Në prag të mbledhjes
së Grupit të Kontaktit me 31.01.2006, në Londër,
presidenti rus, Vladimir Putin, i dha "instruksione të
qarta" Ministrit të Punëve të Jashtme,
Sergej Lavrov, lidhur me qëndrimin e Moskës për
çështjen e Kosovës, duke theksuar që
përcaktimi i statusit përfundimatar të saj
duhet të ketë karakter universal. "Për
hapsirën postsovjetike kjo është shumë
e rëndësishme, sepse këtu ende nuk janë
zgjidhur të gjitha konfliktet. Ne nuk mund të zbatojmë
disa parime për një rast dhe disa të tjera
për një rast tjetër", i e porositi ai
shefin e diplomacisë ruse.
Në fund të mbledhjes së Grupit të Kontaktit,
Ministri Lavrov do të shprehej që, gjatë punës
përgatitore, disa nga partnerët e tij u përpoqën
të fiksojnë në dokumentin përfundimar
të mbledhjes tezën që" Kosova është
rast unik dhe nuk do të krijojë precedent. Ne me
këtë nuk ramë dakort dhe, si përfundim,
një qëndrim të tillë dokumenti i miratuar
nuk e përmban". ²
Tezës së zbatimit të parimeve universale në
gjetjen e zgjidhjes së çështjes së Kosovës
dhe mundësisë së shfrytëzimit të
saj si precedent për rregullimin e konflikteve të
tjera, politika dhe diplomacia ruse i është kthyer
e rikthyer, më se një herë, gjatë vitit
2006. Vetë kreu i shtetit, V. Putin i është
referuar disa herë kësaj teze, duke i mëshuar
kryesisht aspektit politik të saj dhe ndikimit në
zonën e " interesave jetike" ruse.
Në një takim me ambasadorët rusë, në
Moskë, me 27.06.2006, midis parimeve që, sipas tij,
duhen mbajtur parasysh për zgjidhjen e krizave, veç
universalitetit, ai theksoi domosdoshmërinë e respektimit
të interesave të të gjitha palëve të
përfshira në konflikt, duke sjellë si shembuj
konfliktet në Zakaukaz, Transdnistria, Kosovë, Qipro.³
Tre muaj më vonë, në një intervistë
të tij, në Financial Times, Putin nënvizoi
se " nuk mund të zbatohet një paketë rregullash
për Kosovën dhe një tjetër për raste
të tjera. Çfarë ndryshimi ka situata në
Kosovë nga ajo në Abhazi, Oseti?" Dhe përgjigjen
e jep po vetë, " Asnjë ndryshim!" ?
Akoma më shpesh i është referuar kësaj
çështjeje, Ministri i Jashtëm rus, S. Lavrov.
Në mbledhjen e Grupit të Kontaktit, në Nju
Jork, me 20.09.2006, ai do të shprehej se rasti i Kosovës
do të kishte natyrën e precedentit për Ballkanin
dhe Europën në tërësi.? Në njoftimin
për shtyp të Ministrisë së Punëve
të Jashtme të Rusisë për këtë
mbledhje, u theksua se çdo spekulim mbi unikalitetin
e rastit të Kosovës nuk është, asgjë
tjetër, veçse një orvatje 6 për të
shmangur të drejtën ndërkombëtare dhe
për të përdorur standarte të dyfishta
për zgjidhjen e krizave në rajone të ndryshme.
Duke zhvilluar më tej këtë ide, me 03.10.2006,
Lavrov do të deklarojë: "Kur flasim për
precedent, ne përpiqemi të tërheqim vëmendjen
se sa e rrezikshme është "kutia e Pandorës"
që duan të hapin ata që, në rastin e Kosovës,
janë gati të injorojnë qëndrimin e njërës
pale, kurse për raste të tjera mbajnë qëndrim
të kundërt. Kjo ka të bëjë edhe me
standartet e dyfishta, natyrisht, por shqetësimi kryesor
është fakti që ata që synojnë ta
imponojnë statusin e Kosovës nuk shikojnë përtej
hundës së tyre."? Dhe po aty bën thirrje
për një "vizion global dhe përqasje strategjike"
ndaj situatave që zhvillohen aktualisht në botë,
gjë që, sipas tij, do të bënte të
mundur edhe parashikimin e pasojave.
Zëvendësit e tij, V. Titov dhe G. Karasin, herë
pas here, në prononcimet e tyre, kanë vënë
në dukje rrezikun e projektimit të "precedentit
Kosovë" në situatat e konflikteve të tjera
"të ngrira", duke u përpjekur të
argumentojnë se " nuk mund të refuzohet e drejta
e disave për të vepruar, ashtu siç u lejohet
të veprojnë disa të tjerëve". 9
Deklarimet e zyrtarëve të lartë rus gjetën
jehonë të gjerë në elitën politike
ushtarake, intelektuale dhe, në përgjithësi,
në opinionin rus, duke e trajtuar "precedentin e
Kosovës" në rrafshin akademik, por kryesisht
në atë politik. Zëvendëskryetari i Dumës
së Shtetit, lideri i Partisë Liberal- Demokratike,
V. Zhirinovski, shprehu bindjen se, pas Kosovës, të
gjitha territoret që, deri tani, nuk janë njohur
Nagorni Karabah, Abhazi, Oseti e Jugut, Transdnistria, do
ta fitojnë menjëherë njohjen ndërkombëtare.
10
Për Kryetarin e Këshillit të Politikës
së Jashtme dhe të Mbrojtjes, Sergej Karaganov, pavarësia
e Kosovës do të justifikonte kërkesën
e Osetisë së Jugut, Abhazisë dhe Transdnistrias
për tu bashkuar me Federatën Ruse.11
Drejtoresha e Qendrës për Studimet Ballkanike, Elena
Guskova, rrezikun e "precedentit Kosovë " e
shikon jo në hapsirën postsovjetike, por më
shumë, në Ballkan, në Maqedoni dhe në
Vojvodinë. 12
Në mënyrë që të tingëllojë
sa më aktual rreziku i "nëpërkëmbjes"
së parimeve universale në zgjidhjen e çështjes
së Kosovës tentohet që "precedenti Kosovë"
të lidhet drejtpërdrejtë me konseguencat eventuale
që ai do të sillte për nxitjen e terrorizmit,
duke i vënë në raporte shkak- pasojë.
Për Bashkëkryetarin e Këshillit të Strategjisë
Kombëtare, Josif Diskin, "
heqja dorë
nga universalizmi në zgjidhjen e çështjes
së Kosovës do të thotë prodhim i një
vale të re të terrorizmit dhe të zgjidhjes
më vonë të konfliktit dhe, për pasojë,
rrëshqitje drejt kaosit". 13
Motivi i "precedentit Kosovë" dhe rreziku i
hapjes së " kutisë së Pandorës"
do të përqafoheshin fort, për tu çuar
deri në absurd, nga politika dhe diplomacia serbe. Sipas
presidentit serb, Boris Tadic, "Kosova nuk është
rast unik." Ashtu si rusi Diskin, Tadic i përmbahet
pikëpamjes se dhënia e pavarësisë Kosovës
do të inkurajojë lëvizjet terroriste, duke
shkaktuar valë të pretendimeve destabilizuese të
grupeve kombëtare në vendet e tjera të rajonit
si, në Maqedoni dhe Bosnje-Hercegovinë. 14 Për
kryeministrin serb Voisllav Koshtunica, pavarësia e Kosovës
do të krijojë precedent, duke bërë që
kërkesa të ngjashme të ngrihen edhe diku gjetkë.
Sipas tij zgjidhja e problemit të minoriteteve nëpërmjet
vetëvendosjes (veçanërisht në rastin
e minoriteteve kombëtare, të cilat kanë, gjithashtu,
vendet e tyre amë shumë pranë) të çon
pashmangshmërisht në ndryshimin e kufijve dhe në
të gjitha komplikimet e rrezikshme që ky ndryshim
mbart me vete.15 Ndërsa Kryetarja e Qendrës Koordinuese
Serbe për Kosovën dhe Metohinë, Sanda Rashkovic-Ivic,
në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, më
13.09.06 do të paralajmëronte; " një zgjidhje
e nxituar nuk do të ishte thjesht zgjidhje, por edhe
një precedent që do të hapte "kutinë
e Pandorës", e cila në asnjë mënyrë
nuk duhet hapur. Vërtet është e vështirë
të besohet që dikush ka dëshirë të
marrë përsipër përgjegjësinë
e hapjes së saj
"16
Por ai që më me zell do ta mbante në qafë
kumonën e "precedentit Kosovë" për
ta tundur natën e ditën, do të ishte Ministri
i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Drashkovic.
Me një patetizëm për tu patur zili, ai filloi
të deklamojë sa në një kryeqytet, në
tjetrin që, nëse Kosova bëhet e pavaruar, ajo
do të kthehet në një "vatër zjarri
të rrezikshëm" që do të shkaktojë
" tërmet politik" në vendet fqinje, si
dhe në shumë rajone të tjera të botës,
në veçanti në territoret e ish republikave
sovjetike. 17 Sipas tij, "precedenti Kosovë"
do të "shkrinte" jo më pak se 30 konflikte
'të ngrira'.18 Në kryeqytetet e qendrave vendimmarrëse,
monologun e "precedentit" ai e përshtaste dhe
e pasuronte me improvizime, sipas rastit, në Pekin për
rrezikun që paraqiste lidhur me Tibetin, në Moskë,
për Çeçeninë dhe konfliktet e ngrira
në hapsirën postsovjetike, për të përfunduar
në Nju Jork me apokalipsin e tërë sistemit
të rendit të sotëm ndërkombëtar.
