|


Klikoni kėtu pėr t'iu bashkuar albanianpolitics

Nga
Forumi Albemigrant
Lajme
/ News
Foto montazh - Juri, postuar mė 27 Aug 2008 nga Admin Sukses i "good morning, balkan" nė Forumin Europian tė Alpbachut-Austri, postuar mė 27 Aug 2008 nga Admin Lajmėrim i familjes Gjidede, Montreal, postuar mė 25 Aug 2008 nga Admin Lajmerim i Bashkėsisė shqiptare nė Montreal, postuar mė 25 Aug 2008 nga Admin Lamtumirė Juri !, postuar mė 25 Aug 2008 nga Admin MUZEUMI ETNOGRAFIK I MALCISE, postuar mė 24 Aug 2008 nga Admin Osetia nuk ėshtė Kosovė, zoti president!, postuar mė 23 Aug 2008 nga Admin Shqiperia ne Festivalin Turk ne Central Park ne Manhattan, postuar mė 22 Aug 2008 nga Admin KRIJOHET SHOQATA MJEKĖSORE SHQIPTARO-AMERIKANE, postuar mė 22 Aug 2008 nga Admin Albanian Movie Night , postuar mė 20 Aug 2008 nga Admin Eksluzive Tribuna Shqiptare : Miqёsia midis familjes Shaska dhe Ismail Bej Vlorёs, postuar mė 19 Aug 2008 nga Admin Lajme nga HermesNews, postuar mė 19 Aug 2008 nga Admin Dita e arkeologjise shqiptare ne Otava, postuar mė 19 Aug 2008 nga Admin PREMIERA E FILMIT NE IMPERIAL, postuar mė 18 Aug 2008 nga Admin MISS BJESHKA 2008, postuar mė 17 Aug 2008 nga Admin Libri i ri i Kozeta Zylos "Pranvere pa Mimoza" , postuar mė 17 Aug 2008 nga Admin Lajme nga HermesNews, postuar mė 15 Aug 2008 nga Admin Edhe punėtorėt shėndetėsor nga Vushtrria sot kanė hyrė nė grevė, postuar mė 15 Aug 2008 nga Admin Lajme nga HermesNews, postuar mė 13 Aug 2008 nga Admin Shqiptaret e Ukraines, postuar mė 13 Aug 2008 nga Admin KOMUNIKATĖ PUBLIKE NR. 5 E ZĖDHĖNSIT POLITIK TĖ FBKSH , postuar mė 08 Aug 2008 nga Admin Lajme nga HermesNews, postuar mė 07 Aug 2008 nga Admin Njoftim per Median Shqipetare, postuar mė 04 Aug 2008 nga Admin
|
Një
monument nën dhe
Pjesa
I | Pjesa II | Pjesa
III | Pjesa IV
Nga Fritz
Radovani - de Angelis
PJESA IV
S T U D E N T Ë T
"Lahuta mbet varë n' tra,
Migja kalbët n' dhé,
E, nipat s'dinë me i ra! ..."
Poet kosovarë
"Në Gjimnazin e Shkodrës vlon propaganda antikomuniste,
na dërgoni sa më parë 100 (njëqint) konviktorë
nga Jugu"... (Arkivi i M.M.Tiranë).
Me këto fjalë i drejtohet Ministrit të Mbrendshëm
në vitin 1949, kryetari i degës së mbrendshme të
Shkodrës, i posa ardhuni krimineli i njohtun Hilmi Seiti. I
duheshin 100 "konviktorë", 100 spijunë, 100
agjentë, 100 kriminelë, 100 komunistë, 100 kuadro
të ardhëshme të Sigurimit! Pra, duheshin edhe 100
katilë të tjerë, përveç atyne qindrave
që ishin në çdo skutë e kand të qytetit.
Ishte viti 1922, kur rreshtat e djelmënisë shkodrane mbushnin
klasët e Gjimnazit të Shkodrës. Pa kalue pak muej
mbarë rinia shqiptare do të drejtonte sytë nga qendra
e përhapjes së dritës së arësimit dhe kulturës
për mbarë Shqipninë që ishte Shkodra. Nga nuk
erdhën për me studjue në këtë qytet të
lashtë që për shumë shekuj ishte selia dhe principati
i të gjitha qytetëve tjera, thonte Barleci e, ashtu do
të vazhdonte me kenë deri në pushtimin komunist të
vendit.
Këshilli i Ministrave me vëndim nr. 720 datë 11 gusht
1922, mbi propozimin e Ministrisë së Arësimit nr.
11878, datë 11 gusht 1922, vëndosi: "... të
hapet në Shkodër një shkollë Gjimnaz i Shtetit,
për me mujtë me ndjekë aty mësimet një
shumicë e studentëve shqiptarë që nuk kanë
me u dërgue ma jashtë e sidoemos nxanësat e atij
qarku ..."
Kush nuk njihte emnat e nderuem të drejtorëve të
këtij Gjimnazi, Profesorët Luigj Shala, Xhevat Korça,
Mirash Ivanaj, Anton Deda e Skënder Luarasi? Kush mund të
harronte breznitë e njëmbasnjëshme të luftës
për liri e përparim të Atdheut, që u rritën
dhe u edukuen në bankat e këtij Gjimnazi? Cili shqiptar
mund të fliste për Shqipninë Etnike pa vue në
Elterin e Kombit studentët e Gjimnazëve të Shkodrës?
Kush ishte ai trathtarë që mund të guxonte me thanë
se Liria e Atdheut, mund të shkëputet nga gjaku i Dëshmorëve
të Gjimnazëve të Shkodrës?
Vetëm Enver Hoxha me klyshët e tij, ministrat e mbrendshëm
Haxhi Lleshi, Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu etj.
me Zoi Themelët, Lilo Zenelët, Hilmi Seitët, Feqorr
Shehët e Rexhep Kollët, me lakejtë Çiril Pistoli,
Dhori Samsuri, Nesti Haviari, Fadil Hoxha e Skënder Villa me
shokë. Këta janë "nderi" i formimit të
"njeriut të rij" të brezit komunist dhe, llomi
e turpi i indeksit të Amzës së Gjimnazit të
Shkodrës dhe mbarë arësimit e kulturës shqiptare.
Dy vjet ndërpremje për arsye lufte...
Vjen viti 1945. Dukej se lufta mbaroi!...
Pa fillue mirë më 5 mars 1945, pushkatohet oratori e publicisti
Don Lazër Shantoja e fillë mbas tij më 25 mars, Poeti
i Ambëlsisë Don Ndre Zadeja. Më 15 gusht, rinia shkodrane
fillon ngritjen e monumentëve të luftës kundër
komunizmit me Herojtë Ndue Pali e Caf Meta...
Pra, pa mbarue mirë Lufta e Dytë Botnore, fillon një
luftë tjetër edhe ma e përgjakëshme dhe e pafund
... Lufta për pushtimin komunist të mbarë Atdheut...me
vrasje për mure përballë Bashkisë së qytetit.
"Çlirimtarët" Qamil Gavoçi, Rexhep
Haka, Sadik Bekteshi, Mark Ndoja, Çiril Pistoli, Frano Jakova,
Xhemal Selimi e Asllan Lici me shokë lajnë me gjak rrugët
e Shkodrës e, marrin malët me zhburrnue malësorët
e Alpëve deri larg në trojet kosovare, të cilët
trathtisht e të preme në besë prej "vëllaut"
i pushkatojnë e therin në bajonetë ndër brigje
të Adriatikut, të Ilirisë së vjetër, që
malazezët e serbët tash një shekull vetëm e
njomin me gjakun tonë. E, këtë herë me dorën
e të pabesëve komunistë shqiptarë...
Atëherë, çka do të vlojnë në damarët
e gjakut të rinisë që asht ulë në bankat
e Gjimnazit të Shkodrës? Cila propagandë veç
asaj antishovinistës sllave e antikomunistës trathtare
të aspiratave për të cilat kishte derdhë gjakun
kjo rini, kundër okupacionëve të njëmbasnjëshme?
Shkodra e katër gjimnazëve në 1945, për pak
muej në 1946 asht Shkodra e një Gjimnazi e 26 burgjëve
ku, do të burgoset, torturohet, masakrohet, vritet e kalbet
rinia e saj heroike!
Me datën 26 maji 1946 rinia shkodrane asht përballë
Sigurimit të Shtetit totalitar komunist të Enver Hoxhës
dhe do t'i tregojnë atij se nuk i trembet syni. Shumë
studentë të Gjimnazit hudhen nga dritarët me marrë
pjesë në funeralin e Argjipeshkvit të Shkodrës,
Imzot Gaspër Thaçit. Vlojnë rrugët e Shkodrës,
mbushet Kathedralia me qytetarët e të gjitha besimëve
që kanë ardhë me i dhanë lamtumirën e fundit
antikomunistit Thaçi. Ma shumë se funeral ajo ishte
protesta e parë e rinisë shkodrane kundër zgjedhes
komuniste.
Hakmarrja e komunistëve nuk do të vonojnë. Arrëstimet
kishin fillue me kohë, por tashti jo ma vetëm me ishushtarakë
të regjimëve të maparëshme, ballistë e
zogistë të thirrun "tradhëtarë", po
me studentë e intelektualë dhe kryesisht ata që janë
të "lidhun" me Klerin. Udhëzimet i sjellë
nga Tirana agjenti jugosllav Marian Zhagari, që drejtohej nga
këshilltarët jugosllavë të qeverisë sonë
kukull. Programet shkollore përjashtojnë At Fishtën
e Zadejën me shokë. Fillojnë arrestimet e studentëve:
Viktor Kujxhia, Gjon Kovaçi, Injac Serreqi dhe Çesk
Hilgega. Vazhdohet me Tomë Sheldinë, Gjon Ljarën,
Sulejman Qehanë, vëllaznit Xhevat e Remzi Quku, Ahmet
Bushatin, Ernest Përdodën, Thabit Rusin dhe vajzat Terezina
e Liza Pali, Ana Daja etj.
Pak kohë mbas vrasjës së Ndoc Jakovës, vritet
edhe Asim Rusi, edhe ky ndër male kundër komunistëve.
Arrëstohen mësuesit: Lec Bruçaj, Mehmet Daiu, Viktore
Kuka, Abdyl Rusi, Qemal Draçini, Ruzhdi Çoba, Pjetër
P. Pali etj. Ndërsa, në burgjet e qytetëve të
tjera martirizohen profesorët: Mirash Ivanaj, Gjergj Kokoshi,
Sali Butka, Kol Prela, Simon Deda, Prenkë Kaçinari,
Arshi Pipa, etj. Në Kosovë arrëstohen e pushkatohen
profesorët: Kol Margjini, Kol Parubi e Gjergj Martini bashkë
me heroinën Maria Shllaku.
Në vitin 1946 nuk ka ma asnjë shkollë fetare në
Shkodër. Edhe Instituti femnore "Donika Kastrioti",
bashkohet me Gjimnazin e Shtetit. Pjesa ma e madhe e studentëve
të këtyne shkollave vazhdoi mësimet në Liceun
e Shtetit. Bashkimi i të gjithë këtyne studentëve
solli me vedi atë që pritej. Të gjithë pothuej
ishin te pakënaqun nga pushteti komunist. Një pjesë
ishin të lidhun me ata që u pushkatuen e u arrestuen që
në ditët e para. Një pjesë lidhej me të
arratisunit mbrendë e jashta Atdheut. Një pjesë tjetër
ishte shpartallue nga reformat e tatimet që iu vehëshin
tregtarëve. Një pjesë ishin që nuk kishin simpatizue
lëvizjen komuniste, që mund të dëshronin fitorën
e "Ballit Kombëtar" ose "Legalitetit".
Dikush pranonte ma mirë fashizmin se komunizmin. Kishte mashumë
se të gjithë këta që nuk mund të shihnin
me sy çdo ditë tue u pushkatue atdhetarë e klerikë,
që deri dje ishin kenë mësuesit e tyne dhe sot vriteshin
si "trathtarë" të Atdheut.
