue në shkollën fillore Prof. Kol Parubaj,
kangë e ndalueme nga regjimi i Zogut.
Ndaj veprimeve kriminale të komunistëve në Kosovë,
profesori mban qëndrim kundërshtar. Ai ban një përpjekje
për me formue një Komitet Qendror të Organizatës
Nacional Demokratike Shqiptare të Kosovës (NDSH), në
vitin 1945. Vetëm ky mendim i tij, pa krye asnjë vepër
e çon në pushkatim.
Lidhjet me Enver Sudin konsiderohën gjoja të rekomandueme
nga At Llupi. Parubaj nuk i pranon tue hjedhë poshtë të
gjitha akuzat në lidhje me Fratin. Lidhjet me Enver Sudin kërkohën
shumë në hetuesi, mbasi Enveri ishte pjestar i një
bërthame prej tre vetësh që kishin organizue vrasjën
e Milladin Popoviqit, të cilin e kishte vra Haki Taha. Kjo
lidhje për të cilën ngulë kambë edhe Marsel
Vuçaj se "asht kenë e vërtetë",
i jep dorë trupit gjykues, me marrë vendimin e pushkatimit
për Prof. Kol Parubaj, me gjithë mohimet dhe qëndrimin
burrnor të Kolës. Në fjalën e fundit thotë:
"Ma keni kujdes vajzën! Rrnoftë Shqipnia Etnike bashkë
me Kosovën!"
Maksut Shehu shkruen: "Ishte i butë!... Granit!"
Mësuesi GJERGJ MARTINI:
Gjergj Martini ka lé në Hot të Shkodrës, më
29 gusht 1917. Ka krye paragjimnazin në Shkodër në
Konviktin "Malet tona", ndërsa të mesmën
në Normalen e Elbasanit. Punoi mësues në Kukës
dhe në Shkodër. U martue me mësusen Zografe Harodhambi
nga Kavaja, e datëlindjes 1920. Ka pasë një vajzë
nga kjo martëse. Në vitin 1945, kur ishte Gjergji në
Gjakovë, i vdiq grueja tue i lanë vajzën e vogël
me ia rritë gjyshja. Nuk u shkëput asnjëherë
nga kjo vajzë, mbasi edhe me martesën e dytë që
bani me Linën e Simon Shkrelit, u mirkuptue. Ajo u kujdes për
vajzën jetime dhe nuk ia prishi zemrën Gjergjit deri në
fund. Edhe Lina ishte grue e kulturueme dhe njihët me Gjergjin
kur ishte mësuese në Gjakovë, ndërsa Gjergji
ishte drejtor i asaj shkolle.
Martesën me Linën e bani më 18 nandor 1945, dhe në
mars 1946 arrestohët. Jetoi me gruen e dytë vetëm
4 muaj.
Akuzohët edhe ky si të tjerët për bashkpunim
me Prof. Kol Parubin e At Llupin në Organizatën NDSH të
Kosovës. Merrët në pyetje vetëm pesë herë
dhe vehët në bankën e të akuzuemve, pa dijtë
pse asht aty si shumë të tjerë që ishin ndër
ato banka. Edhe Gjergji akuzohët nga Marsel Vuçaj njësoj
si Parubaj Dukët se akuzat që u ban shokve të vet
e lanë me 12 vjet burg, të cilat ndoshta, si shpërblim
çpifje nuk i ka krye në burg. Gjergji në veçansi
nuk ka akuzë mbasi "faji" i tij përfshihet ndër
akuzat e shokve. Kur flitët për Gjergjin, gjithnjë
thohët "janë fajtorë" ...dhe rreshtohët
me At Llupin e Kolën. Paknaqësia e Gjergjit shfaqët
vetëm kur asht fjala për nënshtetësinë
shqiptare që kishte dhe, nuk i epej e drejta e votës si
shqiptar.
Në faqën 132 autorët e librit shënojnë:
"Krimet" e tij, që u mbyllën me dënimin
më të rëndë, me vdekje, me pushkatim, konsistuan
vetëm në faktin se ishte shqiptar, se ishte patriot, se
ishte intelektual, dhe se ishte shkodranë (i Hotit) njësoj
si tre të parët - Maria, At Bernardi dhe Kola.
Do të ishte e tepërt me kërkue shkaqe të tjera
pse u pushkatuan këta atdhetarë.
Zonja Lina Martini shkruen në kujtimet e saja: "Gjergji
ishte njeri universal, kishte za të bukur, këndonim duet,
ishte shumë i çmuar dhe i respektuar. Unë tash
plot gjysëm shekulli, kujtoj ato ditë të pakta e
të bukra që jetova me té... I kam ruejtun këtu
me xhelozi, e besa edhe me frikë të madhe disa fotografi
që i kam prej tij dhe me té; unë dhe Gjergji ditën
e kunorzimit... Gjergjin me shokët e tij... me nxanës...
që i shikoj për ditë tash 50 vjet..."
Dr. Pajazit Nushi shënon: "....tue shkrue këta pak
rreshta kam në vedi përfytyrimin e një mësuesi
të rrallë, që përjetonte vuejtjet e të
tjerve si të tijat."
Me të drejtë Mësuesi Gjergj Martini u mësonte
nxanësve të vet kangën që ai e këndonte
me zanin e tij të bukur: "Po vjen prendimi dhe larg asht
dielli".... Si dukët, ia ndinte zemra largësinë
e dritës së diellit!...
Me datën 15 korrik 1946, trupi gjykues dha vëndimin për
27 vetë të "Katoliçeskaja Banda".
Ndërsa, më 15 nandor 1946 nga ky grup u pushkatuen:
MARIA SHLLAKU 24 vjeç,
AT BERNARD LLUPI 60 vjeç,
Prof. KOL PARUBAJ 40 vjeç,
GJERGJ MARTINI 29 vjeç.
Z.Viktor Gashi tregon:
Në mbrëmjen e 14 nandorit dikush përshpëriti
sikur kishte dëgjuar nga biseda mes dy rojeve se nesër
në mëngjes do të pushkatoheshin të dënuarit
me vdekje. U tronditëm shumë dhe vendosëm me i treguar
At Bernardit. I thamë në veçanti: Padër, nesër...
ndoshta... nuk e dijmë... por... Ai ndërpreu fjalën
dhe tha :- Shumë bukur që erdhi kjo ditë dhe mbas
pak sekondash iu drejtua Kolës, - Kolë, eja pak këtu!
Shkuan në qoshen e dhomës, At Llupi bashkoi dy duart,
ndërsa Kola u ulë në gjunjë. Kur Kola desh të
fliste diçka, At Llupi i tha: - Kolë, i dij gjynahët
tuaja por ban punën e pëndimit, se Zoti do t'i falin të
gjitha fajet mbasi ti po lanë me gjakun tand tokën që
të ka lindë, ti po shkon tek Zoti jo si mëkatar,
por si martir, ti je i zgjedhun prej Atit të Pushtetshëm,
me dhanë shembull si duhët me vdekë për të
mirën e popullit shqiptar dhe të Atdheut, që po e
lamë të robnuem, por shpejt Zoti dhashtë e u bashkoftë
edhe Kosova me Nanën Shqipni! Mbas tij shkoi edhe Gjergji.
Atë natë nuk fjeti njeri. Biseda mbahej nga At Bernardi,
të cilit edhe atë natë nuk i mungoi humori e gazi,
sikur të nesërmen po lirohej dhe jo...
Ishin orët e para të mëngjezit, kur u dëgjuan
çelsat e randë të dyerve. Mbretroi një heshtje
e përmortshme... Menjëherë e mori fjalën At
Bernard Llupi: - Ç'keni o burra që heshtët? Mos
u shtangni, se vdekja nuk na frikson. Kushdo që lind do të
vdes herët a vonë, aq sa ka thanë Zoti. Na po vdesim
ballhaptë dhe po shkojmë nga kjo botë të bindun
se me vdekjen tonë do ta ndihmojmë çlirimin e Kosovës
dhe bashkimin e saj me Atdheun Nanë, ....Shqiptari shkon në
vdekje si në darsëm, sëpse lufton dhe vdes për
popull, për liri, për jetë ma të lumtun!"
Sakaq u dëgjua zani i ambël i Gjergj Martinit: "Po
vdesim për Atdhe, burra, se Atdheu mbrohët me gjak. Kështu
me gjakun e shqiptarëve të ramë, krijohët Shqipnia.
Gjaku i derdhun s'ka sesi të mos japë fryt, tue mbjellë
atdhedashtni, mirësi, mirëkuptim, ai do të ngjallë
edhe ma tepër ndjenjat kombëtare":
U hap dera me rrëmbim: - Hajde, hajde, brze, majku vam vasu!-
briti roja.
At Bernard Llupi, pa iu trembur syri dhe pa u nervozuar fare iu
drejtua rojës: - Ndaluni pak, se due të përshëndetem
për herë të fundit me vëllaznit e mijë.
Në përqafim nuk muejta t'i mbaj lotët, mos u trego
i ligësht, - më tha, - të dijmë si xunxarë,
kështu me quanin në burg. U drejtua - Gjergj, Kolë,
ejani, të shkojmë krenarë, le ta shohin se nuk ia
kemi frigën plumbit! Duhët të jemi të lumtun
që po vdesim për idealet e kombit.
Atëherë Gjergji na u drejtua: "Lamtumirë, o
vëllazën! Tregoni botës mbarë se Kosova dhe
Shqipnia ka trima që japin jetën për vatan dhe nuk
ka anmik që na tremb!...
Shqiptari nuk përkulet kurrë !"...
Roja e shtyri, e ai thirri edhe ma më të madhe: "Rrnoftë
Shqipnia bashkë me Kosovën!"
Edhe Kol Parubaj me një za të shteruar, na tha: "Lamtumirë
vëllazën!... Ma keni kujdes vajzën... Rrnoftë
kombi shqiptar!... Rrnofshin shqiptarët!"
Zëri i tij treti dhe nuk u dëgjua më, sëpse
roja e shtyri me rrëmbim dhe pas tij u mbyll dera.
Të gjithë ne që ishim mbrenda mbetëm të
shtangur. Pas pak u ndigjua zëri i thekshëm i Maria Shllakut.
Të gjithë vrapuam kah dritaret që ta shikonim në
oborrin e burgut dhe pamë hijen e saj, meqë bënte
shumë terr.
Nuk pranonte të dilte nga dera e burgut pa përfunduar
këngën që bënte fjalë për Ymer Berishën,
dhe luftën për çlirimin e Kosovës. Fjalët
e këngës sot nuk më kujtohen, por, zëri i saj
ishte tamam pushkë dhe jehoi në tërë burgun.
At Bernard Llupi atëherë i tha me zë të lartë:
"Të lumtë, bylbyli i shqiptarizmës!
Le ta marrin vesht bota si shkon me vdekë femna shqiptare,
me kangë në gojë!"
Maria ia këtheu me za ma të fortë:
"RRNOFTË SHQIPNIA E MADHE!...
RRNOFTË BASHKIMI I SHQIPTARËVE!"
Me të drejtë Miss Durham shkruen:
"Zotnimet e hueja kanë kalue mbi kombin shqiptar, pa lanë
në té kurrfarë gjurmët, si ujë që
kalon mbi shpinën e rosës".
NATË SHËN KOLLI
"Kur të mbarojnë burrat, luftën do ta vazhdojnë
gratë"
Mark Kakarriqi
Vjenë, 1913
Shkodër, më 5 dhetor 1946. Nata e Shën' Kollit. Një
mbramje jo e zakonshme në këtë qytet të lashtë,
që gjithmonë ka përcjellë brez mbas brezit doket
e zakonet e të parëvet të vet. Edhe pse shumë
qytetarë janë largue në krahina të ndryshme
të vendit zakonet i ruejnë, ashtusi atë ditë
që festohën në Shkodër.
Atë natë të duket sikur qyteti asht prush ose ma
mirë me thanë, sikur toka asht ndezë flakë prej
dritave që depërtojnë jashtë dritarëve
e kafazlijeve karakteristike të qytetit. Rrugët janë
paqtue mjaft herët, mbasi secili e ka mendue diçka para
se me ra muzgu. Një gjel asht flijue edhe ndër shtëpitë
e pazarit të vjetër ndër kodrat përreth Kalasë,
sepse festa ka kohë që ka shkapërcye muret e nalta,
të veshuna me shermashek e lulevile, të shtëpive
katolike. Kjo festë kremtohet në të gjitha anët
ë qytetit. Dugajtë janë mbyllë njëherësh
tue urue njeni-tjetrin: "Për shumë mot!":
Në çdo votër asht vu buzmi, sigurisht jo ma i madhi,
mbasi ai ruhet për natën e Këshnellave, por secili
oxhak nxjerr tym simbas forcës se asaj natë, përzie
me erën e gjellëve, që amvisat pregatisin me mjeshtrinë
ma të madhe të grave të njoftuna në këtë
natë feste. Ajo që e ban ma të veçantë
këtë natë asht qiri që ndezet në çdo
shtëpi. Qiri i Shën'Kollit asht i pikturuem me lajle e
lule shumëngjyrëshe që vëndoset në krye
të vendit dhe ndezet nga i zoti i shtëpisë e, festa
fillon!
Fëmijët janë ma të gëzuemit që me
sytë e tyne vezullues kontrollojnë çdo qoshë
pa u rrëshqitë asgja. Aty kanë vargjët e fiqve
të thatë, arrat e lejthijat që aq shumë ua kande,
molla e fruta të stinës, dikund shihet edhe ndonjë
ftu e portogal. Gjyshet, prej kohësh ndër kanavetat e
tyne kanë ruejt për këtë natë të mbështjellun
në letra xhami, qyfterin e derdhun ndër format e bukura
të peshkut. Vena nuk i mungon as ma fukarasë. Ulen ndër
sofrat e shtrueme me sofrabezat e kuq, fillon urata prej ma të
moshuemve dhe mbas saj kanga e Shën'Kollit: "Vjen Shen'Kolli
prej Misirit...." Vazhdon zani ma i bukur i shoqnuem prej korit
të pjestarëve të familjes. Naltohet zani me u ndigjue
edhe prej komshive, mbasi asht kënaqesi kur të nesërmen
bisedohet prej grave se kujt i asht ndigjue zani ma larg. Prej sofrës
së fëmijve vjen lajmi, se kur do të vinë në
sofrën e tyne bukfikja e pitegjarpni, i bamë me arra e
rrush të thatë Selaniku.
Mbas vitit 1942, na e festonim festën tek daja Don Kolec mbasi
baba vdiq, atje na mblidhte gjyshja. Në vitin 1949 gjyshja
bani një bakllavë të madhe, se atëherë
doli edhe daja nga burgu. Kujtoj dajën me një pjatë
të madhe në dorë mbasi kishim ngranë bukë,
me buzë në gaz si gjithmonë, më vuni pjatën
përpara mue. Aty kishte gjashtë kallëpe të mëdhej
bakllave e më tha: "Kjo pjatë asht e ytja, ké
me hangër sa të mundesh!". Ai ishte Shën'Kolli
i fundit në shtëpinë tonë.
Mbas sofrës, fëmijët e marrakotun për pak kohë
vazhdonin laradashat në dhomën e fjetjes, ndër dyshekët
e shtruem përtokë. Gaz e hare në atë dhomë,
ndërsa në dhomën tjetër bisedohej: "Ku
e merr me pasë mendjën e tyne!". Ma plaku rrëmon
zjarmin e në plasat e trungut të lisit, me mashë
kërkon me ba xhixha e shkëndia që çohen përpjetë.
Krizmat e tyne i kujtojnë fishekzjarret që zbërthejnë
në naltësi. Sigurisht shenjë nervoziteti... Gratë
i heqin vërejtje: "Boll ma, mos e luej se bukuri tèk
asht!" Lodhja e ditës shoqnue me atë të pijes,
bajnë punën e vet e, kështu bie qetësia.
... Ndërsa, ndër sofra shkrepën gotat e vëndosuna
mbi sofrabezat e bukur, që sonte kanë sipër gjithë
të mirat, ndër mjaft shtëpi asht i treti Shën'Kollë
që gratë kanë hapë arkat e baulat e nusisë
dhe kanë hjedhë mbrendë, ndoshta, përgjithmonë
fustanet e bukura me lloj-lloj ngjyrash, se janë zëvendsue
me futat e zeza dhe degërmitë e bardha, ashtusi në
shtëpijat e Dedejakupëve, Kazazëve e sa të tjerave,
burrat e të cilave janë pushkatue. Janë mjaft në
Seksionin e Mbrendshëm tue u torturue e kushedi sa ndër
birucat e qelitë e këtij qyteti, ku çdo ditë
djelmët e sa nanave hidheshin si thasë prej dritaresh,
me u thye kokat dhe me u hapë rrashtat ndër kalldramët
e oborreve, ku ndihej vetëm era e shfarosjes së qytetnimit
shkodran e atij kombëtar evropian, nën parullën e
njohtun të komunistëve: "Borgjezëve e reaksionarëve,
plumbin ballit!".
Mbas mesnatës ndigjohen vetëm gjurmët e randa të
këpucve me thumba të disa patrullave, zhurmat e xhipsit
të Sigurimit të Ahmet Sujit e topolinos së Dulaç
Lekiqit që merreshin me arrestime. Punojnë vetëm
zyrat e hetuesisë, Seksioni i Mbrendshëm, ndonjë
zyrë e qarkorit të Partisë, që vazhdon në
ilegalitet tue shpërnda urdhnat e saj me spijujtë e natës.
Këto zyra, të drejtueme nga Qazim Kapisyzi, Arif Gjyli,
Lilo Zeneli, Ndrekë Nallbani, Ali Qorri, Zoji Themeli, Pjerin
Kçira, Rasim Dedja, Nesti Kopali etj. nuk i fikun kurrë
dritat, mbasi ditë e natë dritaret janë të mbylluna,
për mos me u ndigjue ndër rrugë virrmat e britmat
e të torturuemve për vdekje.
Ka mjaft nana që nuk i zë gjumi, tue mendue se në
duert e kujt ka loçkën e zemrës. Një prej
këtyne nanave asht edhe Pina, e shoqja e Shtjefën Zojzit,
që zemra i ndien diçka... Ajo, atë natë feste
rri me sy të ngulun harû ndër gaca, tue vrojtue
kah votra, nuk i bahet me u ulë në sofër. Ajo asht
e veçantë në të gjithë Shkodrën!
Ajo ka në mal vajzën me emnin Maria. Vetë emni të
ban me kujtue pa e njoftë, një grue të pastër,
besnike dhe trimneshë. Asht grueja fisnike e Pjetrit të
Dedëjakupëve, që për besën e dhanun një
ditë në kunorën Shenjte, kur në gisht vuni rrethin,
merr malët bashkë me fatin e saj dhe del me luftue komunizmin.
Nuk ishte jo hov rinie edhe pse ishte 30 vjeçe, por, në
zemër kishte mulla urrejtjen e vrasjes së kushrinit nga
komunistët, ingj. Ludovik Zojzit, arkitekt i vorrëve të
Rëmajit. Vllaun e saj prof. Rrok Zojzin, e kishin torturue
në Sigurim se kishte guxue me thanë, se, sa ka vra Zogu
për 15 vjet, komunistët i kanë vra për 15 ditë.
