RASTI I KOSOVËS,
UNIVERSAL APO SUI GENERIS
Rasti i Osetisë së Jugut.
Dr.
Islam Lauka* (Lexoni shënimin
në fund të shkrimit)
Osetia
e Jugut, de jure, ndodhet në Republikën e Gjeorgjisë,
de facto, që nga viti 1992,¹ republike e pavarur,
pa njohje ndërkombëtare. Ka një sipërfaqe
prej 3900 km² dhe një popullsi prej 70 mijë banorësh.
Kryeqytet i vendit është Cinvali.
Në Bashkimin Sovjetik, që nga viti 1922, ka pasur
statusin e Krahinës Autonome, në përbërje
të Gjeorgjisë. Nga ana veriore kufizohet me Federatën
Ruse dhe lidhet me Osetinë e Veriut, subjekt i kësaj
federate, nëpërmjet tunelit të Rokit që
ndodhet në një lartësi rreth 3.000 metër.
Osetia e Jugut nuk është një entitet kompakt
territorial. Eshtë një përzierje fshatrash dhe
qytetesh të banuara nga osetinë dhe gjeorgjianë.
Pjesa më e madhe e territorit kontrollohet nga Cinvali,
ndërkaq 4 rrethe të ish Krahinës Autonome kontrollohen
nga Tbilisi. ² Enklava gjeorgjiane ka edhe në periferi
të kryeqytetit, siç janë fshatrat Kehvi dhe
Tamarasheni .³
Nga pikëpamja e strukturës etnike, shumicën e
popullsisë e përbëjnë osetinët. Grupi
tjetër më i madh etnik është ai i gjeorgjianëve,
rreth 14.000 vet. ? Në vitin 1989, gjeorgjianët zinin
29% të popullsisë, osetinët rreth 66% të
saj. ? Gjatë konfliktit me Tbilisin, një pjesë
e mirë e popullsisë gjeorgjiane u detyruar të
braktisë trojet e veta në Osetinë e Jugut. 6
Shumica e osetinëve janë të krishterë, mbi
60%, por ka edhe një pakicë domethënëse
muslimane. ?
Konflikti i Osetisë së Jugut me Gjeorgjinë zë
fill me fundin e viteve '80 dhe fillimin e atyre '90. Ashtu
si konfliktet e tjera "të ngrira" edhe rasti
i Osetisë Jugore është pasojë e shpërbërjes
së Bashkimit Sovjetik dhe fuqzimit të nacionalizmit,
shpesh herë i dalë jashtë kontrollit, në
shumë rajone të ish perandorisë së mëparshme
shumëkombëshe. Akuzat e Cinvalit, në adresë
të Tbilisit për dhunimin e autonomisë dhe këtij
të fundit për tendencat separatiste të osetinëve
jugorve, në fund të vitit 1991 dhe gjatë pranverës
së vitit 1992 u shoqëruan me përleshje të
armatosura midis dy palëve, duke lënë rreth 1
mijë të vrarë mbi 60 mijë u kthyen në
refugjatë.? Më 24.06.1992, në Soçi u nënshkrua
marrëveshja që çoi në vendosjen e armëpushimt,
e cila funksionoi deri në mesin e vitit 2004, kur, si pasojë
e shkeljes së saj, pati dhjetra të vrarë e të
plagosur. Në gusht të po atij viti, u rivendos armëpushimi,
i cili, megjithëse i brishtë, është në
fuqi edhe sot.
Përqasja
e Cinvalit.
Qeveria
de facto e Osetisë së Jugut e konsideron vendin e
saj si republikë të pavarur. Sipas Cinvalit, referendumi
i mbajtur më 12.11.2006, e konfirmoi vullnetin e popullit,
të shprehur edhe 15 vjet më parë (1992) në
një tjetër referendum të ngjashëm për
pavarësi. Megjithatë, asnjeri nga referendumet nuk
është njohur ndërkombtarisht, përkundrazi
janë vlerësuar si të paligjshëm nga BE,
OSBE, NATO, apo shtete të veçanta si SHBA etj.,
me përjashtim të Rusisë që i konsideron
ato si shprehje të lirë të vullnetit të
popullit të Osetisë së Jugut dhe se do te ishte
dritshkurtësi nëse ky fakt nuk merret parasysh. 9
Cinvali, si hap të parë kërkon njohjen ndërkombëtare
të pavarësisë, pra shkëputjen nga Gjeorgjia.