Sigurimi i Shtetit kishte krijue bazat e veta që në ditët
e para të hapjes së Gjimnazit. Spijunët Ferit Mandia,
Vehbi Çanga, Bardhyl Dushi, Feço Mandia, Vladimir
Misja, Hajredin Çeliku, Iljaz Fishta, Agim Bejleri, Haxhi
Pela, Jonuz Tuli, Sadush Kumbaro, Satber Jubani, Ilir Gjylbegu,
Qemal Jashari, Emil Mborja, Jani Çomo e deri tek Bep Jubani
në vitin 1956, të gjithë ishin në shërbim
të diktaturës shoviniste sllave titste-staliniste dhe
enveriane, me shkatrrue Rininë Shkodrane për me përfitue
një bursë jashtë shtetit dhe me kenë gjithë
jetën zagarë e spijunë të Sigurimit komunist.
Shoqnitë sportive të këtyne shkollave vazhduen me
ruajtë lidhjet e tyne ndër fushat e vogla të lagjëve
të qytetit si tek ajo e oborrit të Kishës së
Madhe, Arës së Pashës në Ballabanë, fusha
e Tigrit në Parrucë, etj. lamije që nuk mungonin
ndër të gjitha anët. Ndër lagjet e vjetra të
qytetit janë ndër ma të njoftunat ato të Ndocajve
dhe Dudasit që lidhen me Zdralej. Tue marrë për bazë
shënimet e botueme të Z. Xhevat Gjyrezit, i cili ishte
kryetar i njenës prej këtyne shoqatave sportive, gjej
vend me nxjerrë në pah cilësitë e mira dhe atdhetare
të këtyne djelmëve që edhe vetësakrifikohen
për një ideal të lartë, siç asht lufta
për Liri. Pikërisht njena prej këtyne shoqnive asht
bërthama e një organizate antikomuniste e quejtun Organizata
"PËRPJEKJA SHQIPTARE".
Kjo organizatë formohet me studentët e Gjimnazit të
Shtetit nga fillimi i vitit 1947 dhe Kryetar i saj zgjidhet Bardhosh
Dani. Bardhoshi vinte nga një familje e vjetër shkodrane
me tradita Atdhetare dhe kulturore. Një student i shkëlqyeshëm
ndër mësime, aktivitete sportive dhe shoqnore. Nderohej
për qëndrimin moral e qytetar. Ishte i rij ndër të
17-tat vjetë, por i pjekun para kohe. Fjalë pak dhe i
vendosun, gja që e mbulonte guximin e madh që kishte për
vepra burrnore. Ai rëspektohej edhe nga armiqtë që
e rrethonin dhe e survejonin e që dita ditës shtoheshin
ndër bankat e shkollës. Dy spijunë ishin të
parët që filluen ndjekjen e këtij grupi, Isa Miloti
dhe Faik Zeneli. Mbas tyne Sigurimi organizoi një rrjet shumë
të gjanë dhe të specializuem për këtë
qëllim. Edhe grupi filloi me shmangë rrezikun me grumbullime
ma të rralla ndër sheshët sportive mbasi tashti vëprimi
antikomunist kishte marrë një rrugë ma aktive me
mbledhje sekrete, trakte, parulla ndër mure dhe aktivizim të
shumë studentave që sakrifikonin për këtë
organizatë padallim feje, qëllimi i së cilës
çfaqej në emnin e saj: "Përpjekja Shqiptare".
Mbrenda vitit numri i anëtarëve arrinë mbi 70 vetë.
Lidhjet mes anëtarëve ishin shumë sekrete dhe korrekte,
gja që e tregon jetëgjatësia e saj dhe puna që
ajo ka zhvillue kundër komunizmit.
Në korrik të vitit 1948, gjurmimet e Sigurimit shtohen
kryesisht në drejtim të Kryetarit të organizatës
Bardhosh Danit. Nga gjysma e korrikut një person njofton Bardhoshin
se shpejtë mund të arrëstohej, mbasi Sigurimi ka
dijeni për aktivitetin e tij. Ai menjëherë vëndosë
me u arratisë, por jo vetëm, mbasi rreziku i arrëstimit
kërcnonte edhe Mark Cacajn dhe Brahim Dërgutin, të
dy shokë antarë të organizatës dhe ndër
ma besnikët e trimat. Kalimin e kufinit e zgjedhin nga Ana
e Malit, në një kand ku lumi Buna ban një këthesë,
vend i cekët e ma i ngushti për me kalue në tokën
jugosllave.
Pika ku do të kalonin asht nga fundi i fshatit Samrish dhe
quhet Samrishi i Poshtëm. Buna aty asht mjaft e maskueme me
shelqe të larta dhe të rrëzueme me degët e tyne
në lum. Një vend me të vërtetë piktoresk,
por shumë i kontrolluem nga forcat e armatosuna të Sigurimit
që ishin të shumta atë kohë, mbasi dy muej ma
parë ishin prishë mardhanjet shtetnore me Jugosllavinë
e druzhe Titos.
Atëherë jam kenë në Dajç të Bregut
të Bunës, kur u bisedue se tre djelmë të rinjë
prej Shkodrët, i kanë vra në ujnat e bregut të
Bunës, në përpjekje me u arratisë. U kanë
kërkue me u dorëzue, por ata nuk kanë pranue. Flitej
se njenin uji e ka nxjerrë të vdekun nga toka e Jugosllavisë
dhe ata trupin e pajetë e kanë dorëzue këndej.
Buzë Bunës, nën degët e disa shelqëve,
rojet shqiptare kishin hapë një gropë dhe aty janë
varrosë të tre Heronjtë. Dij se mbas pak ditësh
Don Kolec Prennushi, famullitar i atyne katundëve, asht thirrë
tek një i sëmurë në atë fshat dhe kur u
këthye në shtëpi, tregoi se kishte kalue andej dhe
kishte bekue "Vorrin e Tyne". Pak muej ma vonë, nga
fundi i vitit 1948 aktiviteti i kësaj organizate do të
rifillohet me disa mbledhje që bahën në shtëpi
të studentave Alfons Radovani dhe Viktor Luka. Asht ajo kohë
kur arratiset Lec Vasia, Fetah Myrtja, Zef Shllaku dhe Donat Rexha,
të gjithë anëtarë grupi. Grupit të studentëve
të arrëstuem maparë i shtohet edhe Xhevat Gjyrezi,
Hilmi Hoxha dhe Mikel Muzhani, të cilët tue mos pasë
lidhje me ta dhe tue u ndodhë në kohën e "ndryshimëve"
nga politika e Koçi Xoxës, përfitojnë dhe
lirohën por, pa të drejtë me vazhdue shkollën.
Grupi vazhdon aktivitetin e tij si dhe rritjen e numurit të
anëtarëve që arrinë në 120 vetë.
Një ndër studentët trima dhe guximtare asht kenë
edhe Zef Kaça. Ishte i ri atëherë rreth 16 vjeç.
Ky djalë vëpronte vetëm. Kishte shtëpinë
pranë shkollës "Jordan Misja" (shtëpia
e Jakovëjve) në Rus. Disa herë kishte hy nga oborri
mbas shkollës dhe kishte thye fotografitë e diktatorëve
ndër disa klasa, derisa kupton se Sigurimi filloi me e ruejtë
shkollën edhe natën. Atëherë, kishte ndrrue
drejtim, kishte hy në shkollën "24 Maji" mu
në mjedis të Fushës së Çelës. Edhe
aty të njajtën punë. Mbas disa ditësh e përsëritë
këtë veprim në shkollën "7 Nandori",
përballë Gjimnazit, ngjitë me furrat e Bejnlikut.
Me kalimin e kohës asht nxanës në Gjimnazin e Shtetit,
në klasën e dytë në vitin shkollor 1949-50.
Dy herë gjenë mundësinë me hy natën në
Gjimnaz, herën e parë në të gjitha klasat hjedhë
trakte kundër diktatorit në pragun e ditëlindjës
së tij, ndërsa, herën e dytë then xhamat e fotografive
të diktatorëve që ishin në të gjitha klasat.
Zhurma e xhamave ndigjohet jashtë, por Zefi shpëton për
mbrekulli mbasi kur hapët dera e madhe e shkollës, ai
asht i ikun nga dera tjetër e mbrapme që të nxjerrë
nga kandi "Spartak". Mbas pak ditësh dikush e sheh
tue i dhanë një trakt një shokut të vet dhe
posa del në korridor e thërret drejtori, xhelati Skënder
Villa. Në zyrën e tij. Zefi qëndron aty për
dy-tre minuta derisa Skënderi shkon në zyrën e sekretarit
të rinisë komuniste, ngjitë me zyrën e tij për
me e marrë si dëshmitar të ngjarjes. Këthehet
vetë i dyti me një nga anëtarët e komitetit
të rinisë të cilin e urdhnon me e kontrollue Zefin
edhe në trup, mbasi asht i sigurt se ky ka trakte. E kontrollojnë
të shkretin Zef deri ndër mbathje, por nuk i gjejnë
gja. Skënderi fillon me vërritë si kafsha, ashtusi
dikur në vitin 1945 kur ai ishte kenë anëtar i komisioneve
hetuese pranë degës së mbrendshme të Korçës,
por Zefi nuk trembët dhe nuk pranon se ka pasë trakte.
Të nesërmen nana e Zefit shkon në drejtori të
shkollës dhe njofton se Zefi asht i sëmurë dhe gjatë
natës asht kenë i tronditun, nuk kishte fjetë. Prej
asaj ditë braktisë shkollën, familjen dhe Atdheun
... arratiset. Në darkë forcat e Sigurimit kishin rrethue
shtëpinë, por Zefi ishte i ikun. Ai e dinte se cili do
të ishte përfundimi mbasi në kohën kur Skënder
Villa, kishte shkue në zyrën ngjitë të sekretariatit
të rinisë, Zefi, me shpejtësi 4-5 traktet që
kishte pasë në xhep, i ka nxjerrë e i ka futë
në xhepin e palltos bluh të Skënder Villës,
i cili, me siguri i ka gjetë rreth orës 14.30 kur ka dalë
nga zyra për me shkue në shtëpi...
U shkëputa pak, mbasi ky episod ngjanë pikërisht
atëherë, kur në Gjimnazin e Shtetit "vlon propaganda
antikomuniste" dhe ishin të ardhun "100 spijunët
nga Jugu", të cilët përveç librave të
Historisë Partisë Komuniste (bolshevike) të Bashkimit
Sovjetik kishin një dhomë lart në katin e tretë
të shkollës me arsenal armësh, përveç,
armëve përsonale që mbanin në brez, për
me i përdorë kundër "armiqve të popullit"
15-16 vjeçar, që shumica ishin edhe të uritun dhe
të paforcë për me përballue rrahjet, masakrat
e goditjet shtazarake te atyne hamajve katilë e vagabondë
nga Skrapari, Devolli e Mallakastra që kishte sjellë Hilmi
Seiti, në Gjimnazin e Shkodrës...
Me datën 10 maji 1950 arrestohen studentët maturantë:
Alfons Radovani, Viktor Luka, Et-hem Bakalli, Njazi Uruçi,
Mërgim Dani, Nexhip Osmani, Ferit Myftia, Pjerin Vata dhe Gjon
Mark Ndoi. Me datën 11 maji përjashtohen nga shkolla (mbas
arrëstimit) në një mbledhje të të gjithë
studënteve në palestrën e Gjimnazit. Me datën
12 maji vazhdon lista e përjashtimëve me 78 studentë
të tjerë të klasave të ndryshme të Gjimnazit,
me motivacionin: "Nxënësi... me nr. Amëze...
Është përjashtuar përgjithmonë nga të
gjitha shkollat e Shqipërisë, se nuk pajtohet me frymën
revolucionare të shkollës sonë të re..."
Drejtori: (Skënder Villa) d.v...
Fillojnë pushimet verore...
Një pusull e vogël ku shkruhej emni i A.R. në sofratasat
e ushqimeve të tij, aty nga fundi i majit në një
sipërfaqe 2X1 cm. katrorë, shkruhej: "Thoni Bepit
IK", kjo, shpëton përjetësisht Bep Vilën
nga arrëstimi i sigurt. Bepi arratiset jashtë shtetit...