Teza e "precedentit Kosovë" pati jehonë
të gjerë sidomos, në të ashtuquajturat
"konflikte të ngrira" apo " konflikte
të zgjatura" në hapsirën postsovjetike.
Pëfaqësuesit më të lartë zyrtarë
të këtyre shteteve, de facto të pavarura, por
pa njohje ndërkombëtare, të kapluar nga ethet
e deklaratave, nëpërmjet të cilave ata shpresonin
të tërhiqnin vëmendjen e qendrave vendimmarrëse
u bashkuan në një pikë: " Nëse atyre
u lejohet, neve pse jo?"
Kryeministri i Abhazisë, Aleksandër Ankuab, tezën
e " precedentit Kosovë " e vlerësoi si
objektive dhe që u jep shumë shpresë abhazëve.20
Ndërsa Ministri i tij i Jashtëm, Sergej Shamba deklaroi
se " Abhazia ka më shumë argumente për
pavarësinë se Kosova. Ajo ka 13 vjet që ekziston
si shtet i pavarur".21 Kryetari i Parlamentit të
Transdnistrias, Evgeni Shevcuk, u shpreh se " situata
në Kosovë nuk mund të jetë unike. Rasti
i saj duhet të bëhet algoritëm për zgjidhjen
e konflikteve të tjera, duke përfshirë Transdnistrian",
sepse, sipas tij, qytetarët e saj e kanë të
drejtën e njohjes së vendit të tyre si shtet,
ashtu siç e kanë qytetarët e Kosovës.22
Reagim diametralisht të kundërt shfaqën vendet,
të cilave u përkasin de jure republikat separatiste.
Presidenti i Gjeorgjisë, Mikail Saakashvili u shpreh
se " çdo aluzion për ndonjë precedent
në Abhazi apo në Osetinë e Jugut është
i papërshtatshëm dhe i pa mend."23 Presidenti
i Moldavisë, Vladimir Voronin, e përjashtoi mundësinë
e ndikimit të " precedentit Kosovë" në
vendin e tij: " Pëvoja e rregullimit të konfliktit
në Kosovë nuk mund të zbatohet në zgjidhjen
e problemit të Transdnistrias. Konfliktet e Kosovës
dhe Transdnistrias dallohen rrënjësisht dhe metodat
e zgjidhjes së tyre duhet të jenë adekuate.
Nuk mund të përdoren të njëjtat metoda
për probleme të ndryshme, duhet nisur nga situata
konkrete që ekziston në këtë apo atë
rajon".24 Ministria e Punëve të Jashtme të
Azerbajxhanit, gjithashtu, deklaroi se është kundër
unifikimit të praktikave për rregullimin e konflikteve
që ndryshojnë nga njëri-tjetri.25 Të tri
këto vende bënë deklarata zyrtare edhe në
emër të GUAM*, në të cilat, jo vetëm
që hidhet poshtë argumenti i " precedentit
Kosovë", por edhe vlerësohen si spekulime përpjekjet
për ta përdorur atë politikisht.
*organizatë ku bëjnë pjesë Gjeorgjia,
Ukraina, Azerbajxhani dhe Moldavia, me orientim perëndimor.
Në debat, si në një vorbull, u përfshinë
shtete, organizma dhe organizata
ndërkombëtare, të lidhura drejtpërdrejt
ose tërthorazi me konfliktin e Kosovës, apo konflikte
të tjera si dhe një armatë e tërë
politikanësh, diplomatësh, studiues të së
drejtës ndërkombëtare, opinionistë etj.
I dërguari i posaçëm i Sekretarit të
Përgjithshëm të OKB-së, Marti Ahtisaari
e karakterizoi Kosovën " si një rast sugeneris,
një rast i veçantë, që ka një histori
të vetën" dhe se "diskutimet rreth precedentit
janë më shumë politikë se diçka
tjetër". 26
Të njëjtin koncept mbrojti Zëvendëssekretari
i Shtetit, Nikola Berns, i cili, në një intervsitë
të tij, në BBC, më 03.07.2006, u shpreh se
" është krejtësisht kundër idesë
që zgjidhja e çështjes së Kosovës
do të krijojë një precedent apo model për
zgjidhjen e problemeve të veçanta kudo që
të jetë. Kosova është rast unik.27 Duke
zhvilluar më tej këtë ide, Zëvendësasitentja
e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Rozmari Di Carlo, vë
në dukje se Kosova është rast unik, sepse paraqet
pasojën e shpërbërjes së dhunshme të
Jugosllavisë dhe se Bashkësia Ndërkombëtare,
mbi bazën e Rezolutës 1244, ka miratuar masat për
stabilizimin e gjendjes, gjë që nuk ka ndodhur me
konfliktet e tjera. 28
Qëndrim të ngjashëm kanë mbajtur edhe
përfaqësuesit zyrtarë të Anglisë,
Francës dhe Gjermanisë në Grupin e Kontaktit.
29 Edhe Zëdhënësja e Komisionit Europian, Ema
Advin, vlerësoi se "nuk mund të ketë krahasime
ndërmjet Kosovës dhe rajoneve të tjera, përfshirë
dhe Kaukazin Jugor. Çështja e Kosovës është
një rast i veçantë". 30 Ndërsa
kryesuesi i rradhës i OSBE-së, Ministri i Jashtëm
i Belgjikës, Karl de Gucht, i cilësoi si artificiale
paralelizmat midis Kosovës dhe " konflikteve të
ngrira". 31
Vetë Prishtina zyrtare në të gjitha prononcimet
e saj ka argumentuar karakterin unik të rastit të
Kosovës dhe ka hedhur poshtë pretendimet se modeli
i zgjidhjes se ketij problemi do te kete ndkimi negative ne
Rajon apo me gjerë. Përkundrazi, sipas Prishtines
nese flitet per ndikim, ai do te jete krejtesisht pozitiv,
sepse do te qetesoje si Kosoven, ashtu edhe fqinjet e saj.
Midis fqinjeve, spikat qendrimi i Shqiperise.
Presidenti Shqiptar, Alfred Moisiu, e cilësoi "
si të pasaktë dhe të padrejtë mendimin
e shprehur se pavarësia e Kosovës do të hapte
derën për të zbatuar zgjidhje analoge për
probleme që sot ekzistojne në vende dhe rajone të
ndryshme". 32
Edhe Maqedonia dhe Mali i Zi, përgjithësisht, i
përmbahen pikëpamjes së unikalitetit të
rastit të Kosovës. Por jo të gjithë fqinjët
janë në këtë linjë. Nëse Bosnje-Hercegovina
ka rezerva e dyshime lidhur me ndikimin e "precedentit
Kosove", Sofja zyrtare flet për "efektin dominant"
të tij. Sipas presidentit bullgar, G.Pervanov, pavarësia
e Kosovës do të shkaktonte procese disintegruese
në Mal të Zi, Vojvodinë, Bosnje -Hercegovinë,
dhe Maqedoni. 33
Midis studiuesve, tërheq vëmendjen vlerësimi
i njërit prej njohësve më kompetentë të
Ballkanit, në përgjithësi dhe të Kosovës,
në veçanti, Noel Malkolm, sipas të cilit,
për disa politikanë krijimi i një precedenti
është kthyer në "precedentomani".
Duke bërë një analizë krahasuese të
Kosovës me rastet e tjera në Ballkan apo në
Europë, ai konkludoi "që Kosova është
një rast shumë special dhe shumë larg krijimit
të një precedenti."34 Analisti tjetër
i njohur, Janusz Bugajski, konsideron se " çdo
rast është unik dhe nuk ka ndonjë formulë
uniformuese për shkëputje apo pavarësi. Çdo
gjë ka të bëjë me kontekstin historik
dhe politik, natyrën e përfshirjes ndërkombëtare
dhe mekanizmat e vendimmarrjes." 35
Pikëpamje krejtësisht të kundërt me dy
të parët mbron analisti Aleksander Mitic, i cili
në shkrimin "Pro-të dhe kundërshtitë
e dilemës Kosovare", impaktit e "precedentit
Kosovar" shtrim në të gjitha lëvizjet
separatiste, përfshirë krahinën Baske, Korsikën,
Tibetin, Tajvanin, Kurdistanin, Skocinë, Kebekun, Qipron
Veriore, Kashmirin dhe Tajlandën e Jugut. 36
Rasti i Kosovës ravijëzoi kështu dy koncepte
krejtësisht të kundërta: koncepi i precedentit,
i përfaqësuar dhe i mbrojtur, kryesisht, nga Serbia
dhe Rusia dhe ai i unikalitetit, i përfaqësuar dhe
i mbrojtur, kryesisht nga faktori perëndimor. Mbështetësit
e konceptit të parë, formalisht i referohen teorisë
të së drejtës ndërkombëtare dhe,
mbi këtë bazë të "justifikuar"
ligjore, përpiqen të argumentojnë se vetëm
alkimia e normave dhe parimeve të kësaj të
drejte është e aftë të japë zgjidhjen
e duhur dhe afatgjatë për statusin e Kosovës,
çka, do të përbënte "çelësin
universal" 36 për zgjidhjen e të gjitha konflikteve,
sado të ndryshme qofshin ato. I sajuar në këtë
mënyrë, "precedenti Kosovë" do të
shërbente si një formulë çudi bërëse,
e cila, e shumëfishuar në një fotokopje mund
të shpërndahet për t'u zbatuar në të
gjitha pikat e nxehta. Në të kundërt, pra nëse
nuk zbatohen parimet dhe normat ndërkombëtare, sipas
tyre, ky precedent do të kthehej në një "bombë
me sahat", e aftë për të shpërthyer
në çdo moment dhe në çdo cep të
globit. Po tu referohemi dukurive që na ka ofruar natyra,
vitet e fundit, paralelet e përfytyrimit të apologjetëve
të "precedentit" i gjejmë te cunami, me
qendrën e tij në Kosovë, dallgët dhe duhama
e të cilit prekin Ballkanin, Europën dhe të
gjithë globin.