Kjo grue zgjodhi rrugën e malit, mbasi nuk mund të jetonte
pa lirinë e Atdheut, dëshirë e pathyeshme edhe e
burrit të saj, që nuk kishte pranue bashkpunimin me komunistët.
Ata nuk dinin me nda Shqipninë nga familja, ashtusi, dikur
burrat e motit bashkë me gratë burrnesha, që morën
malët për liri. Edukata e saj qytetare e atdhetare ishte
brumosë edhe prej dy axhave klerikë të njohtun të
familjes Zojzi.
Në heshtjen e natës, kriminelët mendojnë vetëm
për krime e vrasje. Këtë punë do ta kryenin
ma së miri Zoji Themeli, Toger Baba, Vaskë Koleci, Dulaç
Lekiqi, Fadil Kapisyzi, Zenel Cani me shokët e Ndjekjës.
Në të dalun të dritës së datës 6 dhetor,
rreth orës 04.00 të mëngjesit, në luginën
e prronit të Hijes së Madhe në Meshkallë të
Sheldisë, kur Maria e zgjueme doli nga çadra e vendosun
prej tyne në atë vend, u ndigjue një za: "Dorëzou
Marije, se nuk të vrasim!" Ajo u përgjigj: "Për
së gjalli kurrë, mor qena....!", nxori armën
nga brezi, sepse, e njihte mirë "besën" e komunistëve.
Gjuejtjet e automatikëve të katilëve nga pozicionet
e vëndosuna gjatë natës, e rrëzuen përdhé...
Ajo u vra me pushkë në dorë. Gjaku i pastër
i Marijes u derdh në prrue dhe zbriti në Dri, për
me përshëndetë ma afër Shkodrën, nanën
e vet, për me i tregue Asaj, se kur më linde Ti, bashkë
me qumështin gjaku më mori erë baroti, ashtusi më
pate mësue, në besë të burrit qëndrova
e bashkë me Pjetrin e dashtun, u vramë për liri!...
Maria nuk ishte as e para shkodrane e, as e fundit që doli
malësh me armë në dorë, mbas vitit 1944 me luftue
kundër komunistëve. Ishte edhe Maria Shllaku, po prej
Shkodret, që zani i saj do të jehonte për 50 vjet
ndër malët e Kosovës. Vajza shqiptare u tregue gjithmonë
e denjë për armët që mbante në brez. Ajo
nuk u përkul as para pushkatimit, as para torturës, as
para yllit të kuq. Ajo i provoi burgjet komuniste, ajo provoi
malët e Tepelenës, ajo provoi baltat e kënetave të
Myzeqesë, ajo nuk iu tremb as presionit moral, shpirtnuer e
fizik të hetuesisë, as internimeve, as punës së
randë të fermave e kooperativave por, gjithkund mbas burrave,
vuejtën për një kafshatë bukë, lindën
dhe rritën fëmijë, që një ditë do
të ishin ndera e Atdheut.
Vajzat e vërteta shkodrane në ballin e Rozafës vendosën
dafina!
Vajzat e vërteta shqiptare, Shkodra i ka pa edhe më 2
prill 1991!
Ishin vajzat e djelmët e shkollës "Jordan Misja"
që me Flamurin e ngjymë në gjakun e djaloshit trim
Arbën Broci, marrshuen drejt Demokracisë! Ishin po ato
vajza që më 14 janar 1990 i trandën thëmelet
bustit të diktatorit të shekullit Stalin. E, prap më
2 prill, do të djegin tankun para diktatorit tjetër, që
nuk i la gja mangut atit të tij, tue paralajmërue fundin
e veprës së tyne: turpit të shekullit XX.
Toka shqiptare i ruen në gjiun e saj Herojtë, edhe pse
sot na nuk dimë ku pushojnë shumica e tyne. Fshatarët
e Meshkallës e ruajtën për 45 vjetë Marijen
në tokën e tyne, me një rrasë të vogël
si shenjë nën kaçuba ferrash. Aty çobanët
kishin shkrue: "Këtu pushon Maria e Shtjefën Zojzit,
besnike e burrit të saj". Njëditë ata fshatarë
bashkë me krahinat e Jubanit, të Gurit të Zi, të
Sheldisë e përreth e përcollën për në
Rëmaji, Heroinën e tyne. Aty e priti Shkodra, sigurisht,
Ajo nuk erdhi me petkun e bardhë të nusisë, por me
atë visar që asht ma i shenjti dhe ma i shtrenjti, Ajo
erdhi e veshun me Flamurin e Shqipnisë, si një zonjë
e randë, me atë Flamur që Maria, me gjakun e saj
i ka shlye yllin. Edhe Flamuri, në shenjë nderimi për
Heroinën e vet, në zemrën e tij ka vu portretin e
saj: SHQIPËN DYKRENARE.
Ajo sot prehët me nanën Pinë, mbasi burrin e besës
komunistët e zhdukën, tue e pushkatue për sëvdekuni
në Zallin e Kirit, mbasi nuk kishin çka me i ba ma shumë.
Edhe Ai asht aty afër Saj, aty ku janë shumica e Martirëve
të Shkodrës.
Marije! Më duket se për kërkend ma shumë se
për ty....
Shkruen i madhi At Fishta:
"... ju besën
Ka për t'ua dhanë mbi vorr, se kurr për s' gjalli
S' ka me e koritun namin t'uej e nderën,
Se ka me dekë p' r Atdhé si desin burrat
Si diqet, qé, ju për nji Shqipni t'lirueme."
L Ë V I Z J A E P O S T R I B Ë S
(9 shtator 1946)
"Historia e Shqipnisë së lirë asht kaos luftash,
ngatrresash, trathtinash, ambicionesh, partinash kaq të mëdhaja,
të shpeshta, të ndyta e të damshme, që nuk i
gjenë askund shoqen në botë"
"Zani i të dekunit" nga Y (D. L. Shantoja)
"Rreziku nga e vërteta ishte ma i madh se gënjeshtra".
Asht shkrue e do të shkruhet, e prap do të vazhdohet me
u shkrue për këtë ngjarje aq të randësishme,
por e vërteta do të dalin në shesh, vetëm atëherë,
kur historianët e paanëshëm do të kenë
mundësi me pa e me studjue arkivat e mbulueme nën dhé.
"Deri njerëzit e zhdukun dje prej skenet, na dukën
si të kishin hi kaherë në radhën e mumjeve.",
shkruente At Gjon Shllaku, dhe vazhdon: "Për né
ideja asht nji mjet me u kapë té realiteti, për
filozofinë moderne, ideja asht nji perde që e ndanë
njeriun prej realitetit".
Mendimet e kundërta të shprehuna ndër libra, broshura,
artikuj dhe konferenca përkujtimore, më kanë shty
me kërkue diçka të mbulueme me dashje, ose pa dashje,
por në të dy rastet, jo me qëllim të mirë.
Tue u nisë si u organizue, si shpërthei dhe si përfundoi
me dështim të plotë kjo lëvizje që asht
ndër ma të mëdhajat, asht me të ardhë keq
dhe do të bindemi se frutin e kanë përfitue vetëm
komunistët.
Përmbytja mori me vedi fshatarë, profesorë, oficerë
akademistë, deputetë, intelektualë, klerikë,
studentë, tregtarë, të kënaqun e të pakënaqun
nga pushteti, madje, edhe pushtetarë, që deri pak ditë
përpara kishin nënshkrue edhe "urdhën-arreste",
ose në mendjen e tyne pritnin kur po vjen "demokracia".
Me plot gojë dami për Veriun nuk llogaritet asnjëherë.
Vetë ardhja në Shkodër në janar të 1945
e kryekriminelit Mehmet Shehu, me një tubë të pa
pame ndonjëherë terroristesh si: Sheuqet Peçi,
Dali Ndreu, Gjin Marku, Rahman Parllaku, Tuk Jakova, të shoqnuem
nga bandat e Sigurimit të Shtetit të drejtueme prej Koçi
Xoxe, Zoji Themeli, Vaskë Koleci, Ramadan Çitaku, Ndrekë
Nallbani, Ali Qorri (Bushati), toger Baba etj. që me krimet
e vrasjet e tyne të bame me gjyqe e pagjyqe, tregojnë
pikësynimin e tyne: Përdorimi i çdo dredhije e
mjeti mashtrues, për me shkatrrue rezistencën atdhetare
antikomuniste dhe çerdhën e tyne.
Unë do të rreshtoj vetëm disa fakte:
Me datën 29 janar 1945, prokurori Jonuz Mërsini i thotë
D. Lazër Shantojës: "Më dt. 20 - 21 janar 1945,
malësorët janë çue kundër Luftës
N.Çl. të inspiruar prej këtij fashisti" (Dosja
174).
Don Ndre Zadeja deklaron: "Aty nga shtatori 1944, ka ardhë
në Sheldi nji kolonel anglez i quejtun Nill, me do ushtarë
e Jup e Halit Kazazin, gjithashtu me té ishte nji oficer
gjerman dhe nji ushtar italjan. Këta vijshin prej Cukalit,
shkojshin në Shëngjin dhe së andejmi për Itali.
Në qelën teme kanë qëndrue vetëm nji natë.
Gjatë ndejtjes në qelen teme, unë ju mbajta nji bisedë,
ku i kam theksue nëvojën që ka populli shqiptar i
varfën në mes të armiqve shekullorë, të
cilët janë: Sllavi, Bullgari, Greku dhe Italia. Shqipnia
ka nëvojë për nji mbrojtje nga fuqitë e hueja".
(Dosja 677)
Riza Drini i kërkon bashkpunim Riza Danit prej malit në
tetor të 1944, dhe Këshilli N.Çl. e pranon. Arësyeja
e kërkesës së Riza Drinit asht: "....për
me evitue gjakderdhjen që parashof se do të bahët
në Shqipni." (Deklarata e Riza Danit d.v. dt. 30 prill
1945).
Llesh Marashi deklaron në korrik 1946: "Nuk dij sesi tri
ditë para shpërthimit të Lëvizjes së Koplikut,
e ka dijtë organizata "Bashkimi Shqiptar", unë
nuk e kam dijtë vetë!" . . Martin Sheldija (ish oficer),
i arratisun me Gjergj Vatën, dorzue në kohën e anmistisë,
i dënuem për jetë, dhe i liruem më 14 shkurt
1966, deklaron: "Me datën 5 shtator 1946 ka ardhë
Shuk Gjoka, e më tha, se don me më takue Shaban Abdullahi
e Zyber Hyseni, dhe me datën 8 shtator më ka sjellë
lajmin me sulmue Shkodrën. Shuk Gjoka shkoi në Ganjollë,
Spathar e Juban. Unë kam organizue Gurin e Zi. Më 8 shtator,
bashkë me Pjetrin (Dedën, i vramë), kemi ardhë
te Ura e Kirit, e kemi shprazë pushkët, nuk u përgjegj
kush dhe kemi shkue prap. Nuk kemi hy në Shkodër.
"Martin Sheldija ka rrezikshmëri shoqrore shumë të
theksuar...", shënon Ministri i Mbrendshëm Mehmet
Shehu d.v. më 29 qershor 1949. (Dosja 141).
Jakup Dan Alia, i arrestuem për Lëvizjen e Postribes deklaron:
"Në mbledhje për Postriben jemi qenë: Osman
Haxhija, Abdullah Seiti, Muho Duli, Selim Raci, Emin Zyberi, Dervish
Nuzi, Ram Vasi, Taip Isaja, Seit Duli etj. Foli Abdullah Seiti,
dhe tha me i ra Shkodrës. Luftën e Postribës, në
fushë të aeroplanave e ka fillue Seit Duli."
Rrok Gjok Luli, i arrestuem më 12 shtator 1946, për Lëvizjen
e Postribës, dhe i dënuem 20 vjet, deklaron: "Kam
bisedue me Mustafa Jakupin, Mustafa dinte se do të sulmohet
Shkodra që sonte, një gja të tillë ia kishte
thanë korieri i Jup Kazazit, një katundar prej Postribet,
dhe më thote, Rrok, sande sulmohet Shkodra prej Postribët,
e duhet të dalim që sonte me katundarë. Unë
i thashë se do të sulmohet më 15 shtator 1946, se
një gja të tillë ma ka thanë vëllai, dhe
jo sonte. Por, Mustafa më kallxoi se jo më 15, por sonte
se Postribësit nuk donë me dhanë ushtarë. Më
ka thanë për Jupin, se nuk asht këtu në Shkodër
dhe ka dalë jashtë se asht i mërzitun, se do ta fillojnë
luftën sande dhe për këtë, do të hidhen
në sulm. Veç luftës nga jashtë, do të
plasin edhe këtu mbrenda, se Jupi asht marrë vesht me
të huej, megjithse një pjesë e kanë kundërshtue
Jupin..."
"...Unë nuk shkova me lajmërue as vëllain për
këtë punë."
Pjetër Gjok Luli, vjeç 43, vëllai i Gjeloshit e
Rrokut, deklaron: "...Unë, nuk kam takue as vëllain
Gjeloshin, në sa të kam pa ndonjëherë ty (i
drejtohet kryetarit të gjyqit, Misto Bllacit) ... As nuk dij
se asht ba mbledhje, as nuk kemi organizue gja."
Pjetër Prendush Pali, vjeç 32, nga Hoti (Jugosllavi),
mësues, deklaron: "...akuza nuk asht e vërtetë,
në furrë tek Mustafa nuk asht e vërtetë se kam
bisedue unë për Postribën, ato që thonë
këtu nuk janë të vërteta. Për akuzat që
më bajnë Gjelosh Vata, Gjon Leka e Mustafa Jakupi nuk
janë të vërteta. Gjon Leka më ka thanë,
se jam me punë në Seksion të Mbrendshëm, dhe
rri urtë, se kam në dorë me të ba keq.".
Vendimi i gjyqit Pjetrit iu dha me vdekje, dhe u ekzekutue më
11 mars 1948.
Mustafa Jakup Vodaj, vjeç 48, nga Shkodra, i dënuem
për jetë, deklaron: "Nuk kam asnjë lidhje me
Postribën, por mue më ka tregue Brahim Isufi se sande
Postriba sulmon Shkodrën. Unë i thashë Gjeloshit,
por ky më tha se nuk asht e vërtetë. Kemi shkue me
Gjonin në shtëpi të Gjeloshit (Vatës), aty në
mesnatë ka ardhë me na thirrë Abdullah Seiti e Ismail
Duli dhe jemi takue tek fusha me Murat Haxhinë. Aty pamë
se nuk ishte gja ajo punë dhe u këthyem ndër shtëpia."
Don Nikoll Deda: deklaron në gjyq më 7 janar 1948: "...Për
sulmin e 9 shtatorit 1946, nuk kam bisedue, as nuk kam kenë
i deleguem nga Kleri, për me marrë pjesë ndër
këto mbledhje. Don Tom Laca nuk më bie ndër mend
të ketë kenë në mbledhje... Unë nuk e dija
se asht formue parti Demokristjane...Për përpjekjen e
9 shtatorit, s'kam dijtë kurrgja, por kur e mora vesht se e
kishte bërë Kazazi."
Imz. Frano Gjini: "...për ngjarjen e 9 shtatorit nuk dij
gja!".
Don Tom Laca: Deklaron: "...Nuk asht e vërtetë që
të kemi pregaditë 9 shtatorin me Riza Danin e Paulin Palin
(avokatin)".
Zef Haxhija, deputet i 2 dhetorit në Kuvendin Popullor për
Shkodrën, deklaron: "Për ngjarjën e 9 shtatorit
e kam marrë vesht në nesre, si gjithë bota...!".
Për Lëvizjen e Postribes, të 9 shtatorit 1946 u pushkatue:
Imzot Frano Gjini, At Mati Prennushi, Don Nikoll Deda, Kolec Deda,
Pjetër Deda me gruen Maria,Cin Serreqi, Riza Dani, Dulo Kali,
Caf Dragusha, Simon Darragjati, Rasim Gjyrezi, Guljelm Suma, Ing.
Fahri Rusi, Murat Hysen Haxhija, Bilbil Hajmi, Pjetër P. Pali,
Gaspër Simon Gaspri, Xhelal Hardolli, Prof. Kol Prela, Av.
Paulin Pali, e sa të tjerë pa gjyq, që nuk figurojnë
as në rregjistrin e të pushkatuemve...
E vërteta asht vetëm një: Ajo ishte Lëvizje
antikomuniste !
AVOKAT PAULIN PALI DHE PROF. KOLË PRELA
"Avokat Paulin Mark Pali është i datlindjës
1914. Prindët e tij ishin Mark e Shaqë Pali. Ka një
vëlla Gaspër Palin, ishoficer i naltë. Paulini është
beqar, i pa dënuar, i varfër, me universitet të kryer
për drejtësi, profesor avokat, nga Shkodra, i arrestuar
më 14 gusht 1946..."
Kështu i fillon hetimet krimineli Zoji Themeli në dosjën
1333 kundrejt të pandehurit Profesor avokat Paulin M. Palit,
proçes i cili vazhdon me vite...
Me datën 18 tetor 1946 major Zoji Themeli, në Seksionin
e Mbrendshëm të Shkodrës (në shtëpinë
e Pjetër Çiurçisë), fillon me dokumentacionin
që për fat ruhet edhe sot. Në proçes nuk shënohen
torturat që i janë ba Paulinit, por, dëshmitaria
okulare që jeton edhe sot, Z. Terezina Zorba (Pali) tregon:
"...kur po më dërgonin në dhomën e pyetjeve,
polici shoqnues më la pak minuta në koridor, mbasi ai
hyni tek oficeri pyetës, ku dukej se kishte shumë njerëz.
Aty afër derës ishte një baul e vjetër e mbyllun
me dry. Ndigjova një za të lehtë e të mekun:
"Terezinë...Terezinë! Jam Paulin Pali!", unë
e tronditun iu përgjigja: "Kush?"...Ai u përgjigj
prap: "Paulini moj, Paulin Pali!"."Isha aq e tronditun
sa edhe sot më tmeron ai kujtim i mnershëm i asaj dite,
kur mendoi atë djalë aq të pashëm e të
gjatë si bajrak dy metër, të palosun dyfish në
atë arkë aq të vogël, sa mezi mund të futej
një fëmijë. Aty i shkreti Paulin ka qëndrue
me ditë e javë të tanë... derisa një ditë
nuk u ndigjue ma zani i tij që ndigjohej çdo natë
në tortura."
Paulini deklaron: "Jam arrestue nga forcat partizane, tue u
arratisë në Itali, me datën 15 shtator 1946,"
(ndërsa flet-arresti ka datën 14 shtator 1946), mos vallë
shkaku i arratisjes asht lëshimi i flet-arrestit njëditë
para? Asht edhe varianti tjetër, mos ndoshta Sigurimi e dinte
se Paulini don me u arratisë dhe shkon në vendin e caktuem
me flet-arrest të lëshuem njëditë ma parë
në xhep? - Për mue, qëndron varianti i dytë,
mbasi zhvillimi i proçesit, indirekt zbulon diçka!..Vazhdon
ma poshtë: "Kam krye fakultetin Juridik në Firencë
në vitin 1942. Kam ardhë në Tiranë, prej ku
kam shkue në Prizrend. Për Kosovën mendojshe se do
të fitojnë lirinë dhe, nuk do të rrinte nën
sundimin e Krajl Pjetrit. Kështu, bisedonim me avokat Sokol
Dobroçin, në Prizrend. U ktheva në Shqipni dhe
shoqnohesha me shoke si: Ragip Metën, Galip Jukën, Adem
Bazhdarin, Ranko Cerankoviq, Pjerin Koliqin, Pashko Gecin e Filip
Ndocaj. Kisha shokë Qemal Shehun e Muzafer Pipën.