Grupi i studentëve fillon hetimet me datën 12 maji 1950,
me kryetarin e Degës kriminelin Hilmi Seiti. Mbasi i merr në
pyetje të gjithë një nga një i shpërndanë
me hetuesit tjerë, Ali Xhunga, Kasëm Troshani, Xheudet
Miloti, Hamdi Ulqinaku, etj. kasapë që rjepin lëkura
studentësh për tre muej me radhë derisa nga fillimi
i shtatorit, në një shtëpi në rrugën Sumej,
gjyqtarët dhe prokurorët e Ministrisë së Mbrendshme,
shoqnue nga një grup oficerësh "avoketën"
terroristë, japin dënimet e "merituara" ...
tue lagë gojën me vilë rrushi të freskëta
të tandës, që ishte mbi hajatin e shkallave të
asaj shtëpije. (Dosja 2452 Arkivi M.M.Tiranë).
Me këtë grup edhe pse ata kapen tue u arratisë, dënohen
edhe studentët Ismail e Olimpi Baruti ... vëlla e motër,
të cilët mbajnë qëndrim burrnor. Ismaili dënohet
me vdekje, por i falët jeta.
Në bazë të hetimeve të bame që me datën
12 maji me Hilmi Seitin grupi duket i paditun, prandej, edhe hetimet
janë krejt formale mbasi me datën 7 maji janë thirrë
nga Kasëm Troshani dy anëtarët e këtij grupi
Njazi Uruçi dhe Pjerin Vata, të cilët kanë
denoncue gjithshka. Ata mbas 24 orësh janë lirue për
me u arrëstue prap me datën 10 maji. Kjo ishte vetëm
një lojë për të mbulue spijunët e vet,
gja e cila del gjatë hetimit. Pjerini vazhdon me kenë
spijun deri në vdekje, mbasi në vitin 1968 kur shkon në
Tiranë me u ballafaque me Don Mark Hasin, që ishte i arrëstuem
me grupin e klerikëve të Tiranës kërkon nga
hetuesit e Ministrisë së Mbrendshme të asaj kohë,
me të cilët njihej që në vitin 1950, nga Ali
Xhunga dhe Elham Xhika: "...pushkatimin e këtij kleriku
reaksionar..." dhe, ata i paguejnë shpënzimet e udhëtimit
113 lekë (të vjetra) bashkë me biletat e udhtimit
që ruhen sot në dosjën nr. 2291.
Në fjalën e fundit të gjyqit të gjithë
studentët kërkojnë "mëshirë",
gja që tregon se ka luejtë dajaku, ndërsa Et-hem
Bakalli, thotë: "Kërkoj drejtësi komuniste dhe
dashni atnore" (Dosja 2452).
Kjo shprehje më dha me kuptue se me vrasjen e Bardhosh Danit,
në Gjimnazin e Shkodrës ka vdekë edhe lufta kundër
komunizmit... PËRGJITHMONË...
INJAC BAQLI
Ka lé në Shkodër në vitin 1915. Ishte nëpunës
në Bankën e Shtetit Shqiptar në Shkodër. Një
burrë i madh dhe i shëndetshëm, kuqlosh, me flokë
kaçurrela, i mbajtun dhe i kërpitun. Dukej edhe ma i
pashëm se ishte mbasi gjithmonë shihej i buzëqeshun.
I njohtun ndër rrethe të ngushta për humor të
hollë. Paraqitja tregonte një intelektual të mirfilltë.
Nuk e kam njoftë afër, dij, se kishte miqësi të
madhe me Prof. Gaspër Ugashin, mbasi kishin edhe kumbari.
E shihshe shpesh nga Dugajtë e Reja mbasi andej kalonte me
shkue në punë, në bankë. Më pat lanë
një mbresë ndër ato ditë që nuk e pashë
ma: Më kujtohej thanja e malësorve: "Mos me pasë
shka me i ba as pushka!" por, kjo thanje, ishte para se të
njihej në Shqipni komunizmi.
Até që të ban komunizmi, nuk t'a ban as pushka!
Injac Baqli me datën 22 dhetor 1952 arrëstohet nga Sigurimi
i Shtetit. I kontrollohet shtëpia dhe në arkën e
nanës gjindet një revolver. E mjaftueshme me fillue ndjekja
penale. Kur fillon hetimet, duket, sikur çështja rreh
nga armbajtja paleje, por nuk asht ashtu! Nana e Injacit merr përsipër
se revolverin ia ka lanë me e ruejtë avokat Paulin Pali,
para se të tentonte me u arratisë, mbasi ai ishte nipi
i saj. Hetimet fillojnë me 26 dhjetor 1952. Gjatë zhvillimit
të proçesit çështja e revolverit sa vjen
e ngatrrohet. Marko Markoja, ish kryetar i lagjës atëherë,
deklaron: "Injaci ka pasë një revolver të bukur
në kohën e Italisë që e mbante në brez
dhe, me sa kujtoj unë, ky revolver që asht këtu nuk
më duket se asht revolveri që ka pasë Injaci."
Krijohet mundësia e kenjes së një revolveri tjetër
tek shtëpia e Injacit. Kontrollohet shtëpia së dyti,
por nuk gjindet gja. Injaci pranon se revolverin që kishte
në kohën e Italisë e ka dorëzue kur janë
dorëzue armët, prandej ai që kujton Marko, nuk asht
në të vërtetë ky që asht këtu, mbasi
ky nuk asht i emi. Hetuesi, nën/toger Fahri Kraja tue u ndodhë
para një kokforti, fillon kërkimet në pistën
e "agjitacionit e propagandës kundër Pushtetit",
pistë shumë e njohtun ndër hetuesitë komuniste,
me të lanë mbrendë edhe pa asnjë fakt.
Një listë rreth 80 vetësh, janë personat me
të cilët ka bisedue Injaci. Aty rreshtohën të
gjithë banorët e lagjës simbas rënditjes së
dyerve të oborrit, kryetari i lagjes, antarët e këshillit
të lagjes, sekretari i patisë, shokët e punës,
ish shokët e shkollës, plakat e mahallës që
rrinin në darkë ndër stola tek dyert e oborrit etj.
Hetuesi ndigjon me vëmendje sësi po "zbërthehej"
Injaci, por kur e pyet se çka janë gjithë këta
emna, Injaci përgjigjet: "Ju më pyetët me kë
ke folë, unë ju tregova të gjithë njerëzit
që përshëndes e flas me to përditë".
Nuk ishte e thjeshtë puna në financë. Njëherë
në fillim kur njerëzit fillonin punën, dukej, sikur
këta përsona ishin të privilegjuem, por në fakt
mungesat e mëdha të kuadrit patën lejue që disa
përsona me hy në punë në mjaft ndërmarrje
si financierë. Kur filluen me dalë disa kuadro që
ishin ma të besueshëm se ata që u morën për
nëvojat e tyne, atëherë, u mendue zëvendsimi
i kuadrit të parë. Në shumë raste shkarkoheshin
nga puna për shkelje ligji, sëpse ligjët ndryshonin
përditë. Por, kur kishin të banin me njerëz
të respektuem, atëherë, vëprohej ndryshe. Rastët
në Shkodër nuk kanë kenë të pakta, p.sh.
Kel Abati, edhe ai nëpunës në bankë, dihët
se asht pushkatue vetëm nga ndonjë përson që
donte eleminimin fizik të Kelit. Pokështu asht veprue
me Zef Darragjatin e Çezar Shllakun, që mbasi janë
dënue me pushkatim për "difiçit", në
fund të kërkesave për falje jete, shënohej:
"... rrjedhë nga një familje që nuk e don Pushtetin,
prandej t'i epët dënimi kapital ... etj." si, në
rastin e Zef Darragjatit që ruhët edhe sot shënimi
i Aranit Çelës. Si duket kjo po ndodhte edhe me Injac
Baqlin, edhe ky ishte kushrini i avokat Paulin Palit, pak vite ma
parë i mbytun në Sigurim. Ishte edhe kushrini i At Aleks
Baqlit i arrestuem si Françeskan e i dënuem me shumë
vite burg.
Me datën 4 mars 1953, mbas katër muejsh në hetuesi,
hetuesi njofton kryetarin e Sigurimit të Shkodrës, kriminelin
Hilmi Seiti: "I pandehuri Injac Baqli nuk nënshkruan proçesin."
Me datën 22 maji 1953 Injaci shënon në fund të
një proces-verbali: "Nuk jam dakord me përmbajtjen
as si formë, mbasi nuk janë thanjet e mija. I pandehuri:
Injac Baqli d.v."
Gati mbas një viti në tortura, nga fundi i vitit 1953
asht Petraq Janko që nxjerr hetuesin nga situata, tue deklarue
se në vitin 1952, Injaci ka dashtë me u arratisë
me Petraqin. Madje, kanë ba plane dhe pregatitje për këtë
qëllim të dy bashkë.
Përveç arratisjes, Petraqi e ngarkon Injacin edhe me
biseda politike, tue paraqitë Injacin si një person të
paknaqun nga Pushteti etj. Akuzat sa vijnë e randojnë
çështjen. Injaci vazhdon me qëndrue i vëndosun
në mohimin e të gjitha thanjëve të Petraqit.
Hetuesi organizon një ballafaqim me hjeke Injacin duarsh.
Pëtraqi përsëritë akuzat përballë
Injacit tue vërtetue me firmën e tij proçes-verbalin.
Injaci deklaron: "Në kjoftë se del kush dhe provon
tue me thanë ndër sy, se janë të vërteta
thanjët e Petraq Jankos, pranoj pa asnji kundërshtim edhe
dënimin kapital.
Kjo asht arsyeja që nuk firmoj proçes-verbalët,
mbasi nuk asht asgja e vërtetë për shka akuzohem."
Injac Baqli d.v. (Dosja nr. 1989)
Hetuesi Fahri Kraja prëgatitë akuzën:
- Injac Baqli ka dorëzue armën e vet, ndërsa kjo
që asht gjetë ka qenë e Paulin Palit, kushrinit të
tij (i pushkatuar).
- Ka qenë spijun në shërbim të fashizmit.
- Ka folë kundër Pushtetit Popullor, sëpse ka pikëpamje
armiqësore.
Akuzat e sipërme vërtetohën edhe nga thanjet e dëshmitarëve:
Zef Berdica, Pashko Shoshi, Ndoc Deda, Marko Marko, Petraq Janko.
Poshtë dokumentit shënohet:
Pëlqehët: N/kol. Hilmi Seiti d.v.
Pëlqehët: Kryetari Degës hetuesisë (N/kol. Nëvzat
Haznëdari) d.v.
Pëlqehët: Komandant i Rep. 2111 (Dhimitër Gjoni)
d.v.
Trupi Gjykues i Gjykatës Ushtarake Shkodër, i përbërë
nga: Kryetar, Faik Spahija, antarë: Rexhep Haxhiu e Marko Dëmiri
dhe prokuror Njazi Zjarri, japin vëndimin ndaj të pandehurit
Injac Baqli, me 6 vjet heqje lirije.
Gjykata e Naltë Tiranë, vëndosë përsëritjen
e gjyqit, mbasi proçes-verbalët nuk janë firmuar
nga i pandehuri Injac Baqli.
Përsëritet gjyqi me datën 18 koriik 1953, tue shënue:
"... për krimin e armbajtjes (revolver gold amerikan,
me 5 fishekë) deklarohet i pafajshëm. Akuzat tjera mbesin
...
Me datën 29 janar 1954 Injaci ban këtë kërkesë:
"Kërkoj prishje vëndimi dhe rikthim aktësh për
rishqyrtim dhe rigjykim. Injac Baqli d.v.".
Prej datës 22 dhetor 1952 e deri më 29 janar 1954 vazhdonin
proçes-verbalet tue u sjellë sa andej këndej ndër
dosjet e Seksionit katolik në Degën e Mbrendshme të
Shkodrës dhe, në podrumet e mëshefta të Ministrise
së Mbrendshme në Tiranë, vetëm tue shënue
"pëlqehët" kriminelët e pashoq Hilmi Seiti,
Nevzat Haznëdari e Fahri Kraja me shokët e tyne.