Mbështetësit e konceptit të unikalitetit e
kategorizojnë rastin e Kosovës si "sui generis",
i ndryshëm nga të tjerët, me karakteristika
të dallueshme, unike, të papërsëritshme
e të pangjashme me konflikte të tjera. Si i tillë,
sipas tyre, ai kërkon edhe zgjidhje specifike, të
ndryshme nga rastet e tjera, një zgjidhje unike. Duke
qenë zgjidhje unike për një rast të vetëm
dhe unik, siç është Kosova, ata argumentojnë
se nuk ka gjasa reale që të flitet për ndikim
të saj në konfliktet e tjera, aq më pak për
krijimin e një precedenti, modeli apo formule universale,
që do të përdorej si hajmali për qetësimin
e të gjitha konflikteve.
Shfaqja e këtyre dy koncepteve të kundërta
dhe përplasja e tyre gjatë gjithë procesit
të statusit të Kosovës e ndërlikoi edhe
më shumë gjetjen e një zgjidhje të shpejtë
e të pranueshme nga palët e interesuara. Një
dilemë e re iu shtua sfidës së vjetër,
thuajse shekullore, edhe ashtu të komplikuar, të
Kosovës. Zgjidhja e kësaj dileme paraqet interes
teorik, por më shumë praktik.
Vijmë kështu tek pyetja, përgjigja e se cilës
synohet të jepet në këtë studim: Në
anën e kujt qëndron e vërteta, a është
Kosova një rast i veçantë, apo si gjithë
të tjerët. Dhe lidhur me këtë, a duhet
që për rastin e Kosovës të gjendet një
zgjidhje e veçantë, unike, e vlefshme vetëm
për rastin e saj, apo një zgjidhje me atribute universale,
një paradigmë për zgjidhjen e të gjitha
konflikteve. Thënë shkurt, si duhet konsideruar
rasti i Kosovës, universal apo sui generis? Për
ti dhënë përgjigje pyetjes së shtruar
është e nevojshme që rasti i saj të analizohet
në raport me konfliktet e tjera, kryesisht ato, me të
cilat, supozohet se ka ngjashmëri më shumë.
Vështirë të gjenden ngjashmëri midis Kosovës,
nga njëra anë dhe Korsikës, Qipros apo Kebekut,
nga ana tjetër. Por, nuk mund të thuhet e njëjta
gjë për konfliktet e Kosovës dhe ato të
hapsirës postsovjetike si në Transdnistria, Nagorni
Karabah, Oseti e Jugut, Abhazi që erdhën si pasojë
e shpërbërjes së dy federatave shumëkombëshe
socialiste, Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë. Ngjashmëritë
eventuale mbartin me vete edhe rrezikun e ndikimit të
modelit të njëri-tjetrit. Analiza krahasuese e rastit
të Kosovës me ato "të konflikteve të
ngrira" merr në konsideratë edhe faktin që
reagimet më të shumta dhe retorika më e nxehtë
për mundësitë e ndikimit të "precedentit
Kosovë" kanë ardhur kryesisht nga kjo hapsirë.
Por, para se të kalohet në analizën krahasuese
të tyre, është e nevojshme që të
ndalemi, shkurtimisht, në planin retrospektiv, në
natyrën e formacioneve shtetërore shumëkombëshe,
pjesë përbërëse të të cilave
kanë qenë Kosova dhe republikat separatiste të
hapsirës postsovjetike.
Simetritë dhe asimetritë e federatave shumëkombëshe
socialiste. Rasti i Bashkimit të Republikave Socialiste
Sovjetike, dhe i Republikës Socialiste Federative të
Jugosllavisë.
Udhëtimi retrospektiv për të arritur tek përgjigja
e pyetjes sonë na çon në vitet, pas përfundimit
të Luftës së Ftohtë, kur pushuan së
ekzistuari Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS)
dhe Republika Socialiste e Federatës Jugosllave (RSFJ).
Të dy këto formacione janë njohur si shtete
socialiste, Bashkimi Sovjetik me një histori të
tillë, rreth 70 vjeçare, ndërsa Jugosllavia,
rreth 45 vjeçare, të dy me një sistem të
bazuar në ideologjinë marksiste dhe në një
aparat të fuqishëm të sigurimit, respektivisht
KGB dhe UDB. Si të tilla të dy këto federata
kanë qenë shtete diktatoriale, totalitare, gjë
që duket qartë në kultin e Stalinit dhe udhëheqësve
të tjerë sovjetikë, si dhe në kultin e
Titos në Jugosllavi. Në aspektin ekonomik, ngjashmëritë
kanë qenë evidente, sidomos lidhur me ndikimin e
qendrës në planet e zhvillimet apo shtetëzimet
arbitrare si dhe industrializimin e sforcuar. Megjithatë
pas vitit 1948 u vune re edhe dallime. Ndryshe nga Bashkimi
Sovjetik, në Jugosllavi nuk u krye kolektivizimi i plotë,
u ruajt, në një farë mase, prona private dhe
tregu, pjesërisht, mbeti i hapur për mallrat perëndimore.
i Të dy kanë qenë shtete federative dhe federalizmi
i tyre ka njohur nivelin republikan, krahinor dhe rajonal²,
me format përkatëse të organizimit: republikë,
krahinë autonome dhe rajon autonom. Kufijtë administrativë
të subjekteve federative në të dy vendet janë
vendosur në mënyrë arbitrare, nisur nga postulatet
leniste e staliniste të politikës nacionale.³
Analistë të ndryshëm, vënë në
dukje që të dy federatat kanë të përbashkët
edhe faktin që, në secilën prej tyre, dallohet
kombi lider që ka treguar interes dhe ka kontribuar,
jo vetëm për themelimin, por edhe zhvillimin e mbrojtjen
e supershtetit të vet. Deputeti i njohur rus, Sergej
Baburin, shkon deri atje sa të pohojë që "
serbët dhe rusët sakrifikiuan shtetin kombëtar
për hir të lulëzimit të një shteti
më të fuqishem." ? Analistë të tjerë,
vënë në dukje se, më afër së
vërtetës është argumenti, sipas të
cilit, rusët dhe serbët, për hir të aspiratave
të tyre shtetomëdha, shtypen si në mokër
interesat kombëtare të popujve jorusë dhe joserbë.
Tipar tjetër i përbashkët është kriteri
mbi bazën e të cilit u bë emërtimi i republikave
të federuara në të dy shtetet. Në rrënjën
e emrit të çdo republike qëndronte "përkatësia
kombëtare".? Në Bashkimin Sovjetik emërtimi
i të gjitha republikave (gjithësej 15) i është
përmbajtur këtij kriteri. Territori i populluar
nga armenët quhej Republika Socialiste Sovjetike e Armenisë,
ai i populluar nga bjellorusët Republika Socialiste Sovjetike
e Bjellorusisë, e kështu me rradhë, Republika
Socialiste Sovjetike e Azerbajxhanit, Republika Socialiste
Sovjetike e Lituanisë etj. Edhe emërtimet e republikave,
rajoneve apo qarqeve autonome në Bashkimin Sovjetik niseshin
nga i njëjti kriter. Kështu njihej Republika Autonome
e Tatarstanit, e Cecenisë, në Rusi, rajoni autonom
i Osetisë së Jugut, në Gjeorgji etj. Përjashtim
bënte vetëm Azerbajxhani, 6 ku ekzistonte Republika
Socialiste Sovjetike Autonome Naichevan dhe Krahina Autonome
Nargorni Karabah, emërtimet e të cilave nuk thonë
asgjë për përkatësinë kombëtare
të banorëve që jetojnë aty, sepse nocione
të tilla etnike si, naichevanas ose karabahas nuk ekzistojnë.
Të njëjtin përjashtim do ta gjejmë edhe
në Jugosllavi. Ndërsa të gjashtë republikat
e federuara, ashtu si në Bashkimin Sovjetik, kanë
në bazë të emërtimit të tyre zyrtar
përkatësinë kombëtare të popullit
shumicë, si Republika e Kroacisë-territori i populluar
nga kroatët, Republika e Serbisë apo e Sllovenisë,
të populluara, përkatësisht nga serbët
dhe sllovenët dhe, kështu me rradhë, ky kriter
nuk gjen zbatim në emërtimin e dy krahinave autonome
në përbërje të Federatës Jugosllave.
Emërtimi Kosovë e Metohi nuk thotë asgjë
për përkatësinë kombëtare të
atyre që popullojnë krahinën. Nuk ka ekzistuar
ndonjëherë dhe nuk ekziston as sot ndonjë term
i tillë etknik si kosovo-metohias. Emërtimi Kosovë-
Metohi është më shumë një emërtim
politik, i lidhur me historinë apo me mitet historike,
por jo edhe me njerëzit që banojnë aty. Emërtimi
Krahina Autonome e Vojvodinës, gjithashtu nuk merr në
konsideratë përkatësinë kombëtare.
Termi Vojvodinë nuk thotë asgjë për përkatësinë
etnike të atyre që popullojnë krahinën.
Nën çatinë e termit "vojvodinas"
mund të gjendet serbi, hungarezi, apo ndonjë kombësi
tjetër.