Idetë e mija kishin karakter liberal. Kritikonim vëprimet
e Pushtetit sotëm. Nga Fronti Demokratik ishe i paknaqun. Fronti
kishte marrë fuqinë dhe përfshinte Partinë Komuniste.
Elementët që drejtonin ishin pa eksperiencë. Kishte
papunësi, sepse njerzit që kishin ardhë nga mali
kishin zanë të gjitha vendet e punës. Kishte vetëm
një Parti, na dishrojshim edhe grupe të tjera politike,
gja që na bante me mendue se duhët të bashkohemi
edhe na. Për këtë jemi mbledhë tek Muzafer Pipa,
ku, mendonim për një veprimtari politike intelektuale.
Muzaferi tha: "Intektualët nuk kanë dhanë asnjëherë
shenjë bashkimi, megjithqë forca e tyne asht e madhe duhët
një organizim!"
I kam kërkue Xhevat Danit një takim me Rizanë. Ishte
edhe Jup Hoxha nga korriku i 1945. Rizaja ka përkrahë
idenë teme të një grupi intelektual, mbasi zhvillohet
vendi. Jupi tha se kështu asht ba edhe në Tiranë
me Gjergj Kokoshin. Rizaja mori përsipër me bisedue me
Gjergjin.
Me datën 10 gusht 1945, kam shkue në shtëpinë
e Muzaferit, unë dhe Adem Bazhdari. I vuna në dijeni pa
përmendë emnin e Rizasë. Ma vonë kemi ndejë
prap në kafe Adriatik me Ademin e Muzaferin.
Me datën 30 tetor 1945, kemi ba një mbledhje në shtëpinë
e së shoqës së Bajram Currit, kur pritshim ndërhymjen
e Aleatve dhe biseduem për gjendjen ndërkombtare, ku foli
edhe Ragipi (Meta). Pak ditë ma vonë kemi ba një
mbledhje në shtëpi të Riza Danit. Kemi propagandue
kundër ligjit elektoral, jo vetëm një parti. Kemi
folë me Luigj Mjedën, Abdyl Urën, Iljaz Krajën.
Zgjedhjet treguen se na shkoi puna kot. Muzaferi më tha, nga
Dibra mendohet me u ba kryengritje me armë. "Asht keq
që një grusht komunista të na imponojnë mendimin
e tyne", i kam thanë Riza Danit.
"Na që kemi kenë në mal e, që kemi luftue
kundër okupatorit, nuk kemi të drejtë me zbatue pikëpamjet
tona", i ka thanë Muzaferit, Rizaja.
Rizaja bisedonte me Luigj Koliqin.
Na mendonim për një Organizatë ilegale me parime
demokratike.
Përveç të sipërmeve mendonim me kenë
edhe Brahim Dibra, Luigj Franja, Dan Dibra, Asim Ulqinaku, Dan Hasani,
Xhevat Bekteshi, Kol Prela, Rizaja, një farmacist etj. që
nuk i kujtoj.
Në Durrës ishte formue një parti por nuk kishim marrë
lidhje me té. Me Kol Prelën kishim lidhje politike,
ndërsa lidhje pune kishim me Riza Danin. Me Dionis Miçaçon
dhe Rexhep Mborjën kemi bisedue për gjyqet...
Më 15 qershor 1946 u takova me Lec Shirokën, dhe më
tregoi se prëgatitet një barkë me ikë për
Itali dhe i thashë, po të ketë vend, vij edhe unë,
por pare me pague nuk kam. Ai më tha, se paguen tjetër
kush në Tiranë, e tri ditë para të diftoj. U
nisa të shtunën në Tiranë me takue Hasanin,
mik i tij në Bulevardin "Qemal Stafa", dhe ai do
të na udhëzonte si me ikë për Itali. Mbas tri
ditësh me Namikun u takueme edhe më tha se na mungon italiani
(mekaniku), nisja nuk bahët të dielën, po u la për
të mërkurren dhe vjen edhe mekaniku.
Ditën e mërkurrë me datën 14 gusht 1946, u nisëm
për Shtoj dhe mbasi barka nuk erdhi, ditën e enjte në
mëngjez na arrestoi këshilli i vendit dhe na përcolli
për në Komandën e Durrsit. Prej Durrësit në
Tiranë e, prej Tiranet në Shkodër."
Deklaruesi: Paulin Pali d.v. Asistoi: Dul Rrjolli d.v.
Oficeri pyetës: Major Zoji Themeli d.v.
Me datën 19 dhetor 1946, Abdyl Kokoshi deklaron: "Prej
Gaspër Palit e Bahri Koplikut më asht rekomandue Paulin
Pali, me të cilin lidhej Mehmet Daiu, Kel Çoba dhe Simon
Daragjati. Këta kishin lidhje me Jup Kazazin i cili i ka dhanë
Paulinit 25 stërlina. Ndërsa Eduard Suma, Abdullah Garuci
etj. do të na ndihmonin. Jam takue me Dionis Miçaçon
dhe kemi bisedue për këto çështje".
Proçesi vazhdon i gjatë me Abdylin, i cili si dukët,
nga torturat mendon me i dhanë fund jetës tue pranue gjthçka
shkruen hetuesi, ai vetëm në fund ven firmë. Asht
me të vërtetë me t'ardhë keq!...
Për martirin Simon Darragjati fatkeqësisht nuk kam muejtë
me gjetë material, mbasi asht mbytë pa muejtë me
pregatitë gjyq falso ndër dhomat e vdekjës.
Do të ishte me shumë interes me u studjue dosja e plotë
e këtij grupi martirësh të kombit, që, edhe
pse nuk m'u dha mundësia me e pa këtë material të
plotë, mërrijta me kuptue nëpërmjet atyne pak
rreshtave të ballafaqimeve, qëndrimin heroik dhe të
palëkundun të Kol Prelës, Kel Çobës,
Abdyl Rusit dhe Kol Kurtit.
Edhe pse të ndodhun para gjakajtorësh si: Zoji Themeli,
Dul Rrjolli, Nesti Kopali, Vehbi Fishta, Xhemal Selimaj, Lilo Zeneli,
Vaskë Koleci, Ali Xhunga etj. asht e pakuptueshme për
né, forca e qëndresës së tyne dhe këtë
e tregon ma mirë se çdo gja, fundi i jetës së
tyne.
Mbas 18 muejsh hetuesi, Prokurori Ushtarak i Zonës Ushtarake
Shkodër, kapiten Namik Qemali d.v. përpilon akt-akuzën
për të pandehurit:
"1. Paulin Mark Pali, 2. Kol Prel Gjoka, 3. Kel Gjon Çoba,
4. Dhionis Kristo Miçaço, 5. Shyqyri Bajram Shpuza,
6. Abdyl Riza Rusi, 7. Mehmet Mahmut Daiu.
- Kanë punuar për formimin e organizatës terroriste
në Shkodër.
- Lidhën me Komitetin Qendror të Organizatës terroriste
të Tiranës dhe marrin direktiva për formimin e Organizatës
së Shkodrës. Formojnë grupe klandëstine terroriste
intelektuale etj.
- Bien në lidhje me shoqëritë fashiste demokristjane
të krijuara në gjirin e Klerit Katolik dhe bashkëveprojnë
në aktivitetin e tyre kundërshtar.
- Nga të pandehurit, Kol Prela, ka qenë efektiv i Komitetit
Qendror Demokristjan, dhe bashkpuntor i Organizatës terroriste.
- Kanë mbajtë lidhje me armiqtë mbrenda e jashta
shtetit.
- Kanë qenë për ndërhyrjen nga jashtë,
nga të huajt imperialistë.
- Direktivat nga Komiteti Qendror i Tiranës ua ka dhënë
Abdyl Kokoshi. Janë prëgatitë për kryengritje
të armatosur.
- Këta kanë prëgatitë edhe 9 shtatorin e 1946.
Janë përpjekur me sabotuar Reformat e Pushtetit Popullor.
- Paulin Pali i autorizuar nga Komiteti Qendror i Organizatës
terroriste të Tiranës, tenton të arratiset në
Itali, për të shpurë punën e organizatës,
për të cilën pregatitë barkën e udhtimit
dhe kapet në buzë të detit...".
"Trupi Gjykues i përbërë nga: Kryetari, kap
I Misto Bllaci, antarë, kap II Përtef Alizoti dhe nëntoger
A. Koroveshi, prokuror kap. Namik Qemali dhe sekretar Shaban Q.
Dautaj, me datën 14 janar 1948, ditën e mërkurrë,
hapi seancën, me pyetjen e të pandehurit:
Prof. KOL PREL GJOKA:
I biri i Prelës dhe i Katrinës, vjeç 30, i pa martuar,
i padënuar, i varfër, ka mbaruar fakultetin e letërsisë,
Profesor, ka vëllain në burg (Markun), i arrestuar më
19 shtator 1946, deklaroi:
- Në akt-akuzë, diçka, ndonjë fjalë asht
e vërtetë. Jam kenë me studime në Itali. Në
vitin 1940 kam ardhë në Shkodër, profesor. Në
1943 jam ilegalizue në Dukagjin, se mora pjesë në
formimin e Këshillit Nacional Çlirimtar të Shkodrës.
Qëllimi em ishte të luftojshim fashizmin. U lidha me Zija
Dibrën e Arif Gjylin. Sidomos Mark Mala më ka shkrue të
hiqesha nga Lëvizja N. Çl., por unë i shkrova,
bashkou me né. Më pëlqente demokracia me shumë
parti si në Angli e në Francë. Jam lidhë me
Mark Ndojën e Bajraktarin, në favor të lëvizjes
N. Çl.
Në 1945 kam ardhë nga Elbasani. Vllai kishte bisedue me
P. Gjon Shllakun për votimet me shumë parti.
Jam kenë dy muej përgjegjës i Seksionit Ekonomik,
mandej tetë muej në Normalën e Elbasanit, mandej
profesor në Lice të Shkodrës. Vllait, P. Gjoni i
ka tregue se mund të bisedohet ma vonë për një
grup demokratësh, nuk dij për demokristjane. P. Gjoni
më ka thanë, që bane mirë që ké
vue kandidaturën, dhe shyqyr që u hoqe nga Dukagjini,
se bie borë e ban të ftoftë. Për grupe nuk kam
denoncue. Për Organizatën e Tiranës, nuk më
ka folë as ai, as Paulin Pali. Padër Gjoni njëherë
më ka ardhë në shtëpi për emën. Në
shkurt jam takue me Paulin Palin, por nuk kemi bisedue gja me rëndsi.
Padër Gjonin e kam pasë mik përsonal.
Padër Franja, Filipi e Aleksi, kanë ardhë për
një deklaratë që i kam dhanë për P. Gjonin.
Me Gjelosh Lulin prej Shoshit jam takue dy herë, në shtator
të 1945 dhe, në prill të 1946. Më tha se ban
mirë me u ilegalizue, por unë i thashë, nuk kam ba
gja.
Mbasi nuk kam marrë pjesë në organizata nuk mund
ta quej trathti."
Kush ishte Prof. Kol Prel Gjoka?
Me datën 7 shkurt (fruer) 1947, oficeri pyetës Zoji Themeli
shënon:
"Kol Prela ka lé në Shkodër në 1918.
Banues në rruga Kokaj Nr. 4, Rus Katolik. Në 1928 ka krye
shkollën e ultë ndër Jezuit, ndërsa të
mesmën në Gjimnazin e Shtetit, në Shkodër, në
1935.
Fakultetin e Letërsisë e ka përfundue në Torino,
në 1940.
Në vitin 1944 në Shkodër, ishte përgjegjës
i Seksionit Ekonomik dhe, Drejtor i Normalës së Elbasanit,
deri në nandor 1945.
Më 2 dhetor 1945, Deputet i nën/prefekturës së
Dukagjinit, deri më 14 shtator 1946, që asht arrestue
në Tiranë. Mbas dy javësh asht sjellur në Seksionin
e Mbrendshëm në Shkodër.
Prof. Kola deklaron: "Me Padër Gjon Shllakun kam bisedue
kundër Italisë, kemi kenë dakord të dy që
né duhet të çlirohemi. Po kështu, im vëlla
Marku dhe Gjelosh Luli. Që në 1940 e njifshe P. Gjonin
dhe kemi bisedue çështje politike, letërsi, histori
dhe filozofi. Ai njifte të gjitha shkencat. Kam ndejë
në shtëpi të Gjelosh Lulit dhe kam pasë lidhje
me Mark Malën. Kemi shkue me pa provat e "Juda Makabé"
në Shtëpi të Kulturës.
Pjetër Prendush Palaj, me ka ardhë dy herë në
shtëpi që të ndërmjetsoja për transferim
dhe nuk kam bisedue për probleme politike. Kur ka ardhë
ky, vllait i kam thanë me dalë jashtë, se ky ka hallët
e veta, e nuk dishronte t'a dëgjonte kush. Luigj Ljarja më
ka tregue se punonte në Pukë. Loro Vatën e njof për
ftyrë por, nuk kam pasë lidhje.
Me Gjelosh Lulashin kam pasë lidhje, ai më ka thanë
me ikë por unë i kam kundërshtue.
I kam tregue për Konferencën e Paqes, që ose do të
bahët paqë, ose bota do të ndahët në dy
bloqe.
(Kol Prela) d.v. ( Zoji Themeli) d.v.
Shënim: Kola ballafaqohët me vëllain Markun, për
Organizatën "Bashkimi Shqiptar", se, Kola i ka dhanë
udhzime asaj Organizate, por Kola thotë se nuk asht e vërtetë.
Madje, Kola nuk ka pasë fare dijeni se asht formue një
organizatë e këtillë. Kola mohon edhe ekzistencën
e ndonjë oganizate ose partie demokristjane, mbasi P. Gjoni
thotë ai, do të më kishte tregue mue...
Zoji Themeli d.v.
KEL ÇOBA: Mohon thanjet e Xhevat Metës, Karlo Sumës
dhe Syrri Anamalit.
ABDYL RUSI nuk pranon asnjë nga thanjet e dëshmitarëve.
KOL KURTI thotë: Takimet me shokë nuk kanë pasë
karakter politik. Tjerat çka thohën këtu, nuk janë
të vërteta.(Dosja 1333).
Avokat PAULIN MARK PALI para gjyqit. (Se ku ishte kjo sallë
që nuk e pau njeri nuk dihët!?)
I shtati u pyet avokat Paulini, i cili tha:
"Akuza pjesërisht asht e vërtetë, sidoemos se
kam dashtë me ikë. Në 1940 jam kthye nga Italia.
Okupacioni më ka xanë në Itali. Edukatën fashiste
në shkollë e kishim mësim. Kur erdha u emnova në
Këshillin e Epërm Korporativ. Detyra ime ishte me luftue
okupatorin, por, unë nuk e kam ba. Lëvizjën N.Çl.
e kam njoftë, por nuk jam interesue. Në fund e kam simpatizue
dhe kam kontribue për shlirimin e Shqipnisë. Për
kundra saj, përsa i përket diktaturës nuk e kam dashtë,
sidoemos kufizimin e partive të tjera dhe shkrimjen e fuqive
të tjera ekonomike. Fuqinë do ta merrte proletariati dhe,
kjo u ba realitet dhe të gjithë punojnë. Ky do të
shtypte klasën kapitaliste dhe do të përfaqsonte
fshatarë e puntorë. Reformat u aplikuen për katundarët
e fabrikat u shtetizuen. Tatim-fitimet u banë për puntorë
në favor. Lufta N.Çl. në fillim ishte bloku antifashist,
deri në çlirimin e plotë më 1944. Shpirtnisht
e kam proklamue në favor. Unë e konsideroj të kishte
një demokraci Prendimore. Ku sundon kapitalizmi; fabrikat e
bankat i kanë kapitalistët. Një puntor në Angli
kur i mungojnë mjetët ekonomike, nuk mund të bahët
ministër e të marrë pjesë në qeveri. Sistemi
i juej mund të japë lehtësi, por kjo asht faza e
parë e shlirimit, e dyta ristabilizimi në ushtri e Pushtet.
Unë si princip nuk e kam pra, me diktaturë, edhe pse vegjëlia
e mori Pushtetin, por këto ishin principet e mia...
Gjatë okupacionit gjerman kam kenë në Prizrend, avokat
me Sokol Dodoshin dhe bisedonim për këto vëprime
që po baheshin në botë. Fashizmi përjashtohet
nga demokracia Prendimore. Spanjën e mban Anglia dhe Amerika.
Edhe në Greqi - unë, nuk e konsideroj fashizëm ku
ka liri. Franca autentike asht rregjim fashist. Sikur ta mpronin
edhe ata fashizmin, pse nuk e aplikojnë edhe ata vetë
diktaturën?
Në 1942-43 ishe në Kosovë. Mbas 1944 erdha në
Shkodër. Për shlirimin e Shqipnisë pa Kosovën,
e kam konsiderue nji gja të mangët, se Kosova asht Shqiptare
dhe asht marrë nga shovenistët serb padrejtësisht.
Me forcë nuk mund t'a marrim, por me drejtësi internacionale
dhe simbas Blokut Antifashist do të pyetej populli, dhe kjo
mund të zgjidhesh në mënyrë miqësore. Korça
dhe Gjinokastra janë shqiptare dhe i kërkon Greku.
Mendimi i em për Kosovë ka kenë arësyeja ekonomike,
politike, kombësia. Unë nuk dij në se populli kosovar
rron i lirë apo jo, por minoritetët në vendin tonë
rrojnë njësoj, edhe popujt e Maqedonisë e Kosovar
rrojnë si këtu, thoni ju, unë s'e dij! Populli shqiptar
ka vllaznim me shqiptarin. Idetë e mia kanë kenë
këto, dhe me ke kam njoftë kam bisedue dy-tre herë,
kur më asht paraqitë rasti. Ëndrra ime ishte nji
Kosovë e lirë! Por, në konfërenca nuk kam bisedue
me popull, se atë liri nuk e kishim mbas shlirimit, por me
shokët e mij si: Galip Juka, Adem Bazhdari, Muzafer Pipa, Ragip
Meta etj. kam folë.
Kur filluen Gjyqet e Popullit nuk më pëlqenin, se nuk
garantohej si duhej drejtësia. Gjyqi bahej publikisht, por
proçedura që ndiqej më epte atë përshtypje,
dhe Trupi Gjykues nuk i epte atë që duhej, pra, atë
që meritonte. Trupi Gjykues nuk ishte i aftë. Gjykatësi
duhej të ishte i paanëshëm. Po citoj nji shembull
qysh në fillim e deri në mbarim, këtë ide e
kam pasë formue, Riza Alinë, as e kam njoftë, as
e dij se ka kenë element i keq. Ekzekutimi i tij më ka
ba të vuej shpirtnisht, gjithashtu edhe Ymer Lutfija që
nuk e ka meritue me u dënue me vdekje. Kanë kenë
me Ballin e okupatorët kanë ba trathti.