Mjaftonin çpifjet me torturue të pafajshmit dhe çështja
vazhdonte pa fund .... Nga përdorimi i elektro-shokut Injaci,
u keqsue me shëndet. Zemra nuk duronte ma. E dërgonin
formalisht në podrumet e spitalit civil të Shkodrës,
por , përgjigja e mjekve ishte:
"Pse e sillni kot, përderisa ju vazhdoni punën tuaj?".
Infermjerë Angjelina Martini më tregonte sësi njëditë,
tue mos pasë jastekë me e mbështetë mbasi Injacit
po i merrej fryma, u ula në shtratin e tij dhe e mbështeta
për parzmin tem. Zemra e tij e shkatrrueme nga torturat donte
me dalë nga kafazi i krahnorit kur jepte ndonjë rrahje
si shenjë jete. Ishte në agoni, vetëm më shtërngonte
dorën, me të cilën u mundoja me e qetsue tue i fërkue
gjoksin. Ai fliste me një shok të tij Mikel Gulin, me
të cilin i dukej se po lonin pokër. Dikur ra në një
farë qetësie dhe, dha Shpirt. I bana Kryq e dola nga dhoma.
Erdhën dy policë dhe ashtu të mbështjellun në
batani e çuen në dhomën e të vdekunve.
Mora vesht se e kishin nisë për Tiranë.
Atje, e kishin dërgue në morg dhe simbas një dëshmisë
së Dr. A. D, që atëherë ishte student në
fakultetin e mjeksisë dhe tashti asht mjek në Shkodër,
Injac Baqli asht coptue nga studentat për studim, mbasi ai
e ka pa me sytë e tij kokën e Injacit, të cilin e
njihte shumë mirë.
Kështu u mbyll edhe dosja nr. 1989, me shënimin "pëlqehët"
Nën/kol. Hilmi Seiti d.v.
MARTIN SHELDIJA
Ish oficer me origjinë familjare nga Sheldija e Shkodrës.
Në vitin 1915 ka krye tri vjet në gjimnazin e Jezuitve,
mandej në 1917 ka krye një vit kurs ushtarak në Austri.
Në vitin 1942 ka kenë në Çorovodë, oficer
me gradën toger në polici. Deri atëherë ishte
mësues. Në prill e deri në korrik të vitit 1944,
ishte Komandant i gazermave të Tiranës. Në muejn
korrik vjen në Shkodër dhe punon me Mato Muratin, deri
në nandor të atij viti. Me datën 20 nandor 1944 bashkë
me policin Gjon Ganjolla shkojnë në Sheldi, mbasi "nuk
do të vonojnë dhe do të zbarkojnë anglezët".
Ishte vëllai i Dr. Sheldisë, mjek i zoti dhe burrë
i nderuem në inteligjencën shkodrane.
Në Sheldi takohet me Kol Ashikun dhe bashkë me Shuk Gjokën
dalin në mal me vazhdue rezistencën kundër komunistëve.
Disa ditë kalojnë në shtëpinë e Shuk Nushit
e Simon Kolës. Prej aty bashkohën me Gjergj Vatën,
Zef Mirashin, Don Alfons Trackin, Ndoc Jakovën, Zef Agostinin,
Kol Mark Tomën (që asht kapë i gjallë pa ndjenja,
nga plagët e marruna në një përpjekje), etj.
gati 20 vetë që jetojnë në një shpellë
në Stenë, nën kishën e Shllakut. Fatin e keq
të Kol Mark Tomës e ka pasë edhe Kol Ashiku, i cili
në një përpjekje me Ndjekjën lufton derisa i
mbarohen fishekët, në fund nxjerr nagantin dhe me katër
fishekët e fundit tenton me vra vehtën. Mbeti pa ndjenja
nga hemoragjia, e kapet nga Ndjekja. Mbasi e mjekojnë, e torturojnë
si rrallë njeri dhe e pushkatojnë.
Ndër të pakët njerëz që kanë mbijetue
nga ky grup heronjësh asht kenë edhe Loro Vata, i cili
ka vdekë në vitin 1999. Ishte mjaft në moshë,
por me një kujtesë të mbrekullueshme. Kam pasë
fatin me ndejë disa herë me të dhe me ndigjue shumë
nga veprat heroike të atij brezi njerëzish, që nuk
u tutej syni. Tregonte pak gjana për vëllain e tij Gjergjin,
dhe aspak për vedi. Një modesti pak ma shumë se duhej,
mbasi unë dishroja me dijtë edhe për Loron, që
për fat të keq pothuej nuk di asgja, mbasi thashë,
fliste pak e aspak për vehte. Fliste me respekt për Palinën
që u kishte çue bukë e duhan në shpellë
dhe po me aq nderim kujtonte sakrificën e Lena Prendushit,
nusja e nipit Palinës (nuk gabohem, emni i burrit të saj
ishte Gjon Puka). Kjo, thonte Loro, na ka shpëtue jëten
se kishte vërejtë se jemi të rrëthuem, e kishte
thirrë: "Delni burra, se ju kapën!".
Martini bashkë me Gjergj Vatën (me pseudonimin "Cukali"),
përpilojnë një letër të cilën e shkruen
Tracki, për mikun e tij Don Pjetër Tushën në
Juban, ky me ia dërgue Imzot Vinçenc Prennushit në
Tiranë, për misionet Përendimore. Imzot Vinçenc
Prennushi në proçesin e tij nuk pranon se e ka marrë
këtë letër. Ndoshta kështu asht e vërteta,
tham ndoshta, mbasi Imzot Prennushi me pranue se e ka marrë
këtë letër do të implikohej me të arratisun,
gja që do të randonte shumë akuzën kundër
tij. Nëse Imzot Prennushi e ka çue deri në fund
porosinë, nuk kishte nevojë me ua tregue zorrët e
barkut hetuesise në Sigurim.
Gjergji e Martini e përsërisin prap letrën më
4 janar 1946, por me ton ma të fortë. Këtë herë
në drejtim të Don Shtjefën Kurtit, po në Tiranë
për misionet e hueja ku ndër tjera shkruajnë:
"... tue mos dashtë me iu shtrue terrorit të Enver
Hoxhës, kemi marrë malët. Na do të vazhdojmë
përpjekjet për liri.
... t'arratisunit e Veriut, të organizuem në çeta
për t'i dhanë grushtat e fundit qeverisë terroriste,
që si këtë nuk njofti historia."
Martini vazhdon rezistencën ndër male deri në vitin
1949. Me datën 12 mars 1949, mbas shpalljes së anmistisë
"për faljën e jetës së atyne përsonave
që dorëzohën", dorëzohët dhe i shtrohet
hetimëve. Ai deklaron: "Mbas vrasjës së Gjergj
Vatës që e kishim si komandant, prej Prelë Nikës,
edhe ky i arratisun dhe i ardhun diversant nga Jugosllavia, për
këtë qëllim, humba çdo shpresë për
me vazhdue me qëndrue ndër male. Trathtia e vrasjës
së Ludovik Saraçit më 11 janar 1948, tek Përroji
i Gjadrit, më dha me kuptue se asnjë ndërhymje nga
jashtë nuk ka ndër mend me u ba në Shqipni. Të
gjithë ata që na premtuen, vetëm na rrejtën,
mbasi në një mënyrë apo në një tjetër,
ata e lanë me u forcue rregjimin e Enver Hoxhës, tue vra
e zhdukë të gjithë kundërshtarët që
ishim ndër male. Kështu që e pashë se ishte
kot me vazhdue ..." (Dosja 1417)
"... Shaban Abdullahi e Zyber Hysejni nga Rragami, na kanë
njoftue për Lëvizjen e Postribës. Ata ishin në
Rragam e Kryethi, Tish Pashuku në Sheldi, Shuk Gjoka në
Ganjollë, Spathar e Juban. Jemi mbledhë në Juban,
kemi ra nga livadhet e Shaban Matit dhe jemi nisë me i ra Shkodrës
bashkë me Pjetër Dedën, që ishte në mal
bashkë me gruen e tij. Tek Ura e Kirit, kemi shkrepë pushkët,
e pamë së nuk asht gja dhe kemi ikë edhe njëherë
andej..."
"... unë lajmin për me sulmue Shkodrën e kam
marrë më 8 shtator 1946".
"Luftën e Postribës e ka fillue Seit Duli të
fusha e aeroplanave..."
"Nuk mbaj mend ku jemi përpjekë me forcat e Ndjekjës,
mbasi janë kenë të shumta, as nuk dij ke kemi vra
mbasi shpesh përpjekjet baheshin natën. Mbasi prante pushka
nuk rrinim me pa të vramit, por çanim rrëthimin
dhe ndrronim vend, mbasi Ndjekja shtonte forcat kundër nesh.
Na kemi luftue kundër jush, mbasi për mue ju jeni shtet
terrorist." Kështu, deklaron Martin trimi në hetuesi.
Më 4 tetor 1949, Gjykata e Naltë Ushtarake e Tiranës
me kryetar nën/kol. Bilbil Klosin, aprovon vëndimin për
Martin Sheldinë "me dënim të përjetëshëm
në burg".
Ministri i Mbrendshëm Mehmet Shehu shënon:
"... ti jepët dënimi i përjetëshëm
edhe pse nuk e parashikon neni 28. Të aplikohet tek 32, mbasi
duhej me vdekje.
Martin Sheldija ka rrezikshmëri shoqërore shumë të
theksuar."
Tiranë, 29 qershor 1949
Ministri i Mbrendshëm (Mehmet Shehu) d.v.
Ky motivacion i kriminelit Mehmet Shehu që nuk zbaton ligjin
e anmistisë, tue e dijtë mirë se neni 28 nuk e parashikonte
këtë dënim, kërkon aplikimin e nenit 32, mbasi
duhej me vdekje, e ndjekë fatkeqin Martin Sheldinë gjithë
jetën.
Martin Sheldija dërgohet në burgun famkeq të Burrelit.
Atje ai kaloi gjithë dënimin mbasi dosja ka edhe datën
e lirimit nga ai burg: Burrel, 14 shkurt 1966.
Dokumentat e Martinit janë pasqyrë e kjartë e pabesisë
së katilit Mehmet Shehu. Pabesinë këta mizorë
e kanë fillue ndër male tue vra shoqi-shoqin, dhe tue
i ba të nesërmen "dëshmorë". Vepra
e tij trathtare nuk asht varrosë me kufomën e tij të
përdhunueme, ashtusi e ka meritue ai "komandanti legjendar
i Brigadës I Sulmuese", që, atë çka i
bani shqiptarëve për 50 vjet, e gjeti nga "shokët
e armëve", ashtusi shumica e komunistëve dhe ua la
trashigim "brezave të rinj" komunistë, të
cilët po i qëndrojnë besnikë idealeve të
tyne ... deri një ditë.
Dosja e Martinit, e këtij martiri që mbijetoi për
aq shumë vite në një ndër burgjet ma të
mnershme të diktaturës komuniste asht shembull i qëndresës
së patundun të këtij atdhetari, që për
aq kohë të gjatë nuk bani asnjë lutje për
lirim të parakohshëm.
Qëndrimi burrnor i Martinit ishte shkaku kryesor që më
shtyni me pa dokumentacionin dhe asgja tjetër. Asht e vërtetë
se ka pasë shumë si Martin Sheldija, por ka pak e aspak
nga ata që duhet te kërkojnë me kujtue me nderim
e respekt shokët e Martin Sheldisë.
Anglezi A.Glen, shkruan: "... Ato që i përcaktuan
ngjarjet kanë qenë armët, të cilat iu dhanë
Enver Hoxhës, e partizanëve... Na bëmë shumë
pak me u shpërblye besnikrinë miqve tanë (nacionalistëve
e Abaz Kupit). Në vend të kësaj, pa qenë nevoja
na lejuam që ata të mundëshin dhe disa të trathtoheshin."
("Albania's National Liberation Struggle" fq. 363)
Për mue ma i sinqerti asht Lokharti, i cili po aty shkruan:
"Shqipëria është në fund të listës
për prioritetët tona në Evropë"
( faqe 68).
Aty asht e shkrueme edhe një porosi e dhanun prej tyne në
vitin 1943:
"Shërbimi më i madh që mund ti bëni armikut
në vendi tuaj, është që të nisni ... një
luftë civile ".