Nga pikëpamja etnike, të dy federatat kanë
qenë mjaft heterogjene. Bashkimi Sovjetik ka qenë
një konglomerat popujsh, me mbi 100 kombe e kombësi,?
me karakteristika të dallueshme gjuhësore, fetare,
deri edhe racore. Veç besimit të krishterë,
kryesisht ortodoks, por edhe të sekteve të tjera
të krishtera, Bashkimi Sovjetik ishte dhe vendi i muslimanëve,
budistëve, judaistëve, përfshirë edhe
disa kombësi të vogla pagane në veri. ? Një
strukturë të ngjashme ka edhe sot Rusia. Megjithëse,
shumë herë më e vogël, edhe Federata Jugosllave
ishte një konglomerat popujsh në llojin e vet, me
shume gjuhë, kultura e besime të ndryshme. Duke
përshkruar situatën e këtij vendi, në
vitet '70 të shekullit të kaluar, ish zëvendëssekretari
amerikan i shtetit Strobe Talbott, vë në dukje se"
Jugosllavia përbëhet nga 6 republika, 5 kombësi,
4 gjuhë, 3 besime fetare, 2 alfabete dhe 1 Tito."
9
Duke qenë shumëkombëshe, të dy federatat,
që në momentin e krijimit dhe gjatë gjithë
ekzistencës së tyre kanë patur si bashkëudhëtare
të përhershme lëkundje sizmike të shkaktuara
nga përplasjet e interesave kombëtare të popujve
që i përbënin ato. Në çështjen
nacionale, Bashkimi Sovjetik, herë pas here, zbatoi metoda
tipike për sundimin kolonial. U zhvendosën popuj
të tërë nga territoret e tyre etnike, sidomos
gjatë Luftës së Dytë Botërore, me
preteksin e bashkëpunimit me nazistët, siç
ishte rasti me çeçenët, ngushet, ballkarët
dhe popuj të tjerë të Kaukazit të Veriut.
U ndryshua struktura etnike në republika të ndryshme
si, në Letoni, Estoni, Abhazi etj, nëpërmjet
zhvendosjeve të detyruara të popullsisë. U
bënë ndryshime arbitrare të kufijve republikanë,
pa marrë fare parasysh ndikimin e këtyre ndryshimeve
mbi fatin e popujve. 10 Element të këtyre metodave
tipike kolonianiste nuk ishin të panjohura as për
Jugosllavinë socialiste, aq më tepër që
kushtetuta e saj e vitit 1946, u bë nën ndikimin
e kushtetutës së Bashkimit Sovjetik , të vitit
1936. 11 Koncepti dhe modeli Stalinist i zgjidhjes së
çështjes kombëtare u zbatua, pa ndonje ndryshim
thelbesor në teorinë dhe praktikën e shtetit
jugosllav të pasluftës së dytë Botërore.
Në këtë drejtim është kuptimplotë
shembulli i shqiptarëve, populli i tretë në
numër, pas serbëve dhe kroatëve. Beogradi u
kujdes që territoret shqiptare ti shpërndajë
në katër njësi federale, në tre republika
( Serbi, Maqedoni, Mal i Zi) dhe në Krahinën Autonome
të Kosovë - Metohisë. Nga ana tjetër,
si pasojë e terrorit sistematik të ushtruar nën
pretekstin e mbledhjes së armëve, si dhe në
kuadrin e marrëveshjes me Turqinë, në vitet
'50- '60, u detyruan të largoheshin nga tokat e tyre
për në Turqi me qindra e mijëra shqiptarë,
ndërkohë që "në Kosovë u vendosën
50.000 serb e malazezë". 12
Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia kanë pasur të
përbashkëta edhe "përvojat e përçarjeve
të përgjakshme shtetërore e civile".13
Sovjetët përjetuan tmerret e luftës civile
në vitet 1917- 1922, ndërsa sllavët e jugut
në vitet 1941-1945.
Duke u nisur nga ngjashmëritë e këtyre formacioneve
shumëkombëshe, studiues të ndryshëm argumentojnë
se Jugosllavia nuk ishte gjë tjetër veç një
"minimodel i Bashkimit Sovjetik",14 për më
tepër që vetë Jugosllavia aspironte rolin e
modelit të vet, pra të një "Bashkimi Sovjetik
të vogel në Ballkan" 15 Nga ky këndvështrim,
sipas studiuesit rus, Pavel Kandel, nuk ishte e vështirë
që të gjeje "Slloveninë" tënde
në vendet e Balltikut, "Kroacinë" tënde
në Ukrainë. Në Bjellorusi mund të gjeje
lehtë Malin e Zi, në Azinë e Mesme dhe, sidomos
në Kazakistan gjeje analogun e Bosnje-Hercegovinës,
kurse në Kaukazin e Veriut dhe, sidomos në Ceçeni,
gjeje analogji me Kosovën. 16 Këto dy të fundit,
Kosova dhe Ceçenia konsideroheshin si "fryte të
së njëjtës peme". 17
E pakta që mund të thuhet për analogjinë
e mikro dhe makromodelet është se, si tezë,
është shumë e diskutueshme dhe jep shkas për
spekulime, siç ndodh edhe me studiuesin rus të
gjeopolitikës, Aleksandër Dugin, i cili analogjisë
së mësipërme i jep ngjyrim fetar deri edhe
racist, duke u përpjekur të argumentojë që
Serbët përfaqësojnë në Ballkan Rusinë
ortodokse, dhe se, nëpërmjet faktorit etnik dhe
fetar, Serbia s'është gjë tjetër, veçse
vazhdim gjoepolitik i Rusisë në jug të Europës.
Ndërkohë që Shqiptarët muslimanë
dhe boshnjakët i konsideron si mbeturina të Perandorisë
Osmane. 18
Nuk janë të paktë studiuesit që ngjashmëritë
midis këtyre dy vendeve i gjejnë tek proceset paralele
të shpërbërjes së tyre. Kriza ekonomike
që i mbërtheu ato në vitet '70, u thellua dhe
u ndërthur me krizën e thellë të marrëdhënieve
nacionale, me krizën e gjithanshme politike dhe shoqërore,
të gjitha këto në bashkëveprim edhe me
faktorë të tjerë gërryes gjeoplotikë,
çuan në shembjen thuajse në të njëjtën
kohë të ngrehinave të tyre . Në përgjithësi,
si shkaqet e shpërbërjes ashtu dhe dinamika e krizës
përkojne shumë. 19 Ashtu siç përkojnë
metodat për të penguar procesin e shpërbërjes,
të cilat, në thelb, në të dy vendet ishin
të bazuara në forcë dhe dhunë. Moska tentoi
që të pengojë valën në rritje të
sovranizimit të republikave dhe ti mbajë ato me
forcë, të lidhura pas vetes. Njësitë e
ushtrisë dhe forcave speciale të Ministrisë
së Brendshme në mënyrë periodike, u dërguan
në kryeqytet e republikave rebele, në Armeni, Azerbajxhan,
Bjellorusi, Gjeorgji, Letoni, Lituani, Kazakistan dhe Taxhikistan.
20 Të pakënaqur me qëndrimin "e butë"
të Gorbacovit ndaj tendencave separatiste, të pakënaqur
me frymën liberale të perestrojkes, forcat radikale
komuniste, në gusht të vitit 1991, u orvatën
qe të marrin nën kontroll zhvillimin e ngjarjeve
dhe të rikthejnë në vend situatën që
ekzistone para ardhjes së Gorbacovit në pushtet.
Forcat demokratike ruse e vlerësuan orvatjen e tyre si
puç dhe e shkatërruan atë, 21 duke shpëtuar
vendin nga jugosllavizimi, gjë që do te ishte me
pasoja tepër të rënda, jo vetëm për
fatet e popujve të Bashkimit Sovjetik, por të mbarë
njerëzimit. Ndër mbështetësit e pakët
të puçistëve rezultoi të jetë lideri
serb, Sllobodan Milloshevic i cili llogariste tek puçistët
një aleat të sigurtë për realizimin e
aspiratave të veta shtetomëdha. Atë që,
për fatin e mirë, nuk arritën ta bëjnë
puçistët në Bashkimin Sovjetik, për
fat të keq, e realizoi Milloshevici, në Jugosllavi.
Duke shfrytëzuar arsenalin e fuqishëm të ushtrisë
jugosllave, ai ndërrmori, njëra pas tjetrës,
katër luftra të përgjakshme, fillimisht kundër
republikave simotra rebele dhe, me vonë, kundër
autonomisë së shqiptarëve të Kosovës.
Ngjashmëritë nuk mungojnë as në pasojat
që rrodhën nga shpërbërja e dy federatave
shumëkombëshe. Pjesë të rendësishme
të kombit rus dhe atij serb mbetën jashtë shteteve
të tyre amë. Papritmas, nga pjestarë të
"kombit të madh", "të etnosit dominues",
ata u gjendën në pozitën e pakicës kombëtare,
jo më dominues apo të rendësishëm si më
parë. Një dukuri e tillë ndodhi me rusët
në Ukrainë, në republikat balltike, apo në
Kazakistan. E njëjta gjë ndodhi me serbët në
Kroaci, në Bosnje -Hercegovinë apo në Kosovë.