Ndue Pali ka kenë ballist, me sa dij unë. Unë mund
të jemi i mbrapësht dhe i keq, por këto kanë
kenë konceptet e mia. Unë nuk dij ç'të tham!...
Për të mbetat e gjyqeve kam bisedue me Xhemal Brojën,
Skënder Luarasin, Kol Prelën dhe Dhionis Miçaçon,
të cilët rastësisht në biseda pajtoheshin në
pikpamje. Me Skënder Luarasin kam folë me nji ton tjetër,
se ai ishte në Pushtet dhe i kam thanë të ishte ma
butësi. Gjatë Luftës, kam ndigjue se janë vra
njëzetetetëmijë vetë, ndërsa, mbas Luftës
deri në 1946, mund të jenë vra nja 500 vetë.
Unë nuk kam dashtë të ruaj kuadrot e reaksionit,
as më ka shkue mendja, ndoshta nuk i kam dashtë kujt të
keqen, ju e keni marrë ashtu, por kur asht ba nji vrasje, unë
nuk kam dashtë nji tjetër, mbasi jemi popull i vogël.
Nuk kam asnji ambicje politike.
Jam fajtor vetëm për politikën që kam ndjekë
kundër Gjykatave Ushtarake, për Kosovën, dhe politikën
kundrejt Blokut antifashist ndaj vendit tonë, mbasi i konsideroj
të padrejta.
Që të marr përsipër nji aktivitet konkret për
këtë gjendje nuk kam fillue. Nuk asht e vërtetë
që të kemi aktivizue intelektual, as të kemi ba mbledhje
në shtëpi të ndryshme. Kam luejt poker tek Riza Dani,
Ragip Meta e Xheudet Luloçi dhe në tjetër vend
nuk kam shkue.
Nuk kam shtrue biseda as për organizatë, as për komitete
e as nën/komitete. Me Klerin nuk kam mardhanje politike, por
biseda në Tiranë kam pasë me Padër Viktorin
edhe këtu, me Padër Gjon Shllakun, ku ka kenë edhe
Kol Prela, në atë mbledhje që i thoni ju, por, ajo
nuk asht kenë mbledhje, por kemi bisedue për probleme
politike të mbrendshme dhe të jashtme, gjendjen e randë
e kemi pranue, por nuk kemi ba gja ose mendue vepra kundër
shtetit. Kol Prelës nuk i kam thanë gja për deputetllëk,
dhe nuk kam pasë qëllim për të dërgue përfaqësuesit
tonë në Kuvendin Popullor. Ma vonë mendojshe me ikë.
Për demokristjanen nuk kam bisedue, as nuk kam dijtë,
as nuk kam dijeni, as nuk kam dijtë se ka kanë Padër
Gjoni, por si nji parti e krijueme jashta shtetit, e dij se asht
ndër shtete tjera, por, as që kam bisedue për té
me njeri. Para zhvillimit të Gjyqit Ushtarak kam shkue tek
Riza Dani, i kam kërkue të vinte dëshmitar për
Ymer Lutfinë, për mënyrën e organizimit nuk
kam bisedue. Kur asht këthye nga Tirana i kam thanë që
fjalimi i tij ka ba përshtypje, natyrisht, tek na.
Mbledhje nuk kemi ba në shtëpi të Muzafer Pipës,
në proçes hetimor i kam pranue, por, i kam përgënjeshtruar.
Me Jup Hoxhën e Xhevat Danin kam bisedue biseda të rastit.
Me Jupin kam shkue me lujtë poker, dhe kur kam bisedue me Rizanë
nuk asht kenë Jupi.
I pandehuri Xhevat Dani tha: "Më dukët se po!"
I pandehuri Paulin Pali, tha se nuk asht e vërtetë se
Rizaja do të bisedonte me Gjergj Kokoshin, apo, me ndonjë
njeri në Tiranë. Për Gjergj Kokoshin nuk më
ka thanë gja.
Në kjoftë se jam i tepërm për shoqninë
njerzore, mund të më zhdukni!
E dënoj vedin se kam ba gabime, kam pasë edhe të
mbeta, kam ba edhe faj. Gabimet, e thashë këtë frazë
se ju do të më dënoni.
Para se të shkonte Riza Dani në Tiranë, nuk kam bisedue
për organizata dhe, nuk i kam thanë se do të takoheni
me Gjergj Kokoshin. Nuk asht e vërtetë, që kam thanë
se duhet propagandue me futë frymën tonë në
rini. Siç thashë, nuk kam ba asnji mbledhje, në
shtëpinë e së shoqës Bajram Currit kam kenë,
por familja nuk ishte aty. Çilsin e kishte dhandrri i tyne
Ragip Meta, ndërsa na kami shkue me lujtë pokër aty.
Për sabotimin e votimeve nuk kam marrë asnji masë.
Kur u zbulue Organizata "Bashkimi Shqiptar", e kam marrë
vesht vetëm në gjyq.
Për mue, Padër Gjoni, nuk ka kenë për Organizatën
"Bashkimi Shqiptar", ajo asht krijue ndër Jezuit,
ku janë kenë Padër Dajani e Padër Fausti. Me
Riza Danin nuk kam ba asnji mbledhje, dhe organizatë nuk kemi
pasë. Me komitete nuk kam marrë pjesë dhe nuk kam
kenë ndër to.
Me Pushtetin nuk kam kenë dakord, por nuk kam ba asnji aktivitet
kundra.
Kam shkue shpesh në Tiranë, jam takue me shokë, njiherë
me Gjergj Kokoshin e Suat Asllanin kemi bisedue përciprisht
dhe, ishim dakord dhe të nji mendimi.
Abdyl Kokoshin e kam njoftë në Kosovë, mbas shlirimit
jam takue në Shkodër mbasi kishte gruen këtu, por
jo, për organizatë klandestine dhe nuk kam ba ndonji mbledhje
me té.
Nuk dij se kush e ka organizue përpjekjen e 9 shtatorit, dhe
me të arratisun nuk kam pasë anji lidhje. Nuk kam krijue
grupe klandestine, por, kam pasë shpresë tek zbarkimi
Anglo- Amerikan, mua më pëlqente dhe nuk i quaja okupator
se mendonin për liri politike. Unë kështu mendojshe!
Për ikje në Itali, e kishim lanë me u takue rrugës
me Hasan Menikun. I shkova në shtëpi dhe lamë takim
për të mërkurrën dhe, u nisëm. Për
këtë kam kenë lidhë me Lazër Shirokën,
të cilin ma ka paraqitë Kol Kaçulini, por nuk ishe
i ngarkuem me komitete për të ikë. Barkën e
kanë pague të tjerët, Aqif Toptani e Hasan Myniku,
por unë, nuk kam kenë i ngarkuem me mision dhe, nuk më
kujtohet të kemi lanë gjyq përgjysë. Adem Bazhdari
më ka thanë, me kenë si ti kishe me ikë, por
jo, se donte me ikë ai. Në breg të detit na kanë
kapë, por nuk kam djegë dokumenta dhe, as nuk kam hjellë
gja poshtë, përveç tre napolonave flori. Kam pasë
do letra dhe nji sahat, letrat ishin kangë serbe, këto
i dorzova.
Unë tham kështu zoti Kryetar, jam ose ma mirë, nuk
dij ku jam! S'dij, se çiltas (haptas) tham nji gja: Deri
para arrestimit dal si Paulin Pali dhe ndiej vedin fajtor për
disa gjana, por për disa jo, dhe nuk e quej vedin fajtor!
Unë dal si Paulin Pali para arrestimit, por ma pas (mbrapa),
nuk dij gja dhe mos më pyetni! Jam marrë në proçes
dhe nuk jam dakord në përgjithësi me té.
Unë dua të tham këtë: "Ma mirë të
hesht!"
Ju kënduan thanjët e hetuesisë dhe i vërtetoi
pjesërisht.
Ju këndua proçesi i Abdyl Kokoshit dhe e mohoi."
Më 15 janar 1948 u pyetën të pandehurit për
herë te fundit:
"PAULIN PALI tha:
Më Abdyl Kokoshin nuk kam pasë lidhje, as nuk kam njoftue
Komitetin, as kam marrë pare, as nuk i kam dhanë Jup Kazazit.
Me Klerin nuk kam pasë lidhje dhe, për Kel Çobën
nuk dij të jenë kenë në Komitete.
Moralisht nuk jam i pastër, karakteri i fortë burrnor
më mungon.
Përsa i përket faktit të organizatës kundër
Pushtetit, pjesrisht e pranoj e, pjesrisht jo!
Kërkoj mëshirë!
KOL PRELA tha:
I lutem Trupit Gjykues, të mos hjedhë poshtë aktivitetin
tim, që kam dhanë gjatë Lëvizjes Nacional-Çlirimtare.
Si kam ardhë nga mali kam ra në pasivitet, por jo, se
kam pasë urrejtje kundër Pushtetit, por, disa gabime më
kanë shty të baj faj, sëpaku, tue marrë parasyshë
në përgjithsi, kërkoj mëshirë!
ABDYL RUSI tha:
Në bazë të deklaratave të Syrri Anamalit mund
të më dënoni, por, ato s'janë të vërteta,
e la në dorën tuej. Kam ba gabim se jam i pakënaqun!
KEL ÇOBA tha:
E quej vedin fajtor se në kundërshtim me ligjet e Pushtetit,
kam strehue në shtëpinë teme kriminelin e Luftës,
jo tjetër, por, vllaun tem Ejëll Çobën, për
këtë pranoj të më jepet dënimi që
meritoj.
Kryetari i Gjykatës Ushtarake të Shkodrës, me datën
16 janar 1948, dha vendimin:
PAULIN MARK PALI dhe KOL PREL GJOKA, me vdekje, me pushkatim, dhe
konfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme.
Të dënuarit kanë të drejtën e apelit në
Gjykatën e Naltë."
V.O. Për zotnitë Abdyl Rusi dhe Kel Çoba, nuk kam
pasë në dorë material tjetër, ndërsa, gjatë
procesit të gjyqit nuk kam asnjë pyetje të gjykatësve,
ose ndërhymje prokurori. (autori).
Bashkë me dosje, për shqyrtim vendimi nga Gjykata e Naltë
asht dërgue edhe fletë-arresti :
"Paulin Mark Pali, datlindja 1914, nga Shkodra, avokat.
Dobësimi i Mbrojtjes Kombëtare e kryemë vazhdimisht,
me nenin 7, paragrafi II,
Ligja Nr. 368 dt. 5 dhetor 1946.
Prokurori: Hys Zaja, data e lëshimit 15 gusht 1946.
Seksioni i Sigurimit Shkodër."
Shif me kujdes nënvizimet, në flet-arrest asht vue data
e ligjit, që asht aprovue katër muej mbas arrestimit të
P. Palit. Vendi i lëshimit, asht Shkodra, arrestimi asht ba
në Durrës!....
Në Durrës, fletë-arresti ka dt. 14 gusht 1946....
në Shkodër, 15 gusht...
"Gjykata e Naltë mblodhi Këshillin e saj me datën
23 mars 1948 dhe me vendimin nr.108,
E përbërë nga : Kryetar, major Niko Çeta,
antarë, kap. I Nexhat Hysejni dhe kap II Mustafa Iljazi, asistent,
aspirant Thoma Rino, prokuror ushtarak i Ushtrisë K.Shqiptare,
kap. I Nevzat Haznedari, vendosi:
Refuzimin e kërkesës së të pandehurve për
falje jete, të dënuar nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës
1. PAULIN PALI 2. KOL PRELA. Mbetet në fuqi edhe shtetizimi
i pasurisë."
Cili ishte vullneti i tyne i fundit?
Kur u ekzekutuan?
Kush i ra mbas kokës?
...Thonë, se i kanë pa te pushkatuem bashkë me dy
të tjerë të panjoftun... Po, ku?...
Kur kunata e tij, Roza, zonja e Gasprit kishte marrë rrobat
e Paulinit që këthehëshin nga hetuesia mbas pushkatimit,
kishte gjetë në vendin e ushkurit të brekëve
të gjakosuna një pustull të vogël, ku ai kishte
shkrue:"Bani çmos e më bini diçka me hangër,
se u fika unit", pikërisht, kur ajo e shkreta i çonte
çdo ditë katër sofratasa me ushqime...Të cilët,
ngopnin zagarët e Sigurimit, Dulaçin, Elez Mesin, Minirin,
tetar Dhimitër Çifligarin, Pjerin Kçirën
e Karabecët me shokë. Ishte ajo kohë kur uria dhe
etja nuk kishin cak....Tregonte zonja Terezina Pali, se i burgosuni
Sami Barbullushi asht detyrue me pi urinën e vet, mbasi kishte
dy ditë që nuk i jepnin ujë......
Dihët vetëm se njëditë kur shkoi në qelinë
e tij Adem Bazhdari, gjeti të shtrimë përdhe një
njeri, pothuej i vdekun, ishte i lamë me gjak, përmbys,
ia solli fëtyrën nga drita e shikoi, nuk e njohti....E
pau se merr frymë dhe, e pyeti: "Kush jé ti?"
Ai u përgjegj: - "Jam Paulin Pali"....
Faik Konica shkruante dikur:
"....U përket me lexue brimët e dhimbëshme të
të gjithë atyne atdhetarëve që gjimojnë
me tërë lotët e Atdheut, që do të derdhin
në padrejtësitë e atyre që donë me na pa
të koritun e, që dishrojnë që nëpër
skam të popullit, të vijnë e mbramja."
MËSUESI PJETËR P. PALI
Mësuesi Pjetër Prendush Pali ka lé në vitin
1914, në Hot të Jugosllavisë. Prindët e Pjetrit
ishin Prendushi dhe Hana (Ana). Ka mbarue Normalen e Elbasanit dhe
ka punue mësues. Asht kenë i martuem me Z. Gjyzepina Kumasku,
mësuese dhe kishte tri vajza. Arrestohet në vitin 1946.
"Jam arrestue, por për shka s'e di!"
Kështu fillon rreshti i parë i proçes-verbalit
të mbajtun në hetuesinë e Seksionit të Mbrendshëm
të Shkodrës (Shtëpia e Çiurçisë),
me datën 27 nandor 1946, ora 8.00, me oficerin pyetës
Abdyl Hakiu dhe sekretar Vehbi Fishta, i ruejtun në dosjen
nr. 1251 (Arkivi M.M.Tiranë).
Pjetri deklaron:
"Kam mbarue Normalen e Elbasanit në vitin 1935. Jam emnue
mësues në Bllac të Pogradecit në vitin 1936.
Jam transferue në Shkodër, në 1937. Në vitin
1938 kam shkue në Vlonë ku kam punue katër vjet,
deri në vitin 1942 që jam kthye prap në Shkodër.
Jam pushue nga puna prej Gjonit Markagjonit, deri në tetor
të vitit 1945 që fillova përsëri si mësues,
në katundin Stajka të Shkodrës dhe kam vazhdue deri
në korrik të vitit 1946. Tashti nuk fillova se u arratisa.
Në vitin 1939 kam ikë në Trevllazër se nuk dojshe
fashizmin. Atje nuk më pranuen fashist, kur erdha në Shkodër
më dhanë triskën e fashizmit. Përveç
mësues nuk kam ba pune tjetër.
Shokë në Vlonë kishe: Pirro Mino, Veladin Zejnelin,
Fane Shkufi, Spiro Pano, Musa Muho, etj. Në Shkodër kishe:
Lazër Kakarriqin, Ndoc Fishtën, Gac Lecin, Lec Sekuj.
Mësues ishe me Sllobodan Koçov, Marije Siliqin, Viktore
Demën, Sofije Mazrrekun, Tonine Fishtën dhe, baxhanak
kishe Kol Kosmaçin, mësues.
Jam kenë indiferent deri në shtator të 1944 kur dola
në mal nga frika e gjermanve, se kishe shoqnue Lin Dedën
dy herë me u takue me kolonelin anglez Neill, ku asht bisedue
çështja e Legalitetit, por unë nuk kam bisedue,
as nuk kam kenë në dhomë. Mbrenda asht kenë
Llesh Marashi, Lin Deda dhe nji inxhenjer italian, rreth nji orë
e gjysëm, bile edhe përkthyesi i kolonelit doli jashtë
me né. Kur duelne, Lleshi iku me makinën e tij, unë,
Gjelosh Vata, Lini dhe inxhenjeri italian erdhëm me makinën
e italianit. Për dy-tre ditë nuk e kam takue Linin; mandej,
Lini iku, e unë ika se u frigova nga gjermanët. Qëndrova
me forcat e Legalitetit në Gruemirë, me forcat e Sali
Myftisë e Nik Sokolit. Unë simpatizojsha Legalitetin në
fillim derisa u bashkue me gjerman dhe e mori vesht bota mbarë
pse u bashkue. Kur mora vesht se u kthye Lini erdha. Kemi bisedue
vetëm për lajme radiosh e komente të hapta me Lazër
Kakarriqin, Angjelin Lekën, Zef Duodën, Simon Prendin,
Xhemal Lopçin e Gjon Harushën.
Me Gjelosh Vatën kemi bisedue se po dominuenë anglezët
vjen Zogu, se e mbështesin edhe Austria, Franca e Italia. Nga
mesi i gushtit të 1946, ishte në klubin e Gjelosh Vatës
(kushrini i em) Gjon Leka, që kishte në dorë një
gazetë ku flitej për Konferencën e Paqës. Të
dy folëm për gjendjen e keqe, unë i thashë:
Mos trazoni tjerë në politikë mbasi ju tham unë
kur me dalë në mal, lajmet jua jap unë se shka thotë
radio.
Gjon Leka një ditë më tha se kam ndrrue punë,
kam hy në Seksion të Mbrendshëm në nji punë
shumë të mirë. Edhe ti, më tha, rri urtë
se të baj të keqën!"
Kaq ishte e mjaftueshme me formue grupin e "armiqve të
popullit".
Mbas një viti hetuesi, siç del edhe nga dokumentacioni
nën kujdesin e katilit të njoftun të asaj kohe Ali
Xhunga, organizohën proçese, ballafaqime, çpifje,
mashtrime, tortura shtazarake dhe simbas dëshmive të të
mbijetuemve ky hetues që deri në 1944 kishte kenë
me "Ballin Kombëtar", në Shkodër fitoi
kredi dhe besim të përjetëshëm, tue u ba "antar
i denjë i Partisë Komuniste Shqiptare" dhe instrument
i fuqishëm i saj në Sigurimin e Shtetit. Ka ngordhë
tue torturue njerëz në hetuesinë e Ministrisë
së Mbrendshme me Xheudet Milotin e Nevzat Hasnedarin.