Edhe këtë e kemi ba! ... Madje, asht e vetmja porosi,
që jemi edhe sot tue e vazhdue!
DON DEDË MALAJ
"E Premtja e Zezë në Shqipni ka fillue më 29
nandor 1944, dhe ka me vazhdue derisa të mbarojë komunizmi".
Rigonte pak shi.
Altoparlantet e rrugëve të Shkodrës ishin të
lidhun me kinema "Republika". Transmetohej gjyqi i "armikut
të popullit" Don Dedë Malaj, me grupin e tij. Ishte
data 24 prill 1959. Fillimi i gjyqit gati nuk merrej vesh prej duertrokitjesh
dhe virrmave si në 1945-46, nga gjeneralët e oficerët
e lartë të Ministrisë së Mbrendshme të
ardhun nga Tirana, për këtë gjyq, nga servilët
dhe rrogëtarët e komitetëve si dhe, nga një
mori spijunësh në sallë e jashta sallës të
shpërndamë në katër anët e Shkodrës,
për me vërejtë si po reagon populli ndaj këtij
gjyqi aq shumë të pritun. Hymja në sallën e
gjyqit e gjeneral Hilmi Seitit bashkë me ambasatorin jugosllav,
u përshëndet nga të pranishmit si ngjarje me rëndësi
të madhe, për mardhanjet "e mira" mes dy vendëve
tona e, në mënyrë të veçantë, kur
bahej fjalë për Klerin Katolik. Porsa, filloi gjyqi prokurori
Rapi Mina, mbasi lexoi akt-akuzën e prëgatitun me aq kujdes,
iu drejtue të parit kryetarit të grupit Don Dedës,
me këtë pyetje: "Që, kur, je armik i komunizmit?"
Në sallë ra një heshtje...
Don Deda iu përgjigj: - "Qysh se jam kenë 9 vjeç
pikërisht, atëherë, kur, kam shkue ndër bankat
e shkollës së mësuesit tem Don Alfons Tracki, aty
mora vesht prej tij këtë emën dhe prej asaj dite
nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin kurrma komunizmit. Gjithë
jetën e kam urrejtë dhe kam punue me të gjitha forcat
e mia, aqsa më ka lejue Feja, kundër tij." (Dosja
D.D.Malaj)
Ushtima dhe duhija e fjalës së Don Dedë Malaj, ra
si një ortek në atë sallë gjyqi, me turr e gjamë
e rrebtë si rrëfeja që zbriste tue shkrepë shkëndia
nga Selca e Kelmendit, nga gjiu i Bjeshkëve të Nemuna,
ku gurgullon qumështi me shkumbë e gjak përzi, e,
ku nana Lulë përkrah burrit të saj Keq Lucës
(Malaj), që i vringëllonin armët ndër mote e,
që, më 16 nandor 1917 i kishin falë Shqipnisë
një vigan drangue malesh.
Ndërsa, At Konrrad Gjolaj po të njajtës pyetja, i
përgjigjet:
"Qysh se fillova me marrë mend ndër bankat e shkollës
së Don Alfonsit kam kuptue çka asht komunizmi dhe, prej
asaj kohe nuk kam dashtë me ia ndigjue emnin. Kurrë nuk
e kam dashtë atë ide!"
Nuk ishin vetëm këta dy burra, po, ishin një grup
burrash që nuk u trembej syni e, nuk i lonte çerpiku
përballë kriminelëve, që nuk janë ngopë
asnjëherë me gjak malësorësh e trimash të
atyne visëve krenare. Ndër ato banka qëndronin me
ballin nalt vëllaznit Lazër e Gjon Simon Parubaj, Vlash
Zefi e Gjeto Luc Budashi. Ndërsa, në një qoshe strukej
si langue Lulash Toma.
Në Shkodër nuk bisedohej tjetër veç për
këtë gjyq që kishte fillue e shumë vetë
nuk besonin se janë tue ndigjue me veshë, atë çka
asnjë njeriu nuk i shkonte në mend se mund të flitej.
Cili mujte më folë kundër Bashkimit Sovjetik? Kush
mujte me tregue se çka ka ba Stalini për me formue kolkozët?
Kush mund të fliste për hekrat e ndryshkun që sillnin
sovjetikët në Shqipni, të bojatisun sipër tue
u krenue për "ndihmën e madhe" që po i
jepnin Shqipnisë? Kush, deri atëherë kishte mujtë
me folë, se ku shkojnë mineralet e metalet e nëntokës
shqiptare dhe kush e merr valutën e tyne? Cili ka mujtë
me u thanë fshatarëve hyni ndër kooperativa, se ky
sistem të qet fare mos me iu bindë urdhnave dhe ligjve
të tija? Kush ka mujtë me folë për punën,
mundin, djersën e fshatarit dhe të punëtorit e për
shpërblimin që paguen shteti? Kush ka mujtë me i
thanë Enver Hoxhës, e klyshve të tij, se, ju jeni
shfrytëzuesit ma të egjër të mundit dhe djersës
së popullit shqiptar që njeh historia? Kush ua ka përplase
ndër sy terroristëve komunistë, se, ju kërkoni
me më pushkatue vetëm e vetëm se jam Prift Katolik
dhe asgja tjetër, mbasi, une as nuk jam trathtar i atdheut
dhe as spiju i popullit tem?
Na dukej andërr, po ishte një e vërtetë! Fliste
Don Dedë Malaj!
Nuk i lente gja mangut as miku i tij, At Konrrad Gjolaj ...
Me datën 27 prill 1959, Kryetari i gjyqit Mustafa Qilimi, dha
vëndimin:
Don Dedë Malaj, me vdekje, me pushkatim. At Konrrad Gjolaj,
me 25 vjet burg. Lazër Simon Parubaj, me 20 vjet burg. Gjon
Simon Parubaj, vëllau i Lazrit, me 10 vjet burg. Vlash Zefi
me 15 vjet burg. Gjeto Luc Budashi me 10 vjet burg dhe Lulash Toma
me 5 vjet burg.
Atë mbramje, kur doli nga gjyqi Don Deda, e hypën në
një kamjon "zis", një turmë policësh
e ulën galuc. Ndërmjet dy rrypave të drrasës
mbi spondë kujtoj dy sytë e tij të bamë kuq.
Nuk shihej as e bardha e as bebja e synit e kaltërt, vetëm
dy njolla gjaku, që asnjëherë nuk mund ti harroj
...
Me datën 12 maji 1959, u ekzekutue vëndimi. Don Dedë
Malaj u pushkatue në një fushë buzë liqenit
të Shkodrës. Pra, 14 ditë para vizitës së
Nikita S. Hrushovit në Shkodër!...
Për fat të keq nuk kam pasë mundësi me lexue
fjalën e fundit, para pushkatimit.
Me datën 10 tetor 1991, asht ba rivorrimi i eshtnave të
tij në vorret e Sukave të Dajçit të Bregut
të Bunës, të famullisë, ku ai ka shërbye
me pjesmarrjen e mijra e mijra fshatarëve të atyne krahinave
dhe të shumë qytetarëve të Shkodrës, që
nuk e kishin harrue gjyqin e tij historik.
Fjalën e rastit, me lot për faqe dhe me ndërpremje
të shpeshta përmallimi e ka mbajtë shoku dhe miku
i paharrueshëm i tij deri në ditën e fundit të
jetës At Konrrad Gjolaj. Fjala e tij u mbyll kështu: "
...Ti ishe lajmëtar i fjalës së Krishtit! Armiqtë
Tuej me britma e virrma që kanë me i ndjekë edhe
përtej vorrit, kërkuen me mbulue vrasjën Tande të
pafajshme, në atë breg liqeni....
Nuk pat kush me të mbulue atë gjoks të zgaqun dhe
të shpuem me plumba prej dorës mizore të tyne, veç,
atë nade, herët, ra si vesa avulli i gjakut Tand, mbi
Ty, o i bekuem! ..."
Në vitin 1997, At Gjolaj, botoi librin "Çinarët",
vepër të cilën ia kushton: "Misionarit prej
Breslaut, Mësuesit tonë në Velipojë, Don Alfons
TRACKIT. Shokut e Mikut të përjetëshëm Don Dedë
MALAJ". Kur kam mbarue daktilografimin e këtij libri dhe
ia dorëzova, At Konrradi, më pyeti: "Po, parathanja,
ku asht?", unë nuk kishe marrë parathanje me materialin
që më kishte dorëzue. Ai, me buzë në gaz
dhe me ton të premë më tha: "Parathanjën
e due prej teje!". Unë, kam hezitue pak çaste,
mandej, pranova. Në vitin 1998 mbasi pata rasë me pa në
arkiv dosjët, jam takue me At Konrradin, dhe e kam përgëzue
për saktësinë e fakteve që ka shkrue mbas aq
shumë vitësh në librin e tij "Çinarët".
Kjo asht arësyeja që në këtë material që
kam shkrue unë, nuk jam zgjatë në shpjegime të
hollësishme, mbasi në librin e At Konrradit asht gjithshka
e plotë dhe e saktë, megjithse, At Konrradi nuk ka pasë
në dorë asnjë material arkivor, përveç,
kujtesës së tij të mbrekullueshme, mendjës së
hollë dhe dashnisë së pakufi për mësuesin
dhe shokun e vet.
E vetmja gja që më ka ra në sy në shtjellimin
e këtij proçesi asht kenë dëshira e madhe
e Sigurimit të Shtetit me zhdukë këtë përson.
Pse u punue kaq shumë vite kundër Don Dedës e At
Konrradit? Ku fillon mënia e shtetit kundër Don Dedës?
Urrejtja e Sigurimit të Shtetit fillon në vitin 1950,
me qëndrimin e tyne të vëndosun dhe kundërshtar,
ndaj kërkesës se vjeter të shtetit për nënshkrimin
e Statutit të Kishës Katolike Shqiptare.
Lidhja e Don Dedë Malaj, At Konrrad Gjolaj, Don Ejëll
Kovaçit, At Zef Saraçit, At Marin Sirdanit etj. me
Don Kolec Prennushin për mos me aprovue nënshkrimin e
këtij Statuti dhe mënyra sesi këta e kanë kundërshtue
haptas atë, ka hapë menjëherë dosjen konsultative
të Sigurimit: "Çfarë dhe si duhet bëjmë
ti zhdukim këta klerikë?" Mbas nënshkrimit të
Statutit në vitin 1951, përveç tre të parëve
që nuk kanë firmue, në konferencën e Paqes në
Tiranë në vitin 1952, u përcaktuen edhe ata klerikë
që ishin në kapërcyll, as andej as këndej. Ata
që nuk u bashkuen me turmën as në këtë
konferencë edhe pse kishin firmue Statutin, mbetën armiqë,
shumica e të cilëve përfundoi ndër burgje.
Deri në vitin 1956 duket, sikur, ka një qetësi! ...
E vërteta asht ndryshej! Nuk kishte sesi të dënohej
kulti i Stalinit tue pushkatue Priftën! Mardhanjet me Bashkimin
Sovjetik kishin marrë ngjyra të tjera mbas vdekjës
së Stalinit. Hrushovi kërkonte mënyra tjera qeverisje.
Ai diktaturën stalinjane kërkonte me e zëvendsue
me asfiksimin e armiqve të tij. Nuk ishte për pushkatime,
por për vdekjen e natyrëshme të imponueme me mjete
paqësore, me "izolime" ose.... Edhe satelitët
e sovjetikëve do të mbanin qëndrime të "moderueme"
si padroni. Kuadri i rij që i nëvojitej klerit, tashti
merrëj nga bankat e shkollave socialiste, ku filozofia marksiste-leniniste
kishte pushtue edhe mendjet e njerëzve në skutat ma të
largëta të vendit. Dukej kohë zbutje, por në
të vërtetë ishte kohë grumbullimi energjie për
ofensivën përfundimtare, për "triumfin e plotë"
të sistemit socialist.
Në vitin 1956, arrëstohet At Rrok Gurashi, një "dhelpën
e vjetër"(siç e quen At Çiprian Nika), që
në grupin e klerikëve në 1946 kur u ka dalë
dëshmitar të gjithë shokëve të vet.