Presidenti i vendit, Eduard Kokoiti, deklaron prerë se
"për rikthim në Gjeorgji as që mund të
bëhet fjalë". 10 Duke konsideruar pavarësinë
një fakt të kryer ai shprehet se " treni e ka
lënë tashmë stacionin". 11 Si hap i dytë,
synohet bashkimi me Osetinë e Veriut, në përbërje
të Federatës Ruse. Ekzistenca e lëvizjes për
tu bashkuar me Osetinë e Veriut është një
fakt i njohur dhe i pranuar gjerësisht. 12 Strategjinë
e bashkimit me Federatën Ruse, Cinvali e agurmenton me
vullnetin e popullit shumicë, të konfirmuar në
referendum. Duke iu referuar përsëri presidentit Kokoiti,
fillimisht, vendi i tij duhet të fitojë pavarësinë,
pastaj "të bashkohet me pjesën tjetër të
popullit të vet, domethënë me Osetinë e
Veriut dhe të futet automatikisht në Rusi". 13
Duke filluar nga viti 2003, herë pas here, Dumës së
Shtetit të Federatës Ruse i janë dërguar
kërkesa zyrtare për përfshirjen e Osetisë
së Jugut në përbërje të Rusisë.
Një kërkesë e tillë u bë nga Parlamenti
osetino- jugor 14 më 05.06.2004, për tu përsëritur
në mars të vitit 2006. Veç lidhjeve të
gjakut me Osetinë e Veriut, si pjesë e të njëjtit
popull, në "argumentet" e Cinvalit për t'iu
bashkuar Rusisë, bën pjesë edhe precedenti i
vitit 1774, kur territoret e saj u përfshinë në
Perandorinë Ruse. 15 Një argument i tillë, natyrisht,
është krejtësisht i pathemeltë, për
arsyen e thjeshtë se Rusia e sotme nuk është
vazhdim i Perandorisë së mëparëshme. Kushtetuta
në fuqi e Federatës Ruse nuk e njeh këtë
vazhdimësi.
Nga ana tjetër, Osetisë së Veriut nuk i mungon
vullneti dhe gatishmëria për bashkimin me atë
të Jugut. Presidenti osetino-verior, Tajmuraz Mamsuro,
është shprehur hapur, më se një herë,
se bashkimi i dy vendeve është i pashmangshëm
dhe vetëm çështje kohe." Ne jemi një
popull dhe do ta ndihmojmë njëri- tjetrin me ç'të
mundim" .16
Ashtu si Abhazia, edhe Osetia e Jugut, pothuaj, është
kthyer në një protektorat të Moskës. Ndikimi
rus në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore
të vendit është i dukshëm. Gati të
gjithë banorët e tij gëzojnë shtetësi
ruse. 17 Rubla vazhdon të përdoret në transaksionet
ekonomike. Edhe pensionet i marrin nga Rusia. 18 Osetia e Jugut
është e lidhur ngushtë, sidomos me njërën
ndër subjektet federative ruse me Osetinë e Veriut.
Sa më shumë integrohet në drejtim të saj,
aq më shumë largohet nga Gjeorgjia. 19 Stabilitetin
dhe sigurinë e vet, qeveria de facto e Cinvalit, e lidh
me praninë e forcave paqëruajtëse të rusisë
dhe kjo është arsyeja që është kategorikisht
kundër largimit të tyre nga zona e konfliktit. 20
Gjithashtu, Cinvali është kundër zëvendësimit
të përfqësuesit rus me përfqësues perëndimorë
në Komisionin e Përzier të Kontrollit. 21
Përqasja e Gjeorgjisë.
Për
Gjeorgjinë, pavarësia e Osetisë së Jugut
është e papranueshme. Shkëputjen e saj ajo e
shikon si cënim të tërësisë së
vet territoriale dhe shkeljes të së drejtës ndërkombëtare.