Me datën 2 dhetor 1947, plotësohet dosja për Gjykatën
Ushtarake:
"Për faje kundër shtetit dhe popullit":
Grupi përbahet nga:
1. Gjelosh Vat Maçi, 37 vjeç, Traboin - Jugosllavi,
2. Gjon Luc Leka, 25 vjeç, Shkodër,
3. Mustafa Jakup Vodaj, 48 vjeç, Shkodër, furrtar,
4. Pjetër Prendush Pali, 32 vjeç, Hot, Jugosllavi,
5. Rrok Gjok Luli, 37 vjeç, Shkodër,
6. Pjetër Gjok Luli, 43 vjeç, Shkodër,
7. Tom Lec Marku, 25 vjeç, Shkodër.
Motivi i dënimit përcaktohet pothuej plotësisht nga
prokurori i Shkodrës, Zurdi Shehu. Gjykata Ushtarake e Shkodrës,
e përbame nga: Kryetari, Misto Bllaci, antarë P. Alizoti
dhe A. Koroveshi, prokuror Namik Qemali dhe sekretar Shaban Q. Dautaj,
zhvillon gjyqin tue u bazue kryesisht në proçes-verbalin
e ballafaqimit ba me dt. 18 nandor 1947, në Seksionin e Mbrendshëm
të Shkodrës nga oficeri Ali Xhunga:
Gjon Leka para Pjetër Palit: Më ka thanë se pa tjetër
do të bahet luftë se do të vijnë anglezët,
do të këthehët Zogu, se komunistët nuk i donë
të huejt etj...
Mustafa Jakupi: Kemi ba mbledhje, Pjetri na diftonte çka
thonë në radio, kemi pritë se vijnë anglezët,
prandej edhe kemi krijue nji grup që na drejtonte Pjetër
Pali. Ai ishte i lidhun me ata që kanë organizue edhe
përpjekjen e 9 shtatorit...
Gjelosh Vata: Pjetrin e kam takue me anglezët dhe i kam çue
letra, sa njenës palë sa tjetrës.
"Pjetër Pali mbasi dëgjoi Mustafa Jakupin, Gjon Lekën
dhe Gjelosh Vatën tha: Thanjët e Mustafa Jakupit nuk janë
asnji të vërteta. Përsa i përket thanjes së
Gjelosh Vatës, për anglezët janë të vërteta
dhe, se kam përcjellë Lin Dedën, por jo se kam marrë
pjesë unë. Kam marrë nji letër prej Gjeloshit,
me ia dhanë L. Dedës me pseudonimin "Paloka",
nji paketë me trakte dhe disa karikatura të klerit. Përsa
i përket Gjon Lekës nuk asht e vërtetë të
kemi folë njiherë me té, përveç, njiherë
që e gjeta në klubin e nëpunësve me Gjelosh
Vatën, kushrinin tem. Aty më diftoi se jam me punë
në Seksion të Punëve të Mbrendshme e tue qeshë
më tha, rri mirë, se kam në dorë me të
ba keq! Nuk asht e vërtetë të kemi bisedue për
shënime për mue, por ai më tha, se prof. Syrri Anamalit
nuk i kishte lëshue nji çertifikatë mirësjellje.
Për akuzat tjera që më bajnë: Gjelosh Vata,
Gjon Leka dhe Mustafa Jakupi, nuk janë asnji të vërteta."
Deklaruesi: Pjetër Palaj d.v. Oficeri: Ali Xhunga d.v.
Para Trupit Gjykues Pjetër P. Pali tha:
"Akuza nuk asht e vërtetë, nuk kam kenë antar
i Legalitetit, por, simpatizues. Me majorin anglez jam takue. Kur
erdhi fashizmi ishe mësues. Edhe mbas çlirimit ishe
prap mësues. Lidhje me njeri nuk kam pasë dhe, as nuk
kam bisedue, por lajmet e radios i kam ndigjue. As propagandë
për të pregatitë terrenin kundër Pushtetit nuk
kam ba. Unë para se të hyjshe në punë, ishe
i pakënaqun, por kur u emnova ishe i kënaqun...
Me këta që ndodhen para gjyqit nuk kam ba bisedime.
Gjelosh Vatën njiherë e kam takue, ku, Gjoni më ka
thanë se kam në dorë me të ba keq!
I pandehuri Gjon tha, se më pyeti për biografinë
e tij.
I pandehuri Pjetër tha se nuk asht e vërtetë. Në
furrë tek Mustafa nuk asht e vërtetë. Në ballafaqim
kam ba, por, nuk asht e vërtetë.
I pandehuri Gjelosh tha se disa janë të vërteta,
disa jo, që janë thanë në ballafaqim.
I pandehuri Mustafë tha se ballafaqimi ka qenë me shtërngesë,
unë nuk kam qenë armik i Pushtetit.
Foli prokurori Namik Qemali dhe dha prëtencën. Pastaj
folën të pandehurit:
Pjetër Pali tha: Përsa akuzohem s'dij gja. Jam hjellë
në krah të pushtetit. Nuk kam kenë agjent i Inteligent
Servisit, as nuk kam punue kundër pushtetit. Punën teme
e din Fronti (Spiro Pano).
Rrok Luli tha: Kërkoj mëshirë, e pranoj fajin.
Tom Leci tha: Rrnoftë Shqipnia e Trupi gjykues.
Mustafa Jakupi tha: Kërkoj mëshirë, jam fajtor.
Pjetër Gjok Luli tha: Kërkoj mëshirë se nuk
kam ba gja. Pjetër Pali nuk na ka drejtue, as nuk kemi organizue
kundër Pushtetit.
Gjelosh Vata tha: Kërkoj mëshirë se jam fajtor.
Gjon Leka tha: Kërkoj mëshirë se jam fajtor."
Të dënuemit me vdekje kishin të drejtë me ba
një kërkesë për "falje jete", e cila
përcillej nga organët e Seksionit të Punëve
të Mbrendshme, në ndonjë rast nga gjykata, avokati
ose ndonjë familjar. Kuptohet, një formalitet sa me thanë
se u shqyrtue edhe ma nalt. Kjo kërkesë dorëzohej
në Degën e Mbrendshme, mbasi përcillej prej saj.
Sigurisht, përveç, dokumentacionit shoqnues të
dosjës së hetuesisë, dërgohej edhe një
relacion nga kryetari i gjyqit, shpesh nga prokurori i rrethit ose
i gjyqit dhe, kur ishte fjala me e çue tjetrin në plumb,
relacioni bahej nga Kryetari i Degës së Mbrendshme, si
në rastin e Pjetër P. Palit.
Kur lexova në fillim të hapjes së gjyqit listën
emnore të grupit, më bani përshtypje pse vetëm
Mustafa Jakupi, kishte të shënuem profesionin "furrtar",
gja të cilin tjerët nuk e kanë! Arësynë
e kuptova vetëm në fund të mbylljes së çështjes,
gja që keni me e kuptue edhe ju!
Seksioni i Sigurimit të Shtetit Shkodër, dërgon për
shqyrtim në Gjykatën e Naltë vendimin e Gjykatës
Ushtarake të Shkodrës, dhënë më dt 2dhetor
1947, për të pandehurit:
"1. Pjetër Prendush Pali dhe 2. Mustafa Jakup Vodaj, me
vdekje, me pushkatim...
Akuza e Pjetër Palit, ka qenë antar i Partisë Fashiste
nga të parët. Ka urryer Lëvizjen Nac.Çl. dhe
sidomos P.K.Sh. I ka luftuar me çpifje e poshtërsi...
Ka qenë antar i organizatës trathtare të Legalitetit
në kohë të gjermanve, ka punuar për të
dhe është qenë në lidhje me eksponentë
në Shkodër si Lin Deda, Llesh Marashi e Daut Kombi, ku
bashkë me ta, është takuar me kol. anglez Neill...
Mbas çlirimit, me aktët e tij reaksionare vazhdon takime
me Legalitetin e elementë të pakënaqur dhe kështu
mendon t'i organizojë...
Ka formuar një grup kundërshtar me Gjelosh Vatën,
Gjon Lekën, Tomë Lecin dhe Mustafa Jakupin, ku kanë
diskutuar çështje me karakter politik kundër Pushtetit...
Kanë komentuar lajmët e radiove, duke paraqitur gjëndjen
e turbullt dhe plasjen e një lufte të re botrore, që
kjo do të përfundojë në favor të Anglo-Amerikanve...
Ka qenë përgjegjës i grupit të sipërm ku
pjestarët i ka udhëzuar mbi punën që do të
zhvillojnë kundër Pushtetit të sotëm, të
cilin do ta rrëzojnë me violencë.
Ka udhëzuar antarët e grupit për të punuar në
prëgatitjen e Përpjekjes së 9 shtatorit 1946, ku
dhe vetë ka punuar në këtë drejtim...
Kryetari i Seksionit të Mbrendshëm d.v. (firma)
"Gjykata e Naltë Ushtarake Tiranë e mbledhur sot
më dt. 6 mars 1948, e përbërë nga Kryetari,
major Niko Çeta, antarë kap. I Nexhat Hysejni dhe Kap.
I Mustafa Iljazi, prokuror kap. Nevzat Hasnedari dhe kryesekretar
Thoma Rino, vëndosi:
Aprovimin e vëndimit 457 dt. 2 dhjetor 1947, ME VDEKJE për
PJETËR PRENDUSH PALIN, dhe modifikimin me privim lirije, përjetë
për Mustafa Jakup Vodaj.
Vendimi është i formës së prerë."
Pjetër P. Pali u ekzekutue më 11 mars 1948, në Zallin
e Kirit në Shkodër, me Prelatët e Klerit Katolik.
Pse u pushkatue me këtë grup? Krytari i Gjyqit, Misto
Bllaci, vlleh, shënon disa herë:
"Të pandehurit Pjetër Pali dhe Rrok Luli, kanë
qenë të lidhur me Komitetin Organizativ klandestin të
Shkodrës, me anë të Klerit Katolik, të cilët
e mohuan para gjyqit. (Dosja1251, fq. 7).
... Kanë marrë letra prej Gjelosh Lulit, me ia çue
Cin Serreqit, e ky Françeskanëve...
Në mbledhjen e parë kanë caktuar si kryetar Pjetër
Palin dhe sekretar Rrok Lulin. Direktivat e grupit i jepte Pjetër
Pali... Ai i merrte direktivat nga Organizata terroriste Demokristjane
në fillim, pastaj nga Komiteti i Përbashkët për
Shkodrën..."
Misto Bllaçi d.v.
Edhe një Martir në Elterin e Atdheut:
I pafajshmi Pjetër P. PALI.
IMZOT PROF. JUL BONATTI
"Shteti komunist në përputhje me kushtët konkrete
përpunoi platforma politike dhe zbatoi metoda e mjete antikatolike
tepër të sofistikuara."
Ajet Shahu
Ka lé në Shkodër më 4 maji 1874. Prindët
e tij ishin Aleksandër e Roza Bonatti. Asht laurue në
filozofi dhe letërsi në universitetet e Vjenës së
Austrisë dhe në Padova, n'Itali. Ka pasë edhe një
motër murgeshë që thirrej Motër Veronika. Porsa
ka mbarue studimet asht shugurue meshtar, ka shkue në Stambollë,
ku ka shërbye për 16 vjet. Atje ka mujtë me kërkue
ndër arkiva mjaft materiale historike që ma vonë
i vlejnë për punimet që do të kryente dhe, që
janë një thesar i madh për shkencën shqiptare.
E vërteta asht e msheftë mbasi nga materiali që kam
kalue nëpër dorën teme nuk bahët fjalë,
se ku mund të jenë ata punime aq me vlerë. Dikush
me siguri edhe mund të dinë!
Mbas Stambollës, vjen me shërbim fetar në Durrës
ku punoi për 10 vjet, mandej 3 vjet të tjera ishte në
Vlonë. Atje u njohtë me Papa Petraq Isakun, prift katolik,
si dukët edhe ai një klerik i pregatitun mirë, mbasi
Imzot Bonatti flet me respekt për té. Edhe ai përfundoi
në birucat e Sigurimit të Vlonës dhe me sa shihët
nga një shënim jo i saktë, ose e kanë mbytë
në hetuesi ose asht pushkatue. Mungesa e dokumentacionit nuk
më lejon me dhanë mendim të saktë për té.
Imzot Prof. Jul Bonatti prej vitit 1942 ishte në Itali, për
arsye shëndeti. Atje vazhdon punën shkencore dhe letrare
deri në vitin 1946 që e këthejnë në Shqipni.
Ka jetue në Montecatini dhe me sa dukët atje kanë
mbetë edhe dorëshkrimet e tija. Me të ardhmën
në Shqipni, vjen në Shkodër për me takue At
Mati Prennushin, i dërguem nga Imzot Vinçenci. Me këtë
rasë merr edhe një ndihmë të vogël materiale,
mbasi kur u kthye nga Italia nuk mujti me marrë as teshat e
trupit prej andej.
As sot që kanë kalue ma shumë se 50 vjet që
u kthye, nuk di me e kuptue se cila ishte arsyeja që u dërgue
ky njeri në Shqipni, vetëm në kjoftë se e nisën
për "kurban", mbasi arsye tjetër nuk di me gjetë!
Nga disa filma dokumentarë të asaj kohe për ngjarjet
në Itali, dyshoj për ndonjë marrveshje të mësheftë
të Italisë me Tiranën komuniste!
Për pak muej shkoi në Vlonë ku kishte shërbye
si famullitar edhe përpara pushtimit komunist. Me datën
6 nandor 1946, në pragun e arrestimit të Françeskanëve
të Shkodrës, arrestohet edhe Imzot Bonatti, pra, pak muej
mbas kthimit nga Italia.
Hapët dosja nr. 3616... Me gjithë mangsitë e saja,
tregon diçka që për mue më ka ngjallë
interes. Në hetuesi Imzot Bonatti deklaron: "...Në
vitin 1945, jemi mbledhë në Romë, dhe aty na foli
Papa Piu XII. Prej aty më kanë sjellë me aeroplan
për në Shqipni, anglezët."
Rreshti i fundit për mue flet gjithshka! Plot një vit
hetime. Po shka deponon i shkreti Imzot Bonatti? "...nuk kam
lidhje politike me konte Salvonin. I kam thanë për Flamurin
tonë Kombëtar, pse kështu nga fashizmi? Nuk më
pëlqen aspak vëprimi i juej!
Për fëtyrën e Papës merrën lajmët
nga agjensi që janë kundër Papës. Papa mbron
popujt e vegjël dhe nuk asht e vërtetë që Papa
me kenë kundër njerzimit.
Qëllimi i jonë si fetare asht të bashkojmë popujt,
dhe t'i vllaznojmë në çdo anë të botës.
Feja Katolike ka anmik kryesor gabimin dhe jo gabimtarët, i
cili gabim asht komunizmi, por komunistët i ka vëllazën."
Asht fat që në shpjegimet biografike tregon disa detaje,
që me siguri nuk do të ishin ditë kurrë, p.sh.:
"Në Stambollë, kam shërbye në Kishën
e Sant Ospit. Atje më donin dhe më respektonin shumë."
Edhe pse asht i arrestuem Sigurimi vazhdon grumbullimin e informatave:
"...ka lidhje me Tol Arapin e Jan Boskon, shkojnë me biçikleta
në mbrëmje tek shtëpia e Bonattit"(dt. 30. 06.
1947). Do të dishrojsha me ditë, kush ishte ky Jan Bosko?
- Kujt i përket ky emën?
"... përsonat që vajnë tek ky (Bonatti) janë
K a t o l i k ë, dhe sigurisht qëllimi i vajtjës
së tyre ka karakter p o l i t i k." (dt. 10 qershor 1946).
"... shoh dy vetë që vejnë në darkë
tek prifti Bonatti, por nuk i njoh kush janë, ato ikin shpejt
me biçikleta, për të mos i parë njeri..."
... sigurisht makina e Sigurimit ishte e zanun me arrestimet e shumta...
nuk kishin me çka me ndjekë spijujtë e Vlonës
priftin! Besohet kjo?!....
Prokurori Beqir Isufi shënon: "Prifti spijun i djallzuar..."
Namik Cakrani shënon: "... Është i pa korrigjuar,
t'i epët dënim i rëndë."
Trupi Gjykues i përbamë prej Kryetar Myftar Grabocka,
antarë Taqo Jaho dhe Thoma Laro, prokuror kapiten Kristo Mushi,
përveç deklaratave të sipërme, akuzon Imzot
Prof. Jul Bonattin: "... agjent i Vatikanit, spijun i dërguar
për qëllime armiqsore, ka bashkëpunuar me armiqë
të popullit si: Prefektin e Vlorës Lele Koçin,
Rrok Nallbanin (kuestor), dhe armikun e regjur Vishdan Risilia.
Ka punuar në favor të Vatikanit i porositur nga Imzot
Vinçenc Prennushi..."
Me datën 27 tetor 1947, jepet vëndimi: "7 vjet burg,
me heqje lirie.".
Edhe pse Imzot Bonatti nuk pranon asnjë nga akuzat për
një vit rresht në hetuesi, vëndimi u shqyrtue në
Gjykatën e Naltë të Tiranës, e përbame
nga: Kryetar, Niko Çeta, antarë Veladin Zejneli dhe
Nexhat Hysejni, prokuror Nevzat Hasnedari dhe vëndosi: "Dënohet
me 5 vjet heqje lirie...".
Prof. Arshi Pipa në shkrimin e tij " Monsignor Vinçenc
Prennushi (in memoriam)", me datën 28 shkurt 1995 në
Tiranë, shkruen: "... Mbaj mend nji skenë të
devotëshme në infermerinë e burgut, ku unë u
shtrova mbas kthimit në Durrës nga kampi i Vloçishtit.
Në infermerinë e burgut gjeta Imzotin qi vuente prej asmës.
Kjo ishte e tillë sa me e lanë pa frymë prej gulshimit.
Nji ditë prunë në infermeri Don Jul Bonattin, famullitarin
e Vlorës. Kur i thashë kush ishte i smundi qi përpëlitej,
ai u ngrejt prej shtratit dhe ngau me i puthë dorën Imzotit.
Monsignori tërhoqi dorën, bekoi me té Don Bonattin
dhe u përmbys në shtratin e vet."(marrë nga
origjinali)
A thue këtu mori fund gjyqi i Imzot Bonattit?
Sigurimi komunist ishte ma i djallzuem se na shkon mendja né.
Ai shpesh ndryshonte metodën, por kurrë rrugën e
zgjedhun të krimit, nga i cili nuk mund të shkëputej
asnjë çast.
Në materialet arkivore vërejmë disa dënime të
"buta", nëse do t'i quajmë kështu. Edhe
Imzot Prennushi dënohet 20 vjet, ndërsa Don Anton Zogaj,
sekretari i tij pushkatohët. Don Zef Maksen (gjerman) dënohet
pak vite, por merrët natën nga burgu dhe vritët.
Enver Hoxha kishte zgjedhë rrugën e dredhisë përpara
opinjonit të huej. Po pyetën të huejt "ç'u
bë Imzot Bonatti?", ne do t' themi - "e kemi në
spital për mjekim", më vonë, "shohim e
bëjmë!?".
Pak kohë mbasi u dënue Imzot Bonatti dërgohet në
spitalin psikiatrik të Durrësit, gjoja për mjekim.
Kur ishte aty shkoi me u takue mbesa me té. Njëditë
i kishte tregue: "Kam provue tortura të pandigjueme e
të palexueme. Masakra me knaqë shpirtin e tyne pa asnjë
arsye...".
Vazhdoi për disa muej ajo rrugë e mnershme për Profesorin
e shkretë... Zotnues i disa gjuhve të hueja, i lauruem
në letërsi, i palodhun në punë shkencore, përkthyesi
i njoftun i "Lahutës së Malcisë", meshtar
i devoçëm dhe i përvujtë ma shumë se
duhej, sillet në Shqipni.... dhe çohet në manikomjo..
.fantazia e kriminelit asht e pafund....