Ndërkaq disa pakica të mëparëshme papritmas
u gjenden në pozitën e shumicës. Në të
dy rastet, si nga rusët, ashtu edhe nga serbët,
ky ndërrim rolesh nuk u kapërdi lehtë, përkundrazi
u përjetua me tension, i cili, sidomos në Jugosllavi,
për fat të keq nuk u arrit të mbahej nën
kontroll. Nga forcat ultranacionaliste në pushtet, të
grumbulluara rreth Sllobodan Milloshevicit ky tension u manipulua,
herë duke aktivizuar tendencat separatiste në shtetet
e reja të sapokrijuara, herë duke ndërmarrë
vetë luftra agresive, në funksion të ëndrrës
së vjetër për krijimin e Serbisë së
Madhe, e cila kishte për mision që të bashkonte
në një shtet të gjithë serbët, sëbashku
me territoret ku ata banonin. Pasojë e këtij manipulimi
dhe instrumentalizmi të tensionit shoqëror, nga
ana e shtetit serb, ishte rikthimi i skenarëve të
dhunës dhe vrasjeve masive, të spastrimit etnik
dhe genocidit, dukuri me të cilat Europa nuk ishte ballafaquar
që nga Lufta e Dytë Botërore. Me forcën
e topave dhe të tankeve u tentua të mbytej e drejta
për vetvendosje e popujve të Jugosllavisë,
përfshirë të drejtën e shkëputjes,
e sanksionuar në kushtetutën e vitit 1974. Kur kjo
tentativë dështoi dhe u bë e qartë se
Beogradi nuk mund të ndalonte pavarësimin e ish
republikave jugosllave u kalua në krijimin e subjekteve
të reja, jashtë substratit kushtetues republikan
dhe auotonom siç ishin Republika Serbe e Krainës
dhe, më vonë, Republika Serbe e Bosnjes. Agresioni
i hapur ndaj Republikave simotra, Kroaci, Slloveni, Bosnje-
Hercegovinë, si dhe krijimi i subjekteve të reja
shtetërore, të panjohura kurrë më parë,
përbëninin dhe shkeljen më të rëndë
të parimeve të së drejtës ndërkombëtare
mbi paprekshmërinë e kufijve dhe tërësinë
territoriale, një ndër shfaqjet më brutale
të nëpërkëmbjes të Kartës së
OKB-së dhe Aktit të Helsinkit, të cilave, kaq
dendur u referohet Beogradi në tjerrjet e veta teorike
kundër pavarësisë së Kosovës. Zgjedhja
e Beogradit për të përdorur forcën dhe
dhunën si mjete kryesore, shpesh herë, të vetme,
në funksion të qëllimeve politike bëri
që, në raportet ngjashmëri- dallime, gjatë
procesit të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik
dhe Jugosllavisë, rëndesa të anojë nga
këto të fundit, gjë që përcaktoi
edhe vektorët e ndryshëm të lëvizjes së
Rusisë dhe Serbisë në vitet '90.
Rusia ishte një ndër faktorët më aktivë
për përmbysjen e perandorisë shumëkombëshe
sovjetike. Rreth një vit e gjysëm para se ajo të
shpërbëhej, Parlamenti Rus, më 12.06.1990,
miratoi, "Deklaratën mbi Sovranitetin". Duke
ju kundërvënë grushtit të shtetit të
forcave të vjetra radikale, në gusht të vitit
1991, pas shkatërrimit të tij, Rusia u bashkua me
popujt jo rusë të ishrepublikave sovjetike për
realizimin e të drejtës së vetvendosjes, e
drejtë kjo e fiksuar në kushtetutën e BRSS.
Në këtë kuadër, ajo fillimisht njohu deklaratat
mbi sovranitetin dhe, më vonë, bëri edhe njohjen
zyrtare të shteteve të reja që u krijuan si
rrjedhojë e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Pretendimet e Kremlinit për territore si, Kazakistani
i Veriut, Krimeja, Odesa etj, u kufizuan në deklaratat
e zëdhënësit të shtypit të presidentit
të Rusisë, P. Voshçanov apo të Kryetarit
të Bashkisë së Moskës, G.Popov. 22 Në
përgjithësi, Rusia nuk vuri në dyshim tërësinë
territoriale të republikave simotra, duke respektuar
kufijtë ekzistues, të trashëguar nga Bashkimi
Sovjetik. Në hapsirën postsovjetike, në vend
të supershtetit të mëparshëm, u krijua
bashkësia e shteteve të pavarura, një strukturë
amorfe, që, megjithatë mundësoi vazhdminin
e komunikimit dhe lëvizjes së njerëzve dhe
të mallrave midis ish repubulikave sovjetike, duke siguruar
një ndarje graduale, deri diku, të butë me
qendrën e mëparshme. Shpërbërja, relativisht
paqësore e gjigandit sovjetik bëri që bota
të marrë frymë e lehtësuar. Seç
pasoja makabre do të kishte përsëritja e skenarit
jugosllav në hapsirën postsovjetike, jo vetëm
për paqen e sigurinë europiane, por edhe atë
planetare, mjafton të kujtojmë se, veç Rusisë,
edhe Ukraina, Bjellorusia dhe Kazakistani zotëronin një
arsenal të fuqishëm bërthamor, të trashëguar
nga supershteti sovjetik. Vetëm Ukraina kishte shumë
më tepër armë bërthamore, sesa Franca
dhe Anglia, të marra sëbashku. 23
Shteti rus i sapodalë nga gërmadhat e perandorisë
sovjetike, ndryshe nga Serbia në përgjithësi
u bëri ballë tundimeve "për të mbledhur
të gjithë rusët në një shtet",
gjë që i mundësoi Moskës të ruhej
nga shumë përplasje të përgjakshme, të
ngjashme me ato të tragjedisë Jugosllave. Megjithatë
as ajo nuk mundi të evitojë gjakderdhjen. Qëndrimi
i Moskës ndaj autonomive të veta rezultoi të
ishte kontradiktor. Nga njëra anë, ajo mbajti një
qëndrim fleksibël, sidomos në periudhën
1990- 1991, kur të gjitha republikat autonome të
Rusisë u deklaruan si shtete sovrane, duke hequr fjalën
"autonome", ndërkohë që të gjithë
rajonet autonome, me përjashtim të atij çifut,
u vetshpallën republika. 24 Me kushtetutën e miratuar,
më 12.12.1993, si dhe me nënshkrimin e traktateve
të veçanta siç ishte ai me Tatarstanin,
mbi delegimin e ndërsjellë të kompetencave
(15.02.1994), Moska krijoi bazën e nevojshme ligjore
për rregullimin e marrëdhënieve me autonomitë
e veta, në periudhën postsovjetike. Si rregull,
traktatet e veçanta u dhanë subjekteve federale
të drejta më të mëdha, sesa ato që
sanksiononte kushtetuta. Këto të drejta, në
mënyrë të veçantë, kishin të
bënin me shpërndarjen e të ardhurave dhe me
fleksibilitetin më të madh për të hyrë
në marrëdhënie me jashtë. Por në
raportet me Çeçeninë, qeveria ruse ju rikthye
përvojës së dikurshme sovjetike në zgjidhjen
e çështjes nacionale. Në vend të zgjidhjes
së problemit çeçen me bisedime, Moska preferoi
përdorimin e forcës ushtarake. Zgjidhja nëpërmjet
luftës i kushtoi, jo pak, Kremlinit politikisht, ushtarakisht
dhe ekonomikisht. Vërtet në Grozni, u vendos një
qeveri proruse , por si në të gjitha rastet e zgjidhjeve
të dhunshme, nuk ka asnjë garanci që ajo të
jetë e qëndrueshme.
Serbia që në fillim ndoqi rrugën e dhunës,
si në raport me Republikat, ashtu edhe me krahinat autonome.
Sulmin e parë, në fund të viteve '80 Beogradi
e drejtoi kundër autonomisë së Kosovës
dhe Vojvodinës, me synim eleminimin e saj, gjë që
edhe e realizoi në vitet 1989- 1990. Duke e identifikuar
veten me Qendrën Federale, 25 etnokracia serbe, ndryshe
nga Rusia nuk kërkoi aleat midis republikave simotra
për shkatërrimin e kësaj qendre përkundrazi,
e mbrojti dhe e shfrytëzoi atë maksimalisht në
shërbim të interesave të veta hegjemoniste.
Kur u bë e qartë se, megjithatë, ruajtja e
federatës së mëparëshme ishte e pamundur,
Serbia vendosi të rishikojë në mënyrë
radikale kufijtë e ish republikave jugosllave, 26 për
të rikthyer kufijtë e vet "historikë"
për të rifituar atë " çfarë
kishte humbur në paqe", e udhëhequr nga koncepte
e përfytyrime që i përkisnin më shumë
shekullit të 19-të, se atij të 20. Duke ju
referuar përdorimit të forcave të ushtrisë
jugosllave kundër republikave të tjera, ish Ministri
i Punëve të Jashtme të Rusisë, Andrej
Kozirjev, shkruan se kjo do të ishte njëlloj sikur
Rusia të përdorte forcat e armatosura të Bashkimit
Sovjetik kundër Bjellorusisë, si përgjigje
ndaj aspiratave të saj për të fituar pavarësinë
dhe sovranitetin e vet shtetëror. 27 Në vend që
të nxirrte mësime nga dështimet në tre
luftëra të njëpasnjëshme kundër Sllovenisë,
Kroacisë, dhe Bosnje-Hercegovinës, Serbia, me makinën
e vet luftarake, në pranverën e vitit 1999, ju turr
Kosovës, duke kryer një spastrim etnik të përmasave
të tilla që të kujton holokaustin, me të
vetmin ndryshim që, në vend të çifutëve
këtë rradhë, viktima ishin shqiptarët.