Tregohet si anekdotë, kur njëditë nade, po veshej
e rregullohej At Rroku, Don Ejëll Deda, edhe ky në burg
me të, i thotë: "A po bahësh gati me shkue me
rrejtë edhe sot Padër Rrok?"...
Kam lexue proçes-verbalin prej 67 faqesh, që At Rroku
ban për disa ditë në hetuesi, këtë radhë
me Xheudet Milotin. Xheudeti ishte shefi i Seksionit Katolik në
Degën e Mbrendshme të Shkodrës. Ishte ndër specialistët
e torturave çnjerëzore dhe katil i prëgatitun për
Klerin Katolik. Ka pasë dëshirë me tregue se urrej
katolikët në përgjithësi. Këtë e ka
tregue me hetimet që ka krye kundër tyne. Kujtohet nga
shkodranët kur ka arrestue At Pjetër Meshkallën,
dhe mënyrën si i ka ra shtjelm tue e shtye me e futë
në gjipsin e Sigurimit. Mbas vrasjës së gjeneralit
tij "të dashtun"u trasferue në Ministrinë
e Mbrendshme në Tiranë dhe mbas 1990, për këtë
kontribut "të vyer" kundër Klerit Katolik, me
ndërmjetësinë e Sofokli Lazrit e Spiro Dedës,
edhe këta "miqë të klerit", e gjejmë
në shërbim të "Caritas-it", në Romë!
...
Proçesi i At Rrokut për mue ka një rëndësi
të madhe, mbasi aty asht folë nëpër gojën
e At Rrok Gurashit, krejt projekti i vëprimeve të ardhëshme
të shtetit komunist, si gjithmonë, me dorën e Sigurimit
të Shtetit. Të duket fantazi në leximin e parë
por, kur vazhdon me kujtue ngjarjet e ndodhuna mbas atij proçesi,
rrjedhëshmëninë e tyne, kohën dhe lidhjet e
atyne ngjarjëve njena me tjetrën, përsonat e ngarkuem
me ato shpifje e rrena tue u pushkatue, sa të tjerë me
vite të tana ndër kampe shfarosje, të bahët
me mendue "mos jam në andërr"! Jo, jo, aspak
në andërr, por zgjandërr, madje, edhe të zbatueme
me përpikmëni ato trillime që ndoshta, kur i ka shprrallue
At Rroku, asht kenë edhe me tas çaji e tue ndukë
cigare. Shpesh, përsëritë: "... kam harrue me
thanë dje!" dhe shton diçka të re, që
ia ka kujtue Xheudeti... ose fantazmat e Sigurimit me të cilët
flente natën...
Aty, gjenë emnat e të gjithë klerikëve që
janë pushkatue mbas 1956 tue fillue nga Don Ejëll Kovaçi,
Don Dedë Malaj e, deri tek Don Zef Bici, Don Mark Dushi e Don
Shtjefën Kurti. Pothuej të gjithë janë arrëstue
për motivet që shpreh atëherë At Rroku. Edhe
Imzot Ernesto Çoba asht në atë proçes, me
ato akuza për të cilat asht dënue 20 vjet mbrapa.
Flitët për karakterin e këtyne klerikëve si,
dhe, për mardhanjet e At Rrokut me ta. Shpjegimet ma të
hollësishme i jep për klerikët e Tiranës, vëprimet
e tyne në kohën e Statutit dhe lojën dyfishe që
kanë lujtë ata bashkë me At Rrokun. Për këtë
arsye gjyqi i tij u zhvillue me dyer të mbylluna, mbasi kështu
vëprohej me "agjentët" e Sigurimit, gjoja me
ruejtë sekretet dhe At Rroku u dënue 25 vjet burg, ku,
edhe vdiq.
Në bazë të thanjëve të At Rrokut, asht
dënue edhe Don Mikel Koliqi. Mbas tij në 1958, Don Ejëll
Kovaçi. Don Ejëlli asht viktima ma e dhimbëshme,
mbasi ngarkohët me akuza aq të shumta, sa nga të
gjitha çpifjet "ka mbetë diçka", sa
me errësue pafajsinë e vërtetë të tij.
Projekti i Ministrisë së Mbrendshme aso kohe u zbatue
nga kolonel Mehdi Bylbyli, i cili ka shkue në Pukë, ka
vra Markun, buzë një përroni, pra kryetarin e këshillit
popullor të fshatit Qelzë, ku shërbente Don Ejëlli,
mandej, e ka çue në qelë te priftit tue e akuzue
Don Ejëllin për dijeni të kësaj vrasje. Proçesin
e vazhdon Hilmi Seiti, si kriminel i regjun që ishte dhe arrine
tek gjyqi tue mbajtë revolverin e tij në gojën e
Don Ejëllit, për me pohue. Kështu, pushkaton Don
Ejëll Kovaçin e shkretë të pafajshëm.
Hilmi Seiti mundohët me të njajtat metoda me veprue edhe
me Don Dedë Malaj e At Konrrad Gjolaj, tue i kalue ndër
duert e kriminelëve të njoftun: Nevzat Haznedari, Ali
Xhunga, Hamdi Ulqinaku, Shyqyri Qoku, dhe tragjedia mbyllët
me Xheudet Milotin që mban me cigare dhe ilaçe shkatërrimi
të sistemit nervor të shkretin Don Dedë Malaj, deri
që asht dhanë vendimi. Plot 2 vjet mbasi Hilmia pushkatoi
këta dy priftën, më 27 prill 1961, hangri plumbin
kokës ai vetë nga shokët e tij. Ishte shpërblimi
i Partisë për veprat e kryeme kunder klerit inteligjencës
dhe shkodranve të ndershëm. Vajtojcët e Teatrit "Migjeni"
me vela të zezë, e kjanë deri ndër vorre të
"dëshmorëve". Aty e lanë....
Don Dedë Malaj me gjyqin e tij, hyni në vazhdën e
lëgjendave të trojeve shqiptare që brezat e ardhëshëm
do të këndojnë me "lahutën" e tyne,
ndër vargje të pafund ...
Edhe pse kanë kalue ma shumë se 40 vjet nga vrasja e DON
DEDË MALAJ, ai mbetët i pavdekëshëm në
historinë e salvimit e martirizimit të KISHËS KATOLIKE
SHQIPTARE.
Don Dedë Malaj asht ndër klerikët ma të torturuem
dhe mbetët ndër ma të sakrifikuemit për triumfin
e idealit të Fesë së Krishtit në Shqipni. Ai
vdiq për Kishën Katolike dhe Papën!
Tue vdekë për Fè e Atdhé,
DON DEDË MALAJ, U PËRJETËSUE NDËR SHEKUJ!
6 S H K U R T 1967
"Diskutimi i Hoxhës ngjanë me qenin të cilit
i japin bukë, kurse, ai kafshon dorën e atij që e
ushqen! ..."
Dolores Ibaruri
Moskë, 1961.
Më 6 Shkurt 1967, Fjalimi Programatik i Enver Hoxhës,
... asht surrati i vërtetë i tij por edhe i idealeve të
Partisë së Punës(Komuniste) dhe i Sigurimit të
Shtetit komunist totalitar që ai ka drejtue dhe përfaqsue
për 40 vjet. Shprehja e tij asht e saktë dhe pa asnjë
mangësi: " ... pa frikë dhe me shkronja të mëdha
... TË DJEGIM ME ZJARR!..."
Po, dhe vetëm kështu, mund të realizohej ai qëllim
i diktatorit që do të quhej "Revolucion Kultural"
nëpërmjet të cilit me emnin ma të bukur të
historisë REVOLUCION, do të kryej veprën ma të
shëmtueme e ma të ndytën ndaj popullit të vet
dhe kulturës kombëtare. Pra, simbas zakonit të komunistëve
ai do të vepronte si gjithmonë tue gënjye e mashtrue,
vetëm e vetëm me përforcue pushtetin gjakatar përsonal
bashkë me përkrahësit e tij, anëtarët e
Partisë së Punës, të mbrojtun dhe të përkrahun
si gjithënjë nga kriminelët e spijunët e Sigurimit
të Shtetit, KUNDËR GJITHË POPULLIT SHQIPTAR.
Ky, "Revolucion", do të realizohej prej organëve
terroriste të specializueme të Sigurimit të Shtetit,
të drejtueme nga Partia. Na do të shohim me sytë
tonë, për fat të keq, sësi mburreshin këta
autorë të kësaj vepre makabre të pashembull
në historinë botnore, pikërisht, në Shqipninë
e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit
Evropian. Atdheu i Nanë Terezës, mishnimi i idealeve dhe
i virtyteve të Nanës së gjithë Botës, do
të shpallej me "Kushtetutën e Republikës Popullore
të Shqipërisë - PA FE". Në 1967, simbas
dekretit nr. 4337, anulohet çdo pjesë e ligjës
në lidhje me mardhanjet ndërmjet Shtetit dhe Kishës
tue shvlefsue çdo statut mbi besimet. Partia e Punës
së Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare deklaruen me
mburrje se SHQIPNIA asht "i pari Shtet me të vërtetë
ateist në botë". Harrohet me dashje se Kushtetuta,
si gjithmonë vetëm me fjalë, kishte "garantue
lirinë fetare". Mbas këtij dekreti hapet rruga e
pritëshme e vitit 1976, për "Kushtetutën e Re"
që proklamoi artikujt 37 dhe 55, ku, SHTETI NUK NJEH MË
ASNJË FE. Ajo ndalon çdo veprimtari fetare dhe inkurajon
ateizmin si parim marksist-leninist.
Artikulli 37: "Shteti nuk njeh asnjë fe dhe inkurajon
zhvillimin e propagandës ateiste, për të krijuar
ndër njerëzit një botëkuptim shkencor e materialist.".
Artikulli 55: "Ndalohët formimi i çdo organizatë
fashiste, antidemokratike, fetare e antisocialiste. Janë të
ndaluara veprimtaritë e propaganda fashiste, fetare, luftënxitëse,
antisocialiste, si dhe urrejtja ndërmjet njerëzve dhe
racave.".
Po, do të digjej me zjarr "Kanuni i Lekë Dukagjinit",
se kështu përdhosej martirizimi i At Shtjefën Gjeçovit
i vramë trathtisht nga serbët, kështu, u shkelnin
të drejtat zakonore të malësorëve të Veriut.
Kështu, dhunohej Maja e Bratilës bashkë me vorrin
e Ded Gjo' Lulit. Vetëm kështu, do të përdhoseshin
të drejtat dhe liritë thëmelore të njeriut se,
kështu, Shqipnia izolohej nga kontinenti dhe, vetëm kështu,
diktatori i përsëriste Evropës se këtu: "Ligjin
e bëjë unë!".
Metodat e Sigurimit të Shtetit do të ishin të "reja"
dhe jo ato të vjetrat. Tashti do të zbatohej eksperienca
e marrun nga Kina e Madhe e Mao Ce Dunit. Njerëzit duhet të
kuptonin dhe të bindeshin se çdo mospërputhje me
idetë e këtij "Revolucioni", ishte me pranue
një torturë të re dhe të vazhdueshme: "Frikë
dhe vetëm frikë", që secili maparë pranonte
me qejf vdekjen se këtë rrugë Kalvari të stërgjatun
dhe shpesh, pafund ... ku, kryqëzimi në fillimin e saj
ishte shpëtim i vërtetë, ndërsa pushkatimi në
minutat e para të arrestimit ishte si me lindë së
dyti sidomos, për ata që i kishin provue me kohë
torturat mizore psiqike dhe fizike në qelitë e Sigurimit
të Shtetit komunist shqiptar.