Imzot Prof. JUL BONATTI, njëditë ndrroi jetë! Ndrroi
jetë... një fjalë goje!
U gjet në një dhomë copa copa, i shkyem nga të
sëmurët e "pavetëdijshëm". Kush ishin
këta të sëmurë? A me të vërtetë
mendoni se ishin të sëmurët e "pavetëdijshëm",
që e mbytën Bonattin? Jo, jo! E, prap po përsëris,
jo! Ishin të sëmurët e "vetëdijshëm"
që patologjikisht ushqehëshin me mish njeriu, dhe mundësisht
ATDHETAR, ishin po, kriminelët e pashoq, që nuk ngopeshin
me një dru mbas koke, para se t'i pushkatonin viktimat, ishin
Hasnedarët e Themelët, ishin Kapisyzët e Dul Rrjollët,
ishin e... ishin. Aranit Çelat me Kadri Hazbitë, Shehët
e Hoxhët që kishin gjetë një Haxhi (Qamil) Lleshi
të fundit të Shekullit XX, me mbytë e me vra me vulën
e "popullit", tue pi gjakun e tij e, me gishtin tregues
tue vrritë si qent : "Tradhëtarë, ..."!
Harroni, harroni, po deshët!
Por, mos harroni se:
Çobajt e kafshëve të egra janë ma të
egjër se kafshët e tyne!
PROF. ARSHI PIPA DHE PROF. PRENKË KAÇINARI
Me kalimin e kohës Sigurimi i Shtetit sa vinte e bahej ma i
ashpër dhe i rrezikshëm. Përditë e ma tepër
specializohej në drejtim të së keqes. Sigurisht,
që në fillim i mungonte eksperienca, por shpirti i keq
dhe i mbrujtun me krime ishte zgjedhë me kujdesin ma të
madh ndër këta organe të mnershme e terroriste. Bie
në sy që në fillim të vëprimëve të
para mënyra e përzgjedhjes së elementit që kanë
ndër mend me arrestue. Kryesisht merrët pikë orientuese
shkolla që ka krye ose vendi ku ka përfundue shkollën
e mesme ose të lartë. Kontrollohej rrethi familjar dhe
shoqnor, e para, a ka simpatizue doktrinën komuniste ose jo,
dhe, se a mund të na shërbejnë ne ose jo. Në
shenjë janë shkollat e Françeskanëve dhe të
Jezuitëve, ndërsa në pikëpamje mbarshtetnore
janë në shënjestër edhe ata që kanë
përfundue gjimnazin e shtetit në Shkodër. Ishte koha
kur ish studentët e vitëve maparë kishin mundësinë
me u hakmarrë ndaj atyne që nuk ishin angazhue në
rrethët komuniste, që nuk i kanë simpatizue, ose
kanë kenë indiferent ndaj vëprimeve të tyne.
Kush mund të kishte shprehë ndonjë fjalë, u
quejt menjëherë "armik i popullit", ose u mendue
si "zog" i çelun në çerdhën e
reaksionit që ishte "Shkodra". Shumë nga studentët
e ardhun në Shkodër, pa përjashtue ata që jetuan
në Konviktin e njohtun "Malet tona" ose që kanë
banue në Shkodër, por, që kanë ndjekë shkollën
në këtë qytet kjoftë edhe atë femnore të
Motrave Stigmatine, apo "Donika Kastrioti", u ndoqën
njësoj si nxanësit e shkollës Fullcit. Piknisja e
Sigurimit të Shtetit nuk ishte vëprimtaria e një
personi, shkolla ishte pika e referimit, ndërsa, themelore
ishte ajo që i shkonte në mend Sigurimit, se mundët
me pasë koka e atij që kishte atë rrezik me u vue
në listën e njerëzve të rrezikshëm për
pikëpamjet e tia, kjoftë edhe të pashfaquna. Pra,
mjaftonte me i shkue mendja dikujt nga kta terroristë se ky
përson asht "i pakënaqun" e, mbyllej dosja,
sigurisht tue paracaktue edhe dënimin e "merituem".
Hys Zaja me një copë letër, madje, pafarë kursimi,
të çonte në duert e kriminelëve: Cuf Lohës,
Ali Qorrit, Ndrekë Nallbanit, Filip Pemës, Qamil Gavoçit,
Kolec Ilisë, Petro Ballatës, Qazim e Fadil Kapisyzit,
Jonuz Dinit, etj. ose, një telefon nga "qendra" dhe
të merrte dreqi sa nuk dijshe a do të shihësh ma
dritën e diellit.
Po, sa, të pafajshëm u zhdukën prej duerve të
këtyne katilave?
As nuk bahet fjalë se ka me u dijtë e vërteta ndonjëherë.
Derisa të mbulohet genocidi që i asht ba popullit shqiptar,
shqiptarët do të vazhdojnë me kenë të fyem
dhe të poshtnuem.
Me këtë mendim besoj do të ishin dakord edhe Prof.
PRENKË KAÇINARI e Prof. ARSHI PIPA.
Të dy ishin të burgosun në vitin 1947. Të dy
"armiqë të popullit", të dy të sëmurë
në Sigurim me t.b.c., të dy të masakruem ndër
tortura, të dy t'uritun, të dy të "pa marrun
vesht", të dy të humbun ndër birucat e burgjëve
të Durrësit, të dy "agjenta" se kanë
mbarue shkollat e larta, të dy direkt ose indirekt të
simpatizuem nga intelektualët e mbarë Shqipnisë,
të dy të respektuem dhe të nderuem nga të gjitha
gjeneratat që kanë ndigjue mësim nga kata vigaj të
kulturës shqiptare, të dy me një hap marrshi drejt
majave të vështira, por që vezullonin si zafire për
me ndritë me dijën e tyne rrugën e brezave të
ardhëshme drejt Evropës. Por, ç'e don, të
dy të "infektuar" nga Kleri Katolik! Prandej, dënimi
i dhanun nuk asht i mjaftueshëm... duhën ridënue...
Ashtu u veprue!
PROF. ARSHI PIPA "(Dosja 1167), vjeç 27, lindur në
Shkodër (nga Libohova), banues në Durrës, profesor,
në gjendje ekonomike të mirë, i dënuar nga Gjykata
Usht. Tiranë me dy vjet privim lirie, për vëprimtari
kundër Pushtetit Popullor, u muar sot më 5 dhjetor 1947
në pyetje nga Prokurori Publik i Prefekturës së Durrësit
Sotir Qiriaqi:
- I pandehuri ka patur të proçeduar për veprimtari
antipushtet, vëllain e tij Muzafer Pipa, i vdekur në burgun
e Shkodrës..."
Në rreshtin e parë fillon gënjeshtra! Duhej shkrue:
"... Muzafer Pipa, i vdekur në tortura në Sigurimin
e Shtetit në Shkodër... i padënuar...". Vazhdon
ma poshtë prof. Pipa:
"1. Për akuzat e reja që m'atribuohën si rrjellim
çka ka dalë nga proçesi i Gjyqit të Tiranës,
kundër grupëve të organizueme kundërshtare,
unë jam krejt në padijeni të tyne, dhe nuk asht aspak
e vërtetë që kam qenë bashkëveprues me
të dënuemit, ose të pandehurit e grupëve të
Durrësit të kësaj organizate. Unë shtoj, se
edhe dënimi em i maparshëm, me akuzat që mu banë
në atë gjykim, kanë qenë disa akuza të
pavërteta, të disa të rijve çiliminjë
që kanë intërpretue disa fjalë të mija.
- Mbi akuzat tjera që më përmendën, unë
i mohoj, e kam deklarue edhe para gjyqit që më asht ba,
se me të dënuemit Is-han Podgorica, se mardhanjet e mija
shoqnore nuk kanë kalue cakun e marrdhanjëve profesionale,
për shkëmbim mendimesh për çështje letërsie,
dhe kurr ndonjëherë nuk kemi bisedue, ose shtrue çështje
për vëprimtari kundër Pushtetit. Me Hysen Çelën
nuk kam as njohje, vetëm e njoh kështu si ftyrë,
kështu që vetvetiu edhe akuza që më bahët
në lidhje me te, asht e pavend. Po kështu, nuk njoh aspak
as edhe si ftyrë Skënder Çelën.
- Akuzat që po me bahën tash unë i kam marrë
vesht me anën e fletorës "Bashkimi", dhe nga
zhvillimi i gjyqit të Tiranës, ku i dënuemi Beqir
Çela, ka pohue, se unë paskam qenë i ndërlikuem
me I. Podgoricën, dhe ky direkt me Beqir Çelën
ishin në këtë organizatë që u zbulue. Këto
pohime të Beqir Çelës i mohoj plotësisht,
mbasi as kam pasë dijeni, as pjesë, në organizata
që ekzistonin këtu në Durrës.
- Unë mohoj gjithashtu pohimët që kanë ba para
hetuësisë dhe para Gjyqit të Tiranës, të
dënuemit anëtarë të Komitetit të Qarkut
të Durrësit, Selim Kokalari, Sulo Konjari dhe R. Tabaku,
për që unë të kemi qenë antar i kësaj
organizate me pjesmarrje në grupin Social-Demokrat.
- Unë mohoj, se këta i kanë ba këta pohime,
tue dijtë se unë kam qenë një përson që
nuk e simpatizoj Pushtetin Popullor, sikurse e kam pohue edhe ma
parë në gjyqin e maparshëm. Kështu më kanë
kallur këtë akuzë, siç kundër u a kanë
kallur edhe të tjerve.
- Me të burgosunin H. Ballhysi nuk kam patur asnjë mardhanje
për aktivitet kundërshtar, kështu që edhe emni
i tij që përmendët si pjestar i grupit social-demokrat,
për mue asht i pavend.
- Unë duke mohue edhe njëherë akuzat e sipërme,
ju shtoj përfundimisht, se veprimtaria e eme kundër Pushtetit
determinohet mbi sa kam thanë në gjykimin e parë.
Ma vonë shtoj, se detërminohet e shpreha me qëllim
me thanë: kufizohet.
- Unë sikurse thashë, jo vetëm, që nuk kam pasë
mardhanje e marrë pjesë në këto grupe që
u zbuluen, porse edhe absolutisht nuk kam pasë dijeni që
të kenë ekzistue një organizatë e tillë
kundërshtare.
Mbasi nuk kam gjë tjetër për të shtuar, sëpse
i pandehuri i përgjigjet me m o h i m, ju dha fund pyetjes
së tij, të cilat si ju kënduan, i vërtetoi me
nënshkrimin e tij."
I pandehuri ( Arshi Pipa) d.v. Prokurori Publik i Prefekturës(SotirQiriaqi)d.v.
Proçes-verbal i Seksionit të Sigurimit Durrës Nr.
Regj.66
Simbas shkresës përcjellëse nr.3053 dt. 02. 12. 1947,
i dënuari ARSHI PIPA, me fakultet Filozofije në Firencë,
nga Libohova, lindur në Shkodër në vitin 1920, ti
vazhdohën pyetjet.
Prokurori Publik i Prefekturës: S. Qiriaqi d.v.
Mbasi nuk mbetet gjë për të shtuar, sepse i pandehuri
përgjigjet me m o h i m...Dërgohet për gjykim në
Tiranë, si dhunues i dispozitave të sipermë...
Prokurori...firma.
Fletë-akuzë: I pandehuri Arshi Pipa ka qenë armik
i popullit... Për të gjitha këto që përmenda
më sipër, neve propozojmë që i pandehuri Arshi
Pipa të gjykohet edhe njëherë nga ajo Gjykatë
Ushtarake, mbasi dënimi i parë i është dhënë
i pakët, sëpse mungonin edhe faktët. Me qenë
se veprimtaria e të pandehurit ka qenë e vazhdueshme kundër
Pushtetit Popullor, dhe se parimet e tija kundërshtare nuk
pajtohën kurrë me vijën e Pushtetit Popullor, propozoj,
që të marrin dënimin më të rëndë.
Veprimtaria armiqsore e të pandehurit Arshi Pipa faktohet edhe
më tepër në proçeset e armiqve të popullit,
si më poshtë vijon:
Selim Kokolari thotë: Arshi Pipa ka bërë pjesë
në grupin Social-Demokrat, bashkë me H. Ballhysin, I.
Podgoricën, H. Çelën etj.
- Sulo Konjari thotë: Arshi Pipa ka bërë pjesë
në grupin Social-Demokrat dhe ka qenë elementi më
aktiv i këtij grupi, bashkë me H. Çelën, I.
Podgoricën, Skënder Çelën e H. Ballhysin.
- R. Tabaku thotë: Arshi Pipa ka propaganduar vazhdimisht kundër
Pushtetit në fuqi dhe për ndrrimin e situatës me
ndërhyrje nga jashtë.
Prokurori shton: Ka punuar kundër Pushtetit në mënyrë
sistematike me elemente të pakënaqur nga reformat... Duhët
ridënuar..."
Prokurori ....firma.
PROF. PRENKË KAÇINARI: (Dosja1167). Ka lé në
Mitrovicë më 17 korrik 1910 . Ka përfundue studimet
e larta në fakultetin e Filozofisë, në vitin 1937
në Lion të Francës. Vjen profesor në Shkodër.
Ka miqësi me Dr. Federik Shirokën, me të cilin asht
mjekue dhe ka ba pjesë në Organizatën "Balli
Kombëtar". Në vitin 1946, transfërohet mësues
në Korçë, ku arrestohet pikërisht kur ishte
tue verue, mbasi ishte randue nga sëmundja dhe:
"... Akuzohët:
- Se ka vazhduar shkollën nëpërmjet të Klerit
Katolik.
- Ka bashkpunuar për ardhjën e fashizmit.
- Kur erdhi Italia u holl në mal me "Ballin Kombëtar"
dhe në Kishë tek priftërijtë shtypte trakte,
merrte udhzime nga kleri katolik dhe elementët e pakënaqur
në Tiranë, gjoja i sëmurë rrinte i mbyllur në
shtëpi.
- Ka bërë pjesë në grupe Social-Demokrate, kishte
lidhje me profesorët e Korçës, Foto Bala, Sulo
Klosi etj.
- Ka punuar për të rrëzuar Pushtetin Popullor, dhe
për shkëputjet e lidhjeve me Bashkimin Sovjetik për
t'u lidhë gjoja me popuj përparimtarë sipas tij,
që donte të thonte të lidhesh me Anglo-Amerikanët.
- Ka propaganduar për të rrëzuar Pushtetin me vjolencë.
- Ka punuar me elementët e rinj për të patur lidhje
me demokristjanën, grupet e social-demokrates të udhëzuara
nga Prenka.
Vëprimtaria armiqësore e tij vërtetohet edhe nga
të pandehurit:
- Selim Kokalari thotë: Prof. Prenkë Kaçinari ka
qenë antar i grupit të organizatës Social-Demokrate
që nga formimi i saj.
- Sulo Konjari thotë: Prof. Prenkë Kaçinari ka
qenë antar i partisë Social-Demokrate.
- Gjovalin Vlashi thotë: Unë kam folë rreth gjendjes
së formueme në Shqipni, gjithmonë kundër Pushtetit.
Ndër të tjerë ka qenë edhe Prenkë Kaçinari.
- Xheudet Tirana thotë: Elementët që unë kam
biseduar kundër Pushtetit Popullor dhe që ishin një
mendimi me mue, ndër të tjerë ka qenë edhe Prenkë
Kaçinari.
Pashko Gjeçi thotë: Në mbledhjën e parë
që kemi ba në Lice në Durrës, ka kenë edhe
Prenkë Kaçinari... Një mbledhje e kemi ba në
shtëpi të Vasil Zirit, dhe një tek Simon Deda, një
tek Stavro Frashëri... Ndër të gjitha ka kenë
Prenkë Kaçinari. Në grup kishim edhe Pjetër
Gjinin, Nush Radovanin, Kol Ashtën, Ndrekë Demën,
Prenkë Kaçinarin, Simon Dedën, Luigj Ljarjen, Gaspër
Jakovën, këta ishin për Social-Demokratën."
Ishin të mjaftueshme këto akuza me përcjellë
edhe Prof. Prenkë Kaçinarin bashkë me Arshi Pipën,
Hysen Ballhysin e Pashko Gjeçin, përpara Trupit Gjykues
të Gjykatës Ushtarake të Durrsit, që përbahej
nga: Kryetar, Major Gjon Banushi, antarë, Major Gjule Çiraku
dhe Kap. I Halil Ramohito, prokuror, Kap. Petrit Hakani dhe sekretar
Arqile Mihali.
Me datën 18 dhetor 1947 Prof. ARSHI PIPA deklaron para Trupit
Gjykues:
"Përsa i përket akuzes që unë të jemë
antar i organizatës trathtare nuk asht e vërtetë,
dhe s'e pranoj. Unë me Sulo Konjarin dhe Selim Kokalarin, nuk
kam pasun ndonjë lidhje e ndonjë miqësi dhe nuk i
njoh.
Unë artikujt në kohën e Italisë i kam shkrue
në revistën "Kritika". Kam shkrue mbi Fan Nolin
etj. Is-han Podgorica asht profesor...
Pushtetin Popullor nuk e kam pa me sy të mirë.
Me Is-han Podgoricën nuk kam bisedue gja për situatën,
dhe çështje politike. Proçesi i em i bamë
në Prokurori tregon se nuk kam rrejtë, por jam mundue
me thanë të vërtetën.
Gjithë faji i em asht se nuk jam dënue njëherë
e mirë, dhe tash më sjellin prap në gjyq për
të më akuzue për organizatën që u zbulue,
por unë nuk kam marrë pjesë në té. Me
I. Podgoricën kam bisedue çështje letrare, por
çështje politike nuk kam bisedue, mbasi nuk kam qenë
marrë me politikë, por kam ndejë tue studjue gjithmonë.
Me Is-han Podgoricën nuk kam bisedue gja. Me ata që më
kanë akuzue mue, unë kërkoj të ballafaqohëm.
Me Hysen Ballhysin nuk kam bisedue gja, me të jam takue disa
herë, por në shtëpinë e tij nuk kam qenë
asnjëherë. Bisedoja se si je, por kurr çështje
politike. Skënder Çelën unë nuk e njoh, por
mundet që ai më ka ndigjue emnin tim si profesor që
unë ishe.
Unë në shtëpia të shokve të mij nuk kam
shkue ndonjëherë.
Pashko Gjeçin e kam njoftë dhe që të kem bisedue
gjana letrare po, por, jo gja politike.
Përsa i përket akuzave që më bajnë dy të
rinj, unë këtyne i jepnja mësim privat dhe nuk kanë
kuptue mirë fjalët e mija. Nxanësit nuk kishin ndonjë
simpati karrshi meje, unë u jepja mësim privat se më
paguejshin edhe ata kishin interes me mësue. Sulo Konjarin
nuk e njoh, për akuzën që më ban të mejtohet
me ke ka qenë! Me R. Tabakun jam takue në kafe, por nuk
kam bisedue kundër Pushtetit, dëshroj të ballafaqohem!
Në kohën e fashizmit më kanë propozue të
bahem kryetar i një reviste italiane që do të delte
në Shqipni, por nuk kam pranue. Me Selim Kokalarin nuk kam
pasë asnjë bisedë, dhe nuk dij pse më akuzojnë!"
Pyeten dëshmitarët Pashko Gjeçi, H. Ballhysi, I.