Veç anës parimore, sipas Tbilisit, ka shumë
"argumente praktikë" që nuk e favorizojnë
pavarësinë e Osetisë së Jugut. Në rradhë
të parë, për shkak të nivelit shumë
të ulët të zhvillimit, të mungesës
së burimeve të nevojshme ekonomike etj, ajo është
e paafte për të mbijetuar si entitet i pavarur. Së
dyti, barriera e maleve të Kaukazit e pengon atë që
të ketë lidhje normale dhe të natyrshme me Osetinë
e Veriut dhe me Federatën Ruse. Së treti, rajoni banohet,
jo vetëm nga osetinë, por edhe nga gjeorgjianë,
të cilët janë kundër pavarësisë
së saj, apo bashkimit me një vend tjetër. Ajo
që Tbilisi është gati ti ofrojë Osetisë
së Jugut është autonomia substanciale, brenda
kufijve të Gjeorgjisë.22 Duke hedhur poshtë akuzat
e Cinvalit për shtypjen e autonomisë së krahinës,
autoritetet zyrtare gjeorgjiane, shkaqet e konfliktit me të
i kërkojnë tek ndërhyrja e faktorit të jashtëm
dhe, konkretisht, tek Rusia. Me këtë synohet që
konfliktit ti jepet karakter ndërkombëtar, në
mënyrë që edhe zgjidhja e tij të bëhet
me ndërhyrjen dhe ndikimin e faktorit ndërkombëtar,
kryesisht, atij perëndimor , Moska akuzohet për mbështetjen
e separatistëve 23 për furnizimin e tyre me armë
dhe për dërgim mercenarësh në front. Për
Tbilisin, është Rusia ajo që ka sponsorizuar
kryengritjen e rajoneve separatiste dhe po sponsorizon statukonë
e tensionuar aktuale. 24 Ashtu si në rastin e Abhazisë,
Gjeorgjia e konsideron prezencën e forcave ushtarake ruse
në rajon si pengesën kryesore për zgjidhjen paqësore
të konfliktit. Rezoluta e Parlamentit gjeorgjian "Mbi
forcat paqeruajtëse në zonat e konfliktit" kërkon
largimin e paqeruajtësve rusë nga të dy rajonet
separatiste dhe zëvendësimin e tyre me forca të
tjera ndërkombtare. 25 Presindenti Saakashvili e konsideron
konfliktin e Osetisë së Jugut, jo si një problem
midis gjeorgjianëve dhe osetinëve, por një ballafaqim
midis Gjeorgjisë dhe Rusisë. 26 Gjithashtu Gjeorgjia
kërkon që të ndryshohet formati i Komisionit
të Përzier të Kontrollit dhe, në vend të
Rusisë, të futen në të përfaqësues
të SHBA, BE, OSBE, pasi, sipas Tbilist zyrtar, "në
mbledhjet e këtij Komisioni, pala ruse, bën rolin
e prokurorit, të dëshmimtarit, të avokatit dhe
se kështu nuk mund të vazhdohet më". 27
PERFSHIRJA E FAKTORIT NDERKOMBETAR
Që
me shpërthimin e konfliktit, faktori ndërkombëtar
u gjend i përfshirë në të. Marrëveshja
e Soçit 28 që çoi në vendosjen e armëpushimit
u nënshkrua jo midis Cinvalit dhe Tbilist, por midis këtij
të fundit dhe Rusisë. Konform kësaj marrëveshje
u krijua Komisioni i Përzier i Kontrollit, i përbërë
nga përfaqësues të Gjeorgjisë, Rusisë,
Osetisë së Jugut dhe asaj të Veriut. Komisioni
i Përzier, nga ana e tij, në vitin 1999 ngriti Qendrën
e Veçantë Koordinuese, objekt pune i së cilës
do të ishin bashkërendimi i forcave për ruajtjen
e rendit, për çarmatosjen e popullsisë dhe
luftën kundër krimit të organizuar. Që nga
viti 1992, në Osetinë e Jugut veprojnë forcat
e përziera për ruajtjen e paqes, të përbëra
nga kontigjente ruse, gjeorgjiane dhe osetino jugore. Midis
organizatave ndërkombëtare, OSBE luan rolin kryesor
në këtë konflikt. Në vitin 1992 ajo hapi
misionin e vet të parë, qëllimi i të cilit
ishte mundësimi i dialogut dhe shmangia e konfliktit. Më
vonë, mandati i tij u zgjerua dhe aktualisht, OSBE merret
me realizimin e masave dhe programeve për forcimin e mirëbesimit,
nxitjen e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore
të njeriut si dhe ndihmën për gjetjen e një
zgjidhjeje politike, të qëndrueshme të konfliktit
osetino- gjoergjian. 29
Komisioni Europian, që nga viti 1997, kontribuon financiarisht,
kryesisht, për rindërtimin e objekteve të shkatërruara
nga lufta. 30
Të gjitha organizatat ndërkombëtare në deklaratat
dhe rezolutat që trajtojnë konfliktin e Osetisë
së Jugut, zgjidhjen e tij e mbështesin në respektimin
e sovranitetit dhe integritetit territorial të Gjeorgjisë.