Jo, kurrë, nuk harrohej publicisti i njohtun Don Lazër
Shantoja me kambë të këputuna me sharrë druvari
... Cili harronte Imzot Gjinin, Volaj, Bonattin, V. Prennushin,
Nikoll Dedën dhe Ernesto Çobën të masakruem
dhe të futun në thes, apo, etnit: Mati Prennushi, Çiprian
Nika, Donat Kurti, Pal Dodaj, Frano Kiri, Aleks Baqli, të varun
ndër pemë me ditë të tana, e, Hafizët:
Ali Tarin, Dërgutin, Najpin, Muftinë, tue u torturue me
folë kundër klerit katolik. Nuk ishin mbyllë ende
gropat e zeza të hetuesisë së Koplikut, ku kalbëshin
martirët Sirdani e Çuni. Ndër kalldramet e shtëpive
shkodrane të kthyeme në hetuesi vlonte gjaku i Kolec Dedës,
Simon Darragjatit, Muzafer Pipës, Paulin Palit, Qemal Draçinit,
Kol Prelës, Ndue Palit e Caf Metës, Pal Thanit e Loro
Vatës, Gjok Dodës e Zef Jakoviqit, Kol Kurtit e Ahmet
Koplikut e sa të tjerëve të mbetun në tortura
e të tretun si coftina në Zallin e Kirit. Ende vajtonin
shelqet e bregut të Bunës studentët Bardhosh Dani,
Mark Cacaj e Brahim Dërguti. Vazhdonin me ushtue muret e kinema
"Republikës" nga zani i paharrueshëm i trimit
Don Dedë Malaj. Fusha e Çelës ishte ende me pështymët
e pathame të Mark Ndojës e Gac Lecit, në fëtyrat
e pastërta të Martirëve Fausti, Dajani, At Gjon Shllaku
e Mark Çuni me shokë. Nuk harrohej studentja burrneshë
Drita, motra e Ibrahim Sokolit tue ua përplasë në
surrat spijunve Çiril Pistoli me shokë: "Turp për
ju, se, as në mesjetë nuk janë pështy të
burgosunit rrugëve si tashti!...". Anë e kand qytetit
kishte vetëm kujtime të pashlyeshme mjerimi, vuajtjesh
e vrasjesh në breznitë shkodrane.
Nuk duhet harrue me iu kujtue predikuesve të "emancipimit
të grues" vitët e mnerëshme të rinisë,
kur lidheshin ndër vargoj nga krimineli Ahmet Suji vajzat e
reja të Shkodrës: Maria Tuçi, Angjelina Marku,
Terezina e Liza Pali, Ana Daja, Drita Kosturi, Agime Pipa, Viktore
Kuka, Frida Sadedini etj. atëherë, kur ndër prroje
shkonte rrëkajë gjaku i Maria Shllakut e Maria Zojzit...
Këneta, fusha, brigje, kodra, kanale e gjithkah vorre të
humbuna me të interrnuem, pa shenj tek kryet...
Vetëm në një lagje të vogël si kjo e emja,
rreth 4000 banorë numëron: 29 vetë të pushkatuem,
97 vetë të burgosun, mashumë se 49 vetë të
internuem, të gjithë për motive politike.
Po në gjithë qytetin e salvuem të Shkodrës?
Shifrat për ne janë tronditëse, ndërsa për
botën e qytetnueme janë të pabesueshme. E, pra, mbi
të gjitha këto vorreza që mendohën rreth 45000
vetë, të pushkatuem e të vdekun ndër burgje,
kampe e intërrnime, asht ndërtue gërmadha që
shihni ju sot që thirret "socializëm" e për
me shkatrrue edhe atë që mund të kishte mbetë
si traditë, zakon e kulturë, ishte i domosdoshëm
i qujtunim "Revolucion Kultural", që do të përfshinte
cilindo që ka lutë Zotin, kjoftë edhe njëherë
gjithë jetën.
Do të përshkruej shkurt si u zhvillue ky "Revolucion",
në qytetin martir të Shkodrës:
Për çudi, njerëzit ato ditë nuk i ndiqte as
hija e vet. Gjatë ditës drita ishte si e marrun mbasi
i mungonin vezullimet e rrezëve të diellit. Qyteti dukej
në pragun e një eklipsi, me pamje të zymtë e
të trishtueshme. Vransina e kohës kishte depërtue
deri thellë në shpirt. Në rrugët e lagështituna
kishte pak lëvizje. Ndër rrugica as fëmijët
nuk lonin si gjithmonë me topat e vegjël prej leckash.
Diçka pritej... Ndonjë kalimtar i mbërthyem deri
në fyt strukej nën pallton ose gazhupin e vet. Në
kryet e krrusun ka ngjeshë një kasketë që kushedi
ku e ka gjetë në ndonjë skutë të musandrës
dhe ecë pa shikue e përshëndetë njeri, veç
tue mendue si të gjithë të tjerët: "Ishalla,
me mue nuk kanë punë!...".
Të gjithë ndrrojnë hapat si me komandë 1-2,
1-2 ... të vogjël e të shpejt si kinezët, por
me shumë kujdes që të mos u ngatrrohen mangjetat
e shkyeme të pantallonave që njerëzit veshin për
mos me ra në sy për "modën". Mbizotnon
ngjyra grih e mbylltë ose kafe e murrme që përzihet
lehtë me pluhun të rrugëve ose baltën mbas shiut.
Kjo i jep qytetit edhe ma shumë pamjen e një zone të
zymtë konviktoresh që veshen me urdhën nga eprorët
e tyne dhe jo simbas qejfit. Aty-këtu shihët edhe ndonjë
veshje grih e çelët që e ban edhe ma të trishtueshme
kohën derisa mund të shkëputesh prej tij dhe, vetëm
kur i largohësh asaj siluete të frikëshme, qetësohesh
për pak çaste sa me u mbushë me frymë e, atëherë
ke mujtë me thanë me vedi: "Si dukët, nuk e
paska pasë me mue!... ". Secili këte formulë
mendonte rrugës...
Në rrugët kryesore me shtëpi të jargituna nga
rrëkajtë e ulluqëve të kalbuna e të palyeme
që në vitin 1959 kur pat ardhë për vizitë
Hrushovi, janë paksue njerëzit. Edhe ajo karakteristikë
e jona shëtitjet ndër pjaca nuk bahej pothuej fare, kudo
mbizotnonte frika. Terrori zyrtar kundrejt disa "përsonave"
të konsideruem "pakica" por, ku, përmblidhej
gjithë populli, u kishte hy për palc: "Tue më
pa në pjacë, a thue po i kujtoj gja këtyne!?..."
Sigurimi i Shtetit si "i mirë" i kudondodhun, po
e realizonte detyrën kryesore që i kishte vue Partia:
"Pasiguria e përherëshme e popullit" tue e mbajtë
në kushte servilizmi dhe mjerimi, tue depërsonalizue mundësisht
çdo njeri për me e mbajtë të shtypun e gojëmbyllun".
Gratë e pa krehuna dhe me shamia të mbështjelluna
rreth kokës si mumjet e dikurshme, e vazhdojnë punën
e përditëshme tue u çue në orën 03.00
të mëngjezit, vrapojnë tue çue mahallën
me krizmën e shisheve të qumeshtit ndër strajca për
me zanë radhën e pafund me shpresë të ardhjës
së furnizimit para orës 05.30, mbasi po erdhi ma vonë
mbetën pa gja, nuk i pret koha se do t'i hypin biçikletave
dhe me vrap u duhët me shkue në qendrat e punës me
ba "gjimnastikën e mëgjezit". Rrugës me
shpejtësi hullin si zhele fëmijte e posa zgjuem në
dyert e kopështeve, të mbështjellun ndër batanijat
e leshta të kombinatit "Stalin" dhe të mbuluem
me celofona sikur donë me i tretë të shkretit e vogjël,
"revolucionarët e ardhshëm", të cilët
edhe ata trajtohën e priten tek dera e kopështit prej
edukatorës simbas "biografisë". Prej asaj moshe
fillon plotësimi i "karakteristikave përsonale"
ose, ajo që quhet "dosje" e që nuk do ti ndahët
gjithë jetën...
Burri që pret me u ba babë, veç rrin e mendon si
me përçudnue emnat e prindve të vet, si e si me
kombinue emni i bebës së vogël me listat e miratueme
nga komitetët e Partisë në zyrat e gjëndjes
civile. Për emnat jashta liste pritej vëndimi i kolektivit
që do të vendosë: a me vazhdue punën ose jo...
Diskutohej biografia e stërgjyshave dhe a kanë pasë
"shfaqje të hueja"?... Pikësynimet i jepte organizata
e vendit të punës që këshillohej me organët
e Partisë ma lart por, pa asnjë mëdyshje ajo konsultohej
me Sigurimin e Shtetit, i cili i tregonte rrugën si me vëprue
me këtë përson. Me këtë problem merrej
organizata e rinisë e shkollës 11 vjeçare "Jordan
Misja", e cilësueme ndër ma të flaktat organizata
"revolucionare" të qytetit, ku përsoneli i devoçëm
i asaj shkolle zbatonte pikë për pikë porositë
e Partisë dhe të Sigurimit simbas parullës së
"vijës së masave": "Çka don populli
bën Partia dhe ç'thotë Partia, bën populli!".
Të rinjtë shpejtonin me u mbledhë ndër shkolla,
palestra, klasa, auditorë, koridore, podrume e kudo për
me lexue kolektivisht gazetat dhe me njoftue "shtabët"
për kryemjen e detyrave. Kudo në buletine speciale dhe
për përdorim "të mbrendshëm" partie,
lajme radjoje dhe vesh në vesh, flitëj për "Fjalimin
Programatik", kryesisht, si po vëprohej anë e kand
vendit deri ndër skajët ma të largëta. Edhe
atje mblidhej "paria e re" e fshatrave të kooperativizueme
dhe merrte edhe ajo vëndimet e veta, si me kthye Kishat e Xhamitë
në "vatra kulture", depo grumbullimi ushqimi për
kafshët apo stalla. Pleqtë e disa fshatrave të "mërzitun"
nga zakonet "prapanike" i drejtonin edhe një telegram
"shokut" Enver për gjithë ato "të
mira" që u kishte sjellë në katund... Kishte
familje fshatare me nga 3-4 fëmijë, që merrnin 150
gr. qumësht në ditë nga kooperativa dhe i ushqenin
fëmijët e tyne me "pikatore"...
Mbas mbledhjeve të mëshefta të Partisë që
ato ditë në Shkodër i drejtonte nga Instituti i Lartë
Pedagogjik Ramiz Alia, "shokët": Xhemal Dini, Musa
Kraja, Prenk Sokoli, Halit Isufi, Hilmi Habovija, Angjelin Kumrija,
Jovan Vujoshi etj. etj. si këta besnikë të Sigurimit,
vëndimet ia përcillnin rinisë mbasi tek "njeriu
ynë i ri" ishte mbështetja e tyne. Në mbledhjet
e rinisë ma të besueshmit u ngarkonin me detyrat e Partisë
dhe vazhdohej me brohoritje: "Parti, Enver, jemi gati kurdoherë!"...
Fillonte aksioni i rinisë... me të padiskutueshmen fjalën
"vigjilencë" që në gjuhën shqipe ka
disa kuptime, por për ne që jetuem atë kohë
të mjerueshme, ajo fjalë ka vetëm kuptimin e spijunllëkut
me të cilin u formue ajo "rini servile" siç
e ka cilësue At Meshkalla, "vepra më e shkëlqyer
e Partisë së Punës", ku prej kësaj rinie
e deri tek ma plaku "të gjithë njerëzit janë
të lidhun për kafshatën e gojës", përkufizimi
ma i sakt e plote i fjalës "socializëm".
Ndokush mendon me të drejtë, a thue me të vërtetë
"vetëm" ky ishte "Revolucioni Kultural"?!...
- Jo, në asnjë mënyrë, jo!...
"Revolucioni Kultural" në Shqipni nuk ka fillue në
vitin 1967, ai ka fillue "kur kanë hi këta"
pikërisht, atëherë, kur Qamil Gavoçi me shokë
shkrepnin armët e "fitorës" mbi kokat e "armiqve
të popullit", ato ishin sinjalët e para të terrorit
komunist që do të vazhdonin për 50 vjet pandërpremje.