Podgorica, dhe deponojnë ato akuza që kanë deklarue
masipër.
"I pandehuri Arshi Pipa mohon thënjet e tyre, nuk janë
të vërteta!". Për secilin përsëritë
thanjet e bame para Trupit Gjykues.
Pyetet PROF. PRENKË KAÇINARI, i cili deklaron:
"Kam kenë profesor në Shkodër. Atëherë
nuk kishte Këshill të Lëvizjes N.Çl., por
Lëvizje N.Çl. kishte. Në korrik të 1943 kam
shkue në Shllak me "Ballin Kombëtar" për
t'i ikë kuesturës.
Me Mit-hat Frashërin jam takue në fillim të 1943,
dhe bashkë me Zef Palin jam organizue me "Ballin Kombëtar".
Në Tiranë jam takue me R. Barbullushin që më
foli për Social-Demokraten, por unë i thashë, se
jam i sëmurë e nuk due me dijtë gja për këtë
punë. Pashko Gjeçin e njof, por nuk kam ba pjesë
në ndonjë organizatë me té. Thanjet tjera
nuk i pranoj, mbasi me ata përsona nuk kam asnjë lidhje.
Me Klerin Katolik nuk kam pasë asnjë lidhje. Kam njoftë
Don Mikel Koliqin dhe Don Ndre Zadejën. Me Don Ndreun kam bisedue
vetëm për probleme filozofike dhe letrare. Nuk dij se
ka pasë ndonjëherë në Shqipni organizatë
apo parti demokristjane. Unë nuk kam marrë pjesë
në ndonjë parti apo organizatë trathtare klandestine.
Jam kenë antifashist.
Don Ndre Zadeja dhe në përgjithsi Kleri nuk e ka simpatizue
okupacionin dhe fashizmin.
Mbas 1944 nuk jam angazhue në politikë, ata që më
akuzojnë, nuk dij mbi ç'baza më akuzojnë."(Dosja
1167, po aty).
Thirret Pashko Gjeçi, i cili deklaron: "Preka më
duket se ka kenë në mbledhje të Durrësit me
Partinë Social-Demokrate, kështu e dij unë."
"Prenkë Kaçinari i përgjigjet: Unë nuk
kam ndonjë anmiqësi, por le të pohojnë drejtë!"
Edhe ndonjë dëshmitar tjetër të parapregatitun
Prenka, gjakftohët dhe me ton burrnor i jep atë përgjigje
që meriton. Jam i sigurt, se këta dëshmitarë
të topitun para qëndrimit të palëkundun të
Prenkë Kaçinarit, fillojnë që në gjyq
me mohue, jo aq nga turpi, sa nga mendimi i gabuem i tyne, se në
gjyq ata nuk kanë me kenë ndonjëherë përballë
Prenkës. Vetë përdorimi i fjalës "më
duket" se ka qenë edhe Prenka!..., tregon lëkundje,
një lojë që gënjeshtarët e përdorin
shpesh me mendimin që i akuzuemi me u lëkundë në
qëndrimin e tij dhe po e hangri "ullinin", hyni në
grackë, ose ma vonë me pasë mundësinë me
i thanë viktimës: "Të dhashë një mundësi
me mohue!". Faktet tregojnë se ata mbetën gjithmonë
akuzues dhe çpifës, ndërsa burra u rikëthyen
vetëm ata që para gjyqit thanë:
"E kemi pranue me shtërngim, por e vërteta asht kjo
që po tham tashti këtu !" e, nuk janë kenë
të paktë edhe burrat që mbas dhunimit të mnershëm
në hetuesi, kanë gjetë forca me thanë të
vërtetën.
Tue mos pasë fakte për gjykimin që mund t'i kenë
ba gjykata, Prenka ose Arshiu ma vonë prap do të përsërisnin
gjyqin. Unë po vazhdoj me thanjet e tyne, mbasi jam i bindun
se edhe Prenka edhe Arshiu, do të ridënoheshin njësoj,
edhe sikur kurrkush mos t'i kishte dalë dëshmitar i rremë
në gjyq ose në hetuesi, madje, ma vonë edhe do t'ishin
pushkatue si shumë shokë të tyne. Por, për me
kenë të qetë shpirtnisht, të paktën sot,
ata që jetojnë nuk duhët të mendojnë se
ata burra vdiqën pa folë për dobësinë tonë
e, "ishalla edhe dokumentat janë djegë, se ashtu
po flitët...!".
Jo, jo! Mos rreni vedin gjithë jetën! Të gjithë
dokumentat janë! Koha ka me provue dhe ka me vulosë ndër
fletët e historisë, se të gjitha poshtërsitë
Enver Hoxha, me shokët e tij, i ka lanë këtu dhe
askush mos të mendojnë, se i kanë marrë me vedi
në vorr!
Me datën 24 dhetor 1947 Kryetari i Gjykatës Ushtarake
Durrës, major Gjon Banushi, jep vendimin nr. 704 themel. Si
mbas zhvillimit të gjyqit nga dt. 18 dhetor 1947:
"... Në emër të Popullit Shqiptar":
"... Arshi Pipa, Prenkë Kaçinari, Hysen Ballhysa,
Pashko Gjeçi kanë qenë antarë të organizatës
së gjerë agjento-sabotatore, dhe antarë të grupit
social-demokrat, për të rrëzuar me dhunë Pushtetin
Popullor duke pritur një zbarkim nga jashtë.
I pandehuri Arshi Pipa, gjatë kohës së fashizmit
ka drejtuar revista me ideologji fashiste për të mashtruar
popullin dhe për të maskuar okupacionin e fashizmit në
vendin tonë. Mbas çlirimit të Shqipërisë,
duke qenë profesor në liceun e Tiranës, lidhet me
grupin e social-demokratës dhe zhvillon një aktivitet
të gjerë në favor të kësaj organizatë.
I pandehuri, vazhdon aktivitetin e tij ndër studenta dhe ndër
elementa të pakënaqur, duke predikuar mbi demokracinë
perëndimore dhe me tjera pallavra, të gjitha këto
i bënte me qëllim për të treguar se në
vendin tonë nuk kishte liri demokratike dhe, e konsideronte
Pushtetin si një Pushtet terrorist.
Aktiviteti i të pandehurit u provua plotsisht nga atribuimet
që i bëri Sulo Konjari në gjyqin e Tiranës,
Selim Kokalari dhe Ramazan Tabaku, nga proçes-verbali i tij
para hetuesisë dhe nga gjithë përmbajtja e dosjes.
I pandehuri ka bërë mbledhje të rregullta me Prenkë
Kaçinarin, Stavro Frashërin, Is-han Podgoricën,
Simon Dedën, Hysen Ballhysin, Sabri Ticin e Rifat Dërvishin,
dhe këto mbledhje janë bërë në liceun e
qytetit.
Prandaj: ... Për të gjitha këto, bashkërisht
dhe pjesërisht në kundërshtim me prokurorin, në
bazë të ligjes së sipërme vëndosi:
1. Prenkë Kaçinari, me privim lirije për jetë,
konfiskim të pasurisë së tij të luajtëshme
dhe të paluajtëshme.
2. Arshi Pipa, me 20 vjet privim lirije.
3. Hysen Ballhysa, me 15 vjet privim lirije.
4. Pashko Gjeçi, me qenë se u tregua shumë i sinqertë
para Gjyqit dhe deponoi vullnetarisht jo vetëm fajsinë
e tij, por edhe të shokve të tij pjestarë të
po një organizate, i akordohën shkaqe lehtësore në
konformitet me nenin 45, të ligjes 382, dt.12 dhjetor 1946,
dhe vendosë: dënimin e tij me 5 vjet privim lirije, dhe
konfiskimin e pasurisë.
Të katër të pandehurit humbin të drejtat civile
dhe politike për tre vjet, dhe vuajtja e ndëshkimit fillon
nga data e arrestimit.
Durrës 24 dhjetor 1947.
Sekretari d.v. Antar d.v. Antar d.v. Kryetari d.v. (vetëm firmat)
Në dosjen nr. 1167 ruhët kjo kërkesë e bame
nga Prof. Arshi Pipa, të cilën po e botoj pa asnjë
ndryshim nga origjinali, mbasi m'u dha mundësia e kopjimit:
"V.F.L.P.
Me anën e Drejtorisë Burgut A.P. Durrsit
Gjykatës së Naltë Ushtarake Tiranë
I nënshkruemi Arshi Pipa kam nderin T'i paraqes asaj së
Nalte Gjykatë, kërkesën time apelimore, si vijon:
I arrestuem që më 27 prill 1946, jam dënue prej Gjykatës
së Garnizonit Tiranë me 2 (dy) vjet privim lirije, për
veprimtari kundër Pushtetit.
Më 20 dhetuer 1947 jam dënue rishtas nga Gjykata me 20
(njizet) vjetë privim lirije, i akuzuem në grupun social-demokrat
në lidhje me organizatën e deputetve. Përsa i përket
kësaj akuze, marr lejën të baj vetëm nji vrejtje:
Përsonat që më akuzojnë, disa i njof vetëm
për fëtyrë, e disa nuk i njof fare. Prej akteve që
e Nalta Gjykatë do të marrë në shqyrtim, kam
shpresë, do të dalë qartë se unë nuk jam
nji njeri i politikës por nji njeri i librave, i studimëve;
nuk kam marrë pjesë në jetën politike para Çlirimit,
nuk kam qenë as me Ballin as me Legalitetin. Me ndjenja kam
qenë kundërshtar i fashizmit, gja kjo që provohet
ndërmjet tjerash, nga nji dokument që ndodhet n'aktet
e mija të gjykimit të parë. Rrjedhi nga nji shtresë
e mesme qytetare. Nuk jam i prekun nga Reformat, mbasi as unë
as prindët e mij nuk kanë të paktën asnji shtëpi
banimi tonën.
Përveç të masipërmeve lutem të merren
parasyshë edhe këto dy gjana: a. Gjendja ime familjare:
tue qenë unë i vetmi mashkull përveç babës
që asht tetëdhetë vjeçar e paralitik - në
familjen time të përbame nga nana, katër motra -
prej të cilave njena e sëmurë tuberkuloze - dhe dy
jetime. b. Gjendja ime shndetsore: tue qenë unë që
prej shumë kohe me nji infiltracion të mushkërive.
Tue shpresue se apelimi im do të gjejë konsideratë
pranë asaj së Nalte Gjykate, kërkoj lehtësimin
e dënimit dhe shpreh bindjen time në verdiktin e saj të
drejtë.
Durrës 27 dhetuer 1947
Arshi Pipa d.v.
I burgosun në Burgun A.P. të Durrësit"
V.O. Burgu A.P. (Armiqve të Popullit), shën.autori.
Seksioni i Mbrendshëm i Durrsit përcjell dosjen në
Gjykatën e Naltë tue shtue këtë dokument:
"Komunikatë: Me datën 24 shkurt 1948 Prokuroria vë
ré se:
Nga shqyrtimi i aktëve të të pandehurve Arshi Pipa,
Pashko Gjeçi, Prenkë Kaçinari dhe Hysen Ballhysa,
rezulton se kanë qenë antarë të organizatës
agjento-sabotatore duke bërë pjesë në grupin
e quajtur social-demokrat, që kryesohej nga Gjergj Kokoshi
e Suat Asllani. Organizata është shtrirë në
elementët e pakënaqur nga Pushteti e Reformat. Kanë
organizuar grupe në shkolla si profesorë dhe kanë
bërë mbledhje të rregullta. Kanë marrë
vëndime për zgjerimin e organizatës dhe kanë
propaganduar kundër të gjithë Reformave të Pushtetit.
Kanë sabotuar në sektorët e tyre, kanë agjituar
për të prëgatitur terrenin për ndërhyrjen
e Anglo-Amerikanve.
Qëllimi i të pandehurve ka qenë rrëzimi i Pushtetit
me forcë dhe me anë të një kryengritje në
lidhje me forcat e huaja.
Vepra e tyre është tradheti ndaj Pushtetit Popullor dhe
Atdheut.
Për këto arësye dhe për ato që do të
shtroj, kërkoj modifikimin e dënimit Prenkë Kaçinarit,
ndërsa Arshi Pipa, Pashko Gjeçi, dhe Hysen Ballhysa
të lehën si ishin.
24 shkurt 1948
Prokurori Ushtarak i U.K. Shqiptare
Kapiten I. Nevzat Haznedari d.v.
Gjykata e Naltë Tiranë me nr. 96 të vëndimit,
nr. Regj. 61, e mbledhur me datën 29 shkurt 1948, me kryetar
major Niko Çeta, antarë, kap. I Veladin Zejneli dhe
kap. I Nexhat Hysejni, prokuror kap. I Nevzat Haznedari dhe kryesekretar,
Thoma Rino, mbasi shqyrtoi dokumentacionin e të pandehurve,
vëndosi:
1. PRENKË VLASH KAÇINARI, me 20 vjet privim lirije.
2. ARSHI MUSTAFA PIPA, me 20 vjet privim lirije.
3. HYSEN NAMIK BALLHYSA, me 15 vjet privim lirije.
4. PASHKO VASË GJEÇI, me 5 vjet privim lirije.
Kryesekretari d.v. Antar d.v. Antar d. v. Kryetari d.v.
(vetëm firmat). "
Këtu mbyllet vetëm dosja...
Jeta me të vërtetë vazhdoi... por, askush nuk mund
të parashikonte si u erdhi fundi këtyne njerëzve,
ndoshta, edhe ata vetë në vitin 1947-48, fundin e kanë
mendue në Beden, Maliq, Burrel, ose Tepelenë, por, kurrë
se mund të jenë një ditë... në Romë,...Washington...
ose, ma mirë me thanë se mund të jenë ndonjëherë
të lirë. Fjala liri kishte përëndue bashkë
me andrrat e shpresat e tyne. Prof. Arshi Pipa pat fatin me e shijue
prap lirinë, ndërsa Prof. Prenkë Kaçinari,
provoi, se, ka rasë që jeta tregohët e ashpër
dhe mizore e, ndonjëherë, jo e meritueme kjo për
atë që e provoi...
Lexoni me kujdes këta pak rreshta, pa koment:
I dashtuni Mark, (Të dashtunit e mi)
Edhe pak çaste më mbetën, kur unë përfundimisht
po shkëputem nga kjo jetë. Me përmallim të madh
po ju la të gjithve: kunatën, motra, nipa e mbesa që
kaq fort ju kam dashtë. Vëndosa me e krye këtë
akt dobësije do ta quani, por për mue kje akt kurajoz.
Vuajta tepër e tash ma s'po mund të duroj. Po i nap fund
të gjitha vuajtjeve të mija.
Kjeshë te ju; nuk dhashë me kuptue gja; nuk dojshe me
tradhtue veten, kisha frigë të mos më mbusheshin
sytë me lotë. Nuk e pashë edhe motrën time të
dashur, Luljen, që ishte e shtrueme në spital.
Se çfarë çastesh të fundit po jetoj, nuk
mund t'i përshkruej. Po e shkruej këtë letër
me lot ndër sy.
Erdha këtu në Tiranë vetëm e vetëm për
mos me ju qitë telashe ju. Në vendin ku do të vras
vetën dëshroj të varrosëm.
Një dëshirë tjetër e, që due ta plotësoni
asht: të mos mbani askush shej zije për mue; zinë
e mbani në zemër.
E tash lamtumirë përgjithmonë. E di se do të
kishit dëshirue t'ju shkruajshe ma gjatë. S'po më
punojnë ma as mendja, as dora.
Përqafime e të puthuna të përmallshme; më
kujtoni në bisedat tuaja, jam i juaji
Prenkë Kaçinari
Tiranë, 3.IX.1956 ora 5 mbasdreke.
Kjo letër u postue nga Tirana nga vetë Prenka, për
Z. Mark Lezhja në Durrës, që ishte burri i motrës
së Prenkës, Karrolinës dhe, origjinali ruhët
në familjen e tij. (shënimi i em).
DON A N T O N M U Z A J
Ka lé në vitin 1921 në Vernekollë të
Jugosllavisë nga prindët Dedë e Dila Muzaj. Kishte
katër vëllazën dhe një motër. Mbasi kryen
klasën e parë në Prizren, vjen në Shkodër
për me vazhdue studimet në Kolegjin e Jezuitëve,
ku vendosë me marrë rrugën e meshtarisë. Në
vitin 1938 shkon me vazhdue studimet e larta në Universitetin
e Gregorianëve në Romë, Itali. Mbasi mbaron studimet
për filozofi dhe teologji në vitin 1945 shugurohet meshtar.
Në vitin 1946, Vatikani tue e dijtë se mjaft klerikë
po arrestoheshin, i ban thirrje të gjithë meshtarëve
të vendëve të Lindjes "me u gjetë në
këtë kohë të vështirë pranë popujve
të tyne të robnuem nga komunizmi...". Thirrjes së
Papës Piu XII i përgjigjet Don Antoni edhe Imzot Jul Bonatti,
të dy të ndodhun atje që këthehën në
Shqipni dhe pësojnë të njajtin fat.
Mbas arrestimit të Don Tom Lacës, Don Antoni, emnohet
Kançelar i Argjipeshkvisë së Shkodrës. Në
një kohë rekord, mbrenda pak muejsh Don Anton Muzaj, bahët
një ndër figurat ma të ndërueme dhe të
respektueme të Klerit prej popullit të Shkodrës.
Cilësia që ë bani të përjetëshëm
ishte përvujtnia dhe modestia shpirtnore e tij. Me të
vërtetë i rij me moshë, por shumë korrekt dhe
komunikues me njerëzit. I pa pritueshëm dhe shumë
aktiv. Ishte shumë tërheqës në biseda dhe në
predikimet e tij që bante në Kathedrale.
Me datën 20 maji 1947 arrestohet dhe torturohet si të
gjithë të tjerët në mënyrën ma shnjerëzore
nga katili Pjerin Kçira. Ky kriminel e mbajti Don Antonin
në një nga podrumet e hetuesisë të zhytun deri
në bel në ujë të pistë, mbandej e nxori
në hollin e Kuvendit të Fretënve, ku asht kenë
sahati me diell. Aty vendi i shatrivanit ishte këthye në
një pus të madh i gropave të zeza që derdhëshin
përjashta dhe në atë moçal të ndytë
Don Antoni, asht pa për disa ditë i zhytun, deri sa njëditë
ka fillue me humbë në atë pisllëk. Aty kaloi
një dimën të ashpër që e shpartalloi me
një T.B.C. galopante. Asht dëshmitarë Z. Ana Daja,
që e ka pa me sytë e saj tue skuqë vendin me gjakun
e tij që nxirte kur kollitej dhe binte pa ndjenja. E vetmja
thirrje e tij ishte: "O Zot, për hatër tand.... më
ndihmo!". Kur ka dalë në gjyq asht ba "përjashtim"
në grupin që bante pjesë, i vetmi asht kenë
Don Antoni që asht lejue me folë i ulun në karrigë,
mbasi ishte aq i sëmurë sa nuk qëndronte në
kambë. Që në pyetjet e para para trupit gjykues,
i merrën mendët dhe rrëzohet.