Një qëndrimi të tillë i përmbahet edhe
rezoluta e fundit e Këshillit të Sigurimit të
OKB-së, miratuar më 13.10.2006. 31
Faktori
Rus
Ashtu
si në rastin e Trandnistrias, edhe në konfliktet e
Abhazisë dhe Osetisë së Jugut, Moska është
treguar shumë aktive. Ndërmjetsuese, pothuaj në
të gjitha marrëveshjet, pjesëmarrëse në
proceset e bisedimeve, me një prani domethënëse
ushtarake, Rusia ka ndërmarrë dhe ndërmerr nisma
që dalin jashtë skemave të organizatave ndërkombëtare.
32 Aktivizimi i saj i gjithanshëm, si dhe protagonizmi
konstant në të dy konfliktet kanë në themel
një synim afatgjatë të Moskës - ruajtjen
e pranisë së saj, si garanci e domosdoshme për
stabilitetin dhe sigurinë në një zonë që
për të konsiderohet me rëndësi jetike. Në
funksion të këtij objektivi permanent strategjik,
Kremlini ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike
thirrjet e Tbilisit për largimin e trupave paqeruajtëse
ruse nga zonat e konfliktit në Gjeorgji duke deklaruar
se ky veprim do të bëhet mbi bazën e marrëveshjeve
me qeveritë e atjeshme. 33 Ndërkaq, rezolutën
e parlamentit të Gjeorgjisë që kërkon zëvendësimin
e këtyre trupave me forca të tjera ndërkombëtare,
e ka cilësuar si provokacion. 34 Për Moskën,
jo largimi, por forcimi i pranisë së saj garanton
stabilitetin e rajonit. Ministri rus i Mbrojtjes, S. Ivanov,
e konsideron praninë e trupave të vendit të tij
në Gjeorgji si faktorin themelor që frenon shpërthimin
e konflikteve. 35 Nga ana e tij, Ministri i Punëve të
Jashtme të Federatës Ruse, S.Lavrov ka hedhur poshtë
retorikën "antiruse" të Tbilisit dhe vlerësimet
e tij për Rusinë si "armiku verior". Sipas
tij, pikërisht ndihma ruse, ka bërë të mundur
ndërprerjen e zjarrit dhe krijimin e formatit dhe mekanizmave
të nevojshëm 36 për zhvillimin e bisedimeve për
zgjidhjen e konfliktit, se është pikërisht Rusia
ajo që mban peshën kryesore në forcat paqëruajtëse,
që përballon shpenzimet në favor të të
shpëngulurve të vendosur në territorin e saj
dhe që kontribuon më shumë në ndihma financiare
dhe humanitare për zonat e konfliktit. 37 Mungesën
e progresit në procesin e bisedimeve me Abhazinë dhe
Osetinë e Jugut, Moska, përkundrazi e lidh, jo me
veten e saj, por me qëndrimin reftraktar dhe veprimet e
njeanshme të Tbilisit, duke e akuazuar atë se nuk
është interesuar për bisedime paqësore dhe
se po përgatitet për zgjidhjen e konfliktit me forcë,
nëpërmjet luftës, duke rritur buxhetin ushtarak
me ritme gjigante dhe duke blerë armatime në sasi
të mëdha. 38 Prirjet e Tbilisit për veprime të
njëanshme dhe për përdorimin e forcës, Moska
i motivon me orientimin e tij pro amerikan dhe pro atlantik.
Incidentin lidhur me arrestimin, nga ana e Gjeorgjisë,
të disa officerëve rusë, më 28.09.06, shefi
i diplomacisë ruse, Lavrov, në linjë kronologjike,
e pozicionon pas vendimit të NATO-s për bashkëpunim
intensiv me Gjeorgjinë dhe pas visitës së presidenti
Saakashvili në Uashington. 39 Ndëshkimi i radhës
"për kalimin e masës" u shoqërua me
bllokadë ekonomike, me largimin nga Rusia të mijëra
emigrantëve gjeorgjianë dhe me imponimin e sanksioneve
të rrepta tregtare për eksportet bujqësore të
saj. 40 Me fillimin e vitit 2007, Rusia dyfishoi çmimin
e gazit për Gjeorgjinë. 41 Duke i konsideruar shtetas
të saj të gjithë poseduesit e pasaportave ruse
(si në Abhazi dhe në Osetinë e Jugut, shumica
e banorëve janë posedues të këtyre pasaportave),
Moska u garanton atyre mbrojtje "me të gjithë
mjetet". 42
Duke qenë konseguente në ruajtjen e pranisë së
saj në rajon, nga ana tjetër, Rusia nuk i ka njohur
si të pavarura as Abhazinë dhe as Osetinë e Jugut.