Komunistët shqiptarë, vegla të drejtueme nga ata
jugosllavë, bolshevikët rusë dhe nga turli lloji
internacionalistësh aventurierë që vizitonin Shqipninë
dhe mbushnin xhepat me parë të këtij populli fukara,
do të gjenin skutën e fundit te tyne në vrimat e
"Murit të Madh" të Kinës komuniste, ku
si mijtë e mbështjellun në thërmijat e libravë
te kuq, më të famëshmet "Dacibao" e "Fletë-
rrufe" të stivuem në "veprat e klasikëve
të rinjë" Mao Ce Dun dhe Enver Hoxha, lenin pa gjumë
mijra familje tue pritë çdo minut: "A po na gërset
dera sonte!?"... Shtabet e krijueme nga Partia për këtë
qëllim punonin ditë e natë në çdo qoshe
ku nuk të shkonte mendja, për me shpërnda "direktivat"e
reja. Detyra kryesore e tyne ishte aktivizimi i "masave"
të gjana, ose ma mirë me thanë, angazhimi i shumë
njerëzve "të rinjë" në organët
e Sigurimit të Shtetit pra, njollosja e njerëzve në
masë e mundësisht në çdo famlje.
Organizatat e Frontit Demokratik, "levat e Partisë",
si gjithmonë të gatëshme me organizatat profesionale
deri tek "pensionistët" e zellshëm, spijunët
e lagjëve ose, siç njihëshin me emnin "kasketat",
që sot janë zëvendsue me "kapelat republikë
të diellit", nuk pushonin një minut por, në
stolat e lulishtave, e radhët e pafund të dyqanëve
tue mbledhë informata, tue rëmue ndër biografi dhe
tue plotësue "dosje" për mbledhjet e demaskimit
të njerëzve ku bahej edhe arrëstimi i tyne.
Në një buletin special sekret Enver Hoxha, jep këtë
porosi për organizatat bazë të Partisë: "...
Përsa u përket elementëve të përjashtuar
nga Partia, duhët pasur parasyshë, se shumica e tyre nuk
janë armiqë por, patriotë të mirë ose miqë
të Partisë. Mjaft prej tyre janë përjashtuar
pse janë futur para kohe në Parti, ose pse kanë dobësi
në punë. Me këta njerëz organizatat bazë
të tregohën të kujdesëshëm, ti mbajnë
afër dhe ti aktivizojnë, ndërsa ndaj të përjashtuarve
për arsye politike, organizatat e Partisë duhët të
rritin vigjilencën" (E. Hoxha P.P.Sh. Dokumenta Kryesore
V- fq. 238, 1974). Pra, llomi i llomit shoqnisë, hajdutët,
imoralët, vagabondët, karrieristët, spijunët
etj. të urdhnojnë e të vijnë edhe njëherë
tek shokët e tyne të "armëve", mbasi Partia
u tregue "zemërgjerë" ashtusi e porosiste edhe
udhëheqësi i saj "i dashur". Udhëheqja
e Lartë dha porosi për organizimin e "Frontit Demokratik"
haptas, antikatolik, ku, u aktivizuan edhe njëherë ata
besnikë të Partisë në bazë që deri
atëditë silleshin si lapera klubeve të ndërmarrjëve
për një "kafe" qyl nga punëtorët,
si: Ndoc Deda, Gjon Jaku, Loro Beltoja, Vat Deda, Fadil Ymeri, Zef
Shoshi etj. drejtorë e brigadjerë me të cilët
Partia maskonte vëprimet e saja antikatolike.
Sinjalët e asaj kohë që po vinte ishin dhanë
nga Kina komuniste. Lin Biao mbasi zhyti në ujë të
lumit Mao Ce Dunin plak dhe ia "freskoi" trunin e marrakotun,
filloi zhdukjen e "kuadrove të Partisë" atje,
por të vërtetën e shfarosjëve në Tibet
e vende të tjera të humbuna të Azisë asht vështirë
me e dijtë njeri, mbasi studentët shqiptarë që
ishin atë kohë në Kinë, flasin për zhdukje
masive në vënde të padijtuna të rinisë,
të shumë intelektualëve, profesorëve, ingjenjerëve
etj. Aso kohe janë kenë dërgue nga Shqipnia shumë
grupe specialistësh të Sigurimit të Shtetit me marrë
përvojën e re të torturave nga specialistët
kinezë. Këta grupe i drejtonte katili Nevzat Haznedari
me shokë. Qendra e hetimëve tashti u ba Tirana, ku, hetonin
e torturonin kriminelë të zgjedhun si: Koço Josifi,
Ali Xhunga, Elham Xhika, Dhimitër Andoni, Xheudet Miloti, Iljaz
Haxhi, Ilo Papa, Shyqyri Qoku, Shkëlzen Bajraktari, Dhimitër
Shkodrani, Jake Tefiku etj. të cilët me "autorizim"
të Lefter Gogës, Aranit Çelës, Shuajp Panaritit
etj. mund të përdornin torturat ma çnjerëzore
deri në vdekje të burgosunve, "pa asnjë përgjegjësi
penale ndaj të pandehurve që mund të vdisnin në
duart e tyre në hetuesi."(Dosja 2291).
Pëngesa e parë e këtij "Revolucioni" ashtu
si dikur për edukimin marksist-leninist, reformën agrare
e kolektivizimin e bujqësisë, punën "vullnetare",
aksionet në ditët e festave fetare etj., ishte tashma
i dituni "Kleri Katolik", prandej aty u drejtuen shigjetat.
Kjo politikë e drejtueme kundër Kishës si institucion
me një autoritet të njohtun u pat fillue me kohë
dhe u vazhdue me shkatrrimin gradual të bazës së
saj materiale dhe ekonomike, tue përfshi këtu të
gjithë njerëzit e pagëzuem kjoftë edhe mësheftas
ndër katakombe ku jetonin klerikët. Don Injac Gjoka flente
i shtrimë ndër tulla mbrenda një furre...
U ndaluan kumbonët e Kishave mbasi nuk mund t'i ndigjonte një
pjesë e mirë e qytetit! ...
Nga fundi i vitit 1965 u patën marrë nga shteti Kisha
e Murgeshave dhe ajo e Jezuitëve. Me rastin e marrjës
së Kishës së Jezuitëve, eshtnat e Don Ndre Mjedjës,
gjoja si shkrimtar përparimtar, u dërguen në vorrezat
e dëshmorëve tek spitali, pranë mikut e bashkpunëtorit
të tij, Luigj Gurakuqit. Kur u ndërtuan vorret e reja
të dëshmorëve (ato që janë sot), Luigji
u dërgue atje, ndërsa, Don Ndre Mjedja, u "harrue"
aty dhe humbi si Pasi, Jungu, Xanoni etj. që u tretën
në breg të Drinazit bashkë me Imz. Bernardin Shllakun.
Mbas "Fjalimit Programatik" të 6 shkurtit, qyteti
i topitun dhe i friguem u mbush anë e kand me "Fletë-rrufe"
që bijtën si kërpurdhat. Të dielën e parë
ato u vendosën në dyertë e Kishave, asaj të
Fretënve në Gjuhadol dhe në Kishën e Shën'Kollit
në Rus. Kjo stuhi filloi edhe ndër qytete tjera, në
Xhaminë e Durrësit, në Lezhë, Milot, Laç
etj. Instituti i Lartë Pedagogjik i Shkodrës ku strehohej
si hije Ramiz Alia, filloi mbledhjet për demaskimin e klerikëve
nën lëvozhgën e "Organizatave të Frontit"
me klerikët e parë: At Gegë Lumën, At Frano
Kirin, At Mark Harapin S.J. dhe At Gjergj Vatën S.J. Kjo nuk
ishte rastësi, por ishte shfletimi i rregjistrave të parë
të Ministrisë së Mbrendshme mbasi pikërisht
me At Gegën, u pat fillue edhe në vitin 1945 dhe vazhdoi
me ata klerikë që kishin mbetë pa u zhdukë nga
burgjet, intërrnimet e vuajtjet në kampet e punës
ose ma mirë me thanë të shfarosjes. Atë punë
të mbetun përgjysëm atëherë e ndihmonte
edhe mosha e thyeme, mbasi gjurmët e atyne vuajtjeve çnjerëzore
nuk mund të zhdukeshin kurrma.
Kudo FRIKË! Të gjithë mendonin vetëm një
gja: Me mëshefë! Të gjithëve u dukej se errësina
asht ma e përshtatëshme për këtë punë,
prandej edhe dritat fikëshin herët. Fillonte ndër
oxhakë tymi shllunga-shllunga edhe në pikën e verës
tue djegë libra, revista, korespondenca, fotografi "me
shokë reaksionarë", dokumenta historike, figure,
"Lahutën e Malcisë" etj. Secili mendonte vetëm
mos me rrezikue jetën e vet dhe të fëmijëve
që mund të lindin edhe mbas 10 vjetësh ... mbasi
edhe atëherë do t'i ndiqte "lufta e kllasave"...
Kjo luftë ka vazhdue pandërpremje ashtu si, burgimet,
interrnimet, pushkatimet apo shfarosjet e sa e sa përsonave
e familjëve që për 45 vjet nuk kanë kenë
asnjëherë të lirë, si: Mark Temali, ish oficer;
Prof. Guljelm Deda, Don Mikel Koliqi që, kur e kam pyetë
se në cilat kampe ke kenë, më asht përgjigjë:
"Nuk besoj se e dijnë edhe ata që më kanë
burgosë e internue! ..." Këtu nuk po shkruej për
familjet që e filluen martirizimin në vitin 1945, mbasi
do të duhej një volum me ata që lindën, u martuen,
u moshuen dhe vdiqën ndër kampe intërrnimi, apo me
ata breza të sakrificës që vazhdojnë edhe sot
ndër fshatra e qytete ku u ka kalue jeta, pa mujtë me
krijue as familje, si Frida Sadedini e sa si Ajo, me të cilët
komunistët vazhdojnë me kenë të pangopun ...
Mbas mbylljes së Kathedralës 100 e sa vjeçare të
Shkodrës më 4 mars 1967, me shpejtësi u veprue për
mbylljen e Kishave e Xhamijave, kështu më 19 mars 1967
nuk kishte asnjë Kishë të hapun në Shkodër.
Mbyllet me to edhe Kisha e Zojës tek Kalaja "Rozafat".
Çelsat me të vërtetë i mori "Organizata
e Frontit" por Komiteti i Partisë organizoi menjëherë
komisionet e inventarizimëve (të plaçkitjeve) të
objekteve të kultit. "Kryetar i Komisionit Përzgjedhjes
Leteratyrës Fetare Kishtare" u emnue Jup Kastrati, mbasi
ia kishte marrë dorën asaj punë me kohë. Për
vlerat materiale ishte edhe Nuri Çaushi. Nuk dij detyrën
e antikatolikut të betuem, spijunit ordiner Sadik Rama që
ka pasë rrahë në Koplik Llesh Marashi dhe e ka pasë
nisë për Shkodër të çveshun, në
brekë.
Kur "Fletë-rrufetë" mbulonin dyert e Kishave
dhe veglat sërvile e hipokrite thërrisnin për zhdukjen
e Fesë dhe të klerit, ndër sytë e popullit ngrihëshin
monumente të Atyne Martirëve, vazhdë e gurrës
së pashterrëshme të HEROJVE TË KISHËS KATOLIKE
si: At Pjetër Meshkalla, At Gegë Luma, At Frano Kiri,
At Mark Harapi, Imzot Ernesto Çoba, Don Ndue Soku, Don Injac
Gjoka, Don Marin Shkurti, Don Mikel Beltoja, Don Frano Illija, Don
Mark Hasi, Don Nikoll Mazrreku, Don Ndoc Ndoja, Don Pjetër
Gruda, Don Nikoll Gjini, At Filip Mazrreku etj.
Me datën 7 prill 1967, arrëstohet Don Mark Hasi. Vetëm
në gjyq, përveç dëshmitarëve të
akuzës, spijunëve Fric Curani e Pjerin Vata, kanë
folë këta diskutantë: Gjyzepina Shutermea, Natale
Dema, Shaban Brahimi, Rrexhina Marku, Elizabeta Miloti, Kristaq
Belkovi, Zef Fistani, Nina Pici, Paulin Zadrima, Burhan Dizdari,
Gjon Thani, Tonin Shiroka, Njac Bitaku (??), Pjerin Boriçi,
Kolec Çerraxhija |