Don Antoni u akuzue: "Agjent i Vatikanit i dërguar në
Shqipëri për qëllimet e tyre djallëzore për
me organizuar grupe kundër Pushtetit, është qenë
bashkëpuntor i fashizmit që në shkollë, spijun
i tyre. Ka dëshruar që pushtetin ta marrin Balli Kombëtar,
mbasi ajo organizatë ka qenë që ka bashkëpunuar
me fashizmin deri në kapitullimin e plotë të tyre."
(Dosja 1303 Arkivi M.M.Tiranë).
Pjerin Kçira shënon: "Në hetuesi ka rezistue,
mundohet të largojë vehtën nga përgjegjësia.
Asht element besnik i vijës së trathtisë."
Në proçes-verbalin e ballafaqimit me At Mëhill
Miraj, pyetësi Fadil Kapisyzi shënon: "... ka pasë
lidhje me padër Mëhill Miraj dhe padër Bernardin
Demën, me të cilët ka biseduar se Kleri pret kohën
oportune për me sulmue këtë Pushtet. Ka shpërnda
trakte për Organizatën "Bashkimi Shqiptar" dhe
ka ba pjesë në grupin e avokat Paulin Palit.
Don Anton Muzaj mohon ballafaqimin, se nuk janë të vërteta."
Grupi përbahej nga: At Donat Kurti, Don Anton Muzaj, Don Mark
Hasi, Angelo Tarcizio, Çesk Hilgega, Viktor Kujxhija, Injac
Serreqi, Albert Çoba, Ana Daja, Gjon Kovaçi, Liza
Pali, Elez Nurja dhe Sheuqet Lutfija. Dokumentacionin e plotë
nuk kam pasë mundësi me e lexue.
Gjyqi Ushtarak u zhvillue në Shkodër dhe vendimi u dha
më 8 janar 1948 nga Trupi Gjykues i përbame nga: Kryetar,
Misto Bllaci, antarë: P. Alizoti dhe A. Koroveshi, dhe prokuror
Namik Qemali. Relacioni për gjykatën u përpilue nga
Aranit Çëla, i cili shënon karakteristikat përsonale
për secilin, mbasi një ditë para daljes në gjyq
ai i mori në pyetje të gjithë një nga një.
Don Anton Muzaj deklaron:"... nuk e kam dashtë asnjëherë
komunizmin dhe më ka ardhë keq që humbi dhe nuk fitoi
Balli Kombëtar, mbasi ishte e vetmja organizatë që
kishte elementë të mirë me marrë në dorë
drejtimin e shtetit."
Mbas pak ditësh që u lirue, vdiq në shtëpi për
mos me shenue se mbeti në duart e hetuesve kriminelë....
NJË AKT TIPIK KOMUNIST.
"Lufta që racjonalizmi nisi mbi katedra, ra mandej në
rruga e u ba komunizëm, bolshevizëm gjithrrënues."
Don Kolec Prennushi
Komunizmi asht një e keqe e madhe, që duhët zhgulë
me rrajë dhe duhët mos me hezitue për me e shkatrrue
përfundimisht, me luftë të vazhdueshme dhe të
përhershme. Asht sistemi ma përbindësh që mbështetët
në një dhunë të pamëshirshme dhe propagandë
fund e maje vetëm rrena. Sigurimi i shtetit nuk asht tjetër
veç një sadizëm i përhapun në çdo
skaj dhe i institucionalizuem në të gjitha metastazat
e tij. Praktika e punës së qeveritarëve dhe e institucioneve
të krimit asht zhdukja e dokumentacionit. Dosjet, hetuesitë,
zhdukjet e njerëzve, vrasjet dhe trajtimi i kufomave të
viktimave, shpeshherë në tortura ose mbas torturës,
gjithmonë në msheftësi, pa proçese legale
dhe pa asnjë përgjegjësi të njohtun dhe të
pranueme nga organët shtetënore, kanë për qëllim
shkatrrimin përfundimtar të njeriut si nga ana fizike,
ashtu edhe psikologjike e shpirtnore.
Terrorizmi në Shqipni gjithmonë në këta 50 vjet
asht mohue, asht errësue, ose asht nënvleftësue aqsa
populli kishte humbë çdo shpnesë, se njëditë
mund të shpëtojë. Gjyqet e mëshefta janë
rruga e çmobilizimit në masë mbasi mijëra
njerëz me të njajtat vlera dhe me trimni të pashoqe,
janë torturue e masakrue tue përfundue viktima të
terrorit komunist. Kundër popullit shqiptar asht përdorë
TERRORI si mënyrë qeverisjeje, tue e kthye atë në
një plaçkë të friksueme ose në një
turmë të bindun, mbasi përpjekja e Sigurimit të
Shtëtit ka kenë gjithmonë mobilizimi i shumë
vetëve në strukturat e tij. Ai i ka detyrue ata me u identifikue
me spijunllëkun, në mënyrë që jeta e tyne
të ishte një ankth i vazhdueshëm. Kontrolli i lëvizjeve
të çdo individi, vrojtimi i të gjitha hallkave
të jetës, monopolizimi i të gjitha organizatave,
i mjeteve të komunikimit, shfrytëzimi i shumicës
nga pakica e privilegjueme për shërbimet shtypëse
dhe shtërnguese, sjellin si pasojë tek njerëzit që
në mënyrë të vetëdishme me pranue dhunimin
e të drejtave njerëzore si një diçka e paevitueshme,
aqsa njerëzit që nuk janë të arrestuem, ose
ma keq, ata që dalin nga burgjet, kthimin e lirisë me
e konsiderue si një "dhuratë", ose prap ma keq,
para lirimit me e detyrue viktimën me nënshkrue edhe deklaratë
"bashkëpunimi" dhe me ia ditë për "nderë"
se po shkon me ba punën e tyne "i lirë". Sigurimi
i shtetit ka pikësynue gjithmonë që në popull
të mbizotnojnë pasiguria e përhershme, tue u konsiderue
i "kudogjindun".
Zhdukjet e pashpjegueshme, hetimet e stërzgjatuna, pyetjet
dhe firmosjët e proçes-vërbaleve me dhunë,
terrorizmi i fshehtë dhe çnjerëzor, proçesët
gjyqësore poshtnuese, dëshira me vdekë për me
"shpëtue" pa marrë parasyshë pasojat, intërnimet
e familjarëve, papunsia, dëbumjet, divorcet, etj. që
përmblidhen në luftën e klasave, kanë ba mbretnimin
e mjerueshëm të psikologjisë së mbarë popullit
nga shteti.
Asht aksiomë: Çdo shtet i drejtuem nga komunistët
përfundon në shtet terrorist.
Kush nuk pajtohet me gjendjën, ose vetëm mendon me e ndryshue
atë, asht atypëraty "armik", edhe pa krye asnjë
akt për atë qëllim. Automatikisht atdhetarët,
intelektualët e ndershëm dhe kleri janë në formulën
e "armikut të popullit". Të gjithë këta
mendojnë kundër kësaj vegle vigane që quhet
komunizëm, mbasi zbulojnë qëllimin amoral të
tij që asht i mbuluem me lëvoren e pranueshme morale "barazi
për të gjithë, pa dallim feje, krahine dhe ideje",
tue rrokollisë miljona njerëz në këtë humnerë,
e provueme sot ma shumë se kurr: utopi.
A mund të pranonte Enver Hoxha me shokë, thanjën
e Don Lazër Shantojës, që shkruante, shumë vite
maparë (në vitin 1924): "Qeveria ka krye plotësisht
programin e saj, atëherë, kur trathtarët e popullit
të mos munden me qeshë ma kurr, mbi kurrizin e popullit"?
Kjo asht arsyeja që më 5 mars 1945, i pari klerik katolik
që pushkatohet asht pikërisht Don Lazër Shantoja,
i gjymtuem kambësh e krahësh me sharrë druvari. Hetuesit
e tij bredhin rrugëve të Tiranës, tue përqeshë
turmat e popullit që nuk dijnë cilit me i vue gishtin
të parit e, ku me fillue, në cilin skaj të vëndit,
gjithkah zi e ma zi.
Komunistët mendonin me përdhosë Elterin e Atdheut
me veprat ma makabre të Shekullit XX dhe, asht e vështirë
me e mendue këtë skenë të ndodhun me dy klerikë.
DON ALEKSANDËR SIRDANI DHE DON PJETËR ÇUNI
Don Aleksandër Sirdani ishte nga Gucia, i datlindjes 1887.
Një meshtar i zellshëm dhe i respektuem nga populli në
vendin ku shërbente. Që në rini u dashunue me folklorin
e popullit tonë. Atje mblodhi një thesar shumë të
çmueshëm dhe shumë shpejtë u konsiderue si
një ndër njohësit ma të mirë të etnografisë
dhe frazeologjisë popullore. Kultura e gjanë që mori
në Insbruk, forcoi edhe mashumë idealin e tij si atdhetar.
Njihte mirë frymën demokratike, prandej edhe shkroi shumë
artikuj ndër revistat ma në za të kohës. Asht
vëllai i At Marin Sirdanit edhe ky dijetar.
Don Aleksandri, ishte një ndër bashkëpuntorët
ma të ngushtë të Don Nikoll Gazullit dhe At Donat
Kurtit. Kishte edhe prirje poetike. Vlenë me u theksue se në
shpirtin e tij depërtuen thellë njohjët e ngjarjëve
historike të kreshnikëve të Veriut, gja që sollën
në letrat e kulturës shqiptare një përsonalitet
të kompletuem.
Origjina dhe njohjet e zakonëve të malësisë
e lidhen me popullin, nëpërmjet atij virtyti që malësorët
e kërkonin edhe në portretin e priftit, që u predikonte
e që ai virtyt thirrej trimni.
Nësa ndër rrugët e Shkodrës shëtitej mbi
një gomar prifti 80 vjeçarë Don Ndoc Nikaj, një
ndër thëmeluesit e Shoqnisë "Bashkimi"(1899)
dhe romancieri i parë i letërsisë shqipe, po në
vitin 1946 në Koplik, fanatikët komunistë kërkonin
me fye figurën e dijetarit Don Aleksandër Sirdani mbi
një gomar tjetër, edhe ky prift i rrëthuem nga gomarët
e Enver Hoxhës, që mendonin se po përdhosin meshtarin
e përvujtë! Sekretar i Frontit demokratik në Koplik
ishte Ago Dino, ndërsa prokuror Ali Paçrami. Mbahën
mend si katilë: Xhemal Selimi, Pal Mëlyshi, Asllan Lici
dhe Faik Nuti.
Në muejin korrik të vitit 1948, Don Aleksandri u arrestue
dhe u mbajt në hetuesinë famkeqe të Koplikut, ku
e torturoi katili Xhemal Selimi me shokë, të gjithë
të njoftun si kriminelë të pashoq.
Don Pjetër Çuni ka lé në Shkodër më
9 gusht 1914. Në moshën 7 vjeç ai ishte në
Kolegjin e Jezuitve të Shkodrës, prej ku shkon në
Romë me vazhdue studimet e larta teologjike. Përfundoi
studimet në Propaganda Fide në vitin 1940 dhe po atje,
u shugurue meshtar bashkë me 100 xhakojë të tjerë
nga vende të ndryshme të botës nga vetë Papa
Piu XII. Mbas shugurimit atje, në muejn prill, nga qershori
vjen në Shqipni dhe ditën e Sh'Palit e Sh'Pjetrit (pra,
ditën e emnit të tij) më 29 qershor, thotë meshën
e parë në Kathedralën e vendlindjes, me prezencën
e Imz. Gaspër Thaçit, të Imz.Gjergj Volaj, si dhe
të gjithë klerit.
Ai ishte nipi i Don Ndre Lufit. Tue cilësue vetëm emnin
e dajës së tij, për né që e kemi njohtë
Don Ndreun, e kemi të kjartë se kush ishte ky meshtar
i rritun dhe i pregatitun nën kujdesin e tij. Don Ndreu asht
ndër klerikët ma të pastër me qëndrimin
e tij burrnor në hetuesi dhe në burgje. Gjithmonë
i papërkulun kundrejt armiqve të Kishës.
Tek Don Pjetri me siguri përveç cilësive të
priftit të devoçëm, daja shihte tek nipi edhe virtytin
e vet që e ka karakterizue gjithë jetën, trimin e
mendshëm dhe të vendosun. Këtë e ka provue jeta
e të dyve.
Emnohet meshtar i Shkrelit dhe në vitin 1941 asht në Rrjoll.
Aty, si të gjithë klerikët, merrët me studimet
e zakonëve të krahinës. Boton artikuj në revistën
"Kumbona e së Diellës", me siglën R.I.
(Pjetër Çuni), ku spikatë vullneti dhe saktësia
në studimin e folklorit. Ndoshta ky asht edhe shkaku i njohjes
me shkencëtarin e asaj fushe Don Aleksandër Sirdanin,
me të cilin edhe martirizohet.
Porsa fillojnë vëprimet kriminale në zonën e
Koplikut, vritët trathtisht Don Luigj Pici, më 10 nandor
1946, vetëm për një deklaratë të bame në
favor të Etënve Jezuitë Fausti e Dajani, kundër
vëndimit të gjyqit për pushkatimin e tyne. Vrasja
e kryeme nga Asllan Lici dhe Palë Mëlyshi, atëherë
u vesh me motive plaçkitjeje, motive që në të
vërtetë edhe qëndronin, mbasi plaçkitja dhe
hajnia ishin gjithnjë të pranishme në vrasjët
dhe arrestimet e komunistëve. Këtë e vërteton
vetë fakti i humbjes së pothuej të gjitha studimëve
dhe të veprave shkencore, letrare dhe artistike të intelektualve
që janë vra, arrestue ose kontrollue shtëpitë
e tyne. Këtë fat pësuen edhe studimet e Sirdanit
e të Çunit. Me siguri ata janë mbrenda ndonjë
titulli të dhanun ma vonë nga Universiteti i Tiranës,
po fakti asht se plaçkitësit mohuan autorët e vërtetë.
Brezat e ardhshëm nuk do ta besojnë ndoshta këtë
ngjarje, por unë, po e shkruej i nxitun nga Konica, që
thotë: "Popujt që nuk nderojnë kujtimet e shkuara,
janë të dënuar me vdekje".
SI I MBYTËN DY PRIFTNIT?
Mbas vrasjës Don Luigjit, në vendin e tij u emnue Don
Pjetri, i cili ato ditë thonte: "Dukët se Krishti
ka vendosë që unë të jem ndër të fundit!..."
Në muejin korrik të vitit 1948, kur po vinte me një
biçikletë për në Shkodër, ndalohët
në rrugë dhe përcillet në hetuesinë e Koplikut.
Aty, siç më tregonte një ish-polic S. N. i Seksionit
të Mbrendshëm, gjenë Don Aleksandrin dhe At Florian
Berishën S.J. që masakrohen bashkë me shumë
malësorë. Priftnit torturoheshin ma shumë se të
tjerët, thonte ai. Nuk dinte sepse, por jepej një urdhën:
"Hyni në hu, edhe po ngordhën mos u frigoni!"
Askush nuk e dinte shkakun dhe as nuk guxonte me e kërkue,
mbasi nuk i kushtonte asgja Xhemal Selimit me të vra me të.
Gropa e zezë ishte e hapun për cilindo!
Njëditë kishin shkue herët në Seksion Asllan
Lici e Palë Mëlyshi. Xhemali po i priste në zyrë.
Mbas një bisede të shkurtë, të tre bashkë
kanë dalë e kanë dhanë urdhën me shkue
tek birucat e Don Aleksandrit dhe Don Pjetrit, me i lidhë dhe
me i nxjerrë mbas ndërtesës së Seksionit. Për
fat ky nuk e kishte pasë atë rrezik me zbatue atë
urdhën mbasi ishin caktue katër të tjerë. I
kanë lidhë dhe i kanë nxjerrë nga një derë
anësore. I kanë ba me ecë pak shpejtë edhe pse
ishin mjaft të lodhun nga vuejtja. Xhemali ka hy në zyrë,
ndërsa Asllani e Pali kanë urdhnue policët me shkue
tek stallat e kuajve dhe me marrë dy cfurqe të rinjë
dhe të fortë. Urdhni do të zbatohej por me mend nuk
mund të gjindej çka duan me ba xhullinjtë. I sollën
edhe cfurqit. Ka dalë i pari topall në topall Asllani
e mbas tij me kapadaillëk si gjithmonë Pali. Janë
drejtue nga priftnit e lidhun tue u thanë: "Ecni, more
klysh të Papës, se tash do t'ju rregullojmë qejfin
tuej, ju kujtoni se na mashtroni me ato zhgarravinat tueja...! Pse
nuk tregoni me cilët kriminela jeni të lidhun dhe u keni
çue bukë ndër male?" Nuk kanë pritë
përgjigje por janë drejtue nga një gropë gjirizi
të nevojtorës së Seksionit që ishte gjithmonë
e hapun. Kanë urdhnue me afrue priftnit tek gropa. Këta
që po shihnin nga dritarët po mendonin se po u bahëj
presion me tregue... por, papritmas Asllani i ka vue duert në
gjoks Don Pjetrit dhe Pali, ka kapë përkrahut Don Aleksandrin
dhe, tue ua sha Zotin me fjalët ma të flligta veç
kur u kanë dhanë të shtymen të dyve e, kanë
ra mbrendë në gropën e zezë. Kur priftnit kanë
marrë me u çue, xhelatët i kanë shty me cfurk
për me i zhytë mbrenda, tue u thanë: "Hee...
flisni... ku e keni ate Krishtin tuej... flisni... kështu do
të jenë fundi i priftënve... A po e shihni kund Krishtin
tuej, hee pisa pisash...?"
Don Aleksandrit që ishte zhytë ma parë sidukët
i ishte marrë fryma dhe nuk po i shihej fëtyra, ndërsa
Don Pjetri ka muejtë me nxjerrë kokën edhe njëherë,
ashtu i nxime si të ishte i lymë me zift prej pisllëkut,
ka mbledhë gjithë forcën që i kishte mbetë
dhe ka thirrë:
"RRNOFTË KRISHTI... TEK AI PO SHKOJ!..."
Mbi brrakën e gropës së nevojtorës janë
pa vetëm kindat e ndyme të dy veladonëve. Fëtyrat
nuk i ka pa ma kush. Xhullinjtë vazhdonin me i shty me cfurk
derisa u zhytën mbrendë edhe trupat e pajetë të
tyne. Mbas pak minutash priftnit u mbytën... Ata mendonin se
bashkë me trupat e pajetë do të zhdukët edhe
vepra e tyne....
Edhe pse porosia ishte se kush do të flasë ashtu do ta
pësojë, ngjarja e dy priftënve mori dheun. Dihej
martirizimi, por diheshin edhe katilët. Fëtyrat e këtyne
kriminelëve kanë mbetë njësoj si atë ditë
kur janë fotografue si "çlirimtarë",
më 29 nandor 1944, tue parakalue në Fushën e Çelës
së qytetit të Shkodrës.
Shqipnia asht shumë e vogël për krime kaq të
mëdha. Ka vende shumë ma të mëdha, që edhe
ata kanë vuejt nën thundrën gjakatare komuniste,
por krimet atje nuk janë kurrë në përmasat tona.
Historia do të flasë njëditë!
Po, kur? - Atë nuk e di
Pjesa
I | Pjesa II | Pjesa
III | Pjesa
IV
albemigrant.com
| Tribuna
Shqiptare |
Lajme / News
|