Për të parandaluar karastrofën humanitare dhe
destabilizimin e mëtejshëm të situatës
në rajon, gjë që mund të sillte implikime
për paqen e sigurinë edhe tej Ballkanit, komuniteti
ndërkombëtar ndërhyri ushtarakisht, duke i
detyruar forcat ushtarako-policore serbe të tërhiqen
nga Kosova. Mbi bazën e Rezolutës së Këshillit
të Sigurimit nr 1244 dhe Marrëveshjes së Kumanovës,
dt 09.06.1999 de facto, Serbisë ju hoq sovraniteti mbi
Kosovën dhe, që nga qershori i atij viti, territori
i saj u vu në administrimin e OKB-së, duke u kthyer
në një protektorat ndërkombëtar. Ky është
dallimi tjetër i madh midis zhvilimeve në hapsirën
postsovjetike dhe atyre të hapsirës postjugosllave,
dallim që ka të bëjë jo me element dosido,
apo thjesht me formën, por me thelbin e këtyre zhvillimeve.
Dhe së fundi, por jo me më pak rëndësi
: ndërsa shpërbërja e Bashkimit Sovjetik filloi
dhe mbaroi në kapërcyellin e viteve '80-'90, procesi
i shpërbërjes së Jugosllavisë nuk u mjaftua
me dekadën e fundit të shekullit të 20, por
vazhdoi edhe në shekullin e 21-të. Pavarsimi i Malit
të Zi, më 21.05.2006 ështe dëshmia më
e freskët e vazhdimit të këtij procesi. Kosova,
sipas të gjitha gjasave, do të jetë akti i
fundit që do të përmbyll një proces të
nisur para 17 vjetësh, një proces që u shoqërua
me tronditje dhe tragjedi, por që, me mbylljen e plagës
kosovare, jep shpresë që, më së fundi,
në Kosovë, në Serbi dhe në Ballkan do
të ketë paqe, siguri dhe stabilitet. Njohja me simetritë
dhe asimetritë e ish Federatave shumëkombëshe
socialiste të BRSS dhe RSFJ krijon mundësinë
e kuptimit më të drejtë të zhvillimeve
komplekse të hapsirave postsovjetike dhe postjugosllave,
në mënyrë të veçantë, të
lindjes dhe zhvillimit të konflikteve, elementët
e përbashkët dhe specifikat e tyre, gjithnjë
në funksion të pyetjes themelore që pret përgjigje
nga ky studim: Çfarë përfaqëson Kosova,
një rast universal apo sui generis? Veç udhëtimit
në kohë është i nevojshëm edhe një
udhëtim në hapsirat postsovjetike. Rruga që
të çon tek përgjigja e pyetjes sonë
kalon nëpër rajonet e Trandnistrias, Abhazise, Osetisë
së Jugut dhe Nagorni Karabah, për të përfunduar
sërish në Kosovë.
Konfliktet e ngrira në hapësirën postsovietike
Rasti i Transdnistrias
Transdnistria de jure ndodhet në Republikën e Moldavisë,
de fakto, që nga viti 1990, e pavarur, por pa njohje
ndërkombetare. Ka një sipërfaqe prej 4163 km2
dhe një popullsi prej 555.347 banorë (2004). Kryeqytet
i vendit eshte Tiraspol. Tre janë grupet kryesore etnike
që popullojnë Transdnistrian: moldavët përbëjnë
31.9 %, rusët 30.4 % dhe ukrainasit 28.8%. Në krahasim
me regjistrimin e vitit 1989 ka një rënie prej 8
% të popullsise moldave, ndërkohë që ajo
ruse është rritur me 5 %(1). Nuk ka një përputhje
të plote territoriale midis asaj që është
njohur si rajoni i Transdnistrias dhe asaj që përfaqëson
sot republika e vetëshpallur. Disa fshatra të Dubasarit,
që gjeografikisht i takojnë Transdnistrias janë
nën kontrollin e Moldavisë, ndërsa qyteti Tighina
dhe disa fshatra që gjeografikisht nuk i përkasin
Transdnistrias nuk janë nën kontrollin e saj 2.
Ekonomia e vendit mbështetet në potencialet e ndërmarrjeve
të trashëguara nga ish Bashkimi Sovjetik. Prodhon
celik, tekstile, produkte ushqimore, etj. Partnerët kryesore
tregtarë të saj janë: Rusia, Ukraina dhe Moldavia
3. Subvencionet e Rusisë janë vendimtare për
ekzistencën e Transdnistrias. Importimi i gazit rus bëhet
me tarifa lehtësuese. Kreditë nga Moska, gjithashtu,
janë në kushte lehtësuese. Një pjesë
e të ardhurave sigurohen nga kontrabanda e produkteve
të naftës, pijeve alkolike, produkteve ushqimore
dhe duhanit 4. Struktura legjistative dhe legjislacioni janë
të ngjashme me modelin rus, ndërkohë që
ruan ende disa simbole të ish Bashkimit Sovietik, si
statujën e Leninit nëpër sheshet e qyteteve,
draprin dhe cekanin në flamur, monedhën e vet e
quan rubel, etj 5. Sa i takon aspektit historik, në vitin
1924, Transdnistria u përfshi në Republikën
Autonome Socialiste të Moldavisë, e cila, përvec
Transdnistrias, kishte në përbërjen e vet edhe
pjesë të Ukrainës, por jo të Besarabisë.
Në vitin 1940, me vendim të Sovietit Suprem, u krijua
Republika Socialiste e Moldavisë, që përfshiu
brenda kufijve të saj një pjesë të Besarabisë,
që iu mor në bazë të paktit Molotov-Ribentrop
dhe një pjesë të territorit të Moldavisë
Autonome që përputhet me Transdnistrian aktuale
6. Më 02.09.1990, pak para se të shpërbëhej
Bashkimi Sovjetik, u vetëshpall republikë me emrin
Republika Socialiste Sovietike e Transdnistrias Moldaviane.
Ky akt i njëanshëm çoi në shpërthimin
e luftës midis forcave të saj dhe atyre të
qeverisë qendrore, si pasojë e të cilës
pati qindra të vrarë e mijëra refugjate. Me
21.07.1992, u arrit armëpushimi që vazhdon të
jetë në fuqi edhe sot 7.
Përqasja e Tiraspolit
Më 17.09.06, në Transdnistria u zhvilluan një
referendum në të cilin votuesve iu kërkua t'u
përgjigjeshin pyetjeve, nëse e përkrahnin kursin
drejt pavarësisë dhe për pasojë, asociimin
e lirë në Federatën Ruse apo janë për
revokimin e pavarësisë dhe, për pasojë,
kthimin e vendit në përbërje të Moldavisë.
Sipas të dhënave të Tiraspolit, 97.1% e votuesve
u shprehën pro pavarësisë 8. Ashtu siç
pritej, as referendumi dhe as rezultatet e tij nuk u njohën
si të ligjshëm nga asnjë shtet apo organizatë
ndërkombëtare. Kishinau e vlerësoi si antikushtetues.
Nga ana e tij, MPJ rus, Sergei Lavrov, duke e cilësuar
si veprim të njëanshëm, e justifikoi mbajtjen
e tij si reagim ndaj hapave po të njëanshëm
të Moldavisë, e cila, po sipas tij, ka hequr dorë
nga formati shumëpalësh i rregullimit të krizës
9.
Referendumi i fundit ishte i shtati në rradhën
e referendumeve të zhvilluara në Transdnistria,
të cilat, sipas zyrtarëve të Tiraspolit, i
kanë dhënë mbështetje kursit të njohur
politik për pavarësi. Sipas tyre, Transdnistria
e ka bërë zgjedhjen e vet dhe as që mund të
flitet për rikthim të saj në përbërje
të Moldavisë. Argumenti i përdorur nga udhëheqja
e Transdnistrias për shkëputjen nga Moldavia lidhet
me frikën për bashkimin eventual të kësaj
të fundit me Rumaninë. Sipas studiuesit francez
Yve Lacoste, kjo frikë është e pabazë,
pasi, ne vitin 1992, Presidenti moldav dhe ai i Transdnistrias
nënshkruan një marrëveshje në Kremlin,
sipas së cilës, popullsia rusishtfolëse ka
të drejtë të shkëpusë lidhjet me
Moldavinë, nëse Kishinau vendos të bashkohet
me Rumaninë 10. Ndërkohë, prirjen e vendit
të tij për t'iu bashkuar Federates Ruse, presidenti
Igor Smirnov, e argumentoi me faktin se, sipas tij, Transdnistria,
në fillim të viteve '90, ka votuar për ruajtjen
e shtetit sovietik dhe se Rusia, aktualisht, është
trashëgimtare e BS 11.
E ndodhur përballë faktit që asnjë shtet,
përfshirë edhe Rusinë, nuk e njeh pavarësinë
e Transdnistrias, si dhe, e ndërgjegjshme që Moska,
aleati i vet më i afërt, siç shprehet Kryetari
i Parlamentit të Transdnistrias, Evgeni Shevçuk,
"zhvillon politikën e vet të jashtme, duke
u nisur nga interesat e veta kombëtare "12, udhëheqja
e Tiraspolit preferon që, pavarësine aktuale de
facto ta zgjasë sa më shumë në kohë,
me shpresë, që një ditë, me krijimin e
rrethanave të përshtatshme, ta zyrtarizojë
përfundimisht atë.