Zyrtarisht, ajo ka mbështetur qëndrimin se zgjidhja
e këtyre konflikteve duhet kërkuar mbi bazën
e respektimit të integritetit territorial të Gjeorgjisë.
Edhe kërkesat e Cinvalit për t'iu bashkuar Federatës
Ruse, Kremlini i ka lënë në heshjte ose, në
mënyrë të tërthortë, u ka dhënë
përgjigje negative. Duke gjykuar mbi ligjshmërinë
e një bashkimi eventual, Gjykata Kushtetuese e Rusisë
është shprehur se çështja e Osetisë
së Jugut, si pjesë përbërëse e një
shteti të huaj, duhet të diskutohet me Gjeorgjinë
dhe me nismën e kësaj të fundit . 43 Megjithatë
, nuk janë të paktë, politikanët, deputetët,
apo personalitetet e njohura publike ruse që shprehen në
favor të këtij bashkimi, siç është
rasti i ish Kryeratit të Parlamentit, Rusllan Hasbullatov,
i cili ka deklaruar se Rusia është e gatshme, jo vetëm
të pranojë Osetinë e Jugut në gjirin e saj,
por edhe ta mbrojë atë me armë nga luftëtarët
gjeorgjianë. 44
Një problem mjaft i mprehtë mbetet kthimi i personave
të zhvendosur dhe i refugjatëve. Në një
material, të përgatitur nga International Crisis Group,
jepen të dhëna të hollësishme mbi bazën
e të cilave krijohet një pamje shumë e qartë
rreth këtij problemi. Nga 97.658 osetinë që në
vitin 1989 banonin jashtë autonomisë së dikurshme
të krahinës, pra në territorin e brendshëm
gjeorgjian, sot kanë mbetur vetëm 38.028 prej tyre.
45 Siç rezulton nga shifrat, rreth 60.000 vetë u
detyruan të lënë trojet dhe shtëpitë
e tyre. Sipas të dhënave të këtij materiali,
gjatë viteve '90- '92 mbi 40.000 osetinë janë
zhvendosur në Federatën Ruse, në Osetinë
e Veriut 46, ndërkohë që nga Osetia e Jugut,
rreth 10.000 vetë, 47 kryesisht gjeorgjianë etnike,
u zhvendosen në Gjeorgji. Sot, pas mbi 15 vjetësh,
të zhvendosurit dhe refugjatët as nuk janë kthyer,
as nuk kanë rifituar të drejtat e pronësisë.
Për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga konflikti
as që mund të bëhet fjalë. Veç aspektit
të sigurisë, apo kostos së lartë ekonomike
dhe financiare, kthimi i të zhvendosurve, sidomos i osetinëve,
vështirësohet edhe nga fakti që dyshtetësia
në Gjeorgji është e paligjshme. Ajo jepet në
raste të rralla dhe vetëm me dekret të presidentit.
Në kushtet kur, jo vetëm osetinët e zhvendosur
në Rusi, por edhe ata që jetojnë në Republikën
e vetëshpallur gëzojnë shtetësinë ruse,
kthimi i tyre në vendbanimet e mëparshme në Gjeorgji,
në mungesë të amendimeve ligjore është
i jashtëligjshem. Acarimi gjatë vjeshtës së
vitit 2006 i marrëdhënieve midis Rusisë dhe Gjeorgjisë
e komplikon jo vetëm problemin e kthimit të të
zhvendosurve dhe të refugjatëve, por tërë
procesin e bisedimeve paqësore dhe e errëson perspektivën
e zgjidhjes së konfliktit të zgjatur midis Gjeorgjisë
dhe rajoneve të saj separatiste, Abhazisë dhe Osetisë
së Jugut
* Drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike
Shënim : pikepamjet e shprehura
ne studim jane te autorit dhe nuk implikojne asnje institucion
tjeter.
islamlauka@yahoo.com
Vazhdimi |