Përqasja e Kishinaut
Qëndrimi i Kishinaut lidhur me natyrën e konfliktit,
shkaqet dhe natyrën e zgjidhjes së tij, është
krejt i kundërt me atë të Tiraspolit. Presidenti
moldav, Vladimir Voronin, e cilëson separatizmin në
Transdnistria, si të provokuar dhe të mbështetur
nga jashtë13. I të njëjtit mendim është
edhe Ministri i Punëve të Jashtme A. Stratan, sipas
të cilit, ky konflikt është "një
produkt i interesave dhe synimeve gjeopolitike 14. Për
Kishinaun, zgjidhja duhet kërkuar vetëm në
kuadër të shtetit moldav, duke i dhënë
Transdnistrias një autonomi të gjerë. Në
ketë kontekst, me 22.07.2005, parlamenti moldav miratoi
ligjin "Për rregullat themelore të zgjidhjes
së statusit të vecantë ligjor në bregun
e majtë të lumit Dnistria", sipas të cilit,
Transdnistria ka të drejtë të zgjidhë,
në mënyrë të pavarur, problemet e zhvillimit
të vet ekonomik, shoqëror dhe politik, por në
përshtatje me kushtetutën e Moldavise15. Por, para
se të flitet për statusin, Moldavia kërkon
që Transdnistria të plotësojë tre kushte:
të demokratizohet, të çmilitarizohet dhe
të çrrënjosë krimin e organizuar. Me
demokratizimin, Kishinau, në rradhë të parë,
nënkupton zgjedhje të lira dhe heqjen e kufizimeve
për shoqërinë civile. Ekziston mendimi i përhapur
se, në Tiraspol, ekziston një regjim diktatorial
që shkel të drejtat e njeriut, nuk lejon lirinë
e shtypit dhe as zërat apo lëvizjet e pavarura16.
Me çmilitarizim, Kishinau, në rradhë të
parë, nënkupton largimin e trupave ruse dhe zëvendësimin
e tyre me trupa të tjerë ndërkombëtare.
Ndërsa, çrrënjosjen e krimit të organizuar
e lidh kryesisht me nevojën e luftës kundër
kontrabandës dhe veprimtarive të tjera të paligjshme
në fushen ekonomike. Në këtë drejtim,
Kishinau, në bashkëpunim edhe me Kievin, duke filluar
nga marsi 2006, kanë vendosur një regjim të
rreptë për mallrat e eksportit të Transdnistrias,
të cilat nuk lejohet të kalojnë nëpër
territorin ukrainas pa vulën e doganës moldave.
Përfshirja e faktorit ndërkombëtar
Që në fillim të konfliktit të Transdnistrias,
faktori i jashtëm ka luajtur një rol aktiv. Si marrëveshja
e armëpushimit (korrik 1992), ashtu edhe dokumentet e
tjera të nënshkruara midis Transdnistrias dhe Moldavisë,
janë bërë nën kujdesin dhe ndërmjetësimin
e aktorëve ndërkombetarë. Midis organizatave
rajonale, kontributi i OSBE-së dhe KE-së është
më i dukshëm. Nga ana e saj, BE, që nga viti
2005, ka dërguar një mision që merret me problemet
e efektivitetit të shërbimeve kufitare dhe doganore.
Aktualisht, bisedimet për rregullimin e krizës zhvillohen
ne formatin 5+2. ShBA, Rusia, Ukraina, BE dhe OSBE formojnë
pesëshen e aktorëve të jashtëm në
bisedimet midis Kishinaut dhe Tiraspolit. Midis aktorëve
të jashtëm, rolin më të spikatur e luan
Rusia. Për të kuptuar natyrën e këtij
roli është e nevojshme një ekspoze e shkurtër
e qëndrimeve dhe angazhimeve të saj, që nga
fillimi i konfliktit dhe në vazhdim.
Faktori rus
Që me shpalljen e RSS të Transdnistrias Moldaviane,
në shtator 1990, Moska është treguar shumë
aktive, fillimisht, me ndihmën e saj për krijimin
e superstruktures së republikës së saposhpallur,
policisë, prokurorisë, sistemit bankar, tatimor
e doganor, si dhe për konsolidimin e saj si strukturë
më vete. Në qershor 1992, armata e 14-të e
ushtrisë ruse u gjend në krah të Transdnistrias
dhe nënshkrimi i marrëveshjes së Moskës,
midis Rusisë dhe Moldavisë, në korrik të
po atij viti, bëri të mundur ndërprerjen e
luftimeve. Gjate viteve 1992-1994, Rusia u përpoq që,
për forcat e veta ushtarake në Transdnistria, të
siguronte statusin e kaskave blu, duke legjitimuar qëndrimin
e tyre atje. Kjo ishte pjesë e një strategjie që
nuk kufizohej vetem me Transdnistrian, por përfshinte
të gjitha pikat e nxehta të hapësirës
postsovietike. Sipas ish MPJ të Rusisë, Andrei Kozirjev,
mandatimi nga ana e OKB-së i trupave ruse si paqeruajtës,
diktohej nga nevoja e parandalimit të një "skenari
të ri jugosllav" 17. Këtij argumenti i shtoheshin
edhe afërsia gjeografike e Rusisë me zonat e konfliktit,
si dhe potenciali i saj ushtarak me trupa dhe mjete, pra,
si një vend i aftë për të realizuar detyrat
paqeruajtëse. Reagimi i fqinjëve të Rusisë
ndaj nismës së Moskës ishte negativ. Ish Ministri
i Puneve te Jashtme i Ukrainës, A. Zlenko, deklaroi se
vendi i tij nuk do të jetë kurrë dakord me
këtë rol të Rusisë18. Negativ ishte edhe
reagimi i Uashingtonit dhe Brukselit. E gjendur përballë
këtyre reagimeve, si dhe presionit gjithnjë në
rritje për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga
Traktati i Armeve Konvencionale , në takimin e nivelit
të lartë të OSBE-së, në Stamboll,
në vitin 1999, Rusia u angazhua se do të plotësonte
detyrimet që rridhnin nga ky traktat deri në fund
të vitit 2002. Por edhe ky afat kaloi pa shënuar
ndonjë përparim në realizimin e angazhimeve
të marra nga ana e Kremlinit. Aktualisht, çështja
e trupave ruse në Moldavi është bërë
objekt i një debati të nxehtë, jo vetëm
në marrëdhëniet mes Moskës dhe Kishinaut,
por edhe në ato midis Rusisë dhe vendeve perëndimore.
Ministri i Mbrojtjes i Rusisë deklaron hapur se trupat
ruse në Transdnistria do të qëndrojne deri
sa të rregullohet konflikti(19). Sipas Moskës, një
qëndrim i tillë mbështetet në parimin
e sinkronizimit, d.m.th të largimit të trupave të
saj paralel me zgjidhjen politike, të fiksuar në
marrëveshjen e tetorit të vitit 1994 midis Rusisë
dhe Moldavisë (20), si dhe në deklaratën përfundimtare
të Ministerialit të OSBE-së mbajtur në
dhjetor 2002, në Porto, që e lidh largimin e trupave
të saj ushtarake nga Transdnistria me krijimin e kushteve
të domosdoshme. (21) Udhëheqja e Tiraspolit e mbështet
hapur praninë e këtyre trupave, duke i parë
ato si garanci për ruajtjen e statukuosë, apo edhe
për zgjidhjen eventuale të konfliktit. Sipas saj,
është vetë populli që ka votuar për
praninë e kontigjentit të paqeruajtësve ruse(22).
Nga ana e saj, Moldavia i përmbahet pikëpamjes së
kundërt, se kushti i parë për rregullimin e
konfliktit është, pikërisht, largimi i trupave
ruse nga rajoni. Në fjalimin e mbajtur në Sesionin
e 61-të të Asamblesë së Përgjithshme
të OKB-së, Ministri i Punëve të Jashtme
të Moldavisë, A. Stratan, i rikujtoi Moskës
se ende nuk po zbaton angazhimet e Samitit të Stambollit
të vitit 1999 (23).
Perëndimi është i vendosur në kërkesat
e veta për largimin e trupave ruse konform Traktatit
të Armëve Konvencionale. Në deklaratën
përfundimtare të Samitit të NATO-s, në
Riga, më 29.11.2006, pasi shprehet keqardhja për
mungesën e progresit për tërheqjen e trupave
ruse nga Moldavia, i bëhet thirrje Moskës që
këtë proces ta përfundojë sa më shpejt
të jetë e mundur.(24)
Duke qenë konseguente në ruajtjen e pranisë
së saj në rajon, nga ana tjetër, Rusia nuk
e ka njohur pavarësinë e Transdnistrias. Në
marrëveshjet e nënshkruara nga Moska, si dhe në
projektet që mbajnë autorësine e saj lidhur
me rregullimin e konfliktit, Transdnistria e gjen veten brenda
Moldavisë, si element federativ apo konfederativ, por
gjithnjë në përbërje të shtetit moldav.
Plani Primakov (2000) dhe Memorandumi Kozak (2003) (25) konfirmojnë
tërësinë territoriale të Moldavisë.
Në këtë kontekst, nuk duket të kenë
gjasa reale për t'u realizuar, të paktën, në
perspektivë të afërt, thirrjet e Tiraspolit
për t'iu bashkuar Rusisë, qoftë edhe në
formën e asociimit. Sipas shumë analistëve,
vështirë të vihet në pikëpyetje ekuilibri
gjeopolitik I vendosur pas Luftës së Ftohtë.
Aspekti ligjor përbën një element tjetër
të rëndësishëm. Sipas Kryetarit të
Komitetit të Këshillit të Federatës për
cështjet e Bashkësisë së Shteteve të
Pavarura, Vadim Gustov, që nga viti 2001, në Rusi
është në fuqi ligji që rregullon hyrjen
e formacioneve shtetërore në përbërje
të Rusise, por Transdnistria, në bazë të
ketij ligji, nuk mund të futet në Federatën
Ruse, pasi ajo është pjesë përbërëse
e Moldavisë.(26)
Vec aspektit gjeopolitik, ligjor, nisur edhe nga problematika
komplekse e marrëdhënieve të Rusisë me
eksklavën e vet, Kaliningradin, vështirë të
besohet që Moska do ta priste krahëhapur edhe një
eksklavë tjetër, në formën e sanduicit,
midis Ukrainës dhe Moldavisë, sic është
Transdnistria. Më afër të vërtetës
duket të jetë pohimi, sipas të cilit, interesat
reale të Moskës lidhen me ruajtjen e statusit të
tanishëm të Transdnistrias, de fakto e pavarur,
de jure pjesë e Moldavisë. Transdnistria është
e dobishme për Rusinë, për aq kohë sa
është pjesë e Moldavisë, duke i siguruar
asaj levën e nevojshme për ta përdorur kundër
qeverisë së Kishinaut (27), sa herë që
ky i fundit, sipas Moskës, shkon më larg se c'duhet
në kursin e vet properëndimor. Në varësi
të interesave të veta shtetërore, në marrëdhëniet
me Transdnistrian dhe Moldavinë, Kremlini alternon politikën
e kulacit, kryesisht ndaj Tiraspolit, dhe atë të
kërbacit, kryesisht ndaj Kishinaut. Ndalimi apo lejimi
i kuotave të caktuara në eksport-import, ulja apo
ngritja e cmimeve për lëndëët energjitike,
dhënia apo bllokimi i kredive me kushte lehtësuese,
janë pjesë e këtij mekanizmi, ingranazhet e
të cilit, jo rrallë, vihen në lëvizje
dhe jo vetem në rastin e këtij konflikti. Ruajtja
e statusquosë së Transdnistrias, konservimi apo
ngrirja e ketij konflikti i jep mundësi Moskës që
të realizojë synimet e veta strategjike, me një
kosto të pranueshme politike dhe, në kushtet e mbajtjes,
përgjithësisht nën kontroll të situatës
në rajon. Prishja e statuskuosë, "shkrirja
e konfliktit të Transdnistrias" do të vinte
në pikëpyetje të dy këta elementë
që për Kremlinin konsiderohen me rëndësi
të dorës së parë.
Me gjithë mosmarrëveshjet e thella që ekzistojne
për zgjidhjen e krizës midis Tiraspolit dhe Kishinaut,
si dhe midis këtij të fundit dhe Moskës, duhet
vënë në dukje se, në krahasim me konfliktet
e tjera të "ngrira" në hapësirën
postsovjetike, në Transdnistria nuk pati spastrim etnik
në shkallë të gjerë dhe të zhvendosurit
nuk u kthyen në problem të mprehtë politik.
Vec të tjerash, kjo shpjegohet edhe me faktin që
të dy palët e përfshira në konflikt, nga
ana etnike dhe linguistike, janë të njëjta.
Si Transdnistria, ashtu edhe Moldavia, banohen, kryesisht,
nga moldavë, rusë dhe ukrainas. Ndërkohë,
raportet etnike brenda vetë Transdnistrias janë
shumë të përafërta. Secili nga grupet
më të mëdha etnike (moldavë, rusë,
ukrainas) zë rreth 1/3 e totalit të përgjithshëm
të popullsisë.
Në pamje të parë krijohet përshtypja
se këto specifika favorizojnë një zgjidhje
të lehtë dhe të shpejtë të këtij
konflikti. Nëse flitet për cështje të
tilla, si bashkëpunimi ekonomik e tregtar, ndërmarrja
e hapave për demokratizimin e shoqërisë, sigurimi
i lëvizjes së lirë, vendosja dhe forcimi i
besimit të ndërsjellë, etj, natyrisht që
ka mundësi për të ecur përpara. Por, në
raport me zgjidhjen përfundimtare të krizës,
të gjithë këta elementë jane sekondarë.
Dy janë faktorët vendimtare: tërheqja e trupave
ruse dhe marrëveshja për statusin politik të
Transdnistrias (28). Qëndrimet diametralisht të
kundërta të palëve të interesuara për
tërheqjen e trupave dhe përcaktimin e statusit kushtëzojnë
mbajtjen në gjendje të ngrirë të konfliktit.
"Shkrirja" e tij mund të vijë vetëm
nëse "shkrihen", ndryshojne qëndrimet
politike të palëve të përfshira në
konflikt. Në këtë kuptim, rasti i Kosovës,
sido që të jetë zgjidhja që do të
jepet për të, as nuk e ngrin, as nuk e shkrin konfliktin
e Transdnistrias.
RASTI I ABHAZISË
Abhazia de jure ndodhet në Republiken e Gjeorgjisë,
de fakto, që nga viti 1992, e pavarur, pa njohje ndërkombëtare.
Ka një sipërfaqe prej 8600 km2 dhe një popullsi
prej 250.000 banorësh. Nga veriu kufizohet me Federatën
Ruse, nga Juglindja me rajonin gjeorgjian Samegrello. Laget
nga ujrat e Detit të Zi dhe zotëron, pothuaj gjysmën
e vijës bregdetare të Gjerogjisë. Është
një vend, kryesisht, bujqësor. Në kohën
e bashkimit Sovjetik është njohur si qendër
turistike. Qeveria de fakto është e vendosur në
kryeqytetin e vendit Suhumi, ndërkohë që ekziston
edhe ajo de jure, e vendosur në Abhazinë e sipërme,
në Çalta.(1). Suhumi kontrollon, pothuaj, të
gjithë teritorin e autonomisë së dikurshme,
me përjashtim të grykës së Kodorit, që
kontrollohet nga Tbilisi.(2). Abhazët janë një
popull i vogël malësor, ndër më të
vjetrit e Kaukazit verior, që dallohet qartazi nga gjeorgjianët,
si në pikëpamje etnike, ashtu edhe gjuhësore
e kulturore. Shumica e tyre janë të besimit musliman
(sunit), por ka edhe ortodoksë, paganë dhe ateistë.(3).
Pas vitit 1917, u përfshi në Bashkimin Sovjetik,
fillimisht në përbërje të Federatës
Transkaukaziane, si republikë sovrane. Në vitin
1925 Abhazia miratoi kushtetutën e vet, të cilën,
Suhumi e konsideron si themelin e shtetësisë së
sotme. Pas vitit 1931, ka gëzuar statusin e Republikës
Autonome në kuadër të Republikës Socialiste
Sovjetike të Gjeorgjisë.(4). Në kapërcyllin
e viteve '80-'90, filluan përplasjet midis Suhumit që,
nga frika e humbjes së autonomisë në një
Gjeorgji të pavarur, synonte shkëputjen prej kësaj
të fundit, si dhe të Tbilisit, që në emër
të paprekshmërisë së kufijve dhe ruajtjes
së integritetit territorial, i kundërshtonte këto
përpjekje. Në mars të vitit 1991, abhazët,
ndryshe nga gjeorgjianët, morën pjesë në
një referendum të organizuar për të vendosur
mbi të ardhmen e Bashkimit Sovjetik, duke votuar në
favor të ruajtjes së tij si shtet federal, i unifikuar
(5). Shpallja e pavarësisë, më 23.07.1992,
shënoi fillimin e ballafaqimit të armatosur midis
Gjeorgjisë dhe Abhazisë, i cili, në momente
të caktuara, sidomos gjatë vitit 1993, u shoqërua
më një shkallë të egër dhë të
paparë dhune. Marrëveshja që i dha fund konfliktit
të armatosur u nënshkrua në Moskë, në
maj të vitit 1994. Për fat të keq, pasojat
e këtij ballafaqimi, ndër më të ashprit
në hapsirën post-sovjetikë, ishin fatale për
popullsinë civile: mijëra të vrarë dhe
të zhdukur, qindra mijëra të zhvendosur dhe
refugjatë. Gjatë masakrës famëkeqe të
Suhumit, forcat abhaze kryen një "spastrim të
vërtetë etnik, duke detyruar të largohen nga
shtëpitë dh trojet e tyre mbi 200.000 vetë,
kryesisht gjeorgjianë (6).
Spastrimi i egër etnik solli si pasojë ndryshimin
e strukturës etnike të popullsisë. Në
vitin 1989, popullsia e Abhazisë ishte 537.000 banorë
(7). Nga këta, 93.000 ishin abhazë ose 18% e popullsisë,
gjeorgjianë ishin 240.000, ose 45%, armenë 15%,
rusë 14% etj.(8). Por raportet e tanishme paraqiten krejt
ndryshe. Abhazët zënë 45% të totalit të
popullisë.
OSBE i ka dënuar spastrimet etnike në samitet e
veta në Budapest (1994), Lisbonë (1996), Stamboll
(1999).(9). Të njëjtën gjë ka bërë
edhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së, i cili,
në një sërë rezolutash të miratuara
prej tij i cilëson si të papranueshmë ndryshimet
demografike që kanë ardhur si pasojë e konfliktit
(10) dhe kërkon marrjen e masavë urgjente që
mundësojnë kthimin e refugjatëve dhe përsonave
të zhvendosur brenda vendit. Deri tani, rezultatet e
kthimit të tyre janë krejtësisht modeste.
Përqasja e Suhumit
Qeveria de fakto e Abhazisë e konsideron vendin e vet
një shtet të pavarur dhe kërkon që komuniteti
ndërkombëtar ta njohë zyrtarisht si të
tillë. Të drejtën e vet për shtet të
pavarur, Suhumi e bazon në argumente historikë:
sipas tij, abhazët kanë jetuar para gjeorgjianëve
në territrorin e kontestuar; në eksperiencën
e mëparshme të ekzistencës si subjekt i pavarur-duke
ju referuar periudhës 1921-1931 në përbërje
të Bashkimit Sovjetik: në argumente juridikë-parimet
e së drejtës ndërkombëtare, kryesisht,
e drejta e vetëvendosjës së popujve. Suhumi
akuzon Tbilisin për përfshirjen me dhunë të
Abhazisë në Gjeorgji dhe për politikën
diskriminuese të kësaj të fundit ndaj abhazëve,